Re: Shqiperia 1 euro ?
Shqipëria 1 euro, dështon nisma e qeverisë
Julian Llupo - Shekulli
Investitorët e huaj nuk kanë preferuar që të investojnë në Shqipëri edhe për 2006, duke sjellë vetëm 250 milionë dollarë investime. Shifra e investimeve të huaja është e njëjta me atë të vitit 2000, nëse bëjmë korrektimet përkatëse në kursin e këmbimit dollar/lek. Në vitin 2000, sipas statistikave, investimet e huaja kanë qenë rreth 200 milionë dollarë. Edhe në krahasim me vitin 2004 dhe 2005, vlera e investimeve të huaja në 2006 është më e ulët. Në këtë krahasim nuk përfshihet rritja ekonomike, që është nja faktor që ndryshon madhësinë e treguesve ekonomikë. Nëse e krahasojmë me vitin 2004, investimet e huaja gjatë vitit 2006, janë rreth 100 milion dollarë më pak. Një nga privatizimet strategjike që parashikohej të realizohej brenda 2006-ës, ka dështuar. Nisma "Shqipëria 1 euro", ulja e kohës së regjistrimit të biznesit apo ulja e taksave. duket se kanë mbetur vetëm në letër. E njëjta analizë është e vlefshme edhe për sipërmarrjen vendëse, duke e konsideruar politikën vetëm një pengesë. Krizat e përvitshme energjetike e politike, duket se kanë zbehur çdo reformë fiskale. Gjatë këtij viti kemi dëgjuar shumë për investimet që do vërshonin drejt Shqipërisë, por po ndodh e kundërta. Edhe për vitin 2006, me gjithë vullnetin e mirë, asgjë nuk ka dalë në dritë. Nëse do të bënim një krahasim me dy vendet e bllokut, që tashmë janë bërë pjesë e BE-së, do të konstatoheshin diferenca tepër të mëdha, që nxjerrin në pah edhe problemet kritike, që bëjnë që klima e biznesit në vend, të jetë e pafavorshme dhe diskriminuese për investitorët. Sipas një raporti për investimet në botë i Konferencës për Tregti dhe Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vitin 2005, në Evropën Juglindore më shumë investime të drejtpërdrejta të huaja, janë bërë në Rumani dhe Bullgari, përkatësisht 6,3 miliardë dhe 2,2 miliardë dollarë.
Investimet e Huaja
Vitet Vlerat
2006 250
2005 260
2004 350
2002 200
Burime nga Agjencia Shqiptare për Investime dhe Biznes (Albinvest), bëjnë të ditur se niveli i investime edhe për këtë vit, pritet të jetë në rendin e 250 milionë dollarëve. Megjithëse, Ballkani po bëhet një nga rajonet më të preferuara për investitorët e huaj, gjatë viteve të fundit, në Shqipëri po vijnë vetëm një pjesë e vogël e investimeve. Specialistët thonë se kjo vjen për shkak të disa faktorëve, ku ndër më kryesorët përmenden niveli i lartë i korrupsionit, procedurat burokratike dhe paqëndrueshmëria e situatës politike në vend.
Investimet e huaja, të fundit edhe në rajon
Korrupsioni është faktori kryesor që mban larg Shqipërisë investitorët e huaja. Ky është thelbi i raportit të OECD, për vitin 2006. Në këtë raport, përfshihet një studim mbi indeksin e investimeve të huaja për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Serbinë. Papunësia në vendet e rajonit, ku përfshihet edhe Shqipëria, nuk ka pësuar ulje dhe vërtitet në një mesatare që shkon në 20%. Prurjet më të mëdha të investimeve të huaja direkte në vendet e Ballkanit Perëndimor, vijnë si rezultat i privatizimeve, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre vjen në forma të tjera. Të dhënat e bëra publike nga ky raport, bien në kundërshtim me deklaratat publike të bërë herë pas here nga qeveria, ku theksohet se kemi një rritje të investimeve të huaja dhe reduktim të papunësisë. Madje në raport, theksohet se në drejtim të luftës ndaj korrupsionit, Shqipëria zë vendin e fundit, ndërsa në nivelin e investimeve të huaja, renditemi para Moldavisë dhe Maqedonisë. Shqipëria vazhdon të renditet si një nga vendet më nivelin më ta lartë të korrupsionit në rajon.
Rumania dhe Bullgaria, kampionë në IHD
Rumania dhe Bullgaria, janë shtetet me më shumë investime të huaja. Këtë e tregon raporti për investimet në botë i Konferencës për Tregti dhe Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2005, në Evropën Juglindore më shumë investime të drejtpërdrejta të huaja janë bërë në Rumani dhe Bullgari, përkatësisht 6,3 miliardë dhe 2,2 miliardë dollarë. Përgjithësisht në rajon janë investuar më se 12,4 miliardë dollarë. Pas Rumanisë dhe Bullgarisë, sipas investimeve të huaja, renditen Kroacia me 1,69 miliardë dollarë, Serbia dhe Mali i Zi, me 1,48 miliardë dollarë, Bosnja dhe Hercegovina me pothuaj 300 milionë dhe Shqipëria me 260 milionë dollarë. Në vendin e fundit është Maqedonia, në të cilën në vitin 2005, janë investuar vetëm 100 milionë dollarë.
........................................................
Eshte nje fakt i vertete qe Shqiperia 1 Euro ka deshtuar.
Qeveria me politikat e saj "jo politike" jo vetem qe s'ka mundur te thith asnje investim nga kjo nisme, por eshte duke hedh ne ere edhe investime me vlere 2 miljard dollare qe kane kohe qe presin te marrin jete.