Shqipni tavolinash!

Shqipni tavolinash!

Shqipni tavolinash

Artan Lame

Do të ketë ndryshime në qeveri - më thotë Ylli, tek dëgjojmë lajmin se kushëriri i Xhuvelit është arrestuar duke djegur pyjet. Është racional Ylli, ja do zanati i juristit, ndryshe nga unë që prirem të përsiatem mbi lajmet që dëgjoj. Edhe mua ma do puna e të shkrojturit këtë gjë. Kështu edhe kësaj radhe e tres mendjen në një tjetër shpjegim.

Më në fund e gjeta - i them - si do t‘u përgjigjem të huajve që pyesin e përpiqen të kuptojnë arsyen e ambientit të pocaqisur dhe të masakruar të Shqipërisë. Do t‘u them vetëm që, në këtë vend është ministër ambienti një njeri që ka për pronë një fabrikë gomash të përdorura dhe për kushëri një që u vë zjarrin pyjeve. Pas kësaj, vetëm një marsian mund të ketë nevojë për shpjegime të mëtejshme. Kështu, them se do ta heq njollën nga vëndi dhe do t‘ua le në kurriz vendësve, që mbajnë të tillë qeveritarë.

KUAJT FISNIKË

Dje, në fushën prapa stadiumit "Qemal Stafa", që zyrtarisht i thonë "Aneksi i Stadiumit", u mbajtën garat e Kupës së Hipizmit. Prej kohe ajo fushë e harruar, e pluhurosur, me rrethimin të shqyer e shqepur përreth dhe me copa të kafshuara nga të katër anët, nuk kish parë të atillë gjallëri, qindra njerëz, rini e fëmijë, gëlonin ngado tek shihnin shfaqjen e kuajve e kalorësive. Në varfërinë e kësaj nisme pioniere, në mesin e kuajve që nuk është se u shkëlqente qimja, mes pajisjeve e pajimeve që dukej të qenë të përdorura e të ripërdorura, mund t‘i vriten sytë kujtdo që nuk i njeh përpjekjet me shpirt e thonj të atyre djemve pasionantë që po përpiqen të ngjallin një sport të vdekur e të harruar, por sidoqoftë do të mjaftonte gëzimi i morisë së fëmijëve që gjithë gaz përpiqnin duart në çdo trok kuajsh, për të falur mungesat. Po tjetër gjë më bëri të ulem e të shkruaj.

Gjithë ata njerëz aty, nuk e dinë se ç‘shërbim të madh po i bëjnë qytetit dhe ne të gjithëve ata kuaj të ngratë. Me gëzimin dhe trokun e tyre, ka gjasë të shpëtojnë nga shkatërrimi përfundimtar atë fushë. Ju nuk e dini se sa plane, duar e hije janë zgjatur në vite dhe ca më shumë tani, për ta zënë atë fushë e ndërtuar pallate në të. Sa më shumë harrohej ajo, sa më shumë rrëgjohej, rrënohej e mbushej me plehra, aq më shumë rriteshin fjalët e "dashamirëve të përparimit" se është gjynah ta lesh ashtu me plehra atë, se më mirë të ndërtohet që të bëhet me drita e vezullim, se kështu e se ashtu. Është një metodë e vjetër kjo, që ka dhënë gjithmonë rezultat në këto vite. Ta lesh të rrënohet e të harrohet gjëja, që pastaj askujt të mos i vinte keq kur shkatërrohej përfundimisht.

Doni shembuj? Po ju jap, jo nga ata që u varrosën e harruan tashmë, por nga ata që janë në prag të këtij varri. Shkolla "Kosova", ndër më të vjetrat shkolla të qytetit, u la të shkatërrohej, pastaj i bllokuan edhe fondet e rindërtimit, pastaj edhe e dogjën dhe sot gati askush nuk kujtohet për të. Tani është i gatshëm hapi tjetër, kur pakkujt apo askujt nuk do t‘i vijë keq kur në vend të rrënojave të nxirosura të saj do të mbijë pallati i radhës. Apo Muzeu Shkencave të Natyrës, ku të gjithë shqiptarët që në vegjëlinë dhe rininë e tyre kanë mbetur të mrekulluar prej asaj çka mban në gji, sot po përjeton fazën finale të kalvarit. E mbyllën, e lanë pa fonde, pastaj kur edhe në këtë rast u gjendën fondet e restaurimit, ato u bllokuan nga duar që e kishin në dorë këtë punë, për ta shkatërruar deri në fund dhe tani ajo godinë dergjet si një dinozaur i plagosur mes ferrave që po e mbulojnë ngado dhe fërkimit të duarve të atyre që mesi presin ditën t‘i vënë përfundimisht kazmën dhe të ndërtojnë mbi varrin e tij. Doni më? Janë pafund shembujt e tillë, jo vetëm anekënd Tiranës, por anekënd Shqipërisë. Dhe në të gjitha rastet, skema është e njëjta, aq sa të bëhet të mendosh se gjëkund në ndonjë qoshe të errësirës ka ndonjë shkollë ku të liqtë mësojnë si e qysh t‘i bëjnë të ligat për t‘i gërryer të përbashkëtën këtij populli.

Në këtë shkollë të së keqes nuk ishte shënuar vetëm një gjë, troku i këtyre kuajve fisnikë që, me hingëllimat e tyre, zgjuan dhe mblodhën gjithë ata njerëz, duke nxjerrë nga harresa edhe fushën. Vazhdoni o kuaj fisnikë, se dashtë Perëndia, mund të shpëtoni për fëmijët tanë atë që të gjithë ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë për ta.

LËMSHI i KONTRADIKTAVE

Shenjat vazhdojnë të mos duken hiç të mira. Pardje, Presidenti i Republikës dekoroi të vrarin e protestës së 14 shtatorit 1998. Është e sikletshme të debatosh për një çështje ku ka edhe një të vdekur në mes, e ca më keq, kur ky i vrarë ishte një djalë i ri, e si të mos mjaftojë kjo, edhe në prag të martesës. Është e vështirë, po duhet bërë. Kontradiktë e sikletshme kjo.

Po për çfarë arsyeje e dekoroi kreu i shtetit? E dekoroi sepse u vra duke sulmuar shtetin e vet!!! Ç‘është ky absurd që s‘i themi dot as kontradiktë, aq pa anë e pa fund është? Endé shteti shqiptar duhet të kujtohet për ata pak ushtarakë që në ‘97-ën dhe ‘98-ën kryen detyrën e tyre duke mbrojtur objektet që ju ishin besuar, t‘u bëjë një shenjë mirënjohjeje, a t‘u japë edhe atyre një medalje. Mirëpo le që nuk merremi me këta, por kalojmë në ekstremin e kundërt, dekorojmë ata që sulmuan shtetin. Megjithatë, përtej vështrimit të parë, Berisha që dekoron nga një anë gardistët e vrarë në Cërrik dhe nga ana tjetër, dy ditë më parë, dekoron ata që i vunë zjarrin Kryeministrisë, duket sikur është irracional (të parët ishin shërbëtorë të shtetit, të dytët shkatërrues të tij). Nuk është aspak kështu, ai në të dyja rastet thjesht shpërblen besnikë të vetët, shteti nuk i duhet, as që i bie në mënt për të. Them Berisha, se me ç‘duken bathët, Topin s‘e pyet njeri në këtë mes.

