Re: Zbulohen 3 miliard barila nafte ne Shqiperi
Po vere te plote artikullin o Celjan:
<span style="color: #CC0000">Flet inxhinieri i naftës, profesor doktor Gjergji Foto, pas rivlerësimit të të gjitha burimeve ekzistuese të "arit të zi" shqiptar</span>
<span style="color: #660000">Rezervat, rreth 400 milionë tone fuçi nafte në nëntokën shqiptare
</span>
"Kemi shfrytëzuar vetëm 15% të totalit. Janë 6 herë më shumë të paprekura"
Të varfër, mes "arit të zi". Është ky, me sa duket, fati i shqiptarëve që "nuk e dinë" se ku shkelin. Por, sipas ekspertëve të fushës, nuk do të jetë e largët e ardhmja, kur sipërmarrjet botërore të naftës të kthejnë vështrimin edhe nga ne. Ata, burrat e mençur, që gjithë jetën ia kanë kushtuar studimit, eksperimentimit dhe kërkimit në terren të naftës, kanë shumë shpresë dhe tregojnë zgjidhje. "Shqipëria në të ardhmen do të ketë vëmendjen ndërkombëtare për pasuritë e mëdha të naftës, që edhe pse ndryshe nga ajo e pjesës tjetër të botës, sërish është aty, e fshehur, në kurthet nëntokësore, të tektonikës sonë tejet të thyer", shprehet inxhinieri i gjeologjisë së naftës, profesor doktor Gjergji Foto.
Rezervat
Të dhënat e një studimi të fundit të një grupi profesorësh që gjithë jetën ia kanë kushtuar naftës, si dhe ato të kryera ndër vite nga specialistë vendas dhe të huaj, vërtetojnë se në nëntokën shqiptare ekzistojnë, jo pak, por qindra milionë tonë naftë të pashfrytëzuara. Një rezervë kolosale kjo për një vend të vogël si Shqipëria. "Janë disa qindra milionë tonë rezerva që variojnë nga 300-400 milionë tonë naftë e rëndë në nëntokën shqiptare", pohon inxhinieri i naftës, Gjergji Foto, që prej më shumë se 40 vitesh ka kontribuar në shpimin e puseve të naftës dhe në llogaritjen e rezervave të saj nëntokësore, në të gjitha vendburimet.
Inxhinieri Foto tregon plot optimizëm se "jemi në prag të derës së Evropës dhe këto rezerva nafte mund të nxirren e të shfrytëzohen. Besoj që do të vijë dita kur këto rezerva, si dhe rërat bituminoze, që ne i kemi me bollëk, të jenë të kërkuara në tregun e së ardhmes".
Profesori Foto flet edhe për një studim të viteve të fundit, që ai ka realizuar së bashku me një grup kolegësh, ndër specialistët më të mirë shqiptarë në këtë fushë. Përmes një financimi nga "Albpetroli", për 3-4 vjet me radhë gjeologët kryen një seri rivlerësimesh të vendburimeve ekzistuese të naftës në vend. Duke ju referuar edhe përvojës botërore, inxhinieri i naftës, Gjergji Foto, shprehet se "na ka rezultuar që deri më sot të kemi shfrytëzuar dhe nxjerrë nga nëntoka vetëm 10-15 për qind të të gjithë rezervave të naftës që kemi". Ai saktëson se në nëntokë ndodhen edhe 6 herë më shumë sasi nafte se sa ajo që është prodhuar deri tani. Por nafta shqiptare ka cilësi të veçanta. Profesori Foto sqaron se ajo është e ngjashme me naftën që nxirret në Venezuelë dhe Kanada. Këto klasifikohen te naftat e rënda dhe ekstra të rënda. Pra, që nuk janë shumë të pasura me karburante, janë të vështira për t‘u transportuar, por që mund t‘i nënshtrohen procesit të pasurimit.
