Re: efektet negative te vendimmarrjes
Rektorët kërkojnë godina të reja dhe pedagogë, nëse nuk vendosen kritere për 38 degët e liberalizuara
Rektorët: Pranimi pa kufizim, i papërballueshëm
Rrokaj: Vetëm në Universitetin e Tiranës duhen dy godina të reja dhe së paku 600 pedagogë të brendshëm
Valmora Gogo
Ndërsa shumë të rinj gëzojnë lajmin e mirë të liberalizimit të 38 degëve të universiteteve, rektorët reagojnë kundër vendimit të dy ditëve më parë të Këshillit të Ministrave. E parë në këndvështrimin e tyre, pranimi pa kufizim, edhe vetëm për 38 degët, është i papërballueshëm. Rektori i Universitetit të Tiranës, atij Politeknik dhe Bujqësor kanë qenë në një mendje kur janë shprehur kundër kësaj forme pranimi, që, sipas tyre, nuk është bërë në të njëjtën linjë me plotësimin e kushteve dhe kapaciteteve të vetë universiteteve. Velesin Peçuli, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku do të liberalizohen 5 degë, shprehet kundër pranimit të lirë, pasi për secilën nga këto degë ishin propozuar rreth 50 vende pranimesh. Kurse rektorët e Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës shprehin besimin e tyre se Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Këshilli i Ministrave mund të reflektojnë edhe njëherë për vendimet e marra. Ata shprehen dyshues për vendimin e Këshillit të Ministrave se në 38 degët nuk do të ketë asnjë kufizim. “Qeveria ka të drejtë të miratojë kuotat e pranimit, pasi kjo saktësohet edhe në ligjin e Arsimit të Lartë, e ne duhet ta zbatojmë, por kjo do të cenojë rëndë cilësinë e mësimdhënies në universitetet tona”, - thotë rektori i Bujqësorit, Peçuli.
Universiteti i Tiranës
Krahasuar me Universitetin Politeknik dhe atë Bujqësor, Universiteti i Tiranës do të ketë një numër më të madh degësh ku pranimi do të jetë pa kufizim. Duke nisur që nga gjuha frënge, italiane, gjermane e duke përfunduar me kiminë industriale, të rinjtë do të kenë mundësinë t’i ndjekin pa asnjë lloj përzgjedhje mes njëri-tjetrit. Por rektori i këtij universiteti thotë se ende nuk është ftilluar situata. “Qeveria ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të miratuar kuotat që ajo ka menduar”, - shprehet Shezai Rrokaj. Sipas tij, deri më tani ka propozim kuotash për degët ku pranimi do të jetë i kufizuar, por që ende nuk është plotësisht i qartë se si do të bëhet liberalizimi i 38 degëve. Rrokaj sqaron më tej se për degët, të cilat mendohen të liberalizohen, tradicionalisht nuk ka pasur kërkesa të mëdha të të rinjve për të studiuar. “Nëse vijmë në kapacitete të mëdha, ne do të negociojmë me qeverinë, sepse më shumë se nga dëshira, liberalizimi varet nga mundësitë”, - përfundon rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj. Për këtë universitet janë propozuar, nga Senati, 4 300 kuota duke përfshirë këtu të gjitha degët. Nëse liberalizimi ndodh në këtë formë, ai pranon se UT-së i duhen së paku dy godina të reja dhe të paktën 600 pedagogë të brendshëm. Sa për format, ai propozon edhe kredinë, mjaft që kushtet të plotësohen.
Universiteti Politeknik i Tiranës
Degët e Fakultetit të Gjeologjisë, Inxhinieria Mekanike dhe Inxhinieria Tekstile do të jenë degët, që, sipas vendimit të dy ditëve më parë, do të liberalizohen në Universitetin Politeknik të Tiranës. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Përparim Hoxha, shprehet se e vetmja pikë për të cilën Këshilli i Ministrave ka vendosur në përputhje me propozimet e universiteteve, kanë qenë tarifat. Sa i përket kuotave, Hoxha thotë se nuk beson që do të ketë liberalizim pa kufij. “Kjo mund të vendoset më mirë pasi të shihet raporti kërkesë-ofertë”, - theksoi dje Hoxha. Ai e specifikon më mirë situatën kur thotë se nëse për një degë në Universitetin Politeknik janë pranuar 80 studentë, nuk mund të pranohen 300. “Nëse Këshilli i Ministrave ka këtë vizion që të liberalizojë krejtësisht këto degë, natyrisht që duhet të marrë masa për të siguruar mundësitë”, -përfundon rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Përparim Hoxha.
Rrokaj
“Qeveria ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të miratuar kuotat që ajo ka menduar. Nëse vijmë në kapacitete të mëdha ne do të negociojmë me qeverinë, sepse më shumë se nga dëshira, liberalizimi varet nga mundësitë”.
Hoxha
“Kjo mund të vendoset më mirë pasi të shihet raporti kërkesë-ofertë. Nëse Këshilli i Ministrave ka këtë vizion që të liberalizojë krejtësisht këto degë, natyrisht që duhet të marrë masa për të siguruar mundësitë”.
Peçuli
“Qeveria ka të drejtë të miratojë kuotat e pranimit, pasi kjo saktësohet edhe në ligjin e Arsimit të Lartë, e ne duhet ta zbatojmë, por kjo do të cenojë rëndë cilësinë e mësimdhënies në universitetet tona”.
Universiteti Bujqësor i Tiranës
Pranimi pa kufizim
Në Universitetin e Tiranës
Gjuhë sllave-ballkanike
Frëngjisht
Italisht
Gjermanisht
Matematikë
Fizikë
Kimi
Kimi teknologjike dhe ushqimore
Kimi industriale
Në Universitetin Politeknik
Fakulteti i Gjeologji-minierave
Mekanikë
Tekstil
Në Universitetin Bujqësor
Agronomi
Hortikulturë
Zootekni
Teknologji agroushqimore
Vreshtari dhe enologji
3 209
është numri i kuotave të miratuara për Universitetin e Tiranës.
518
është numri i kuotave të miratuara për Universitetin Politeknik të Tiranës.
653
është numri i kuotave të miratuara për Universitetin Bujqësor të Tiranës.
07/04/2006
KATEGORIA: Sociale
www.shekulli.com.al