E bukur kjo punë, Topi dekoron një djalë që u vra duke sulmuar Kryeministrinë (e sulmonte nga përpara, se nga mbrapa ia mbathte Kryeministri), i cili para dy muajsh me votat e veta bëri të mundur zgjedhjen si President të Topit. Tjetër kontradiktë kjo, që nuk di nga ta zë. Ndoshta këtu po nxitohem të shprehem para kohe, se bën vaki që sot, ditë e hënë, të ngrihet në seancë deputeti Nano dhe, ose të protestojë për këtë dekorim, ose duhet të kërkojë ndjesë për ç‘ka bërë në ‘98-ën. Po nuk e bëri këtë, këtij vargu kontradiktash do t‘i shtohet edhe një tjetër.

Natyrisht që nuk mungonte në ceremoni edhe Leka Zogu, që tani është bërë si "fanti spathi". E lëvdoi të ndjerin dhe tha se duke sulmuar Kryeministrinë ai paskësh bërë një vepër demokratike. Mirëpo a mund të më shpjegojë mua dhe shumë të tjerëve, se pse më ‘24-ën, kur u sulmua qeveria e gjyshit të tij Zog, ajo na qenkësh vepër kriminale (aq sa kthimi i tij nga Jugosllavia u quajt "kthim i Legalitetit"), ndërsa i njëjti veprim, sulm kundër qeverisë, i bërë më ‘98-ën, qenka vepër demokratike? Apo e drejta e ka shtëpinë gjithmonë andej nga zënë vend (mender jush) të ndenjurat mbretërore? Kontradiktë kjo, që zgjidhet vetëm me këtë amendamentin e të ndenjurave.

E njëjta gazetë e së shtunës, ku lexova lajmin e dekorimit, kishte dy krye-tituj në faqe të parë: "TOPI, DEKORATE TE VRARIT NE REVOLTEN E 14 SHATORIT" dhe nën të: "ZHVISHET ORINDA, S‘I DASHUROJ MESHKUJT QE S‘ME KENAQIN NE SHTRAT". Shenjat s‘më duken hiç të mira, po këtë të fundit s‘po e radhis për kontradiktë, por për të uruar që mos qoftë e thënë që shqiptarët të mbeten të ngërthyer në marrëzitë e shekullit që lamë pas. Le t‘i hapen shekullit të ri, modern e plot dritë, qoftë edhe me lajme si ai lajmi i dytë i gazetës.
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

Shqipni tavolinash

Artan Lame

QEMALI

Plot 65 vjet, që atëherë kur e vranë. U pëshpërit për 50 vjet dhe u thashethemetos për 15 vjet të tjerë, se kush dhe si e qysh e vrau dhe ende sot se di njeri sagllam. Dhe pikërisht pas kaq vitesh, kur gati askush nuk e mban më mend atë të gjallë dy breza më pas, shkojmë dhe ja shpluhurosim letrat. Dha shumë pak, nuk dimë çdo të bëhej, po shënjat i kish të një kazani që vlonte, siç dinin të vlonin idealizmat asokohe. Dhe këtu qëndron enigma e tij, që na josh kaq shumë. Njëra nga joshjet. Tjetra është etja përtharëse që ndjejmë mes nesh, për shembuj për t‘u ndjekur. Pa shihni pak majtas e djathtas ndër shqiptarë. A më thotë dot kush, ndokënd që ja vlen të jetë heroi yt a imi, të jetë shembulli, idhulli a dashnori mendor, yti a imi? Kam frikë se në mos qoftë futbollxhi a këngëtor, s‘do dish tjatër emër të më thuash.

E pra, është bash për këtë, që vemë të rrëmojmë tej historinë, për të marrë e dhënë jetë e frymë te heronjtë e së shkuarës. Ta do mëndja, që po i hymë kësaj pune s‘do shkojmë t‘i marrim historisë heronj të shpatës e kobures, se koha e tyre shkoj, por heronj të mëndjes dhe idesë. Qemali qe hero i idesë. I idesë së gabuar ndofta, por i idesë. I idesë që ai e shihte të mposhtëte idetë e tjera me forcën e mëndjes, jo të dhunës. Pas kaq kohe jemi prapë aty ku e nisi Qemali, tek ideja.

Pati fat, pati fat që e vranë, s‘ka rëndësi se kush. Po të mos e kish ngrënë plumbi atë kohë, ose do ish bërë princ i mëndjes dhe do ta shkonin në plumb të tijtë si shumë të tjerë, ose do të ish bërë ushtar i dhunës dhe do ta neveritnim sot. Ky qe fati i tij. Fati që ju mungoi shumë mentarëve tanë që e nisën ‘90-ën si luftëtarë idesh dhe po i shkojnë 2010-ës si shtrëngonjës mëndjesh.

Saimiri e nisi këtë punë dhe na grishi të gjithëve udhës së ideve, që aq pak e kanë rrahur shqipëtarët. Rrojmë në kohëra që idetë nuk ndalen më me plumba po me para, madje është shumë më e kollajtë kështu. Të shohim sa do ketë këllqe Saimiri të na mbledhë nën hijen e Qemalit, për t‘u pjekur e përpjekur me idera, ca të tijat e ca tonat. Pastë fat.

DRIT‘E NALTMADHNIS

S‘proftasa të dëgjoj deri në fund lajmin se Naltmadhnia na kish përfunduar në gjyq se s‘kish paguar dritat, kur më nisën telefonat. Ca qeshnin, ca tallëshin, e ca nxeheshin (jo me mua), por të gjithë në fund më thoshin të shkruaja për këtë punë. U përgjigjesha se do shkruaja dhe sefte kështu vendosa, por si e poqa punën, mendova: kur të gjithë po tallen me të, ç‘kuptim ka të shkruaj edhe unë? Se, ja vlen të shkruash për një ide tënden, kur të tjerët e mendojnë ndryshe, por kur të gjithë mendojnë si mua, për kë të shkruaj, apo thjesht për të marrë paratë e shkrimit?

Kështu që hoqa dorë dhe po mjaftohem t‘u sjell këtu vetëm njërin nga mesazhet që mora dhe tamam siç e mora: "O TANO, K‘TU S‘PAGUAN DRITAT MBRETI / PRIT PASTAJ TE PAGUJ MILETI".

PARTIA E SINQERTE

PDK-së i shkau këmba. I shkau a ja shkau doktori nuk është e qartë, po që shkau shihet që atje tej. Dhe të tërë ju vunë në shpinë. Analistë e gazetarë, deputetë e prokurorë, i janë vënë me bukë në torbë dhe s‘ka ditë që të mos i nxjerrin nga një gjë. Tash së fundi, kristianëve tanë ju vu kundër edhe kristiania e vetme, Kryetarja e Kuvendit. Se mund të të thosh mëndja që mes besnikësh të një Zoti, do ta gjenin llafin, po s‘qe e thënë. Kryetarja e kërshtenë, i akuzoi dhe kryetari i kristianëve ju kthye dhe gjithë sinqeritet deklaroi pak a shumë se kryetarja donte t‘ua fuste.