Interesi
I rritur në kantieret e naftës, profesori i dhjetëra brezave të inxhinierëve të kësaj pasurie të nëntokës shpjegon se "në botë ka teknika dhe teknologji nga më modernet dhe aktualisht po punohet shumë për vënien në eficencë edhe të këtyre naftave të rënda". Ai përmend një sërë metodash, që mund të shfrytëzohen edhe për nxjerrjen dhe pasurimin e naftës shqiptare. "Interesi për këtë lloj nafte ka qenë i ulët, pasi përpunimi i saj del me kosto të lartë dhe nevojat në botë janë plotësuar nga naftat e lehta arabe", thotë inxhinier Gjergji. Por, ai konstaton se rezervat e naftës së lehtë janë drejt rënies dhe vendin e tyre do ta zënë naftat e rënda, si ajo që ka vendi ynë. "Në qoftë se për naftat e lehta është kongresi botëror që studion gjithçka, në 2008 do të organizohet kongresi i parë i shfrytëzimit të naftave të rënda dhe ekstra të rënda si kjo e jona", shprehet ai. Ky kongres do të zhvillohet në Holandë, por asnjëri nga inxhinierët dhe specialistët shqiptarë të naftës nuk do të mund të marrë dot pjesë. Dhe shkak për këtë është mungesa e fondeve. Por mbi të gjitha është neglizhenca e plotë shtetërore, si dhe mungesa e një programi të qartë qeverisës për këtë fushë, ku nuk investohet thuajse fare që pas viteve ‘80, pa përmendur shkatërrimin e këtij sektori pas viteve ‘90.
Keqkuptimi teknologjik
"I paskemi rënë murit me kokë". Kështu preferon ta përkufizojë atë punë kolosale të bërë në dhjetëra vite gjatë sistemit komunist profesor Gjergji Foto, teksa kujton mundimet dhe presionet e mëdha për të realizuar planet e vendosura nga qeveria e asaj kohe. "I kemi trajtuar vendburimet tona ekzistuese si të ishin me naftë normale, siç i ka tërë bota dhe jemi krahasuar me ato kritere që thonë literaturat. Na është dukur vetja të mjerë", shton më tej ai. Por thekson se në këtë punë ka një keqkuptim, që ka vijuar edhe pas viteve ‘90. "Na është kërkuar edhe përmes dokumenteve shtetërore që në nxjerrjen e naftës të arrijmë nivelet botërore, 60%. Kjo është gabim, pasi ne paskemi bërë shumë, por jo duke u krahasuar me 60%, por me 15%. Dhe këtë e argumenton me parametrat e naftës shqiptare. Ne kemi shpuar puse me gryka të vogla, përmes sondash të holla, si për të nxjerrë naftë të lehtë. Realisht duhet një investim i madh, që puset të ndërtohen me grykë të gjerë. Sipas literaturës botërore, vetëm kështu nafta e llojit tonë mund të rrjedhë lirisht".
Reagimi
Pas deklaratave të një kompanie amerikane për rezervat e naftës në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut
<span style="color: #CC0000">"Të huajt u janë referuar studimeve tona"</span>
"Të shesësh lëkurën, pa vrarë ariun". Kështu preferon t‘i komentojë inxhinieri Gjergji Foto deklaratat e fundit të përfaqësuesve të një kompanie të huaj, që pretendojnë se kanë zbuluar rezerva prej 3 miliardë fuçish nafte në nëntokën e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. "Unë nuk them dot që kjo kompani bëri një studim dhe vlerësoi që ishte kjo zona më e mirë për shpime", shpjegon ai. Por me bindje shprehet se ata nuk kanë bërë tjetër veçse kanë shfrytëzuar rezultatet e punimeve tona, të studiuesve shqiptarë të nëntokës. Sipas profesorit të naftës në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, atë shifër unë mund ta them për të gjithë territorin. Por ai mendon se nuk ka ndonjë specifikë të veçantë që e nxjerr këtë rajon në plan të parë. Dyshimin e tij ai e mbështet edhe në faktin se nuk janë dhënë argumentet mbështetëse për këto deklarata. Ai thekson më tej se vlerësimi i situatës aktuale nga specialistët shqiptarë, pas përllogaritjeve dhe njohjes së terrenit, tregon se janë 400 milionë tonë naftë rezerva të zbuluara. Por, për të huajt pohon se nuk kanë për të bërë dot "zbulime të reja", pa iu referuar më parë studimeve tona. "Naftë për t‘u zbuluar ka, pasi ne nuk i kemi arritur të gjitha thellësitë në shpimet e puseve, shton më tej inxhinieri Foto, duke theksuar se investimi nga ana teknike për shpime të thella kërkon shuma të mëdha". Harta e Shqipërisë është e ndarë në 102 blloqe kërkimi të naftës, të cilat u ofrohen të huajve që paraqesin interes për kërkime dhe shpime të reja dhe ata zgjedhin. Ne si gjeologë ndjekim një radhë, sqaron më tej Foto. "Të gjitha sheshet që zgjedhim kanë risk. Mesatarja më e mirë e kërkimit në botë sot është që nga 10 puse, të cilat vendosen të shpohen, pasi kanë rënë dakord të gjitha palët se aty mund të gjendet naftë, e prej tyre vetëm njëri rezulton pozitiv. Prandaj çdo kuadrat është me risk". Lidhur me këtë deklarim të fundit të kompanisë shumëkombëshe amerikane, ai pohon se ekonomia e tregut i ka njerëzit që dalin për të shitur. Por ndryshe nga mallrat e tjera, sikundër shprehet profesori, nafta nuk është njëlloj si të tjerat, që lidhet me kërkesë-ofertën. Ajo lidhet ngushtë edhe me politikën apo luftërat. "Nëse do që të bësh politikë, shtrëngo naftën", tregon eksperienca e inxhinierit, i cili e filloi punën që i ri në puset e naftës në Kuçovë.
