Re: Tendecat qe Shqiptaret duhet te jene te Krishtere,"Pse" dhe "Si" ?
Në ndryshim prej grupimeve njerëzore të ndryshme, nganjëherë të quajtura gjithashtu "kombe", që ekzistonin para shek. XIX, tipari dallues i kombit modern bëhet të qenët një "tërësi njerëzish përjashtuese", d.m.th. ku nuk pranohet përkatësi dyfishe: tërësi që ka ose aspiron të ketë për këtë të gjitha atributet e gjykuara të nevojshme: një emër, një gjuhë dhe një kulturë, një histori (gjithsesi) të lavdishme, një territor të përcaktuar qartë, një popullsi homogjene, si dhe një shtet të ngritur mbi të gjitha këto. Po qe fjala për një komb të traditës së krishterë ortodokse, ai duhet të ketë edhe Kishën e vet. Ky ideal, pra ai i kombit-shtet: për çdo popull një shtet i pavarur, me një territor të saktësuar me kufij, pranohet si i vetëkuptueshëm gjatë gjithë shek. XIX, si nga ana e vendeve të interesuara ballkanike, ashtu dhe nga ana e opinionit liberal europian.Realiteti i fakteve historike dëfton se idetë e ardhura nga "Perëndimi" u zbatuan në rajonin tonë mbi realitete aq specifike, të panjohura për mjediset ku vetë idetë qenë lindur, sa të prodhonin rezultate që jo rrallë të dukeshin të pakuptueshme për vetë autorët e ideve në fjalë. Ndër këto realitete që i quajta "specifike" marrëdhëniet shtet/religjion ngrenë padyshim një peshë mjaft të ndjeshme, duke qenë pikërisht Ballkani një zonë ku tradicionalisht, për thuajse një mijëvjeçar e gjysmë, shteti dhe religjioni patën marrëdhënie mirëfilli specifike.
Një realitet i tillë faktesh duhet të ketë qenë rezultat shkaqesh të shumëfishta: e nevojës së një bashkëjetese sociale, e kërkesës për një mbrojtje kompakte nga trusnia sllave në Veri dhe nga ajo greke në Jug, që shtoheshin me shpërbërjen e Perandorisë osmane, por sidomos e normave të posaçme të së drejtës dokesore (zakonore) shqiptare që i konsolidojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore, vëllazërimet dhe afrimet shpirtërore, duke i shtyrë njerëzit të forcojnë lidhnitë e gjakut dhe të zbusin kontrastet fetare gjatë marrëdhënieve të përditshme. E njëjta situatë erdh e u pasqyrua edhe në aktet politike që paraprinë krijimin e shtetit shqiptar. Kështu, ngjarja që thuhet të ketë shënuar kulmin e lëvizjes rilindëse shqiptare, Lidhja e Prizrenit, organizohej nën moton: "Në Lidhjen tonë nuk ka fe: ne, para së gjithash, jemi shqiptarë". Në Memorandumin që Lidhja i drejtonte Lordit Beaconsfield, kryeministër dhe përfaqësues i Mbretëreshës së Anglisë në Kongresin e Berlinit (1878), nënvizohej: "Shqipëria nuk mund t'i bashkëngjitet Greqisë; dallime të thella racore, gjuhësore, dokesore dhe qytërimore e bëjnë të pamundur një bashkim të tillë; Shqipëria nuk do ta pranojë kurrë sundimin sllav, ardhtë ai qoftë nga kufijtë e Bullgarisë ose nga ato të Malit të Zi; Shqipëria nuk do të jetë kurrë turke; dhe provë për këtë janë katër shekuj e më shumë lufte për të mbajtur të paprekur karakterin, traditatat dhe fizionominë kombëtare. Feja e saj mund të ketë ndryshuar pjesërisht nga ortodoksizmi në islamizëm ose nga ky në katolicizëm, por si