Pikërisht në këtë moment, i thirra mëndjes. Kjo Partia e kristianëve qenka partia më e sinqertë në tan‘ Shqypnin. Në mes një morie partish e partiçkash, që thonë ç‘nuk mendojnë dhe bëjnë ç‘nuk thonë, PDK-ja është e vetmja që nuk i bie rrotull: Jemi një parti që na krijoi rasti dhe na mbajti Dushku; kemi më shumë deputetë se votues; do shesim e blejmë syresh sa të na hajë kalemi; do kapim ç‘të mundim sa të jemi në këtë qeveri, se në tjetrën do na humbë nami; nuk bëjmë hap pas nga qeveria, deri sa të kemi frymë, derisa të mbyllim edhe tenderin më të vockël, derisa të privatizojmë edhe ambulancën e fundit. Nuk e lëshojmë istikamin e tenderëve të rrugëve, kaq ta bëni dhëmbin, ndaj, ju na vratë një zëvendësministër, paçka, kemi gati tjetrin. As na nxihet, as na skuqet faqja. Kur të bjerë kjo qeveri, do shkojmë dhe s‘do dukemi më. A ka më të sinqertë se kaq?

FUNDI TRAGJIK I KOMEDISE

Ujku ngordhi. Ujku që rronte me gomarin dhe që Xhuveli nguli këmbë të lëshohej në pyll, ndërroi jetë. I pamësuar të ushqehej vetë, i dobësuar nga të pangrënët, u kthye e dha shpirt në derë të shtëpisë që e kish rritur në Laç. I zoti, që kish bërë edhe sherr me policët dhe rrezikoi burgun atëherë, qante tani të shihte kafshën e egër të kishte më shumë mirënjohje se njerëzit. Kaq sa për ujkun, që ja pastë shpirtin në kurriz Xhuveli. Dua ta shoh ca më thellë këtë të ngjarë.

Ne shqiptarët e kemi zënë të bëjmë si bën Evropa, jo si nevojë po si imitim. Edhe Xhuveli më në fund, me të tijën u përpoq të lante gjithë gjynahet që ka në kurriz, duke u çfaqur si oksidental dhe për këtë, aso kohe kërkoi të lëshohej kafsha e egër në pyll. Në të pame duket kështu, po po ta shohësh ca më thellë, të del se p.sh. në asnjë vend të Evropës nuk do ta lëshonin ujkun e zbutur në pyll po do ta çonin më ndonjë kopësht zoologjik a do ta merrte në ruajtje ndonjë shoqatë kafshësh. Mirëpo këtu ndër ne këto gjëra nuk ekzistojnë, se në një vënd ku s‘ka vënd për të jetimët në jetimore dhe për pleqtë në azil, të kërkosh kopësht për ujq e arinj është shaka pa kripë. Dhe natyrisht pastaj, kështu do mbaronte kjo punë, se kështu venë gjërat moderne kur i lë në mes, apo kur i lë në dorë të barbarëve. Kjo që ndodhi me ujkun, e shohim mes nesh çdo ditë në mijëra shfaqje kur i marrim vetëm fasadën e jashtme punëve të Evropës, pa u bërë merak për brendinë dhe pastaj themi pse nuk na funksionojë apo më keq akoma bëjmë edhe dëm. Në rrugët tona, njerëzit do vazhdojnë të vriten e të shtypen, për sa kohë që ne nga modernizmi kemi marrë vetëm makinat që ecin shpejt, por rrugët i kemi për faqe të zezë, apo më keq akoma edhe kur bëjmë rrugë moderne pastaj lëmë në to hyrje e dalje si në rrugë fshati, pa zënë në gojë qerre karroca e biçikleta.

Këtë distancë kohore me Perëndimin, nuk e kemi zënë sot, e kemi pasur gjithmonë dhe do ta kemi për sa kohë nuk do shtrojmë kurrizin në punë, po do presim të marrim ajkën e gjësë të gatshme, apo të bëjmë sikur ndryshojmë duke ndryshuar vetëm bojën. T‘u sjell një shembull të 100 e ca vjetëve më parë. Pashai i Shkodrës, merr vesh se në Evropë ishte shpikur një vegël që të mbronte nga rrufetë. Kërkon para në Stamboll, ja japin dhe pajton një inxhinjer belg të montonte një rrufepritës në majë të depos së municioneve në Kala të Shkodrës. Inxhinieri kërkon bakër, ja japin, kërkon puntorë e hekurpunues, edhe këta ja japin dhe ndërton shtyllën kryesore që montohet majë depove të barotit. Pastaj i kërkon akoma para pashait, se duhej bërë kablli që përcillte nga maja e kullës deri në themele, pa duhej bërë edhe gropa e shkarkimit, që duhej mbushur me kripë, e më the të thashë. Pashai, i nxehur nga tërë këto shpenzime dhe duke parë që në fund nuk do mbetej gjë nga paratë për t‘ia hedhur xhepit, e përzë inxhinierin, duke i thënë që i mjaftonte vetëm shtiza prej bakri majë kullës. Rezultati kuptohet. Kronikat thonë se shiu i parë që ra në Shkodër, u shoqërua me shpërthimin që hodhi në hava gati gjithë kalanë.

Nëse ju bini dakord me mua, se nuk ka ndonjë ndryshim midis historisë së rrufepritësit dhe historisë së ujkut, duhet të biem dakord edhe se nuk kemi bërë asnjë hap para në raport me qytetërimin në këta njëqind e ca vjet. Dhëntë Zoti që, pas njëqind vjetësh, kur qytetërimi ketë arritur te raketa për çdo shtëpi për në Hënë e Mars, ne të mos jemi akoma po aq larg Evropës sa, të blejmë raketa për të qenë modernë, por t‘i përdorim me qymyr për të qenë shqiptarë.
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

Mbreti lakuriq

Artan Lame

Blushit po i vjen belaja rrotull se tha "Mbreti është lakuriq". Ka tre muaj që e sillnim të gjithë nëpër gojë e që e zbraznim nëpër tavolina. Njëri thosh që votat qenë blerë, tjetri thosh se qenë të shitura, ata më të dijshmit thonin edhe çmimet, ndërsa ata më indulgjentët i justifikonin. Nuk i shfajësonin, i justifikonin për të na mbushur mëndjen se nuk qenë vota të blera e votonjës të shitur, po thjesht se nuk paskëshin ç‘të bënin tjetër, siç ma thosh njëri: "ça t‘bonin, qe biznesi i fundit që u kish mbet me bo". Natyrisht që ajo puna e patriotizmës, demek që votuan për Presidentin se u dhimbej Kosova, nuk kish ngjitur gjëkundi. Mirëpo e keqja e kësaj pune që, si në atë përrallën e Andersenit ku, të gjithë e shinin se mbreti ishte lakuriq por u vinte keq ta thoshin me zë, ishte se mbretit filloi me gjithë mend t‘i mbushej mendja se nuk ishte lakuriq, pra e thënë shqip, filloi t‘i thosh mëndja se vërtet e kishin votuar për të shpëtuar mëmëdhenë dhe Kosovën.

