Re: Tregetia e lire!
po te citoj nje artikull gazete
“Zona virtuale e tregtisë së lirë do të përfshijë të paktën shtatë vende dhe 55 milionë banorë”
Ballkani bëhet një treg me 55 milionë konsumatorë
Brenda 1 janarit, Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë do të hyjnë plotësisht në fuqi në të gjitha vendet e rajonit
Bledjana Beqiri
Brenda 1 janarit të vitit 2004 Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë ndërmjet 7 vendeve të rajonit duhet të hyjnë në fuqi. Një treg prej 55 milionë banorësh pritet që të rrëzojë së shpejti plotësisht barrierat doganore. Hapja e tregjeve të vendeve të Ballkanit është një nga kushtet për t’u integruar së bashku në strukturat e Bashkimit Europian. Kështu, ministrat e Ekonomisë dhe Tregtisë së shtatë vendeve të rajonit, në prani të kordinatorit special të Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, komisionerit të Bashkimit Europian, Pascal Lamy, në prani të ministrit të Tregtisë së Jashtme italiane, Adolfo Urso dhe të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar janë mbledhur dje në Romë të Italisë për të nënshkruar një deklaratë ministrore për zbatimin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, si dhe përcaktimin e planit të punës së grupit të punës për tregti të paktit të stabilitetit. Kështu, Shqipëria, Bosnje dhe Herzegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Rumania, si dhe Serbi dhe Mali i Zi kanë nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet njëra-tjetrës, marrëveshje këto që duhet që të ratifikohen brenda këtij viti. “E ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Europian dhe duke pranuar që sfida më e madhe që vendet tona kanë përpara, është që të përgatiten për integrim në strukturat europiane dhe më tej për anëtarësim në Bashkimin Europian, nëpërmjet zbatimit të standardeve europiane”, -kanë deklaruar ministrat e Europës Juglindore, pas nënshkrimit të deklaratës ministrore për liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë. “Ajo që duhet të synojmë dhe të gjithë së bashku duhet të punojmë për ta krijuar, është një angazhim i plotë me një mentalitet të ri. Çdokush duhet të kuptojë dhe të përpiqet të bindë vetveten se integrimi nuk është një proces që mund të përdoret për kredo politike, por një proces me potencial të madh ekonomiko-social, nga i cili të gjithë duhet të përfitojmë në mënyrë sa më të barabartë përfitimet që vijnë prej tij”, -është shprehur ministri shqiptar i Ekonomisë, Arben Malaj, i cili përfaqësonte edhe Shqipërinë.
Deklarata ministrore
Vendet nënshkruese kanë rikonfirmuar dje rëndësinë e realizimit të tregtisë së lirë në Europën Juglindore dhe bindjen e tyre se forcimi i bashkëpunimit të ngushte do të përshpejtojë integrimin e secilit vend në ekonominë globale dhe do të lehtësojë anëtarësimin e 7 vendeve në Bashkimin Europian, në kohën e duhur dhe sipas meritave të secilit vend. Sipas deklaratës, krijimi i zonës së tregtisë së lirë është një nga masat më të rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vendet e Europës Juglindore dhe në këtë mënyrë duke rritur kështu shkallën e rritjes ekonomike për një zhvillim të qëndrueshëm. Ndërkohë që këto 7 vende kanë deklaruar dje se do të marrin masat e nevojshme për të siguruar ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve bilaterale të vonuara dhe hyrjen e tyre në fuqi jo më vonë se 1 janari 2004. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me vendet e rajonit duhet që të hynin në fuqi që një vit më parë, por për shkak të vonesave të disa vendeve ato akoma nuk janë ratifikuar plotësisht. Moldavia është shteti që është më mbrapa me Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, kështu ato vende të cilat nuk kanë realizuar Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me këtë shtet do të përfundojnë negociatat dhe do të lehtësojnë pjesëmarrjen e Moldavisë në tregtinë e lirë të rajonit. Të gjitha marrëveshjet bilaterale të tregtisë së lirë duhet të jenë në përputhje të plotë me kushtet e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.