ortodoksë, si islamikë, si katolikë, shqiptarët nuk e kanë mohuar kurrë atdheun e tyre". Rreth dhjetë vjet më vonë shqiptarët ia përsërisnin të njëjtën situatë faktesh edhe Vezirit të Madh të Perandorisë: duke kërkuar në peticionin e Komitetit të Reformës Shqiptare që "feja të mos ndërhyjë në punët e shtetit".Besoj se edhe nga kjo paraqitje sintetike bëhet e kuptueshme përse një popull, në të tillë kushte organizmimi më shumë në një shoqëri civile se në një fetare, në ndryshim prej popujve të tjerë të Perandorisë osmane, u ndodh i detyruar të optonte për një model të ri shteti. Duke mos pasur faktikisht një bazë të përbashkët fetare mbi të cilën të mbështeteshin për organizimin e tyre në shtet, shqiptarëve u duhej domosdoshmërisht t'i mëshonin origjinës së njëjtë, traditave dhe dokeve të përbashkëta, njësisë gjuhësore etj. Këto elemente mund të ngjajnë sot krejt romantike, por në atë kohë përkapeshin si elemente parësore të kombësisë dhe, madje, si të vetmit mund të funksionimin brendapërbrenda jetës politike shqiptare si shtytës përcaktues drejt një njësimi kombëtar.Në fillim të shek. XX njëri nga ideuesit e shtetit të shqiptarëve, si dhe themelues i ndërgjegjes së tyre kombëtare, Faik Konica dallohet të ketë pasur vizione ndoshta më të qarta mbi tipologjinë e modelit të shteteve në formim e sipër në Ballkanin gjatë periudhës së fundit të Perandorisë osmane. Duke bërë revistën e shtypit të huaj mbi Shqipërinë tek "Albania" e tij vitit 1903/4, në rubrikën "Shënime politike" ai veçanonte fjalinë e gazetës "Temps" si vijon: "Të bësh reforma në Turqi do të thotë të shndërrosh një shtet fetar në një shtet laik". Më tej ai e shtjellon vetë këtë topik. "Turqia është një teokraci, - shkruan ai. - Feja muslimane është fe e shtetit. Tërë jeta politike, shoqërore dhe intelektuale e Perandorisë u është nënshtruar parimeve të kësaj feje, ndërsa tërë funksionimi i qeverisë aspiron të sigurojë triumfin e saj. Në rrethana të këtilla të kërkosh reforma që kanë për qëllimi përfundimtar zëvendësimin e një shoqërie fetare me një shoqëri civile, do të ishte një punë mjaft e rëndë në Turqi". Çfarë ngre peshë më shumë, Konica konstaton se teokracia ekzitonte edhe në mjedise të tjera ballkanike. "Edhe popuj të tjerë të perandorisë osmane, - vijon ai, - si për shembull bullgarët, kanë një konceptim identik. Është vënë re se të ashtuquajturit "maqedonë", të cilët kërkojnë të drejta e reforma, këto nuk i kërkojnë as si "viktima" dhe as si "të shtypur", por si "të krishterë". Edhe bullgarët u ngritën në kryengritje si "të krishterë", por jo për shtak të shkeljes së të drejtave njerëzore. Kemi të bëjmë pra me kërkesën për zëvendësimin e një supremacie fetare me një tjetër". Në fund të "shënimeve" të tij Konica vëren: "I vetmi element përparimtar në Perandorinë osmanë është aspekti kombëtar shqiptar […] Ne shqiptarët i respektojmë të gjitha besimet fetare, por ato i konsiderojmë si çështje të ndërgjegje […] Edhe redaksia, ku ka anëtarë me fe të ndryshme dhe jofetarë, beson se teologjia nuk ka të bëjë aspak me çështjen tonë, këtu non est hic locus".