Në majë të kësaj pëshpërime, dolli Blushi dhe ja plasi me tre llafe, atë që të gjithë e thonin kafeneve me orë të tëra. Nuk është se na e tha neve, se zor të gjente shqipo që të mos e dinte që votat ishin të shitura. Ja tha Presidentit, që t‘i hiqte nga koka fantazinë mëmëdhetare ku po nanurisej dhe t‘i thërriste mëndjes. Mirëpo Presidenti nuk u ngrit dot as në nivelin e mbretit të përrallës së Andersenit, i cili kur i thanë se ishte lakuriq u mbulua dhe vrapoi të fshihej, ndërsa Çuni i Mirë i Tironës na u nxeh dhe vrapoi të kërcënonte para mikrofonëve Blushin. Ishte hera e parë në 15 vjet, që Çuni i Mirë i Tironës duhej t‘i kapte caracat nga pema jo me duart e të tjerëve, siç e kish bërë udhë, por vetë dhe e dëshmoi se di ta bëjë këtë vetëm duke i rënë pemës me gurë e sëpatë. Pas 15 vjetësh në politikë, mjaftuan tre muaj provë dhe tre fjalë të Blushit për të rrëzuar një mit.
 

marina s.

Forumium maestatis
Re: Shqipni tavolinash!

I zgjuar,s'kam ç'i them tjeter. Di ta fryje mire inatin tashme te gufuar te shqiptareve. Vetem se nuk ka marre parasysh diçka ky zoteria:nuk jane te githe albot trapa qe te fryhen nga shkrimet e tij.
Ku ishin shkrimet e tij,analizat e tij te hollesishme mbi problemet e shqiptareve e te Shqipnis ne ate kohe kur ky vete ishte me post ne qeverine Nano? Apo atehere shkonin per mrekulli gjerat dhe s'kishte asgje per ta vrare mendjen.

Ka te drejte ky shoku ne keto qe shkruan,po synimi i tij eshte tjeterkund:te rrise shkallen e frustrimit ne popull dhe te sjelle ne pushtet veten e vet.

Duhet te reagojne shqiptaret per permiresuar gjendjen e tyre ama boll u terhoqen prej hunde nga rob si ky.
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

Sceptic, jam shume i qarte se nuk ka asgje personale ne shkrimin tend, por a do te kishte ndonje ndryshim, nese nuk i dihej autori ketij shkrimi? Une e solla kete shkrim jo se me pelqen apo se urrej Artan Lame, por problemi qe i ngre, me duket real dhe mund ta shkruaje ndac Mitro Cela, ndac Rusmajli, ndac Ngjela, ndac Nano, prape ai si problem ngelet.
 

Kondrapedali

Kondrapedali
Re: Shqipni tavolinash!

Ky e thjeshton pakëz problemin dhe sigurisht e njëanshmëron.

Blushi rihapi një diskutim i cili ka përfunduar dhe një çështje e cila kërkoi një zgjidhje dhe morri një zgjidhje pavarësisht se si. Nëse i rikthehemi gjithmonë veprimeve të së kaluarës atëherë nuk do ecim kurrë përpara sidomos kur e përdorim të kaluarën si shantazh në të tashmen. Blushi bëri një gafë të vetëdijshme dhe mori reagimin e merituar. Nuk duhet që të tjerë të godasin në gafat e Blushit sidomos në momente kur problemet janë të mprehta. Më shumë se problemi i Kryeprokurorit këtu synohet kodi zgjedhor. Është pikërisht ky Kod i cili mund të krijojë lëmshin më të madh në Shqipëri dhe është pikërisht ky Kod i cili ka treguar papjekurinë e politikës shqiptare.
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

/ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/laugh.gif Shume zgjidhje e paanshme /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/laugh.gif Nuk duhet t'i kthehmi te kaluares, pavarsisht se duhet ta mbajme ne kurriz. Le t'i lere qeveria te gjitha korrupsionet qe jane bere ne te kaluaren (I.e Albtelekom) se fundja, te kaluares i perkasin...

Anyway, Shqipni tavolinash quhet dhe tema...
 

Kondrapedali

Kondrapedali
Re: Shqipni tavolinash!

<div class="ubbcode-block"><div class="ubbcode-header">Originally Posted By: Kondra</div><div class="ubbcode-body">... Nëse i rikthehemi gjithmonë veprimeve të së kaluarës atëherë nuk do ecim kurrë përpara sidomos kur e përdorim të kaluarën si shantazh në të tashmen. ... </div></div>

Më duket se ka një nuancë jo të vogël mes asaj që po them unë e asaj që kuptove ti. Po diskutoj për rastin në fjalë.

Për sa i përket shkeljeve të ligjit sigurisht që e kaluara s'do harruar, përkundrazi. Por për zgjedhjen e Topit president nuk pati shkelje ligji. Pati vetëm shkelje interesash.
 

marina s.

Forumium maestatis
Re: Shqipni tavolinash!

<div class="ubbcode-block"><div class="ubbcode-header">Originally Posted By: TheWanderer</div><div class="ubbcode-body">Sceptic, jam shume i qarte se nuk ka asgje personale ne shkrimin tend, por a do te kishte ndonje ndryshim, nese nuk i dihej autori ketij shkrimi? Une e solla kete shkrim jo se me pelqen apo se urrej Artan Lame, por problemi qe i ngre, me duket real dhe mund ta shkruaje ndac Mitro Cela, ndac Rusmajli, ndac Ngjela, ndac Nano, prape ai si problem ngelet.
</div></div>
Nuk me duket se une i hodha poshte problemet qe ka trajtuar Lame dhe as nuk mendova per motivin qe te shtyu ty te hapje temen;nuk me intereson.
Ndryshimi,nese nuk do te njihja kush e ka shkruar, do te ishte se nuk do te mendoja per qellimin e fshehur te autorit.Do ta mendoja si nje gazetar i hajrit ne paraqitjen e gjendjes se popullit dhe paksa i njeanshem pasi i paraqet sikur shqiptaret kane arriur kulmin vetem tani qe pushtetin e ka PD. Faktikisht njeanshmeria e tij dallohet e kulluar fare te postimi i fundit i yti,fjalia e fundit sidomos.
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

Edhe Ben Bushi, te cilit po i referohet Artan Lame, qe sipas mendimit tim duhet t'i referohen te gjithe (jo per shkaqe partiake apo elektorale), nuk po akuzon presidentin per shkelje ligji. Ai po i sjell ne vemendje nje menyre shume te ulet qe u perdor ne zgjedhjen e tij per presidentet dhe me sakte, menyren qe u perdor per te mbledhur keto vota. Artan Lame e prek problemin pak me gjere, duke e krahasuar me perrallen e Andersenit.

