Re: Sporti Shkodran ( Vllaznia )
3 Dhjetor 2002
Humbja e shkodranëve me Besën i ka diktuar presidentit Çela takim urgjent me ekipin
Vllaznia, gjoba për kuqeblutë
Klubi "Vllaznia" ka vendosur të gjobisë lojtarët për humbjen e fundit me Besën. Ky është vendimi i dalë nga mbledhja që presidenti Myftar Çela zhvilloi me skuadrën dje në drekë. Sipas burimeve të besueshme, në mbledhje u vendos që çdo pjesëtar i kuqebluve në ndeshjen ndaj kavajasve do të gjobitet rëndë në aspektin financiar për këtë humbje. Pjesëtarë të skuadrës kanë shpjeguar se presidenti ka vendosur të gjobisë me nga 1 milion lekë të vjetra çdo futbollist, megjithatë ky lajm mbetet për t'u konfirmuar zyrtarisht në ditët e ardhshme. Ka qenë ora 12.00 e mesditës së djeshme, kur pranë stadiumit "Loro Boriçi" kanë mbërritur një e nga të gjithë futbollistët kuqeblu. Në këtë mbledhje, të kërkuar nga vetë presidenti Myftar Çela, ishin edhe drejtues të tjerë të këtij klubi, pikërisht sekretari Agim Medja, drejtori teknik Astrit Hafizi si dhe treshja e trajnerëve Dedja-Rakiqi-Dani. E zhvilluar me dyer të mbyllura, kjo mbledhje u përshkua me tone të ashpra rreth dy orë. Siç bëhet e ditur nga burime brenda skuadrës, ai që ka folur më shumë gjatë kësaj mbledhjeje ka qenë, natyrisht, presidenti. Mërzitja e tij dukej qartë edhe në momentet para se të futej në mbledhje. Nr.1 i klubit shkodran u ka kërkuar llogari futbollistëve për humbjen e fundit me Besën. Çela i ka fajësuar rëndë të gjithë, pa përjashtim, duke e konsideruar të pakuptimtë një paraqitje të tillë, si ajo në ndeshjen e fundit. Gjithashtu, njeriu që drejton prej 6 vitesh këtë skuadër, u ka kujtuar edhe njëherë të tijëve se atyre nuk u mungon asgjë. Prandaj, për ta, tani do të vijnë edhe masat ndëshkimore. Fillimisht, çdo lojtar i Vllaznisë do t'i duhet të paguajë vlerën e gjobës së vënë. Më pas do të shihet reagimi i tyre në takimet e ardhshme. Vetë futbollistët e Vllaznisë nuk kanë pasur as të drejtën morale për ta kundërshtuar këtë gjobë, pasi të gjithë e kanë pranuar që loja e zhvilluar prej tyre në Lushnjë ka qenë zhgënjyese. Shumë prej tyre janë munduar ndërkohë të gjejnë arsyet se pse u luajt aq keq në këtë ndeshje, duke bërë kështu një hap të gabuar në rrugën e tyre plot pretendime. Në këtë mënyrë, pas gati dy orë debati, mbledhja ka përfunduar, teksa të gjithë kuqebluve u është lënë afat këto 3 javët e fundit të fazës së parë për të treguar se nuk është kjo Vllaznia që kërkojnë të gjithë shkodranët. E nëse në këto 3 javë gabimet vazhdojnë, atëherë, me sa duket, nuk do të bëhet fjalë më për gjoba, por për të tjera ndëshkime.
Gjergj Kola
Presidenti Refik Kumuria kritikon futbollistët për humbjen dhe kërkon të zbulojë shkaqet
Elbasani, "gjyq" me dyer të mbyllura
Ka zgjatur të paktën 3 orë analiza që zhvilloi të hënën ekipi i Elbasanit, për të gjetur shkaqet që çuan në disfatën me Lushnjen. Në analizë, stafi drejtues nuk lejoi të merrnin pjesë jo vetëm gazetarët, por edhe një pjesë e futbollistëve. Nuk kanë qenë të pranishëm në takimin me presidentin Refik Kumuria edhe ortakët e sh.a "Elbasani", Laze dhe Çerraga, si dhe futbollistët Gogunja, Dalipi, Çapja, Kila, Albrahimi, Facja, Bahiti, Kola, Emurllai dhe Arifi. Këta të tre të fundit nuk kanë qenë fare të pranishëm në stadium. Në analizë janë lejuar vetëm futbollistët e formacionit bazë, pasi kështu është gjykuar nga ana e drejtuesve të klubit dhe atyre të stafit drejtues. Burime të brendshme konfirmuan për "Sportin shqiptar" se mbledhja u zhvillua sa e ashpër, po aq edhe e tensionuar. Presidenti Kumuria u ka kujtuar futbollistëve se nuk u ka munguar mbështetja financiare, por ata nuk e kanë justifikuar aspak investimin e tij, sidomos në ndeshjet e fundit. Mjaft të ashpra kanë qenë debatet lidhur me regjimin sportiv që mbajnë futbollistët si dhe me impenjimin që ata kanë nga një ndeshje në tjetrën. Debatet kanë shkuar deri atje, sa futbollistëve u është kërkuar që të mbetej ose jo Deliu trajner i skuadrës. Lidhur me këtë çështje delikate, futbollistët janë shprehur se stafi i trajnerëve e ka kryer si duhet detyrën dhe se e keqja nuk qëndron aty. Më se njëherë, replikat e kanë acaruar situatën midis të pranishmëve në analizë dhe, sipas disa futbollistëve, askush nuk ka guxuar ta thotë të vërtetën rreth asaj që po e dëmton më shumë Elbasanin në këtë sezon. Në këtë "gjyq" me dyer të mbyllura, Elbasani ka dalë me një sërë detyrash për të ardhmen, të cilat gjatë javës do t'i publikojë presidenti Kumuria. Nga sa konfirmuan burime të besueshme në analizën e stërzgjatur të së hënës, nuk janë marrë masa ndëshkuese për futbollistë, por as nuk mund të pretendohet se për gjithçka u vunë pikat mbi "i".