Po tek Albania e 1909-s, nën syzën "Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë" formulonte shkrimin me titull "Një lajmërim i shkurtër muhamedanëve". Duke i paralajmëruar ata për krijimin e mundshëm të një shteti shqiptar, me një fryme të hapur civile ai u bënte thirrje bashkatdhetarëve të tij të paraqiteshin përpara Europës si një komb i njësuar. Me stilin e vet të prerë, i përmblidhte kështu porositë e veta: "1) Osmanllinjtë në pakë vjet do të dëbohen nga Evropa; 2) Shqipëria, e pabashkuar dhe e paqytetëruar, e mbetur nga faji i saj pa miq të fortë përjashta, do të ndahet; 3) Shqiptarët muhamedanë do të dëbohen duke humbur mallin dhe kamjen; 4) Osmanllinjtë nuk do t'i qasin n'Anadoll shqiptarët e dëbuar; 5) Në mos idealismi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të ktheheni te feja e stërgjyshërve t'uaj, a të mbeteni muhamedanë, por duke u lidhur me aqe vërtetësi dhe zemrë me të krishterët nga gjaku juaj, sa t'i jepni kombit t'uaj një karakter gjysmë të krishterë". Dhe, në atë shkrim, i argumentonte pohimet e veta. Sado që shkrimi përfundonte me këshillën: "Mejtohuni për këto që ju thom, se s'janë përralla".Vizioni i qartë i Konicës mbi këtë tipologji të modelit të shtetit spikat edhe në një mesazh të tijin të 4 dhjetorit 1912. Ndërsa në Vlorë ish-deputeti i Parlamentit turk Ismail bej Qemali shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe organizonte një qeveri të parë (të përkohshme) të shtetit shqiptar, në emër të Federatës të shqiptarëve të Amerikës Konica, si leader i kësaj federate, shkruante: "Federata Pan-shqiptare e Amerikës "Vatra" i dërgon urime të nxehta ngjarjes së do të mbetet e kujtueshme. Lutemi, me këtë rast, të mos e bëni Shqipërinë një shtet orientale si Khiva, Bukharaja, Afganistani, Tunisia etj. Mbani për ideal një Shqipëri si Norvegjia, Danimarka, Hollanda, Belgjika. Prandaj duam më mirë një princ prej një familjeje mbretërore europiane i cili të na lidhë me traditat oksidentale". Pati qenë një mesazh mjaft i diskutuar prej të parëve politikanë të shtetit shqiptar mbledhur në atë moment historik në Kuvendin e Vlorës; mandej ky mesazh u injorua ose u mbajt në heshtje. Do të mjaftonte të vihej re se, në përmbledhjet me dokumente të botuara gjatë periudhës së diktaturës mbi pavarësinë e Shqipërisë ose veprimtarinë e Qeverisë Qemali, ky mesazh është përjashtuar me këmbëngulje. Deklarata të ngjashme bëheshin në fazën e kirijimit të shtetit shqiptar prej një numri të ndjeshëm mendimtarësh të përfshirë në procesin e krijimshtetit, duke filluar prej vetë Qemalit me atë çfarë ai shkruante në "Ditarin" e tij. Një shqetësim i tillë regjistrohet posaçërisht në shkrime të asaj kohe të Konicës tek "Albania" e tij, të Lumo Skëndos (Mit'hat Frashërit) te "Lirija" e tij, të Fishtës te "Hylli i Dritës" i tij etj. Nga Kuvendi franceskan i Shkodrës Fishta, për shembull, u dëftonte shqiptarëve dallimet mes një qytetërimi dhe një tjetri, si dhe mes një kulture dhe një tjetre. Duke u nisur nga fakti që kultura është produkt i shpirtit njerëzor, ai dëftonte se si këto dallime nuk mund të burojnë veçse prej ndryshimeve që ekzistojnë në mendësitë e popujve të ndryshëm. Ai saktësonte konkretisht dallimet mes sistemit kulturor "aziatik" dhe kulturës europiane. Në artikullin me titull sugjestionues "Kur do t'bashkohen shqyptarët", shkruar tetëdhjetë e ca vjet më parë, e përcaktonte kushtin kështu: "Shqyptarët kanë me u bashkue […] kur shumica e tyne t'mendojë e t'veprojë mbas parimeve t'nji kulturës s'vetme. Përndryshe kurrë s'ka me mujtë me u vërtetue nji bashkim kombtar ndërmjet shqyptarëve. Sot nuk asht besimi ** dan zemrat e njerzve m'shekull [në botë, A.P.], por asht kultura e ndryshme ** nuk i len me u bashkue". Sikurse shihet, një hap mjaft përpara Konicës sa takon skajimin e problemit prej kontrastit fetar, te kontrasti kulturor. "Prandej, - vijonte Fishta, - t'gjithë njatà ** e kanë me detyrë, si dhe ata ** ia kanë vue vedit me detyrë me organizue jetën shoqnore e t'qytetnueme n'Shqypnië, per n'daçin pernjimend bashkimin e kombit shqyptar, pa t'cillin bashkim nuk mund t'perbahet kurrë nji shtet i qytetnuem, ma s'parit t'caktojnë se mbas t'cillës kulturë duen me e organizue kombin shqyptar, e mbasandej me ligjë, me punë e me kohë të mundohen me i ba shqyptarët ** t'mendojnë e t'veprojnë mbas parimesh t'asaj kulture, tue mbajtë parasysh entologiën, psikologiën e ndijesitë besimtare t'tyne".