Presidenti nuk ka pse kercenon, pasi nuk i ka hije, per dicka qe ai e di mire qe ka ndodhur. Per aq me teper, nuk mund te themi qe sa here te sillet kjo ngjarje ne kujtesat tona, haj se eshte e kaluara dhe u be per te miren e Kosoves, ashtu si cu vodh ne rrugen e Rreshenit, pasi eshte nje investim patriotik. Me duket me e udhes, se eshte me mire t'i japim Cezarit ate qe eshte e Cezarit dhe me pak te vrasim mendjen per Partine apo per ate qe shkruan. Sceptic mund te kete te drejte, qe Artan Lame si bashkepunotr i Nanos (nuk e kam ditur kete fakt - dhe nuk me intereson shume) perdor keto turpe te politikes se sotme shqiptare per te fituar pike per partine e tij, por pjesa tjeter jashte politikes a nuk duhet te jete asnjanjese dhe e paprekur nga politizimi i cdo ceshtjeje.

Ndoshta paaftesia per tu shkeputur nga nje "dashuri" e fhshte per Partine i ben disa te shohin cdo akuze ndaj administrates se sotme si akuze ndaj Partise se tyre. Nuk eshte aspak e vertete dhe inteligjente te trajtosh cdo problem si politik...

Ne Shqiperi, zgjidhet nje president i cili blen disa vota. Duhet te na shqetsoje menyra se si zgjidhet ky president apo jo? Ky eshte problemi. jo kujt partie i perket presidenti, joo kush e propozoi, jo kush e vuri ne dukje kete fakt! Thjesht dhe i paanashem z. Kondra!
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

Sceptic, nuk e dija kush ishte Artan Lame deri tani sa e the ti dhe nuk ndaj me te asnje mendim apo veprim politik, thjesht me pelqejne problemet qe ngre. Jam dakord me ty qe ka qellime te fshehura (ndoshta /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/smile.gif ), por nese une e mbyll postimin me: Shqipni tavolinash, nuk do te thote qe mbeshtes PS-ne e shaj PD-ne :), pasi Shqipnia nuk eshte as e PS-se e as PD-se.
 

Kondrapedali

Kondrapedali
Re: Shqipni tavolinash!

Alternativa ndaj "blerjes së votave" cila ishte? Nuk më intereson Kosova aq sa më intereson Shqipëria në këtë mes. Nëpërmjet kësaj blerje u shmangën zgjedhje të «parakohëshme të cilat ishin të dëmshme për Shqipërinë. Nëse socialistët dhe opozita në përgjithësi nuk arritën të kuptonin se cila ishte çështja madhore në këtë mes atëherë le ta gëzojnë Topin president dhe të mbyllin gojën. Faktikisht është më shumë për faj të opozitës që Topi është sot president dhe të ngrihet sot Blushi apo kushdo tjetër dhe të thotë që ti i bleve votat është si puna e pemës me sopatën. Pema i dha dru sopatës për bishtin e sopata ju kthye pemës. Kështu edhe opozita i dha armatimet e duhura pozitës për të zgjedhur president atë që deshën dhe të bënin më pas ligjin.

Nuk është më tepër e moralshme akuza se "na e fute" nga shmangia e një futje tjetër më të madhe (në periudhën afatshkurtër së paku).

Pra, opozita desh të luante me zjarrin dhe u dogj. Duhet tani të verë mend e të provojë mënyra e strategji të tjera për të arritur qëllimet e veta por jo në kurriz tonë (popullit).

Ndërkohë qeveria ka takim me ne (gjithmonë popullin) në 2009. Aty, ne, që normalisht kemi pushtetin real (idealisht), do vendosim për meritat apo gabimet e kësaj qeverie dhe do votojmë sipas bindjeve të gjithsecilit. Dhe njëherë, zgjedhja do jetë se kush është më pak i keq. Dhe do vazhdojë kjo mesele deri sa .... nuk e di se deri kur.
 

marina s.

Forumium maestatis
Re: Shqipni tavolinash!

<div class="ubbcode-block"><div class="ubbcode-header">Originally Posted By: Kondra</div><div class="ubbcode-body">Pra, opozita desh të luante me zjarrin dhe u dogj. Duhet tani të verë mend e të provojë mënyra e strategji të tjera për të arritur qëllimet e veta por jo në kurriz tonë (popullit). </div></div>

Vertete mendoni qe u dogjen dhe se zgjedhja e Topit president nuk eshte strategji per te ardhur ne pushtet? Me falni,por jeni shume naive ju qe e mendoni keshtu. Nese opozita vertete do te kishte dashur zgjedhje te parakohshme do ia kishte arritur fare mire qellimit.Problemi eshte se,edhe pse fituan ne zgjedhjet lokale,opozita nuk mori ate fitore aq te thelle sa shpresonte ne kete myre zgjedhjet e parakohshme do te ishin tafti-bafti dhe jo fotore e garantuar. Zgjidhja? I japim presidentin PD,i fusim dy vjet te tjera acarim nervor shqiptareve qe te nxehen mjaftueshem me Salen dhe ne 2009 i kemi te fituara zgjedhjet.

Eshte e thjeshte dhe logjike.
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

MAT‘HAUZEN


Gjashtëdhjetë vjet më parë.

Kur gjermanët prodhuan pullat shqiptare pas pushtimit në fund të vitit 1943, Lef Nosi, koleksionisti ynë i shquar dhe aso kohe anëtar i Rregjencës, i mbushi mendjen inxhinierit italian të ngarkuar nga gjermanët me këtë punë, që të bënte një gabim në njërën prej pullave. Që ta merrni vesh ju, në filateli pullat me gabime janë shumë të rralla dhe për rrjedhojë edhe me vlerë të madhe dhe shumë të kërkuara nga koleksionistët. Italiani shkoi pas mendjes së Lefës dhe bëri me qëllim një gabim në njërën prej pullave, gjermanët e kapën gabimin, e gjithë sasia e prodhuar e pullës u asgjësua, pastaj e zunë për veshi italianin dhe e fluturuan direkt e në Mat‘hauzen, duke i thënë "ore po me pullat e FELDPOST-ës tallesh ti kopuk?". Ky qe fati i një gabimi të vetëm, të bërë në një pullë të vetme, gjashtëdhjetë e kusur vjet të shkuara.


Gjashtëdhjetë vjet më pas.

Para ca ditësh dolën nga shtypi seritë e pullave postare shqiptare për vitin 2006 dhe 2007. Pa i hyrë davasë se si është e mundur që pullat e vitit 2006 dalin në fund të vitit 2007, pa i hyrë davasë se a janë të bukura a të shëmtuara, pa i hyrë davasë a duhej vënë kjo temë apo duhej vënë ajo tjetra, a e dini se sa gabime ka në ato pulla? Jua them unë: 76 gabime drejtshkrimore në fjalët shqipe, 22 gabime logjike në tekstin shqip, 18 gabime drejtshkrimore në tekstin anglisht dhe 16 gabime logjike në tekstin anglisht. Të gjitha këto, jo në ndonjë libër me qindra faqe apo me kushedi sa volume, por në 127 pulla me rreth 800 fjalë gjithsej !!!. Pa zënë në këtë llogari që, në rreth 400 fjalë që kanë germën "ë" vetëm në 22 janë vendosur pikat, apo që "ë"-ja te "Shqipëria" herë shkruhet me pika e herë pa pika.