Meraku i tij më i madh lidhet me të ardhmen që do të ketë Qendra Kërkimore e Gjeoshkencave pranë Universitetit Politeknik, pas shkrirjes së instituteve të Akademisë së Shkencave. Këtë qendër profesor Foto e vlerëson si një ndër mundësitë më të mëdha që duhet shfrytëzuar në maksimum, për realizimin e studimeve të nevojshme në fushën e naftës. Rruga më e mirë, sipas tij, është që të financohet kjo qendër për studime të thelluara. Është kjo qendër, saktëson ai, që duhet të propozojë, të lidhet me institucionet botërore dhe të tërheqë investimet. Kjo, pasi duke mos e bërë këtë punë, personalitetet shqiptare të këtij sektori, do të ngrihen njerëz të tjerë dhe, më pas, nuk ndodh tjetër veçse krijohet pështjellim. "Përparësinë e dimë ne që kemi shpuar puse dhe kemi bërë vlerësimin e perspektivës në të gjithë territorin", thotë ai, duke kërkuar edhe vëmendjen apo investimet e munguara gjatë gjithë këtyre viteve. Disa kompani, ndër to edhe disa shumë prestigjioze në fushën e kërkimit dhe prodhimit të naftës, kanë dështuar në tentativat e tyre në Shqipëri. "Njëra prej tyre punoi 8 vjet në Marinëz, tashmë ka ardhur një tjetër kanadeze. Këto janë vetëm fillimet. Në kërkimet për vendburime të reja janë bërë shumë shpime në det dhe në tokë, që kanë harxhuar qindra milionë dollarë dhe nuk kanë zbuluar gjë", shprehet inxhinieri i vjetër, duke i mëshuar idesë së tij se vendasit e njohin me pëllëmbë këtë vend, që amerikanët e stigmatizojnë me teorinë e "kekut të shtrydhur". A. Rrushi
Fillimet e shfrytëzimit nga italianët, pionierët e parë të ngritjes së kësaj industrie e deri në shkatërrimin e saj në vitet ‘90
Historia e "arit të zi" përmes rrëfimit të inxhinierit, që u rrit mes naftës
Italianët. Në Shqipëri, për herë të parë u kryen shpime në Kuçovë dhe në Patos. Ishte kompania italiane AIPA (sot AGIP) që nxori prodhimin e parë në vitet 1935-1936. Nafta që nxirrej dërgohej në zonën e ujit të ftohtë në Vlorë dhe prej andej përfundonte me destinacion Italinë. Me ta kishte punuar edhe një gjeolog polak, Stanislav Zuber. Ai vdiq në 1947, në burgjet shqiptare. Gjermanët pas kapitullimit të Italisë në 1943 i kërkuan atij t‘u tregonte sekretet e vendndodhjeve të naftës. Madje për ta bindur i ofruan edhe një grua shumë të bukur, me të cilën u martua, por që edhe ajo vdiq gjatë bombardimeve të aleatëve.
Gjermanët. Në Kuçovë ata e rritën prodhimin e naftës dhe madje ngritën një rafineri të vogël të përpunimit të saj për nevojat e tyre të luftës. Në fund i shkatërruan të gjitha, edhe puset e naftës të ndërtuara me dërrasa edhe distilerinë.
