Re: MBIKALIMI DO TE SHKATERROHET
Me falni qe po vendos ketu nje artikull gazete po une mendoj se ja vlen per te zbardhur pak kete ceshtje:
..................................................
“Zogu i Zi”: Me leje të dhënë, por të pamarrë
Nga Bashkim Kopliku
Ka apo nuk ka leje ndërtimi Zogu i Zi?! Llafe pa fund, sofizma nga të gjitha anët, nuk po dinë kë të besojnë. Po japim disa sqarime juridike, që njerëzit të mund të kuptojnë se përse flitet, që të kenë mundësi të mendojnë me kokën e tyre, dhe jo me atë të kryetarëve, qofshin të Këshillit të Mininstrave, qofshin të Bashkisë. Duket se i është dhënë (miratuar) leja e ndërtimit, por dokumenti i lejes nuk ështe marrë nga firma e ndërtimit. Vendimi për dhënien e lejes së ndërtimit, dhe dokumenti i lejes së ndërtimit, nuk ështe marrë nga firma e ndërtimit. Vendimi për dhënien e lejes së ndërtimit, dhe dokumenti i lejes së ndërtimit, ai që merr në dorë firma ndërtuese (formulari 4), janë dy copa letre të ndryshme, por mjafton të shihet vetëm njëra prej tyre, për të vërtetuar se nënkalimi i Zogut të Zi ka leje ndërtimi.
Dhënia e lejes së ndërtimit
Leja e ndërtimit, edhe e Zogut të Zi, jepet nga KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës, sipas kërkesës së paraqitur nga një person juridik ndërtues, pra praktikisht nga firma që do të ndërtojë Zogun e Zi. Në vijim po citojmë pjesë nga ligji i urbanistikës, neni 45:
«... Leja e ndërtimi i jepet personit juridik ndërtues të liçensuar.
... personi juridik ndërtues duhet të paraqesë kontratën e lidhur me pronarin e tokës ose me personin që ka marrë sheshin e ndërtimit nga KRRT-ja.
Kërkesa për leje ndërtimi bëhet sipas formularit 3 dhe 3/1 pjesë e këtij ligji. ...”
Çështjet më elementare që dalin, janë:
1-Kush është personi juridik ndërtues? Është Euroteorema, firma që botoi këto ditë edhe një letër të hapur në faqet e Gazetës.
2-A ka kontratë me Bashkinë, personi juridik ndërtues, Euroteorema? Po ka, e deklaroi vetë Euroteorema.
3-A ka paraqitur kërkesë, për leje ndërtimi, firma Euroteorema? Besojmë që po, derisa thuhet se KRRT-ja është mbledhur dhe ka miratuar nënkalimin e Zogut të Zi.
Më tej, sqarojmë se leja e ndërtimit jepet nga KRRT e Bashkisë, dhe firmoset nga kryetari i saj. Ja pak nga neni 50:
“KRRT-ja miraton ose kundërshton dhënien e lejes së ndërtimit me shumicë votash. Vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit del me firmën e kryetarit të KRRT-së ...
Vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit del me firmën e kryetarit të KRRT-së. Ky vendim shoqërohet edhe me planimetrinë përkatëse, që nënshkruhet nga kryetari dhe sekretari i KRRT-së.”
Pra, dokumenti qenësor i dhënies së lejes së ndërtimit është vendimi i miratimit të saj, nga KRRT, i firmosur nga kryetari dhe sekretari, dhe jo formulari 4!. Ka shumë gjasa që leja e ndërtimit vërtetë të jetë dhënë nga KRRT-ja e Bashkisë, pra vendimi për të, të jetë firmosur nga kryetari i saj dhe sekretari i KRRT.
(Mos) Marrja e lejes së ndërtimit
Personit juridik ndërtues, Euroteoremës, duhet t’i jepej leja e ndërtimit. Po citojmë nga neni 53:
“Leja e ndërtimit i jepet kërkuesit të saj sipas formularit nr.4, që i bashkëlidhet këtij ligji...”