Kur them gabime logjike, e përdor për të mos thënë "budallallëqe", apo kur them gabime drejtshkrimore e them për të mos thënë "gafa analfabetësh", se nuk kam si i quaj më butë. Për t‘u marrë vesh me ju o lexonjës, po ju sjell ca shembuj, vetëm ca të pakët dhe jua le juve të merrni me mend edhe të tjerat.

Do jetë përmbysur në varr Aleks Buda, kur të marrë vesh se në pullën kushtuar atij, është cilësuar si "artist" dhe jo si shkencëtar, a historian, a studiues, siç e dimë ne dhe siç e dinte edhe ai vetë veten.

Çdo njeri që ka bërë 4 klasë shkollë dhe që nuk ha hudhra për të mos u qelbur erë, e di se ajo quhet "hudhër" dhe jo "hurdhë", siç e kanë quajtur myteberët tanë.

Shikojeni tekstin e kësaj pulle: "KOSTUM BURRI - HOTI". Nuk është asgjë fakti që "Hot" duhej shkruar në trajtën e pashquar, kur sheh se figura nuk është aspak burrë po grua e çfarë gruaje se!

Davidi nuk ka mbiemër dhe, meqenëse ishte nga Selenica, historianët e quajtën "Selenicasi", kështu që nuk mund të shkruhet "Selenica" sikur të jetë mbiemri që ka në gjendjen civile. Më tej legjenda thotë "Portreti i farëhedhësit". Dreqi e di çka dashur të thotë autori i kësaj diçiture, që nuk e ka quajtur thjesht "mbjellës" po "farëhedhës", duke i dhënë kështu një ngarkesë seksuale të pafshehur.

E gjeni dot se ç‘shteti i përket kjo pullë? Natyrisht që Shqipërisë, nisur nga fakti që marrina të tilla ndodhin vetëm në dheun e shqipeve. Emrin "Shqipëri" e kanë harruar jashtë pullës, bashkë me germën e parë dhe të fundit të fjalës "Gjermani".

Ç‘epokë është "shek. I-II P.K.", është para apo pas Krishtit?

Për t‘i dalë të keqes para dhe prapa, shihni si e kanë shkruar në këtë rastin tjetër: "MILLENIUM I-RE BC". Në ç‘gjuhë është kjo, se "Millenium" nuk është as shqip as anglisht, se shqip thuhet "mijëvjeçari"; "I-RE" është deri diku shqip, se nuk është korrekt, pasi kur shkruhen shifrat romake nuk vihen mbaresat; ndërsa epoka është shkruar anglisht "BC", megjithëse në shqip "BC" nuk do të thotë asgjë, ose për saktësi është thjesht targa e Bajram Currit.

Shiheni si është shkruar emri i Papës Klementi XI nga halldupët tanë. Le që ia kanë shkruar emrin me germë të vogël ndërsa numrin si sytë e tyre, po ca më keq, e kanë masakruar kur kanë provuar ta shkruajnë anglisht: e kanë shkruar me "K" jo me "C"; i kanë hequr një "T" në fund dhe natyrisht numri është edhe këtu "11" dhe jo "XI".

Më tej kanë bërë ca pulla për perandorët romakë me origjinë ilirë, ku njëri syresh, sipas tyre, është Galerio Maksimiliani dhe tjetri Flavio Anastasi. Me përjashtim të faktit që nuk ekziston perandor me këtë emër, por e ka "Maksimiani"; të faktit që tjetri nuk quhet "Flavio Anastasi" sikur ta ketë emër e mbiemër, por "Anastasi I"; dhe të faktit që ky nuk është perandor romak, por perandor bizantin, të tjerat janë në rregull.

Ore banorë të Zululandit, Gjirokastra nuk është shpallur "qytet muze" nga UNESCO, por nga Enver Hoxha, ndërsa UNESCO e futi në listën e trashëgimisë botërore. Veç kësaj, ajo organizata e ka emrin "UNESCO" dhe jo "UNECKO", siç e shkruani ju.

Mirë që UNESCO-s nuk ia dini emrin, po as Et‘hem Beut të Tiranës nuk ia dini, që e shkruani "Et‘Hem Beu Tianë"? Shiheni po s‘besuat.

Pastaj brenda së njëjtës pullë, shkruani një herë "pjesmarje" dhe një herë "pjesëmarrje".

Më keq akoma, është kur gabimet janë në anglisht, se kjo bën që budallallëku të kthehet nga kombëtar në ndërkombëtar, si në këtë rastin këtu, ku fjalës "involvement" i hahet një rrokje dhe shkruhet "involment".

Në këtë rastin tjetër, fjalët nisin anglisht dhe përfundojnë shqip: "the struggle Veneto-Turke".

Meqë nuk më ka lënë mendja të rreshtoj të njëqind e kusur gafat tuaja, po i kthehem aty ku e nisa, tek artistët e shquar, që anglisht e shkruani "ALBANIAN NATIONAL FIGURES" dhe një herë e përktheni "artistë të shquar" dhe një herë tjetër "figura të shquara". Nejse, te ky përkthimi i dytë, është përfshirë edhe Osman Kazazi, ndjesë pastë. Kazazi hyri në burg djalë, doli nga burgu i Enver Hoxhës plak dhe vdiq në fillim të viteve ‘90. Më thoni ju ç‘vepra të mëdha la pas vetes ai, për t‘u rreshtuar te figurat e shquara të kombit, ç‘teori, ç‘filozofi a vepër arti? Osman Kazazi meriton një vend nderi në ndërgjegjen e çdo shqiptari për të na kujtuar se deri ku mund të masakrojë një jetë diktatura, meriton edhe një vend në "Guiness" për vitet e burgut, po gjynah mos paça, figurë e shquar e Kombit nuk u bë dot, se nuk e la llozi i burgut të bëhej.

Nuk po rreshtoj të tjera, për të mos lodhur këndonjësit, por po të mendosh se janë nja tre duzina njerëz në Ministri të Punëve Publike dhe në drejtori të postave, që merren një vit të tërë me këtë punë dhe për të kontrolluar ato 800 fjalë gjithsej dhe bëjnë 150 gabime, është për turp e faqe të zezë.

