Tema e ditës

Diskutime mbi temat më të veçanta të ditës
 
Shoqëria civile në Kosovë shpreh shqetësimin e saj për mënyrën e zgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës Kushtetutese. Kjo për faktin se, sërish në mesin e aplikantëve ka emra, të cilët deputetët nuk i kanë votuar herën e parë. Përsëritja e kandidatëve dhe dërgimi i po të njëjtëve për miratim në Kuvend, sipas Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) do të thotë presion për deputetët. “Nga lista prej 16 kandidatësh, sa kanë kaluar fazën e marrjes në pyetje, të paktën gjysma e tyre kanë qenë edhe më parë pjesë e këtij konkursi dhe nuk janë votuar nga kjo legjislaturë, pra nga po këta deputetë”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate. Sipas “INDEP” nuk mundet që për të njëjtin post, të votohen të njëjtët persona nga po të njëjtët deputetë dhe të pritet një rezultat i ndryshëm, përveç se, nëse deputetët përballen me presion në votën e tyre.
 
Prokuroria e Kosovës ka bërë të ditur se ndalimi i deputetëtit të Vetëvendosjes Albin Kurti për marrje në pyetje është bërë me urdhër të një prokurori nga Departamenti për Krimet e Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Përmes një komunikate për shtyp, prokuroria ka njoftuar se ka filluar hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorimi të armëve”. “Në kuadër të këtij hetimi ka qenë i planifikuar edhe marrja në pyetje e deputetëve të dyshuar. Për rrjedhojë, pas urdhërit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë është ndaluar deputeti Albin Kurti”, thuhet në komunikatën zyrtare. Sipas prokurorisë, deputeti Albin Kurti është pyetur në ambjentet e stacionit policor në prani të avokatit mbrojtës dhe menjëherë më pas është liruar me procedurë të rregullt. Prokuroria bën të ditur se hetimet për rastin e hedhjes së gazit lotësjellës në sallën e Kuvendit janë duke vazhduar.
 
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se partitë e opozitës Vetëvendosje, AAK dhe Nisma po tentojnë të marrin pushtetin përmes dhunës, pa respektuar asnjë rregull ligjor e demokratik. Mustafa ka shkruar në profilin e tij në Facebook se nuk do ta tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet për demarkacionin me Malin e Zi dhe as atë për Asociacionin e Komunave Serbe. Ai ka thënë se marrëveshja me Malin e Zi do të korrigjohet nëse dikush e dëshmon se Kosova ka humbur territor. “Për vendin tonë nuk janë problem real as asociacioni dhe as demarkacioni me Malin e Zi. Problem është abstenimi në zbatimin e ligjit dhe rregullave, që stimulon hyxhymin e dhunshëm për të ardhur në pushtet jashtë rregullave demokratike”, ka shkruar Mustafa. Reagimi i tij ka ardhur pas seancës parlamentare të fundit që u karakterizua nga një rrëmujë e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, të mbështetur nga AAK dhe Nisma, hodhën gaz lotësjellës në sallë për të kundërshtuar marrëveshjet.
Opozita kosovare nuk tërhiqet, ndërsa ka bllokuar sërish punimet e seancës plenare. Deputetët e Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë qëndruar para foltores së Kuvendit. Në emër të opozitës, Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se opozita nuk do të heqë dorë nga bllokimi deri në tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nga marrëveshja për themelimin e bashkësisë së komunave të banuara me shumicë serbe. Gjithashtu përveç seancës së sotme edhe ajo që ishte vendosur për të premten është shtyrë. Seanca e fundit në Kuvendin e Kosovës në 22 shtator përfundoi pas një sulmi me vezë në drejtim të kryeministrit Mustafa, në kohën që ai po raportonte për marrëveshjen e arritur. Marrëveshja për këtë bashkësinë e komunave serbe është arritur më 25 gusht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por opozita e sheh këtë marrëveshje si një hap sjell ndarjen e Kosovës.
 
