Thesari i Vrapit.

Seyfert

Valoris scriptorum
Thesari i Vrapit, misteri i objekteve të lashta që gjenden në muzeun e Nju-Jorkut.

I themeluar në 1870 nga një grup vizionarësh dhe filantropësh amerikanë, Muzeumi Metropolitan ka sot mbi 2 milionë objekte të rralla, por vetëm objektet më të famshme janë të ekspozuara për publikun e gjerë. Ndër to edhe Koleksioni Shqiptar i Vrapit. Po çfarë është ky koleksion. Kush e ka gjetur dhe si ka mundur të largohet nga Shqipëria? Çfarë përfaqëson dhe kujt kulture i përket? Si ka përfunduar në këtë muze kaq të famshëm, dhe pse askush në Shqipëri nuk ka ndonjë ide të saktë mbi të? Sipas dokumenteve në arkivin e Muzeumit Metropolitan “Thesari Shqiptar” është shfaqur në tregun e antikuarëve në Romë, diku nga pranvera e vitit 1910. Ky thesar lidhet me emrin e konsullit austro-hungarez në Durrës, Remi de Kiatovski, një diplomat aristokrat, i cili kishte disa vite që jetonte në Shqipëri. Konsulli austro-hungarez i ardhur në Romë, me sa duket me një mision special që kishte lidhje me fatin e Thesarit Shqiptar, kishte kontaktuar një prej njohësve më të mirë të tregut të objekteve arkeologjike në Romë, Ludvik Pollak. Dr.Pollak, një arkeolog hebre gjerman dhe drejtor i Muzeumit Barraco në Romë, ishte jo vetëm një njohës i rafinuar i artit antik, por edhe një personazh i njohur në tregun e trafikut të objekteve kulturore. Në letrën që konsulli Kiatovski i kishte dërguar përpara vizitës së tij në Romë, Ludvig Pollak, ndër të tjera ai shkruante “…dëshiroj t’ju prezantoj një thesar të veçantë bizantin që gjendet në pronësinë time, i zbuluar në zonën e Durrësit”. Por si kishte mundur që ky thesar të binte në dorën e konsullit austro-hungarez të Durrësit? Pothuajse asnjë detaj nuk dihet se si ky thesar është zbuluar në fshatin e Vrapit. E vetmja dëshmi mbi zbulimin e këtij thesari vjen nga botimi i një studimi në 1917-ën nga studiuesi vjenez Strygovski, i cili shkruan se konsulli austro-hungarez, Kiatovski iu ka kërkuar autoriteteve turke në Tiranë të hapnin një investigim mbi zbulimin e një qypi të madh me objekte të çmuara brenda tij, të gjetura nga një fshatar diku në rrethinat e Tiranës. Megjithëse nuk ka informacion mbi zbulimin e këtij thesari, prapaskenat e negociatave për shitjen e tij drejt Amerikës janë ruajtur jo vetëm në ditarin e Dr. Pollak, por edhe në letërkëmbimin e personave të përfshirë në këtë ujdi, letërkëmbim ky që ndodhet në arkivin e Metropolitan Museum. Prej këtij informacioni mësojmë se Dr.Pollak dhe konsulli Kiatovski, pas prezantimit të koleksionit agjentit të blerjeve Xhon Marshall në Romë, ata i kanë shkruar edhe drejtorit të Metropolitanit në Nju-Jork. Ata nuk kishin marrë një përgjigje pozitive nga drejtori i këtij muzeumi, i cili i ka propozuar atyre që t’ua shisnin koleksionin shqiptar personit i cili për momentin ishte blerësi më i madh i artit bizantin në botë. Miliarderi amerikan, J.P.Morgan. Pollak dhe Kiatovski mesa duket kanë ndjekur këshillën e Drejtorit të Metropolitanit, pasi kanë dërguar një seri fotosh të koleksionit shqiptar në adresën e J.P.Morgan. Morgan ishte një financier dhe miliarder amerikan që e kishte bërë pasurinë e tij gjatë bumit të madh ekonomik amerikan pas Luftës Civile, dhe ishte një prej filantropëve më të mëdhenj të kohës së tij. Prej vitesh ai kishte filluar të koleksiononte vepra arti jo vetëm në pikturën italiane të rilindjes, por edhe vepra të rralla të antikitetit. Thesari shqiptar i Vrapit mesa duket kishte qenë një prej këtyre ofertave, të cilën pasi kishte parë fotot e dërguara nga Roma, J.P.Morgan e kishte refuzuar. Arsyet se përse