Po a e dini o injorantë, se pulla bashkë me monedhën, janë dy shenjat më të rëndësishme që prodhon një shtet dhe me të cilat dallohet e le gjurmë mbi faqe të dheut dhe ju pikërisht me këto shenja na nxini faqen. Shkoni e gjeni një gabim në pullat e Gjermanisë a të Anglisë, apo ca më afër, në ato të Maqedonisë a të Moldavisë, mor po edhe në ato të Burundit a të Kongos, dhe unë do t‘u falja. Po nuk është një punë që e filluam sot, se ka 95 vjet që bëjmë pulla dhe erdhët ju tani e të na bëni të dukemi faqe botës si druvarë. Vidhni sa të doni e si të doni me tenderat e pullave apo edhe me rroga e shpërblime o të babëzitur, bëjini pullat me letër të keqe a me tema sipas midesë suaj prej sahanlëpirësish, jua fal. Do ju justifikoj para çdo të huaji e do t‘u them se jemi të varfër e s‘kemi para t‘i bëjmë me letër më të mirë, në djall vaftë, do t‘ju falja. Po të më turpëroni mua dhe Shqipërinë time e të dukemi barbarë e injorantë nuk ju lë.

Pyes se kush bën pjesë në Komisionin Shtetëror të Pullës dhe fillojnë të m‘i numërojnë: Kryetar, djali i Vili Minarollit, anëtar djali i ..., lere lere, u them, se e mora vesh.

Dëgjo Sokol, dëgjo Arqile, nuk pretendoj që ministri apo drejtori i Postave të jenë të zanatit, si në kohë të Ismail Qemalit, se këto janë ëndrra që nuk do t‘i realizojë më ky vend, kështu që për gjithë çfarë shkrojta më sipër nuk jua vë fajin juve, se sidoqoftë mund të më thoni se nuk jeni specialistë dhe jua keni lënë në dorë atyre që paguhen për këto punë. Jua them sinqerisht këtë. Por nëse pas një jave, nuk do ketë ndodhur asgjë me atë bandën e injorantëve pa anë e kut, që të janë mbledhur aty në Ministri të Punëve Publike apo në Drejtori të Postave, që ca i gjetët e ca jua dhanë, nëse po ata do vazhdojnë të na turpërojnë të gjithëve faqe botës, atëherë ndryshon puna. Atëherë do të them se faji është i juaji e do ta zë inatin me ju të dy. Me ty Sokol Olldashi dhe me ty Arqile Goreja. Po pres.
 

TheWanderer

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

Artan Lame

Prej nesh, që na kanë quajtur "popull folklorik", nuk mund të dalë gjë tjetër veçse një qeveri folklorike, si kjo që kemi e që e meritojmë. E keqja është se kohët moderne folklorin e kanë lënë në muze dhe kanë ngritur shtetin modern, se përndryshe bën zarar dhe prodhon vdekje


PA LEJE

Barka me motor që u përmbys, ishte e palicencuar. Ka tri ditë që gjysma e qeverisë luan basketboll me faktin se kush duhej ta jepte licencën. Ministria e Transporteve thotë e ka Kapitaneria. Kapitaneria thotë "jo, ne licencojmë mjetet që ankorohen në porte, ndërsa këto i ka Ministria e Mjedisit". Ministria e Mjedisit thotë se nuk e ka ajo, pasi ajo licencon vetëm varkat e peshkimit, ndaj shifni një herë andej nga Ministria e Turizmit. Ministria e Turizmit thotë "ç‘ne unë, Farka nuk është zonë turistike, ndaj Policia dhe Ministria e Brendshme duhej të mos e lejonin të operonte". Ministria e Brendshme hidhet përpjetë dhe thotë se si mund ta ndalonim ne, kur s‘ka asnjë ligj që e ndalonte? Pastaj, në një moment shihen të gjithë në sy dhe kthehen e ia hedhin fajin komunës. Po, po, komuna duhej ta licenconte. Ajo e ka fajin. Komuna kërcen përpjetë e tmerruar dhe thotë: Ç‘ne komuna të japë licenca lundrimi? Këto janë çështje ministrish. Këtu rrethi mbyllet dhe basketbolli rifillon nga e para.

Pastaj, vetë barka me gjithë motor, ishte blerë me lekë në dorë, ishte e paregjistruar gjëkundi dhe nuk ekzistonte në asnjë defter të republikës.

Pastaj, barka drejtohej nga persona, edhe këta të palicencuar. Patentë drejtimi, jo. A dinë not, a kanë bërë kurse të shpëtimit të jetës në ujë, a janë në moshë madhore etj. Meqë ra llafi, barka drejtohej sipas rastit, përveç të ndjerit, edhe nga vajza e tij dhe nga një djalë, të dy këta të mitur. Madje edhe pas tragjedisë, barka tjetër vazhdon të përdoret nga ky djali për të çuar gazetarët, policinë, hetuesit, kamerat dhe birrat drejt lokalit (!!!).

Pastaj, lokali qenkësh i ndërtuar pa leje. Kryetari i komunës thotë se ka një vendim prishje që në vitin 2003, por nuk zbatohej se nuk hynte dot fadroma. Fadroma me rrota një metër, nuk hynte dot atje ku hynin veturat që shkonin për drekë!!!

Pastaj, lokali le që ishte pa leje, po ishte edhe në tokë të tjetërkujt dhe për këtë na qenkan bërë dhjetëra sherre. Policia në gjithë këto vite herë pas here shkonte atje me barkën e tragjedisë, për të mbyllur sherret apo për të ngrënë drekë pasi mbyllte sherret. Për këtë paska edhe një proces të hapur në Gjykatën e Tiranës.

Pastaj, si të gjitha lokalet, baret dhe restorantet e ndërtuara paleje, edhe çdo gjë që servirej brenda tij ishte pa leje. Mishi apo peshku i pakontrolluar, kamerierë e kuzhinierë të palicencuar nga Ministria e Turizmit, të pakontrolluar nga Ministria e Punës nëse janë të siguruar, të pakontrolluar nga Inspektorati i Shëndetit Publik nëse mund të ushtrojnë profesionin, pa libreza pune, pa, pa, pa...

Pra, që t‘i mbledhim të tëra, për të qenë në rregull me këtë aktivitet, u dashkan nxjerrë një vandak me licenca, leje, regjistrime, kontrolle, vizita, kurse, patenta, certifikata e libreza. Të gjitha këto janë shpikje moderne, për t‘u përdorur në një botë moderne. Ndërsa këtu në republikën tonë folklorike, këto duhej t‘i bënte një njeri që besoj se, si shumica e shqiptarëve, i urrente letrat, nuk ka asnjë kontakt normal me botën moderne, i izoluar atje mes kodrave në Farkë. Jo, për njëmijë vjet jo.


ME LEJE

Edhe sikur i ndjeri të kish qëlluar aq i ngeshëm sa të harxhonte një vit kohë dhe një thes me pará për t‘i bërë të tëra letrat, ato nuk do të vlenin për asgjë. Në një shtet ku 60% e ekonomisë është informale, ku indeksi i zbatimit të ligjit është 15%, ku çdo 4-5 vjet digjen hipotekat, ku falsifikohet pa problem çdo lloj dokumenti, më thoni ç‘vlerë do të kishte pasur t‘i hynte belasë së letrave?

