Re: Shkembim Tokash me Serbine ? Pse JO ?
Ja se cfare propozojne amerikanet ne lidhje me Kosoven dhe shkembimin e territoreve. Lexoni me poshte. Eshte nje qendrim paksa i ndryshem nga ai i minsitrit tone te jashtem!
Analisti amerikan thotë se procesi i negociatave do jetë i gjatë, po rezultati do të jetë pavarësia e Kosovës
Karpenter: Një pavarësi e qëndrueshme për Kosovën kërkon ndarje territoriale
E. Kurra
Vendimi i Këshillit të Sigurimit për t’i hapur dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës nuk ishte i papritur për qarqet e analistëve në Uashington. Analisti i Institutit Cato, Ted Karpenter, thotë se, megjithëse parashikohet një proces i gjatë dhe i ndërlikuar negociatash, rezultati përfundimtar do të jetë pavarësia e Kosovës. Por analisti paralajmëron se një pavarësi e kushtëzuar nënkupton një zgjidhje të pjesshme të problemit dhe sugjeron një ndarje të Kosovës, si kyçin për një Kosovë të pavarur e të qëndrueshme. Karpenter e shikon sovranitetin e kushtëzuar si një formulë që nuk funksionon logjikisht dhe që për t’u zbatuar në praktikë do të kërkojë një prani ndërkombëtare të tejzgjatur, që do të shndërrohet në burim të ri tensionesh: "Kam argumentuar prej kohësh se sovraniteti është si shtatzënia. Një grua është ose s’është shtatzënë. Një vend është ose nuk është i pavarur. Mendoj se vizioni i komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështjeje nuk do të sjellë zgjidhje të qëndrueshme. Ata propozojnë një pavarësi nën mbikëqyrje, që ngre nevojën e një pranie të huaj ushtarake në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Kjo prani do të jetë krejt e papranueshme për popullsinë në Kosovë. Gjithnjë e më tepër popullsia do t’i konsiderojë trupat e huaj jo si një politikë sigurimi kundër ndërhyrjeve nga jashtë, por si një faktor ndërhyrës në një vend që sapo ka fituar pavarësinë. Të themi pas 5 apo 10 vjetësh, vështirë të mendosh se një prani ushtarake do të jetë e pranueshme nga shumica e popullsisë", - thotë Karpenter.
Karpenter e pranon idenë e pavarësisë së Kosovës më tepër si një fakt të kryer dhe të padiskutueshëm, një vendim të marrë nga komuniteti ndërkombëtar dhe negociatat thotë ai do të shërbejnë thjesht për të qartësuar hollësitë apo kushtet me të cilat shoqërohet kjo pavarësi. Negociatat janë aspekti publik i procesit, thotë analisti. Thelbi i këtyre negociatave është se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të imponojnë një zgjidhje. Por Karpenter veçon si kusht për mbarëvajtjen e pavarësisë ndarjen territoriale të rajonit të Mitrovicës, i cili aktualisht ekziston si një territor i shkëputur nga pjesa tjetër e Kosovës: "Askush nuk i pëlqen ndarjet në vija etnike dhe është e kuptueshme përse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk duan të shqyrtojnë një zgjidhje të tillë, por në këtë rast mendoj se një ndarje e Kosovës është një vendim me vend, pasi do të ndihmojë në vendosjen e qëndrueshmërisë, në rast të kundërt Mitrovica do të jetë një plagë e hapur që do të dëmtojë vendin për vite me radhë. Nëse nuk bëhet ndarja e Kosovës, mbetet i pambyllur një burim paqëndrueshmërie dhe i hapet rruga qëndrimit me afat të pacaktuar të trupave ndërkombëtare në Kosovë, gjë që shumica shqiptare nuk do ta pëlqejë në periudhën afatgjatë.
Ka të ngjarë që ecejaket diplomatike të vazhdojnë për disa muaj, në mënyrë që të moderohet qëndrimi i palës shqiptare dhe asaj serbe dhe të gjendet një kompromis i pranueshëm. Nuk ka shumë gjasa që asnjëra palë të marrë atë që dëshiron, thotë analisti. Ai paralajmëron se, nëse Begradi këmbëngul në qëndrimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës, nuk do të bëjë tjetër veçse do të dëmtojë shanset e tij për negociim në këtë proces: "Nëse qeveria serbe këmbëngul në qëndrimin aktual se pavarësia nuk është alternativë e pranueshme prej saj, fjala e saj do të hidhet poshtë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, gjë që do të jetë një goditje e rëndë për Beogradin. Në fund të fundit, statusi i Kosovës nuk do të përcaktohet nga Beogradi dhe sa më parë që ta kuptojë Serbia këtë, aq më parë do të arrihet zgjidhja. Por udhëheqësit politikë serbë do t’i kundërvihen alternativës së pavarësisë me sa munden. Serbia, mendoj unë, kërkon dy gjëra: një prej tyre, një konsesion i Serbisë për të pranuar pavarësinë, është ndarja e Kosovës. Një tjetër kërkesë është përshpejtimi i procesit për antarësimin e Serbisë në BE, që tani, thekson analisti i Institutit Cato, po ecën me ritme shumë të ngadalta.
"New York Times": “Statusi i Kosovës tashmë është gjetur, dhe është pavarësia”
Gazeta amerikane “New York Times”, shkruan në numrin e saj të djeshëm se, pavarësisht asaj se ende nuk është caktuar zgjidhja e statusit politik të Kosovës, tashmë dihet se ajo do të jetë pavarësia. Statusi i Kosovës është gjetur dhe kjo është pavarësia, megjithëse Këshilli i Sigurimit ka marrë vendim që të nisin bisedimet për statusin final, që do të thotë se statusi ende nuk është gjetur, shkruan gazeta autoritative amerikane. "Gjashtë vjet e katër muaj pas marrjes së administrimit mbi Kosovën, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka marrë vendimin për nisjen e negociatave për statusin e ardhshëm të kësaj krahine ballkanike të mbuluar me gjak. Kjo lë përshtypjen se zgjidhja ende nuk është gjetur. Por ajo është gjetur, dhe kjo është pavarësia", shkruan "New York Times" në një editorial të djeshëm. Meqenëse SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia kanë hedhur poshtë mundësinë e kthimit të Kosovës në përbërje të Serbisë, lidhjen e saj me Shqipërinë apo ndarjen, detyrë e ish-presidentit finlandez, Marti Ahtisari, do të jetë që të udhëheqë bisedimet, të vizatojë kufijtë edhe një shtet të pavarur në hapësirën e ish-Jugosllavisë, konstaton gazeta "New York Times".