Re: Vetem ajri kish mbetur akoma pa shitur
Shqiptarët kanë mbushur sheshet kundër marrëveshjes sekrete për të sjellë këtu plehrat e Italisë së Jugut
"Corriere della Sera": Kokëdhima ngriti në këmbë shqiptarët
Francesco Battistini *
“Nuk e duam m… e italianëve!”. Trenat e bllokuar në Salerno nuk ishin asgjë. Që prej një muaji Tirana e Durrësi i ngjajnë Bellizzit. Shqiptarët që kanë pushtuar rrugët, lidhen pas portave, shtrihen para ministrive. Fshatarët me parullat kundër “bizneseve të të huajve me shëndetin tonë”. Thirrje të opinionistëve, teknikëve, intelektualëve. Të gjithë kundër Fatos Nanos, kryeministrit të vendit. Të gjithë kundër Italisë dhe marrëveshjes sekrete mbi shkarkimin e plehrave në Sharrë e Kashar, që do të bëhen për Shqipërinë si “nevojtorja” jonë. “Një gjë është e qartë- thonë në redaksinë e “Shekullit”, e përditshmja që ka ulëritur për këtë skandal- në disa vende duhet të përfundojë grumbullimi i plehrave që Campania, Kalabria, Pulia, dhe Sicilia nuk dinë ku t’i hedhin. Vendi i zgjedhur është Shqipëria. Kjo ka ndodhur para se të shpërthente revolta në Salerno: plehrat tuaja këmbehen me biletën tonë për të hyrë në Evropë. Kjo do të bëhej me dikë mes Romës e Tiranës që do të bënte ca para”. Nuk është ndonjë gjë e re që Shqipëria është një prej tapeteve, poshtë të cilëve lindin shpifësirat e kontinentit. Në fillim të viteve ‘90, hyjnë ilaçet e skaduara nga Gjermania. Më pas vjen çështja e vagonave me asbest të hedhura nga trenat e Evropës. Kështu në 1998, vijnë bizneset e “Tiger Techonolgy”, shoqëria në det të hapur që kishte një zyrë dhe një adresë në Londër dhe studionte në mënyrë për të eksportuar “lëndën që vjen nga përpunimi i plehrave” të prodhuar në Pulia. Dhe historia tjetër shpërthen më 26 maj, kur disa ministra të qeverisë “Nano” firmosën me një shoqëri romake “Albaniabeg Ambient” të Francesco Becchetti një koncesion prej 30 vitesh për të djegur mijëra tonelata të plehrave në ditë në Kashar, në veri të Durrësit. Marrëveshja tjetër është për të zgjeruar vendin e shkarkimit të plehrave në Sharrë në periferi të Tiranës- e hapur që në kohën e Hoxhës, por tashmë që kërkon një hapësirë 7-8 herë më shumë nga ç’ka qenë dhe nuk mund të përballojë më dot konsumet e një popullsie tashmë të trefishuar.
“Albaniabeg”, që ka një kapital prej 17 mijë eurosh, ishte ngarkuar disa vite më parë për të ngritur një hidrocentral në Tepelenë, e inauguruar më pas nga Nano, është prezantuar në zyrat e Tiranës me një zotëri që është gjithashtu këshilltari ekonomik i Nanos: “Në të vërtetë- akuzon opozita- kjo është një marrëveshje gjigante prej 180 milionë eurosh. “Albaniabeg” do të djegë falas plehrat e shqiptarëve vetëm për 5 vjet. 25 vitet e tjerë do të shërbejnë për të tretur ngarkesën që do të vijë nga Italia. Mbi të gjitha impianti i Kasharit është i madh, më shumë se dyfishi i asaj që i shërben gjithë Shqipërisë. Plehrat italiane do të importohen me anije, nga Brindisi në Durrës si “lëndë të para për djegie”. Për të shmangur taksat doganore dhe për të mos alarmuar shumë opinionin publik”.
Botuesi i “Shekullit”, Koço Kokëdhima, ka ngritur njerëzit më këmbë duke akuzuar Nanon se po importon “ekomafian italiane”. Kokëdhima e zuri edhe me ambasadorin tonë në Tiranë, Attilio Jannucci, që qëndron prapa skemës së bashkëpunimit italian. Jannuci iu përgjigj, duke thënë se këto polemika do të ndikojnë negativisht në negociatat për hyrjen e Shqipërisë në BE… Por këto fjalë nuk i qetësojnë protestat, përkundrazi. Kur pyetëm senatorin e gjelbër Francesco Martone të Legambiente, ai akuzon se shkarkimi i plehrave në vendet më të varfra është paaftësia jonë për t’i përpunuar ato dhe për të favorizuar ekomafian. “Ambasadori duhej të shpjegonte cilat interesa e shtyjnë për të folur aq shumë- thotë Robert Ferringo i “Greenpeace”. Kjo histori është e dyshimtë: nën flamurin e ndihmave humanitare të bashkëpunimit, zbulohet projekti që ndihmon më shumë Italinë. Terreni është i shëndetshëm: pas drogës, qeniet njerëzore dhe armët, kjo e plehrave është biznesi i ri i një Shqipërie të re”.
Marrë nga “Corriere Della Sera”