Re: Sherbimi Celular ne Shqiperi
Vodafone, të ardhurat në pikiatë
Ulet “fitimi” nga numrat me kontratë. Rreth 1 milionë shqiptarë me Vodafone
Altin Xhikneli-ABC
Përkeqësimi i financave të korporatës më të madhe të telefonisë celulare në botë ka prekur dhe degën e saj në Shqipëri. Të ardhurat për abonent nga kompania celulare Vodafone kanë pësuar rënie. Sipas të dhënave nga bilanci i fundit i publikuar nga kompania mëmë në Britani, vihet re se treguesi i të ardhurave për abonentët me kontratë ka pësuar rënie, ndërkohë që ai i abonentëve me kartë mbetet në të njëjtat nivele. Kështu sipas të dhënave të Vodafone, shpenzimet mujore për çdo abonent me kontratë deri në 31 dhjetor 2006, janë 16 329 lekë, duke pësuar një rënie prej rreth 10% nga tremujori paraardhës. Sipas shifrave të bilancit, një abonent me kontratë ka paguar mesatarisht në çdo muaj rreth 163 dollarë, nga 171 që paguante tri muaj më parë. Krahasuar me vitin 2005, ARPU (të ardhurat mesatare mujore për abonent) për numrat me “20” ka pësuar një rënie prej rreth 12%. Ndërkohë që për abonentët me kontratë të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të klientëve, shpenzimet mesatare deri në fund të vitit janë 16 dollarë në muaj. Ndërkohë që tre muaj më parë kjo shifër ishte rreth 18 dollarë. Për rreth tri vjet me radhë duket që të ardhurat për abonentët me kontratë nuk kanë pësuar rënie, por kanë mbajtur thuajse të njëjtin ritëm, ndryshe nga ato me kontratë të cilët kanë filluar të paguajnë mesatarisht më pak për celularët.
Ulen 5.6 % të ardhurat për abonent
Në vitin 2004 të ardhurat për abonent me kontratë ishin 245 dollarë ndërsa për vitin 2005 ato ranë në 163 dollarë. Sipas të dhënave të Vodafone, të ardhurat mesatare mujore për abonentët me parapagesë kanë pësuar një rënie krahasuar me 31 dhjetorin e vitit 2005, prej 5.6%. Por edhe pse është vënë re një rënie e lehtë e të ardhurave për abonent, paratë totale që ka grumbulluar nga Vodafone kanë pësuar rritje. Kjo për arsye të rritjes së numrit të abonentëve me 51 mijë vetëm në tre muajt e fundit. Sipas përllogaritjeve del se të ardhurat e Vodafone për vitin 2006 llogariten të jenë mbi 200 milionë USD. Sipas të dhënave të fundit, rreth 33% të këtyre të ardhurave vjen nga abonentët me kontratë, të cilët janë vetëm 3.1% e totalit. Arsyet kryesore për uljet e shpenzimeve të abonentëve me kontratë është ulja e çmimeve nëpërmjet paketave promocionale për kategorinë “biznes”. Ndërkohë, që mesa duket, për abonentët me kontratë kjo ulje nuk ka qenë domethënëse.
Biseda me celular, 1 orë në muaj
Shqiptarët që kanë celular flasin mesatarisht 1 orë në muaj. Vëllimi i bisedave që kanë kryer abonentët gjatë tremujorit të fundit 2006, është 160 milionë minuta kohë bisedë. Gjatë tremujorit paraardhës kjo shifër ishte 166 milionë, pra koha e bisedës ka pësuar rënie gjatë tremujorit të katërt prej 4%. Sipas të dhënave nga bilanci, çdo abonent Vodafone ka shpenzuar 58 minuta në muaj kohë bisede. Duhet vënë re se abonentët shqiptare flasim më pak nga të gjithë konsumatorët e tjerë vodafone në të gjithë botën. Kjo sipas shumë raporteve, vjen si rezultat i tarifave ende të larta që aplikojnë kompanitë celulare në vend. Sipas të dhënave nga vetë bilanci i Vodafone, rezulton se fqinjët tanë Vodafone në Itali, flasin tre herë më shumë se ata shqiptarë. Mesatarisht, një abonent vodafone në Itali, shpenzon 137 minuta kohë bisedë në muaj, ndërsa një Greqi 142 minuta, kundrejt 58 min që shpenzon një vodafone shqiptar.
Abonentët, 1 në 3 me Vodafone
Abonentët e Vodafone po i afrohen shifrës së 1 milionë. Sipas parashikimeve, nëse trendi i penetrimit të vodafone në treg do të jetë me 50 mijë abonent të rinj çdo tre muaj atëherë që në 6 mujorin e parë të këtij viti pritet të kalohet shifra 1 milionë. Aktualisht deri më 31 dhjetor 2006, abonentët e Vodafone kanë mbërritur në 916 mijë, duke pësuar një rritje prej 6% kundrejt tremujorit të mëparshëm. Numri i abonentëve me kontratë deri në fund të dhjetorit është 28 396, duke përbërë 3,1% të totalit