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi udhëtuan të shtunën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në samitin global të liderëve kundër ISIS-it dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm që do të mbahet në New York. Në këtë samit do të diskutohet për të arriturat e shteteve në luftën kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm. Dhe për këtë qëllim pjesë e delegacionit kosovar është edhe ministri i brendshëm Skënder Hyseni. Kosova është vlerësuar si njëra ndër vendet me numrin më të madh të shtetasve të saj, për frymë, që i janë bashkuar luftërave në Siri e Irak. Sidoqoftë, kjo nuk do të jetë fokusi i vetëm i delegacionit qeveritar. Siç njofton qeveria e Kosovës, kryeministri Mustafa do të fokusohet në punën lobuese për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë bërë këtë. Ai do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë të administratës së shtetit, kryeministra të shumë vendeve të BE-së, si dhe liderë të shteteve të ndryshme anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe të shteteve që ende nuk e kanë marrë vendimin formal për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ndërkohë përvec njohjes së pavarësisë, e rëndësishme mbetet edhe përkrahja e shteteve për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, theksohet anëtarësimi në Unesco për çka Kosova tashmë i ka hyrë garës. Nga ana e tij zëvendëskryeminstri Thaçi shkruan në Facebook se po udhëton drejt New Yorkut për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara duke paralajmëruar takime me zyrtarë të departamentit të shtetit, OKB-së e BE-së. Siç shkruan Thaçi “shumë mundësi për të lobuar për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.
 
Një delegacion nga Komisioni për Politikat e Jashtme të Parlamentit Europian, i cili kryesohej nga Ulrike Lunaçek, ka qëndruar të premten në Prishtinë, ku janë zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit. Pas takimit me parlamentarët europianë, zyra e Presidentes Jahjaga, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se, në këtë takim, presidentja kosovare e ka njoftuar delegacion e Parlamentit Europian me zhvillimet e përgjithshme në vend, me theks në proceset që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Sipas komunikatës, nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, dhe anëtarët e tjerë të delegacionit kanë shprehur mbështetjen për perspektiven europiane të Kosovës. Pas takimit me Jahjagën, parlamentarët europianë takuan kryeministrin, Isa Mustafa, teksa ky i fundit ishte i shoqëruar nga ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, dhe nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Edhe në këtë takim, sipas komunikatës së qeverisë është diskutuar për kriteret që ka përmbushur Kosova për MSA-në dhe liberalizimin e vizave, ndërsa kryeministri Mustafa ka thënë se tanimë nuk ka asnjë arsye që të ketë ndonjë vonesë për Kosovën. Sipas komunikatës së qeverisë, nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek është interesuar për proceset politike aktuale në Kosovë dhe krizën e shkaktuar në Kuvend. Nënkryetarja e Parlamentit Europian, Lunacek, dhe deputetët e tjerë kanë takuar në Prishtinë edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe anëtarët e Komisionit për Punët e Jashtme, të cilëve u kanë dhënë mbështetje në punën që bën Kuvendi, për përmbushjen e gjitha detyrimeve dhe përafrimit të legjislacionit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian.
Autoritetet më të larta shtetërore në Kosovë shprehin gatishmërinë për t’i mbrojtur në mënyrë institucionale sinjalizuesit apo personat që denoncojnë nga brenda institucioneve publike apo kompanive private korrupsionin. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se sinjalizuesit duhet të inkurajohen ta bëjnë këtë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli theksoi se denoncuesit janë heronjtë e vërtetë të Kosovës. Një qëndrim i tillë vjen pak kohë pasi gjykata e Prizrenit dënoi një qytetar pasi shfrytëzoi të dhënat e brendshme të bankës ku punonte për të denoncuar korrupsionin e zyrtarëve komunalë. “Sinjalizuesit e veprave penale të korrupsionit duhet të inkurajohen duke u mbrojtur institucionalisht, në mënyrë që të vazhdojnë raportimin tek institucionet dhe tek mediat. është obligim institucional që raportimet e këtyre dukurive të shëmtuara dhe shumë dëmtuese për buxhetin e shtetit, të trajtohen me urgjencë nga organet e ndjekjes, vonesa në trajtimin e kallëzimeve nga sinjalizuesit është vonim i drejtësisë dhe njëherit dekurajim i angazhimit qytetar në këtë luftë”, tha presidentja Jahjaga. “Sot ne duhet që luftën kundër korrupsionit ta kuptojmë si akt patriotik, sot shteti i kosovës ka nevojë për këtë lloj patriotizmi, ka nevojë për këta heronjë, heronjë që e denoncojnë korrupsionin, heronjë që e hetojnë korrupsionin, prokurorë me guxim dhe gjyqtarë që mund ta dërgojnë deri në fund cështjen pavarësisht kush është i përfshirë”, deklaroi kreu i Kuvendit, Kadri Veseli. Në këtë linjë është edhe ambasadori amerikan në Prishtinë ndërsa për kryeministrin Mustafa, Kosova ende nuk ka ndërtuar kritere morale e ligjore për luftimin e korrupsionit. “Sinjalizuesit duhet të mbrohen, një sistem transparent për çështjet si prokurimi publik duhet të zhvillohet, duhet të bëhet një ndryshim i kulturës, ku të gjithë qytetarët refuzojnë ta pranojnë korrupsionin dhe angazhohen për t’u bërë pjesë e zgjidhjes”, tha ambasadori i SHBA. “Qeveria me programin qeverisës është e vendosur që të luftojë korrupsionin dhe do të krijojë kushte normale të konkurrencës. Ne nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik nëse kemi korrupsion sepse pastaj firmat nuk janë të barabarta në treg. Po ashtu mendoj se nuk mund ta luftojmë korrupsionin, duke kërkuar kokë turku, ose peshq të mëdhenj, ashtu siç kemi vepruar deri më tani, sepse konsideroj se peshk i madh është çdo njeri i cili është i korruptuar”, tha Mustafa. Krahas shumë sfidave me të cilat ballafaqohet Kosova në luftimin e korrupsionit, ligjet në disa raste janë vetë problemi dhe burim i korrupsionit, siç është rasti me ligjin e prokurimit publik. Këtë e konstatoi zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina e cila në këtë takim kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi të bashkëpunojë më ngushtë me prokuroritë për ndryshimin e nevojshëm në legjislacion.
 