Të gjithë pallatet që ndërtohen, ndër të tjera duhet të marrin leje nga Shërbimi Zjarrfikës. Të gjithë e marrin, po në shumicën e tyre zjarrfikësja mund të arrijë vetëm me helikopter. Atëherë ç‘vlerë ka leja? Thjesht që, ata që do të digjen, vërtet do digjen si minjtë, por me licencë ama.

Ligji i miratuar për legalizimet, ndër të tjera, përmban edhe një dispozitë kriminale. Të gjithë kryefamiljarët duhet të nënshkruajnë një deklaratë noteriale, sipas së cilës shteti nuk mban asnjë përgjegjësi për cilësinë e ndërtimit. Vetëm pas kësaj bëhet legalizimi. Pra nëse sot rrëzohet një shtëpi e palegalizuar, banorët do vdesin dhe përgjegjësia është e tyrja, por me fjalë. Nëse po, kjo shtëpi do të bjerë pas legalizimit, banorët e saj, me burra, gra e kalamaj, do të vdesin njëlloj, por me lejen e legalizimit të shtrënguar në gji.

Në lumin e Matit, para ca ditësh u evidentuan nja 50 subjekte që merrnin zhavorr pa leje. Kur gazetarja pyeti inspektorin e mjedisit se ç‘masa do të merreshin, ai u përgjigj me një krenari idiote: Do marrim masa urgjente dhe të rrepta për licencimin e tyre. Pra lumin do ta marrë lumi njëlloj, do shkatërrohet e grabitet pa ndryshim, por me licencë ama.

Kjo është vlera e letrave në Shqipëri. Për t‘u kthyer te fatzinjtë e Farkës, them se edhe sikur pronari i ndjerë t‘i kishte të gjitha lejet në rregull, tragjedia do të ndodhte njëlloj, por vetëm me një dallim të vogël formal: do të ishte një tragjedi e licencuar.


PRAPE PA LEJE

Ndiqja në një TV intervistat rreth tragjedisë. Televizioni që po transmetonte është një prej atyre rrjeteve me licencë të parregullt. Edhe vetë gazetarja është e punësuar pa kontratë dhe natyrisht që nuk paguan as sigurimet. Intervistonte atje në fshat një grua brenda një dyqani (natyrisht pa leje e licencë). Mbrapa folëses ngrihej një pyll shtëpish e kolonash betoni, natyrisht edhe këto të gjitha pa leje. Do legalizohen, ma mbyllni ju gojën. Po pra, kjo është e keqja, që do legalizohen.

Për të shkuar atje, nuk duhen më shumë se 10 minuta nga qendra e Tiranës, por zor se mund të të zërë syri ndonjë gjë me leje. Në këto 10 minuta rrugë do shohësh vetëm shtëpi pa leje, lokale pa leje, veprimtari prodhuese gati të gjitha pa leje (muratorë, karpentierë, dyqanxhinj, karburante, pa leje). Do kalosh nën linja tensioni që mbajnë me qindra e qindra lidhje të paligjshme, që në çdo çast mund të marrin jetë të tjera, do shohësh qindra tuba që marrin ujë pa leje nga trungu i ujësjellësit. Do shohësh Senatoriumin të rrethuar nga gropa e pellgje dhe me oborrin të pushtuar përgjysmë nga ndërtime pa leje, derisa e detyruan të spostonte gardhin e rrethimit. Do kalosh pastaj pranë traktorësh e mjetesh motorike që, meqenëse blihen, punojnë e prishen, brenda zonës, e as që marrin mundimin të regjistrohen e të vendosin targa. Do shohësh fshatarë të vuajtur që zvarriten drejt qytetit me bidonë qumështi të pakontrolluar dhe pa asnjë lloj licencimi.

E vetmja gjë me dokumente të rregullta që të zënë sytë atyre anëve, janë Varrezat e Dëshmorëve, të cilat kanë mbetur si ishull mes detit të palejes dhe që e kanë paguar me jetë këtë të drejtë. Të drejtë që e kanë fituar para 60 e kusur vjetësh, por që për pak jua dhunuan viktimave të tragjedisë së fundit. Gazetat shkruan se midis varreve të dy foshnjave, varrmihësit kishin filluar të hapnin të nesërmen një varr tjetër (kushedi me kë qenë marrë vesh për "të bo noi ner") dhe që pas insistimit të familjarëve të të parëve e mbyllën. Kësaj radhe s‘ju doli gjë, do shkojnë ta provojnë te ndonjë varr më i vjetër.


LEJA E MADHE

Meqë punët rrinë kështu, qeverinë tonë folklorike natyrisht që nuk e la mendja t‘i hyjë belasë e të zgjidhë punëra të këtilla. Të zgjidhësh këto halle, do vullnet, do punë, do mend. Duke mos pasur asnjërën, i biem shkurt, bëjmë folklor: shpallim zi kombëtare, bëjmë ngushëllime para kamerave dhe u japim pará familjarëve.

Nga anë e tija, populli ynë folklorik as që e do një qeveri që vë rregulla e ligje, që do kërkojë licenca e taksa, që nuk do lërë ndërtime pa leje e që do prishë shtëpitë që s‘bëjnë.

Ikën 16 jetë dhe nuk dha hesap njeri. Detyrohem të them se qe një tragjedi që nuk shërbeu për asgjë, përderisa u trajtua me folklor dhe jo me ligje. Është e sigurt si buka që hamë se, sa herë që diçka do shkojë ters, të tjera jetë do humben pa kuptim.

Më mbetet vetëm një shpresë. Shpresa e defterit të madh të Zotit në qiell, që do kërkojë hesap deri më një për çdo jetë të ndërprerë nga injoranca, paaftësia dhe makutëria e kujtdo që këto jetë i qenë besuar t‘i mbronte.







E vetmja gjë me dokumente të rregullta që të zënë sytë atyre anëve janë Varrezat e Dëshmorëve, të cilët kanë mbetur si ishull mes detit të palejes dhe që e kanë paguar me jetë këtë të drejtë



Siç bëhen letrat në Shqipëri, edhe sikur pronari i ndjerë t‘i kishte të gjitha licencat në rregull, tragjedia do të ndodhte njëlloj, por vetëm me një dallim të vogël formal: do të ishte një tragjedi e licencuar
 

jimmy84

Primus registratum
Re: Shqipni tavolinash!

OK,pavaresisht kush eshte autori i ketyre pamfleteve, vertet permbajtja nxjerr probleme ne pah por edhe kjo mbetet "folklorike" (si qeveria). Per te mos folur per stilin, qe megjithese une e pelqej, ne fund te fundit eshte stil i viteve `30 alla-Nonda Bulka. Dhe mua me vjen keq qe satira shqiptare ka ngelur po ne kete nivel si 70 vjet me pare. Problemet sot nuk zgjidhen me "Shqipni Tavolinash" apo me "Kur qante dhe qeshte bilbili".
Une e kuptoj qe te pelqen trajtimi (qofte si permbajtje qofte si stil) dhe ne fakt edhe mua me pelqen...por eshte "muhabet pa bereqet".
 
Top