Fatmir Popja
Takimi derbi mes ekipeve fqinje po vlerësohet nga trajneri Lika
Teuta me vështrim nga Erzeni
Të hënën, ekipi i Teutës ka nisur stërvitjen, pas suksesit të merituar në fundjavë. Ekipi durrsak arriti një fitore të rëndësishme ndaj Flamurtarit me një tregolësh të shënuar nga Gentian Begeja. "Ishte një fitore e rëndësishme në kuadrin e kthesës që ka nisur ekipi, - thekson trajneri Hasan Lika, - sepse ekipi iu kthye rezultatit pozitiv, të shoqëruar me një lojë të mirë." Sipas Likës, i rëndësishëm është edhe fakti që ekipi shënoi dhe luajti me kujdes edhe në repartin e mbrojtjes.
Pas kësaj ndeshjeje, Teuta ka në horizont një takim tjetër të vështirë, ku përballë do të jetë ekipi i Erzenit të Shijakut, i ndodhur në një pozitë të vështirë në tabelën e klasifikimit, pas 4 humbjeve rresht. Në lidhje me derbin e radhës, Lika do të shprehej: "Do të jetë një ndeshje e hapur, ku do të fitojë më i miri." Duke e vlerësuar kundërshtarin, trajneri i ekipit durrsak thekson midis të tjerash se Teuta do të përgatitet seriozisht për këtë ndeshje, ashtu siç ka vepruar edhe për ndeshjet e tjera të kampionatit. Sipas tij, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, për vetë pozitat që ka ekipi në renditje. Ndërkohë, grupi mjeksor i Teutës po punon intensivisht për rikuperimin sa më të shpejtë të Zëres, një nga pikat e forta të formacionit durrsak, në një kohë që edhe Memelli, i cili pësoi javën e kaluar një tërheqje muskulare, tashmë mund të thuhet se po shkon drejt rikuperimit të plotë. Takimi mes Teutës dhe Erzenit paraqet interes jo vetëm për pozicionimin aktual të të dy ekipeve, por edhe për faktin se konsiderohet një ndeshje derbi ku spektakli është i garantuar. Të shtunën, në stadiumin "Tofik Jashari" të Shijakut, pritet një numër i madh spektatorësh, që kërkojnë nga të dy ekipet futboll të bukur, por edhe pikët e munguara.
Llambi Kallço
Ekipi peqinas rigjen fitoren me trajnerin Abazi, pas disa javëve pa sukses
Magani: Të mos shpërdorojmë rastet
Fitorja e Shkumbinit të shtunën përballë Erzenit të Shijakut, ndonëse me rezultatin 1-0, ishte plotësisht e merituar nga vendësit. Asnjëherë rezultati i kësaj ndeshjeje nuk u vu në dyshim prej tyre gjatë 90 minutave. Kjo ishte fitorja e parë e trajnerit Abazi në drejtimin e Shkumbinit, i cili të shtunën bëri prezantimin e tij përpara publikut peqinas. Shkumbini vinte në këtë ndeshje pas rezultateve jo të mira në 3 javët e fundit, kur pati grumbulluar vetëm 1 pikë. Duke pasur përballë një kundërshtar që renditet nga fundi, u mendua se fitorja do të ishte e thellë përballë Erzenit. Në fakt, Shkumbini dominoi plotësisht dhe pati mundësi që të arrinte një fitore të thellë. Ky ekip, në të gjithë treguesit e lojës, ishte më lart se kundërshtari dhe ushtroi presion të vazhdueshëm në portën e Kapllanit.
Por edhe këtë herë, sulmuesit peqinas patën vështirësi psikologjike, sepse prej disa javësh e kanë "harruar" shijen e golit. Tek ata u panë shumë vështirësi në gjetjen e qetësisë përpara portës. U krijuan shumë raste për të shënuar, por që u humbën si pa të keq. Ky fenomen i ka shqetësuar vetë futbollistët, por më tepër trajnerin Abazi, i cili që në fillim e ka vërejtur këtë defekt dhe po punon për eliminimin e tij. "Rëndësi ka që fituam 3-pikëshin, sepse për momentin kjo është kryesorja. Rastet e shumta të humbura nga sulmuesit na nxjerrin detyra për të ardhmen, për të punuar më shumë në këtë drejtim,"- pohon trajneri Abazi. I këtij mendimi për lojën është edhe kapiteni Magani, që në takimin me Erzenin ishte nga futbollistët më punëtorë dhe më të lëvizshëm në fushë. Ai nuk e fsheh kënaqësinë e rikthimit në vendin e 4-t dhe të fitores përballë Erzenit, por, nga ana tjetër, për të është e pakuptueshme që të humben raste të tilla. "Shkumbini është në vazhdën e lojërave të mira që ka zhvilluar në këtë kampionat, duke u dalluar për rastet e shumta që krijon përpara portës. Goli, për mua, ka më tepër rëndësi, sepse gjithçka në lojë luhet për golin. Të shtunën mendoj se ekipi ynë i pati të gjitha, edhe lojën, edhe realizimin, gjë që solli fitoren. Megjithatë, vihet re se humben dhe shpërdorohen shumë raste, çka nuk na nderon si futbollistë. Duhet të punojmë më shumë për këtë në të ardhmen,"- pohon kapiteni Magani.
Ali Hallulli