Re: Skandal diplomatik ne Shqiperi.TVSH ti kerkoje falje Papes...
Frika nga humori
--------------------------------------------------------------------------------
Edmond Tupja
E lashtë shumë na është frika nga humori. Sidomos nga humori që guxon e merret jo vetëm me njerëz të zakonshëm, por edhe me burra shteti e udhëheqës partish; jo vetëm me këta të fundit, por edhe me personalitete, të gjalla apo të vdekura, tashmë të kthyera në simbole universale me vlera shpirtërore për masat shumëmilionëshe.
Përse kështu? Sepse humori, siç thekson edhe surrealisti André Breton duke cituar Frojdin, ngërthen diçka që të çliron, ai i zbret idhujt nga piedestali ku i vënë turmat fanatike e injorante; në njëfarë mënyre, e qeshura i çshenjtëron ata duke i bërë më të afërt për ne, më njerëzorë.
Frikën nga humori e ilustron fare mirë Umberto Eco me romanin e tij të famshëm "Emri i trëndafilit", por, sipas gjasave, bashkatdhetarët e mi ose nuk e kanë lexuar këtë kryevepër, ose e kanë anashlexuar duke e kuptuar përçudnisht. Ngjarjet në të shtjellohen gjatë mesjetës, brenda një manastiri të begatë murgjish të ditur, me një bibliotekë tejet të pasur, ku befas fillojnë e vdesin një e nga një ata murgjër kureshtarë që guxojnë t'i futen leximit të një libri të ndaluar; si përfundim, zbulohet që ku libër qenkesh vëllimi i dytë i "Poetikës" së Aristotelit, faqet e të cilit një fanatik fetar, tashmë i verbuar e në buzë të varrit, i ka lyer me arsenik; murgjit që kuturisen ta lexojnë duke lëpirë treguesin e tyre për ta shfletuar me lehtësi, vdesin kësisoj pa i shku-ar dot deri në fund kureshtjes së tyre. Ndërsa vëllimi i parë i "Poetikës", ku trajtohet thelbi i poezisë, nuk është i ndaluar, i dyti, ku analizohet komikja në art, pra, edhe humori, bëhet, pra, shkak për vdekjen e disa murgjëve, madje edhe për djegjen e krejt bibliotekës dhe të vetë manastirit.
Me sa duket, në mos Perëndia, "të dërguarit" e saj mbi tokë paskan frikë nga humori, prandaj kudo nëpër botë persekutohen ata që e përdorin atë për t'i relativizuar simbolet, të cilat, gjithsesi, janë krijuar e krijohen nga njerëzit. Le të kujtojmë se ç'ndodhi para disa vitesh me shkrimtarin e madh Salman Ruzhdie, i cili guxoi të shkruante e të botonte romanin "Vargjet satanike" ku, ndër të tjera, bën humor me profetin Muhamet. Kleri i lartë mysliman nxori një "fat'ha" kundër tij, duke autorizuar çdo mysliman të "mirë" që ta vriste shkrimtarin "e pafe". Ky i fundit u detyrua të ndahej nga gruaja dhe ende jeton në fshehtësi e i mbrojtur nga shteti britanik. Përkthyesi i veprës së tij në Japoni u vra nga një fanatik mysliman, shumë librari në Evropë u dogjën a u dëmtuan nga fanatikë të të njëjtit kalibër, kurse në Shqipëri, këtë vepër tashmë të përkthyer, askush nuk guxon ta botojë pas kërcënimeve të klerit mysliman vendës.
Sidoqoftë, unë nuk besoj se autori dhe aktorët e skeçit humoristik që tronditi opinionin shqiptar këto ditët e fundit, do të kenë të njëjtin fat si Salman Rushdie-u apo, edhe më keq, si përkthyesi i tij japonez. Një gjë e tillë është e pakonceptueshme për shoqërinë tolerante shqiptare. Por edhe vetë debati që lindi me këtë rast, nuk më duket se e nderon atë. Thuhet se e qeshura është karakteristike vetëm për njeriun. Prandaj ky edhe përfiton e duhet të përfitojë nga kjo dhunti e natyrës ose, për ata që besojnë, e vetë Perëndisë. Sa e sa shkrimtarë, poetë e humoristë në Evropën e qytetëruar e tolerante kanë bërë e bëjnë shaka, por pa i fyer sigurisht, me shenjtorë e Perëndi, jo vetëm në veprat e tyre, por edhe në radio e televizion! Të mos harrojmë se vetëm në regjimet diktatoriale nuk lejohet të bësh humor me simbolet.
Përsa i përket papës Gjon-Pali II, ndonëse nuk jam hiç besimtar, unë i jam mirënjohës atij për ndihmesën që ka dhënë në shembjen e diktaturave komuniste në Evropën Lindore. Unë e di që ai është një personalitet emblematik dhe se, si i tillë, duhet respektuar. Por, gjithsesi, ai mbetet një personalitet njerëzor me kulturë që patjetër e ka ruaj-tur ndjenjën e humorit dhe jam i bindur që edhe vetë do të qeshte po ta shihte skeçin në fjalë.
Së fundi, dy deputetëve të njohur, që u kreshpëruan kundër skeçit në fjalë, do të dëshiroja t'ua freskoja kujtesën edhe për diçka tjetër: të parit, poet e prozator, që e kam mik, do t'i kujtoj se poeti i tij i parapëlqyer Jacques Prévert bënte humor me papën e kohës së vet në një poezi që ka mbetur e famshme pikërisht për këtë, kurse të dytit, që njihet më shumë në fushën e biznesit mediatik, do t'i përmend vetëm shprehjen proverbiale "Mos u bëj më katolik se papa".
Une per vehte nuk do te mund te shtoja as edhe nje fjale me shume nga se ka shkruar E.Tupja. Per te thene me shume me duhet te permend nje emision televisiv tek kanali gjerman SAT 1 qe titullohet Wochenshow dhe qe eshte nje emision kryekeput homoristik. Disa here kam pare qe Papa Gjon Pali II ka qene personazh ne kete emision humoristik ku nje here trgohej se po ferkonte shalet e nje prostitute dhe nje here tjeter te nje vajze te vogel. Shume here te tjera pastaj ne role te ndryshme.
Me sa dij une asnje deputet i parlamentit gjerman nuk e mori mundimin té protestoje per nje gje te tille ne parlamentin gjerman (Bundestag) megjithse ne Gjermani ka disa dhjetere mije katolike. Po ashtu ne asnje nga mediat gjermane nuk eshte kritikuar ky emision sepse ka vene Papen Gjon Palin II ne kete pozite te keqe.
Une nuk dij si ta shpjegoj kete "shperthimin" e ketyre deputeteve tane vecse me shprehjen " se keta deputete duan te tregohen me katolike se Papa". Ndoshta nje rol tjeter luajne edhe te ardhurat(e ligjshme)personale te deputeteve tane qe jane shume me te vogla se ato te deputeteve gjermane si edhe idete e tyre mbi lirine e shtypit...............
Kastriot