Re: ora 17:00 ERDHEN DRITAT!!!
Zëvendësministri Gjergji Bojaxhi ka konfirmuar për “Shekullin” arritjen e marrëveshjes politike në Beograd
Energjia, marrëveshje me Serbinë
Pas “OK” politik, pritet vetëm mundësia teknike për tranzitimin e energjisë nëpërmjet linjave serbe
Florian Papadhimitri
TIRANË-Situata energjetike në Shqipëri mund të përmirësohet në saje të importit që pritet të tranzitohet nëpërmjet linjave serbve dhe malazeze. Realizimi i marrëveshjes është bërë i ditur mbrëmë për “Shekullin” nga ana e zëvendësministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Gjergji Bojaxhi, i cili ka konfirmuar faktin se pala shqiptare dhe ajo serbe kanë rënë dakord për tranzitimin e energjisë elektrike nëpërmjet linjave serbe. Sipas Gjergji Bojaxhi, politikisht gjithçka është në rregull, por duhen parë mundësitë teknike mes ekspertëve dhe mundësive të fushës. Zëvendësministri Bojaxhi, i cili aktualisht gjendet në Beograd, i kontaktuar mbrëmë me anë të telefonit ka konfirmuar suksesin e arritur të bisedimeve, duke treguar se politikisht është rënë dakord për përdorimn e linjave të tensionit të lartë. “Bëj të ditur se bisedimet përfunduan me sukses dhe politikisht arritëm në zgjidhje për tranzitimin e energjisë”, - tha mbrëmë Gjergji Bojaxhi. Zëvendësministri, i cili kryeson grupin e bisedimeve në Beograd, ka bërë të ditur se ende nuk është përfunduar dhe realizuar tranzitimi i energjisë, pasi teknikisht ende nuk është realizuar asgjë. “Suksesi është në marrëveshjen politike, por tani i ngelet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe drejtorisë këtu që të përcaktojnë detajet teknike për realizimin e tranzitimit të energjisë” ka thënë mbrëmë Bojaxhi, duke shtuar se “kryesore është aritja e marëveshjes politike, pasi teknikisht mund të gjendet zgjidhje”. Zëvendësministri ka udhëtuar drejt Beogradit me qëllimin e arritjes së marrëveshjes, pasi linjat e tensionit të lartë të Serbisë janë më të favorshmet për të sjellë energjinë nga Ukrania apo Rumania drejt vendit tonë. Linjat e Serbisë kanë qenë e vemtja shpresë për përmirësimin e krizës energjetike në Shqipëri, dhe kjo ishte “në dorë” të Beogradit, nga ku duhet të merrej leja për kalimin tranzit të energjisë nëpër Serbi, energji që mund të vijë nga Ukraina apo Rumania. Në arritjen e marrëveshjes, sipas burimeve të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka pasur shumë vështirësi të karakterit politik dhe teknik, por duket se pjesa më e madhe e tyre është kaluar, pasi politikisht është arritur një marrëveshje nga delegacioni shqiptar që kryesohej nga Gjergji Bojaxhi. Për sa i përket detajve teknike të tranzitimit, ende nuk është bërë e ditur asgjë, po pritet që drejtues dhe specialistë të KESH-it të vizitojnë Beogradin dhe të kthejnë një përgjigje për tranzitimin e energjisë. Nuk është bërë e ditur se përsa kohë do të zgjasë tranzitimi, pasi kjo i ngelet marrëveshjes me detajet teknike.