Vrasja e emigrantit, një i dyshuar në kërkim

Vrasja e emigrantit, një i dyshuar në kërkim

Viktima prej 10 vitesh ishte shpërngulur, për shkak të dy vrasjeve për të cilat dyshohej ai vetë dhe i vëllai

TIRANE- Një ditë pas vrasjes së emigrantit Arben Vishës, 39 vjeç, në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet, nga së paku dy persona ende të panjohur, specialistët e zyrës së hetimit të vrasjeve, kanë ngritur pistat e para lidhur me shkaqet e mundshme të krimit dhe autorësinë e mundshme të saj. Burime të policisë thanë dje se tashmë verifikimet e tyre dhe përpjekjet janë drejtuar në pistën e hakmarrjes, pas një vrasjeje që dyshohet se ka kryer ky person në nëntor të vitit 1997, në fshatin Vilcë të kryeqytetit.

Burimet pohojnë se është shpallur në kërkim, një person i dyshuar si i përfshirë në këtë vrasje, ndërsa policia tha dje se ka nisur hetimin zyrtarisht për ngjarjen, me akuzën e vrasjes në bashkëpunim me paramendim. Ngjarja e dytë për të cilën, po heton policia, është ajio e vrasjes për hakmarrje për shkak të një plagosjeje që dyshohet se mund të ketë kryer po në periudhën e ‘97-s, vëllai i viktimës së të mërkurës. Këto janë dy versionet mbi të cilat policia tashmë është përqendruar duke hedhur poshtë një konflikt me shoferin e një automjeti autoshkolle e ndodhur gjatë ditës së mërkurë në rrugën “Myslym Keta”. Për shkak të dy konflikteve të para, të të vëllait dhe të vetë Arbenit, familja Visha, ishte larguar nga ish- fabrika e Tullave nr.3, ku kishin pasur më parë banesën, për t’u vendosur në rrugën “Myslym Keta”, ku kishin zënë një sipërfaqe toke dhe më pas kishin ndërtuar shtëpinë e tyre.

Për të zbardhur ngjarjen e ditës së djeshme, policia ka marrë deklarimet e së paku 27 personave të ndryshëm që sipas hetuesve, mund të kenë dijeni mbi rrethanat e krimit, apo persona të ndryshëm që mund të ndihmojnë hetimin. Më tepër se 16 persona mësohet se janë marrë nga oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve në cilësinë e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes. Këta të fundit kanë qenë me Arben Vishën, në të njëtin lokal ai kishte qëndruar për pak kohë, ku kishte pirë një kafe përpara se të largohej në drejtim të banesës së tij ku edhe u qëllua nga së paku dy persona.

Ndërkaq, personat e tjerë të marrë nga policia në cilësinë e dëshmitarëve të kësaj ngjarjeje kanë qenë banorë dhe fqinjë të viktimës, si dhe pjesëtarë të familjes së tij. Banorët e lagjes të pyetur nga inspektorët e krimeve, kanë pohuar se ata nuk kanë pasur konflikte apo probleme me banorë të zonës. Ndërkaq, nga verifikimet e kryera nga specialistët e policisë së Tiranës dhe agjentët e vrasjeve, i vetmi konflikt ka rezultuar se ka qenë ai që familjet kishin në fshatin Vilcë të Tiranës.

Arben Visha, 39 vjeç, me tre fëmijë, që herë pas here emigronte në Greqi për të siguruar jetesën e familjes së tij, u qëllua me armë zjarri pistoletë pranë banesës së tij, pasi kishte dalë nga një bar- kafe pranë lagjes së tij. Policia konstatoi në trupin e viktimës dy plagë me armë zjarri ndërsa në vendin e ngjarjes, policia ka administruar në cilësinë e provës materiale së paku tetë gëzhoja të një arme zjarri që i përkisnin një pistolete “TT”.
(shekulli)

hhKY7_ir4Qo

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=26580. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=26580

Top