Re: Si shpjegohet qe shqiptaret ne Shqiperi ngrene Flamurin Grek?
Himariotët vishen kuq e zi
Himariotët: Na vjen turp nga veprimet e grekëve
Ne jemi shqiptarë dhe grekët nuk mund të jenë zotër në këtë vend. Këto janë fjalët e disa të rinjve himariotë të veshur me bluza të kuqe me një shqiponjë dykrenare në mes. Të fyer nga veprimet antishqiptare ditën e zgjedhjeve, banorët e Himarës kanë përkrahur iniciativën e "kushërinjve" të tyre vlonjatë, duke ekspozuar ngjyrat kombëtare në rrugët e qytetit. Iniciativa e tyre është përkrahur dhe pritet të përkrahet në ditët në vazhdim edhe nga persona të tjerë, të cilët kanë shprehur dëshirën të vishen kuq e zi dhe të prekin me dorë litarin që do të ngrejë flamurin kombëtar në Himarë.
Ndjenja
"Shqiptarizmi dhe ndenja e atdhetarisë na nxori në rrugë të veshur me flamurin kombëtar". Këto janë fjalët e dy të rinjve, të cilët i shikon të shëtisin rrugëve të Himarës të veshur kuq e zi. Kristaq Kolaqi dhe Valentin Matu (rreth të njëzetave) kanë shprehur për Gazetën indinjatën e tyre për ato akte të turpshme të kryera nga shqiptarët e shitur te grekët. "Do ta ngremë vetë flamurin shqiptar në Himarë", të thonë herë pas here duke të kujtuar se ata janë refugjatë në Greqi, por kurrsesi nuk mund të nëpërkëmbin dhe të injorojnë simbolet kombëtare. Të pyetur mbi ngjarjen e 12 tetorit, Kolaqi dhe Matu shprehen se ajo ishte një vepër e grekëve, të cilët kishin ardhur në Himarë vetëm për të organizuar atë miting. "Me thënë të drejtën, na ka ardhur turp që jemi himariotë, kur pamë ato skena", shprehen të indinjuar dy të rinjtë. Dhe për të vënë në vend nderin e tyre, ata kanë premtuar se do të dalin në Llogara për të pritur vlonjatët, që së bashku të ngrenë flamurin në qytetin e Himarës. "Nesër me ne do të bashkohen edhe shumë të tjerë, të cilët, të veshur kuq e zi, do t'u tregojnë jo vetëm grekëve por edhe shqiptarëve të helenizuar apo të shitur te greku, që Himara është tokë shqiptare dhe se aty do të valëvitet vetëm flamuri kuq e zi", të thonë teksa largohen për të bërë xhiron e radhës në rrugët e qytetit.
Situata
Pas ngjarjeve të 12 tetorit situata në qytetin e Himarës, që ka qenë kryefjala e çdo shqiptari, ka qenë e qetë. Burime policore bëjnë të ditur se, me përjashtim të protestave gjatë mbrëmjes së ditës së votimit, në përgjithësi qyteti është karakterizuar nga një rend i qetë, pa ngjarje të rënda që mund të përbënin problem për uniformat blu. Krahas gadishmërisë së policisë, duhen falenderuar edhe vetë banorët e Himarës, të cilët nuk u dhanë shkak organizatorëve të protestës progerke për konfrontime mes njerëzve. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Vlorës bëjnë të ditur se janë shpallur në kërkim ndërkombëtar katër organizatorët e mitingut antishqiptar Vangjel Kolila, Koço Llazari, Sofie Rapi dhe Vasil Dane.
FRD mbështet protestën antigreke
TIRANE - Kryetari i Forumit Rinor Demokrat, (FRD) Kliton Qirinxhi, nëpërmjet një prononcimi në emër të forumit, është distancuar dhe ka dënuar ashpër mitingun antishqiptar të zhvilluar ditën e zgjedhjeve në qytetin e Himarës. Të rinjtë e Partisë Demokrate të Reformuar (me kryetar Dashamir Shehun) ndihen shumë të indinjuar përkundër kësaj situate dhe bashkohen me shqetësimin e qytetarëve vlonjatë që marshuan gjatë këtyre dy ditëve të fundit në drejtim të Himarës me flamurin kombëtar. Për shkak të krijimit të kësaj situate, Qirinxhi në emër të forumit dhe partisë që përfaqëson, ka dënuar aleancën e Partisë Demokratike me atë të Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. "Ne nuk mund të pajtohemi me këtë zgjedhje të demokratëve", është shprehur në prononcoimin e tij kryetari i FRD-ës, Kliton Qirinxhi.
Socialistët: Të përsëriten votimet në Himarë
TIRANE - Mbërritja e kutive të votimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga qyteti i Himarës, ka rihapur një tjetër debat. Ndërkohë që KQZ pritet të marrë sot në shqytim rezultatet, socialistët kanë kërkuar anulimin e procesit zgjedhor në Himarë dhe përsëritjen e tij. Drejtues të PS-së e kanë argumentuar kërkesën e atyre me manipulimet, kërcënimet dhe shkeljet e ligjit që janë vërejtur gjatë procesit të votimit në Bashkinë e Himarës dhe zonat që mbulon ajo. Për këtë arsye përfaqësuesit rozë kanë kërkuar që përsëritja e procesit zgjedhor të kryhet në të gjitha qendrat e votimit, që përfshin Bashkia e Himarës, pasi në të gjitha këto qendra janë vërejtur shkelje flagrante gjatë votimit.
Gazeta "Himara": Bollano udhëheqës i grekërizimit
VLORE - Hetuesit e ngjarjes së Himarës, përveç dëshmive dhe provave filmike, kanë administruar në dosje edhe disa artikuj të botuar në gazetën "Himara", e cila botohet nga shoqata "Bashkimi Himariot" dhe del në treg një herë në dy javë në Athinë. Në numrin e fundit të kësaj gazete (java e parë e tetorit) është shkruar se Bollano (kandidati i PBDNJ-së në Himarë) është udhëheqës i helenizimit në Himarë, ndërkohë që u bëhej thirrje himariotëve që të votonin me krenari dhe jo të skllavëruar. Më tej, artikulli e cilësonte 12 tetorin si "ditën e çlirimit të Himarës", duke u pasuar me thirrjet "Vorioepiri do të fitojë" dhe "Himara do të fitojë". Këto prova, sipas hetuesve, shprehin qartë se ngjarja e 12 tetorit në Himarë ishte e parapërgatitur.
http://www.geocities.com/kdede.geo/HIMARA.html
Gazeta Shqiptare
18 Tetor 2003