Duket se dokumenti i lejes së ndërtimit, ai që destinohet për firmën e ndërtimit, nuk i është dhënë Euroteoremës, megjithëse ajo ka kohë që po e kërkon, gjë që e deklaroi ajo vetë publikisht. Nuk del krejt e qartë arsyeja se pse nuk është kryer kjo gjë! Mbase është vërtetë thjeshte siç thotë Euroteorema: kështu ka qenë praktikë të bëhet për të gjitha investimet publike—e kush e kërkonte atë leje! Vërtetë, a thua e ka ndonjë firmë që ka ndërtuar rrugë a mbikalime, dhe që e ka marrë atë leje?! Do të ishte interesant ta dinim një firmë të vetme! Arsyeja e përfolur, se përpara marrjes së dokumentit të lejes së ndërtimit, duhet paguar 2% e vlerës së investimit sipas preventivit, e prandaj këtu paska korrupsion, nuk duket e mjaftueshme. Vërtetë që sipas nenin 50, kërkohet që personi juridik ndërtues, të paguajë, por në rastin konkret, ky 2% është rreth 40 mijë dollarë, gjë që nuk është ndonjë gjë e madhe për një institucion si Bashkia e Tiranës, e gjë që është një veprim që regjistrohet në dokumentacion: nuk janë para të paguara nëndorë. Këto para, do t’i paguante Euroteorema, por ama do t’ia merrte Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet rritjes së kostos së ndërtimit, kosto që e paguan Bashkia. Pra, Bashkia këto para “do t’i kalonte nga një xhep i saj, në tjetrin, po të saj”. Dakord, këto para po të pagueshin, do të shkonin për të krijuar fonde për “për rikonstruksionin e rrjeteve të infrastrukturës të njësive bazë të pushtetit lokal” etj, dhe edhe si rregull kontabilizimi do të ishte më mirë të kryesh ky formalitet. Por sidoqoftë, shuma e parave që shpenzon Bashkia në total nuk ndryshon, si u pagua, si nuk u pagua “2%-shi”!
Formulari 4, ai
misteriozi
Shumë njerëz e imagjinojnë kush e di se ç’është “formularin 4”: po e japim këtu përbri. Ai është thjeshtë një fletë e vetme me një faqe, me fare pak të dhëna (subjekti ndërtues, nr. i vendimit të KRRT, data, emërtimi i objektit, dhe firma e kryetarit dhe sekretarit të KRRT etj.!)—e pakrahasueshme fare, përsa i përket të dhënave, me dhjetra fletë dokumentesh, llogaritjesh, e vizatimesh që janë firmosur që me dhënien e lejes së ndërtimit nga KRRT-ja. Janë firmosur fletë nga projektuesit, dhe janë firmosur edhe fletët e vendimit të KRRT-së dhe të planimetrisë së objektit, nga kryetari i Bashkisë dhe sekretari i KRRT-së, sipas nenit 50 të cituar më lart!
Thjeshtim
Situata, me Zogun e Zi, duket se është pak a shumë si rasti i një shoferi që i ka dhënë të gjitha provimet dhe provat për marrjen e patentës, por nuk ka shkuar të marrë atë kartonin e patentës, dhe e ndalon policia rrugore dhe e gjenë pa patentë. Apo, një analogji me politikën: është si me një deputet që i ka fituar me sukses zgjedhjet, është aprovuar nga komisionet zgjedhore dhe komisioni i mandateve, por nuk ka shkuar të tërheqë kartonin e deputetit, dhe ushtari i gardës nuk e le të hyjë në Kuvend, sepse nuk ka dokumentin me vete; e pastaj, duke u nisur nga ky bllokimi i ushtarit, fillojnë kontrollet se si janë kryer zgjedhjet pikërisht e vetëm për këtë deputet! Kështu duket se është juridikisht çështja e Zogut të Zi: i është dhënë leja e ndërtimit, por nuk është marrë dokumenti i saj. Lexuesit i mbetet të vendosë, me mend e veta, nëse “shoferi” duhet thënë se nuk di t’i japë makinës, apo nëse “deputetit” duhet t’i hiqet mandati (të mos jetë më deputet), apo nëse nënkalimi i Zogut të Zi duhet shembur.
Shpresojmë se pas këtyre shpjegimeve, lexuesit do ta kenë më të lehtë të ndjekin debatet dhe të gjykojnë se përse bëhet fjalë juridikisht, dhe të sqarohen përfundimisht se si qëndron e vërteta.
Marre nga gazeta shqiptare e dates 13/01/06
.........................................................