"Vis intima creatrix" e quante më 1914 procesin e krijimit të shtetit të tyre prej shqiptarëve Eugenio Vaina de Pava, një nga dëshmitarët e këtij procesi. Duhet të ketë qenë vërtet një "vix" për nga vështirësitë që u nxirrte ai krijuesve të tij. Thuajse në të gjitha rastet e destabilizimit të shtetit shqiptar, po të analizohen mirë, shkaqet mund t'i atribuohen jo aq ndonjë "paaftësie të lindur të popullit shqiptar" apo ndonjë "mangësie në traditat shtetërore", sesa brishtësisë inherente të modelit të zgjedhur: lëvizja rebele anti-Wied nën flamurin turk e fanatikëve islamikë të Shqipërisë së mesme; aventura ortodokse me grusht shteti e "Qeverisë Provizore të Vorioepirit" kryesuar nga Kristaq Zografosi, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Greqisë etj. Pikërisht në një sfond të tillë spikat në historinë e shtetit shqiptar rëndësia e Kongresit të Lushnjës, më 1920. Ndërsa në Paris zhvillohej Konferenca e Paqes, shtetarët shqiptarët morën në duart e veta fatin e shtetit të tyre: prej kongresit ky "fat" iu besua një "këshilli të naltë mëkambsie" përbërë prej katër përsonalitetesh që përfaqësonin të katra bashkësitë më të mëdha fetare që zotëronin në vend: të muslimanëve, të krishterëve ortodoksë, të krishterëve katolikë, të bektashinjve. Një akt i tillë vuloste simbolikisht modelin e shtetit të adoptuar nga shqiptarët.Sa i përket brishtësisë së këtij modeli dhe një potenciali të tij për mosstabilitet, kemi të drejtë të pyesim se cili popull vallë ia ka dalë ta mbërrijë konsolidimin e shtetit të vet në mënyrë të lehtë? Mos qenë vallë më "stabël" se shqiptarët, ndaj shteteve të tyre, serbë, grekë, bullgarë etj., që patën zgjedhur modelin e vjetër për ta me traditë të gjatë historike? Konstituimi i një shteti mbërrihet nëpërmjet shkatërrimit të interesave të veçantë në kontrast njëri me tjetrin, nëpërmjet kufizimit të lirive individuale dhe anarkike, nëpërmjet një shkrirjeje të ndërgjegjeve në një ndërgjegje kolektive etj. - të gjitha procese afatgjata. Shqiptarët nuk mund të bënin përjashtim nga ky rregull, me gjasë, universal. Në teorine e shtetizmit shteti trajtohet edhe si një "krijim i mirëfilltë". Kjo do të thotë që një popull të shfaqet i aftë për të krijuar një shtet në masën në të cilën ai di ta përfytyrojë atë. Nëse çdo popull ka pasur një kufi në evoluimin e vet shtetëror, ky ka qenë pikërisht kufiri që ia imponon fantazisë së tij historia e vet. Falë ndoshta këtij anticipimi të mendjemprehtësisë së tyre shtetiste, asaj "vis intima creatrix" të tyre, shqiptarët sfiduan dhe vijojnë të sfidojnë veten e vet dhe fqinjët e tyre në Ballkan me modelin e shtetit të zgjedhur.
marre nga AUREL PLASARI