Qeveria e Kosovës ka vendosur për shumën e pensioneve, që do të marrin veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë të papunë, e që llogariten të jenë rreth 14 mijë. Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se, veteranët deri në moshën 35-vjeçare do të marrin pension prej 130 eurosh, ndërsa veteranët mbi moshën 35 vjeç do të marrin pension prej 170 eurosh. “Sot nuk është i pranishëm ministri i Punës, por unë po pres që ai t’i bëjë publike shpejt udhëzimet administrative për procedurën e aplikimit dhe afatet kohore, si për aplikim edhe për kohën kur fillon përfitimi i pensionit”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave në Kosovë. Hoti tha se, këto shuma janë caktuar në bazë të ligjit për veteranët, që përcakton se pensioni minimal duhet të jetë jo më i ulët se paga minimale. Kryeministri Isa Mustafa tha se, të premten do të vendoset edhe për procedurat e aplikimit për këto pensione, ndërsa ato mund të rriten në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe pagën minimale. “Me këtë, prej ditës së sotme hapet mundësia që të gjithë përfituesit e kësaj të drejte, nga radhët e veteranëve të UÇK-së, të fillojnë të realizojnë të drejtën e tyre”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës. Kabineti qeveritar miratoi shpronësimet e pronave të kërkuara për projektin e kompleksit turistik të Brezovicës, ku pritet të investohen rreth 161 milionë euro. Qeveria miratoi gjithashtu edhe anëtarët e disa bordeve të ndërmarrjeve publike.
Top