Regjimi komunist. Ishte Sherif Toptani dhe naftëtarët e tjerë, që kishin punuar me italianët, ata që ringritën industrinë e naftës pas çlirimit. Te ne nuk ka pasur gjeologë. Unë jam rritur në Kuçovë. Ai ka qenë dhe një kantier i përgatitjes së kuadrove dhe specialistëve. Ka qenë një shkollë e madhe. Italianët futën përvojën e naftës në Shqipëri. Ishin shfrytëzues të jashtëzakonshëm, por janë pionierët e kësaj industrie në vendin tonë. Deri në 1948, punëtorët shqiptarë, të mësuar nga italianët, drejtonin punimet së bashku me jugosllavët. Këta të fundit kanë bërë shumë shpime dhe më pas ishin rusët ata që dhanë një kontribut të mëtejshëm. Por studimet e kryera nga italianët, që para çlirimit, qëndrojnë edhe sot.
1951-1952. Rusët aplikuan metoda të reja të kërkimit në këtë fushë. U shtua numri i sondave. Filloi puna edhe në vendburimin e Patosit.
1957. U zbulua vendburimi i parë i naftës në Marinzë. Aty pati një fontanë të hapur (shpërthim i pakontrolluar i naftës). Për herë të parë u vërtetua prezenca e fuqishme e naftës, por dëmi ishte shumë i madh. Fontana u mbyll me ndihmën e rusëve. Kam punuar me ta dhe kemi mësuar shumë. Heroizmi dhe përkushtimi i treguar prej tyre ka qenë mbresëlënës. Janë futur drejt zjarrit për ta shuar dhe ka pasur nga ata që edhe janë djegur. Sigurisht ka pasur edhe nga tanët që kanë shfaqur guxim dhe heroizëm të tillë. Kemi shumë figura të shquara.
1960-1961. Ishte koha kur u bë mbledhja e 81 partive. Në sektorin e naftës u ndje shumë kriza, pasi u tërhoqën masivisht specialistët rus.
Kuçova. Është qyteti i parë i naftëtarëve. Ka qenë një kryeqytet i vërtetë, me nivel shumë të lartë kulturor dhe intelektual në të gjithë vendin. Një kantier i madh i profesionistëve dhe qytetërimit. Më duket sikur i kam borxh Kuçovës. Rusët kanë qenë aty me gjithë familjet e tyre, ka pasur çekë, gjermanë. Qyteti u shndërrua në një kantier të formimit njerëzor. Mbrëmjeve rrugët mbusheshin plot nga njerëzit që dilnin prej shkollave. Ka qenë Teknikumi i naftës, FZO-ja (Furnizimi i Zonave Operative) ku përgatiteshin punëtorë me kategori. Ka qenë filiali i UT-së, që përgatiste inxhinierët e naftës. Nuk mungonin as grupet artistike. Madje, unë jam diplomuar si solist. Të gjitha këto në sajë të naftës. I vetmi burim mirëqenieje pas luftës ka qenë nafta.
Bllokada ekonomike. Ne arrinim të kuptonim se nafta çan bllokadën. Nafta në pusin 542 dhe të tjera përreth saj ishin të një cilësie shumë të mirë. Kishin përmbajtje të lartë karburantesh si benzinë, vajguri, gazoil. Në Kuçovë u ngrit uzina e gazoilit për avionët, sepse flota ajrore kishte një rëndësi jetike. Më pas filluan shpimet e reja. Bazuar mbi studimet gjeologjike të mëparshme u zgjerua edhe kërkimi i naftës.
Mars 1963. Një zbulim i papritur. Mendohej se kishim naftë vetëm në ranor, jo në gëlqeror. Në Visok u shpua pusi 622, që takoi në gëlqeror dhe shpërtheu fontana e naftës, me një debit të paparashikueshëm. Prurje që arrihej rrallë edhe nga vendburimet rrotull. Ky zbulim i parë në gëlqeror bëri që të intensifikohej kërkimi. Kjo përbënte një rast të veçantë edhe për gjithë literaturën botërore. Dhe konsiderohej si një zhvillim i ri në tërë shkencën e naftës. Kemi naftë në gëlqeror dhe një lloj të veçantë, që haset vetëm në Venezuelë dhe në Kanada. Kjo bëri që të rriteshin më tej kërkimet, si dhe të intensifikoheshin studimet shkencore.