J.P.Morgan nuk e bleu thesarin shqiptar nuk dihen, por nga ditari i Dr. Pollak mësohet se konsulli austro-hungarez i Durrësit po bënte përpjekje të shumta që ky thesar t’i binte në dorë miliarderit amerikan. Nga letërkëmbimi i ruajtur në arkiv mësohet se një person shumë i interesuar për fatin e thesarit shqiptar ishte edhe diplomati dhe koleksionisti austriak, Kont Moris Palffy, i cili me sa duket është interesuar për të gjetur blerës kundrejt një përqindjeje nga shuma e shitur. Por e thëna më interesante që del nga këto dokumente mbi prapaskenat e shitjes së këtij thesari është fakti se Dr. Pollak dhe konsulli i Durrësit, Kiatovski janë përpjekur për të blerë shërbimet e dy studiuesve (Josef Strzygovski dhe Vilhem Bode) me famë botërore. Të dy këta personalitete kishin influencë mbi porositë që kryente miliarderi J.P.Morgan në koleksionet e paraqitura në Europë. Puna që bënë studiuesit e pajtuar me thesarin shqiptar pati një efekt të jashtëzakonshëm në fatin e thesarit. Ky ndikim luajti rol jo thjesht në koleksionistin e miliarderit J.P. Morgan, por edhe në debatin shkencor që zhvillohej në qarqet intelektuale europiane mbi artin bizantin. Thesari shqiptar i Vrapit, i cili qëndron prej gati 80 vjetësh në Muzeun Metropolitan të Nju-Jorkut, u vu përsëri në qendër të vëmendjes së studiuesve botërorë në 14 shtator 1981, kur në Galerinë e famshme në Sotheby në Londër u paraqit koleksioni i quajtur “Parke Bernet & Co”, ndryshe i njohur edhe si Thesari i Ersekës. Një tjetër thesar ky i ardhur përsëri nga një krahinë jugore e Shqipërisë, koleksion prej ari dhe argjendi i prezantuar si “Thesar Avar”, mendohej se kishte shumë ngjashmëri me Koleksionin e Vrapit, i gjetur më 1901.
Thesari i Vrapit, studiuesit e lidhin me popullsinë avare që pushtoi Ballkanin
I njohur shumë pak, arti bizantin ishte një subjekt i ri studimi dhe për pasojë kishte pasur debate të shumta mbi origjinën dhe influencën që ky art kishte pasur në Europën kristiane. Thesari shqiptar i Vrapit do të risillte në vëmendje një debat të fortë midis një sërë bizantologësh të kohës mbi influencën e fiseve barbare në artin bizantin dhe lidhjet me fiset gjermanike të shekullit të 6-të dhe 7-të pas Krishtit. Megjithatë, ishte Profesor Stryzgovski që për herë të parë hodhi idenë se ky thesar i përkiste një popullsie pak të njohur dhe aspak të studiuar deri më atë kohe. Popullsisë avare. Shumë pak njihet mbi prejardhjen e popullsive avare. Kronikani i shekullit V, Priskus flet për lëvizje të popullsive nga Azia Qendrore drejt Europës, ku në mes tyre mendohet se ishin edhe avarët. Ndërsa kronikanë të tjerë si Theophrates Bizantini apo Gregori Turit dhe Paul Dekoni, shkruajnë se avarët ishin popullsi e ardhur së bashku me hunët. Cilado qoftë e vërteta, avarët mesa duket janë shfaqur në Europë në fillim të shekullit VI të erës sonë, gjatë rënies përfundimtare të Perandorisë Romake dhe procesit të formimit të Perandorisë Bizantine. Avarët, një popullsi shumë luftarake e cila hyri në territoret lindore të Perandorisë Bizantine në fillim si hordhi plaçkitësish dhe më vonë si kolonë, ishin një element i rëndësishëm në formimin e popullsive bullgaro-sllave. Pikërisht për një mori misteresh të lidhura me ekzistencën dhe pushtimet e këtyre hordhive barbare në Ballkan, Thesari shqiptar i Vrapit ka tërhequr vëmendjen e disa studiuesve seriozë pas studimit të parë mbi të në 1920. Ky thesar është ndër më të rrallët dhe përfaqëson kulturën e një populli luftëtar, por endacak, i cili erdhi papritmas nga stepat e pafundme lindore duke sjellë ndryshime serioze në historinë e Ballkanit.
 
Top