Re: Shqipe Habibi zihet peng nga Afganet!
Kabul / Militantët këmbëngulin për lirimin e 26 të burgosurve, për të cilët SHBA ka refuzuar
Pengmarrësit shuajnë shpresat për lirimin e Shqipes
Rrëmbyesit afganë: Do t’i ekzekutojmë tre pengjet, pasi SHBA po vonon lirimin e tyre
Shekulli
Rrëmbyesit afganë kanë kërcënuar se do t’i ekzekutojnë tre pengjet, duke akuzuar SHBA-të si fajtore për vonesën në lirimin e tyre. Lajmi është bërë i ditur nga rrjeti televiziv me seli në Katar “Al Jazeera”. Militantët afganë kërkojnë lirimin e 26 të burgosurve talebanë në këmbim të tre të huajve që u rrëmbyen para më shumë se dy javësh në Kabul. Të rrëmbyerit janë Shqipe Hebibi nga Kosova, Annetta Flanigan nga Irlanda e Veriut dhe diplomati nga Filipinet, Angelito Nayan. Rrëmbyesit besojnë tani se të gjithë të dyshuarit ndodhen në burgjet amerikane, madje ca nga të cilët në burgun Guantanamo Bay, në Kubë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se nuk do të negociojnë me rrëmbyesit. Në fillim të kësaj jave në emër të SHBA-ve foli zv/sekretari amerikan i shtetit, Richard Armitage i cili tha se një lëshim ndaj militantëve të Kabulit do të inkurajonte edhe më shumë marrjen e pengjeve. Mohammed Akbar Agha, që mendohet se është lideri i grupit rrëmbyes tha se Armitage ka zbehur të gjitha shpresat se pengjet mund të liroheshin para festës islamike Eid al-Fitr që nis të shtunën në Afganistan. “Negociatorët nga qeveria afgane kanë kontaktuar me ne, dhe ne kemi diskutuar gjithë situatën”, -tha Agha. “Ne shpresonim që çështja të zgjidhej para festës, por fjalët e Richard Armitage kanë shkaktuar ca vonesa”, -tha ai. “Ne mund të marrim një vendim përfundimtar për fatin e tyre sot”. Tre të huajt, përfshi dhe Shqipe Hebibin ndodheshin në Afganistan për të mbikëqyrur zgjedhjet e 9 tetorit. Ata u rrëmbyen më 28 tetor. Kërkesa fillestare e rrëmbyesve ishte të tërhiqeshin trupat pushtuese nga Afganistani dhe të liroheshin gjithë të burgosurit talebanë. Rrëmbyesit shfaqën edhe një video të tre pengjeve, duke rritur frikën në gjithë komunitetin perëndimor se afganët po ndjekin të njëjtat taktika rrëmbimi si rebelët e Irakut. Zyrtarët afganë dhe të OKB-së nuk kanë komentuar asgjë në lidhje me negociatat për këmbimin e qoftë një të burgosuri apo disa prej tyre me pengjet, pavarësisht se rrëmbyesit thanë se gati kishin arritur në një marrëveshje. Sidoqoftë, një zyrtar afgan tha se 26 të burgosurit nuk janë ndonjë “kërkesë shumë e madhe. Deri tani ne nuk kemi negociuar për këta 26 të burgosur”, -tha ai, duke kërkuar të mos identifikohej nga “Al Jazeera”. “Kjo është një çështje parash”. Ndoshta kjo ishte edhe shpresa e biznesmenit kosovar Begjet Pacolli i cili u deklarua mjaft optimist për lirimin e Shqipes dhe dy të tjerëve para Festës së Bajramit. Një zëdhënës i rrëmbyesve tha se ata donin lirimin e 15 burrave që ishin kapur afër qytetit jugor kufitar Spin Boldak një muaj më parë dhe 11 të tjerë të arrestuar më parë. Por zëdhënësi amerikan Mark McCann tha se ushtria nuk ka marrë asnjë listë emrash dhe ka ripohuar deklaratën e Armitage se politika amerikane kundërshton bërjen e lëshimeve për terroristët. “Nuk do të lirojmë askënd”, -tha McCann cituar nga “Al Jazeera”. Presidenti afgan gjithashtu ka bërë thirrje për lirimin e pengjeve që ndihmuan në organizimin e zgjedhjeve të 9 tetorit. Megjithatë gjatë lutjeve që bëri të shtunën në pallatin e Kabulit, Karzai nuk i përmendi fare pengjet. Ndërkohë “Al Jazeera” citon qytetarë të thjeshtë, besimtarë që janë lutur për jetën e punonjësve të OKB-së. “Unë u luta për të tre pengjet, veçanërisht për gruan myslimane Shqipe Hebibi, sepse ajo është myslimane”, -tha Abdur Rahman, një elektricist 30 -vjeçar. “Unë shpresoj që rrëmbyesit në respekt të muajit të shenjtë të Ramazanit t’i lënë ata të lirë”.
14/11/2004(MARRE NGA GAZETA SHEKULLI)