Re: Thirrje drejtuar qytetarëve të Kosovës në përkrahje të Fondit Limaj
Thirrje drejtuar qytetarëve të Kosovës në përkrahje të Fondit Limaj
Familja Limaj:
Ndihmojeni Fatmirin!
Kosovë, ia mundëso birit tonë që të dëshmojë para fëmijëve të tij, që ende janë të mitur, se ai ishte luftëtar i lirisë! Ndihmoje
Kosovë që të dëshmojë se ai ishte edhe luftëtar i paqes
Të nderuar prindër, motra e vëllezër
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Pasi që rrugë tjetër nuk mbeti, vendosëm që nëpërmjet kësaj letre publike,
në emër të familjes Limaj, të kërkojmë përkrahjen tuaj për prindin
e birin tonë të dashur, për deputetin e Kosovës, zotëri Fatmir Limajn. Na
ndihmoni që dhimbjet dhe shqetësimet familjare t'i ndajmë sot së
bashku në këto ditë të vështira për ne, për ju dhe për Kosovën.
Ne ishim të bindur se organizimin e mbrojtjes së deputetit Limaj dhe dy
të akuzuarve tjerë, Isak Musliut dhe Haradin Balajt, do ta merrnin përsipër
institucionet e Kosovës, sepse zbardhja e së vërtetës përballë
drejtësisë ndërkombëtare, në këtë rast, do të jetë virtyt për Kosovën, për
qytetarët e saj dhe Institucionet demokratike të cilat po rishkruajnë një
histori të re në këtë periudhë të pasluftës.
Nga Qeveria e Kosovës kishte disa përpjekje në këtë drejtim: vendimi
për formimin e fondit për ndihmë financiare i refuzuar nga Këshilli
Ekonomik Fiskal; gjithashtu vendimi për krijimin e një komisioni nga
Qeveria dhe Parlamenti ishte për t'u përshëndetur, por ai asnjëherë nuk
u vu në veprim. Sot, pas gjithë këtyre përpjekjeve, krijimi i Fondit për
mbrojtjen Limaj është rrugë e vetme e mbetur.
Ne besojmë në vendimet serioze të Qeverisë dhe veçanërisht kemi besimin
tek grupet parlamentare, shefat e të cilave asnjëherë nuk ngurruan
të na këshillojnë dhe të qëndrojnë pranë nesh sa herë që kishim nevojë.
Biri ynë dhe ne nuk kërkojmë ndihmë për t'u mbrojtur nga ligji, sepse
ju jeni dëshmitarë se sa e ka respektuar Fatmiri ligjin dhe sa është
angazhuar për një shtet ligjor. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë
ndihmë që në këtë proces gjyqësor Fatmiri të ketë mundësi që me
fakte të argumentojë se aktakuza ndaj tij është ndërtuar mbi bazën e
manipulimeve, dezinformatave të qëllimshme dhe të paqëllimshme.
Qytetarë të nderuar,
Për zbulimin e së vërtetës në këtë proces të rëndësishëm gjyqësor, zoti
Limaj nuk kërkon mëshirë nga askush, veçse krijimin e kushteve dhe
mundësive të barabarta që në bazë të argumenteve të mbrojë të
vërtetën para gjyqit dhe popullit që aq shumë e do.
Ajo që na preokupon neve si familje, është se biri ynë, deputet i
Kuvendit të Kosovës, nuk ka mbrojtje adekuate edhe pas 6 muajve në
paraburgim, përveç një avokati zyrtar të caktuar nga Tribunali. Të mos
e kesh përkrahjen dhe as mbrojten e duhur në një gjykatë të tillë, përballë
një procesi kaq të rëndësishëm për Kosovën, është shqetësuese,
aq më parë kur kohë për mbrojtje ka gjithnjë e më pak. Sipas gjykatës,
procesi gjyqësor do të fillojë në muajin shkurt, do të thotë kanë mbetur
tashmë më pak se 6 muaj.
Ju thërrasim që ta ndihmoni birin tonë Fatmir Limaj, sepse ai gjatë
gjithë jetës së tij ishte përpjekur dhe luftoi për Kosovën. Andaj ju drejtohemi
të gjithëve: Ndihmojeni birin tonë!
Ai kurrë s'ka dashur t'u marrë të tjerëve, pos t'u jap gjithçka nga vetja.
Ai shpesh ka thënë: "Gjatë gjithë jetës sime kurrë s'kam dashur t'i marr
gjë Kosovës, pos t'i jap gjithçka nga vetja - edhe jetën".
Të nderuar qytetarë, vazhdoni të keni besim si gjer më tani në birin
tonë, ashtu siç kemi besim edhe ne si familje. Ashtu siç ka besuar ai
gjithmonë dhe beson në Zot, në të vërtetën dhe aq shumë në drejtësinë,
së cilës për asnjë sekond të jetës nuk deshi t'i ikë. T'i ndihmojmë
Fatmirit për të mbrojtur Kosovën, të drejtën dhe të vërtetën e saj.
Kosovë, ia mundëso birit tonë që të dëshmojë para fëmijëve të tij, që
ende janë të mitur, se ai ishte luftëtar i lirisë! Ndihmoje Kosovë që të
dëshmojë se ai ishte edhe luftëtar i paqes.
Faleminderit!
Zoti qoftë me Ne
Familja Limaj