1965. U ngrit "Laboratori qendror i studimeve të naftës" në Kuçovë. Në qershor u hap edhe Instituti i Naftës, ku u mblodhën njerëzit më me përvojë drejt studimit kërkimor. U ngritën ndërmarrjet e zbatimit. Katër prej tyre ishin të mëdha dhe u orientuan drejt kërkimit dhe shpimeve të reja. Këto ishin investime të jashtëzakonshme me mijëra punëtorë që punonin në këto fabrika "pa çati".
1967. U zbulua vendburimi gëlqeror Gorisht-Kocul në Vlorë. Prodhimi i naftës u rrit shpejt. Në 1970 nga ky vendburim u nxorën 800 mijë tonë naftë në vit.
1968. U hap vendburimi gëlqeror në Kash të Ballshit. Zhvillimi intensifikohej nga vështirësitë e ekonomisë për valutë. Planet ishin të vështira për t‘u arritur. Kanë qenë periudha me një presion shumë të madh dhe të gjithë e kemi pasur "litarin varur".
Jam marrë me llogaritjen e rezervave të naftës. Shifra miratohej në kryeministri. Aty bëheshin planet e zhvillimit ekonomik. Ishin pikërisht këto plane që diktonin shifrat e prodhimit. Për shkak të ngritjes së çmimit të naftës u gjet mundësia e sigurimit të të ardhurave prej saj. Kjo kishte edhe pasojat e saj. U rrit prodhimi në mënyrë intensive, por kjo dëmtoi burimet e naftës që duhen shfrytëzuar gradualisht, në mënyrë që të marrësh prodhim sa më gjatë. I tërë ky presion në rritje i prodhimit na u hodh ne përsipër. Në vend të gjendeshin mënyra të tjera përmes hapjes me botën, ne u ndrydhëm. Kemi zbatuar edhe urdhra që kanë rënë ndesh me bindjet tona teknike.
1974. Prodhimi nga të tëra vendburimet arriti në 2 milionë e 255 mijë tonë naftë në vit. Nuk u plotësuan ato objektiva të ekonomisë dhe filluan qëmtimet. Gjeologjia e naftës pësoi një dëm fizik si rezultat i "zbulimit" të armiqve të pushtetit. Kjo ishte një fatkeqësi e madhe për shkencën, pa përmendur këtu tmerrin shoqërues.
1975. U zbulua vendburimi i Hekalit dhe Karbunarës, por këto kishin sasi të vogla nafte. Po këtë vit u zbulua edhe vendburimi i Finiqit në Sarandë. Ai u shndërrua edhe në një valë akuzash për shumë drejtues të naftës. Kjo pasi u bënë investime të jashtëzakonshme, si për një vendburim të madh, por që rezultoi se nuk kishte sasi të konsiderueshme.
1977. U zbulua vendburimi i madh i Cakranit në Fier. Ai u shoqërua me aksidente dhe me një fontanë të hapur. Aty u përqendrua e gjithë vëmendja. Fontana e saj vazhdoi nga 10 shtatori 1979, deri në korrik të 1983. Humbja ishte kolosale dhe e gjithë kjo erdhi për shkak të shkeljes së rregullores. Ka pasur mendime të ndryshme për llogaritjen e humbjes. Sipas llogarive të mia personale, janë shkarkuar 5-6 milionë metra kub gaz kondensat në hapësirë. Në vend kjo u konsiderua si një humbje e jashtëzakonshme.
1980. Prodhimi i naftës nga të gjitha vendburimet në vit arriti në 1 milion e 365 mijë tonë. Ndërsa totali i përgjithshëm i gjithë sasisë së naftës së nxjerrë deri në këtë vit, që nga fillimet e saj, ishte 32 milionë tonë. Fitimet ishin kolosale po të shumëzohen sasitë e prodhimit me çmimin e naftës, që për një ton, në këtë periudhë llogaritej nga 300 deri në 500 dollarë.
Më pas u zbulua vendburimi në gëlqeror i Amonicës në Vlorë. Ishte relativisht i vogël. Maksimumi i prodhimit në 1982 ishte 145 mijë tonë naftë.
Që pas viteve ‘80 nuk ka pasur zbulime të reja nafte. Në 1986 pati goditje të tjera për këtë sektor, që u pasuan me dënime të specialistëve dhe më pas nuk ka pasur investime të rëndësishme.
1990. Puna ra krejtësisht. Prodhimi i naftës nga 1 milion e 900 mijë tonë, arriti në rreth 250 mijë tonë në vit. Është një rënie shumë e madhe që erdhi edhe si pasojë e mungesës së investimeve.