Re: Vetëvritet 11-vjeçarja besimtare
Anila Ziri rrëfen për “Shekullin” dyshimet e saj, lidhur me vetëvarjen e Joanës, ngjarjen më të rëndë të jetës
Nëna: Joana qau dy orë në shkollë, ditën e vetëvarjes
Dashamir Biçaku
TIRANË - “Joana ka qarë dy orë në shkollë, pas katrës së marrë në lëndën e matematikës. Këtë na kanë thënë nxënësit dhe shoqet e vajzës”. Kështu është shprehur për gazetën “Shekulli”, dje nëna e Joana Rajdhos, Anila Ziri, katër ditë pas ngjarjes tragjike që i mori jetën fëmijës së saj. Anila ka hedhur poshtë versionet e hedhura nga mësuesit e shkollës, se e bija kishte kryer vetëvrasjen për shkak të besimit fetar, apo problemeve familjare që ata kishin në shtëpi. Sipas saj, çdo informacion i dhënë nga mësuesit e nxënësit e shkollës, për një vetësakrifikim për çështje të fesë nuk qëndron, pasi Anila shprehet se Joana nuk ka frekuentuar asnjëherë misione fetare, apo të ketë marrë mësime të tilla. Lidhur me shkakun e notës së dobët të marrë në shkollë, Anila pohon se nuk mund të fajësojë për ngjarjen mësuesit apo ndokënd. Në një intervistë, Anila Ziri ka sqaruar dyshimet e saj lidhur me ngjarjen më tragjike që i ka ndodhur në jetë. Anila, si e keni marrë vesh vdekjen e vajzës ?
Nuk e di kush më ka marrë, por nuk e mendoja kurrë se mund të kisha pasur problem të tillë me vajzën. Dyshoja se mos mamaja, mund të kishte pësuar ndonjë gjë, pasi kohët e fundit ajo nuk ka qenë mirë. Vuante nga tensioni dhe zemra. Më pas mora vesh se kishte ndodhur ajo që tashmë dihet. Por e vërteta, nuk qëndron ashtu siç kanë deklaruar drejtuesit apo përfaqësues të ndryshëm të shkollës, ku mësonte vajza ime.
Cilat janë dyshimet tuaja, lidhur me vetëvarjen tronditëse të Joanës?
Së pari, dua të sqaroj se vajza ime nuk ka qenë një nxënëse e shkëlqyer, por me një nivel mesatar. Kishte marrë nota të dobëta edhe më parë, por më pati dhënë fjalën se do të mësonte, megjithëse ëndrra e saj ishte të bëhej valltare. Ajo më kishte premtuar që do të mësonte dhe nuk do të merrte më nota të dobëta. Madje ndonjëherë unë i kam ndenjur vetë mbi kokë, kur ajo mësonte lëndë të ndryshme, si historinë apo të tjera. Ditën e ngjarjes ajo ka qarë dy orë në shkollë, për çështjen e një note katër që ajo kishte marrë në lëndën e matematikës. Nuk e di në mësuesja ia ka vënë në regjistër apo vetëm ia ka komunikuar me gojë, por ne dimë që ajo ka qarë dy orë në klasë. Por unë nuk mund t’i kërkoj llogari mësuesve për një çështje të tillë, sepse nota është vlerësim për nxënësin dhe nota të tilla vihen gjithmonë.
Shokët e klasës së Joanës kanë thënë që ajo shkonte tek një shoqatë fetare, ku merrte mësime për fenë. A mendoni se kjo gjë ka ndikuar tek vajza juaj?
Ajo nuk ka shkuar kurrë në vende të tilla. Këtë ua them me bindje të plotë. Ndonjëherë, mund të na ketë ardhur ndonjë person, që shpërndan libra. Ne i kemi marrë, por Ana nuk kishte dëshirë për t’i lexuar. Siç u thashë, ajo donte të bëhej valltare. Pra në këtë drejtim, gjëra të tilla, nuk mendoj se mund të kenë ndikuar tek ajo.
Shoqet e vajzës tuaj janë shprehur se Joana frekuentonte “Dëshmitarët e Jehovait” dhe u kishte thënë se po shiheshin për herë të fundit? A mendoni se ajo e kishte planifikuar më parë aktin tragjik?
Ata fëmijë mund të jenë mësuar nga dikush. Unë jam nëna e Joanës, dhe më mirë se unë nuk e di askush se ku shkonte fëmija im. Ndoshta ky mund të jetë edhe një trillim.
Drejtuesit e shkollës janë shprehur se vajza kishte edhe probleme familjare. A mendoni se mungesa e të atit mund të ketë ndikuar ?
Nuk është aspak e vërtetë një gjë e tillë. Unë vërtet jam e ndarë, por ajo nuk e ndiente fare këtë gjë. Ajo nuk më ka pasur vetëm mua si nënë që kujdesesha për të, por ka pasur dy motrat e mia, ka pasur nënën time, ka pasur babanë tim që e donin akoma më tepër se unë.
A e ka shprehur ndonjë herë mungesën e të atit Joana ?
Jo kurrë. Ajo ka ardhur në këtë shtëpi, fare foshnje dhe nuk e ka pasur fare këtë koncept. Për të, familja e saj ishte këtu. Ajo asnjëherë nuk ka nxjerrë nga goja e saj fjalën “baba”.
Atëhere cili mendoni se mund të ketë qenë shkaku i kësaj ngjarjeje tepër të rëndë ?
Të vërtetën e di vetëm ajo. Ndoshta ajo mund të ketë qenë ndikuar nga ngjarja e Fierit, por nuk mund të them se çfarë saktësisht. Ajo ka ardhur në shtëpi atë ditë, shumë e gëzuar. Është ulur të bënte detyrat dhe më pas ka shkuar në banjë, ku pa u kuptuar fare prej babait që ndodhej me të dhe njerëzve të tjerë, ka kryer një veprim të tillë. Tashmë çdo gjë duket se ka mbaruar, por mua nuk më besohet se ka ndodhur një gjë e tillë me vajzën time.
NGJARJA
Si u vetëvar Joana Rajdho
Pasditen e së mërkurës, Joana i është larguar prej syve gjyshit të saj, Haki Ziri, me preteksin se donte të shkonte në tualet. Sipas burimeve të policisë, pasi ka mbyllur derën nga brenda, ka marrë shallin e saj dhe e ka lidhur atë në shufrën e hekurit ku vendoset peshqiri. Pas dhjetë minutash, Haki Ziri ka dyshuar në ndonjë lojë që vajza mund të bënte dhe është drejtuar për tek banjoja, por ka vënë re se dera ishte e mbyllur nga brenda. Brenda pak minutash, ai ka dalë nga krahu tjetër i shtëpisë, ku ndodhej një ballkon që komunikonte me banjon e që andej ka mundur të hyjë brenda. Gjyshja e Xhoanës tha pak ditë më parë për “Shekullin” se i shoqi kishte shtangur në vend, kur kishte parë trupin e mbesës së tij, të varur me shallin e saj në shufrën e peshqirit. “Ishte ende e nxehtë, kur Hakiu e kishte gjetur në banjë, por gjithçka kishte mbaruar”,- pohoi ajo pak ditë më parë. Vajza 11-vjeçare është dërguar në mjediset e spitalit, por fatkeqësisht nuk është kthyer në jetë. Vetëvarja e Joana Rajdhos vjen pas një tjetër ngjarjeje të rëndë, të ndodhur në Fier, ku bashkëmoshatarja e saj i dha fund jetës për motive të mistershme.
20/02/2005