Shaska lan duart me studentët, përgjegjësia i kalon senatit

Shaska lan duart me studentët, përgjegjësia i kalon senatit

Rektori: Pranojini edhe ata me mesatare nën 6. Senati: Jo!

Kamber Velaj

Një përplasje deklaratash me shumatore zero ka shpëtuar rektorin e universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës nga përgjegjësia për mosregjistrimin e 161 kandidatëve për studentë dhe e ka kaluar këtë përgjegjësi te senati i Universitetit, duke e shpërndarë në aq copa të vogla sa të mos i rëndojë askujt.

Ajo që nga rektori dhe stafi akademik serviret si vendimmarrje e sinqertë, ndërsa nga 161 kandidatët e refuzuar dhe familjarët e tyre si një manovër e ulët, u zhvillua dje në harkun e pak orëve.

Rektori Tanush Shaska nxori një urdhër me anë të të cilit mbante të hapura sportelet e regjistrimit deri në orën 17:00 të pasdites së djeshme, ekskluzivisht për ata kandidatë për studentë që kanë dalë fitues nga provimet e Maturës Shtetërore, por kanë mesatare të shkollës së mesme më të ulët se 6.

Por pas daljes së urdhrit të rektorit, senati i universitetit zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme dhe si organi më i lartë vendimmarrës e shpalli të pavlefshme shkresën e Shaskës, duke u hequr të drejtën për regjistrim 161 kandidatëve për studentë. Në përfundim, ajo që ndodhi dje pati vlerë vetëm për të shkarkuar përgjegjësinë nga një person i vetëm te disa persona, ndërsa kandidatët për studentë mbeten ende me shpresën e ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të pasur mundësinë për të ndjekur studimet në Universitetin e Vlorës.

Urdhri i rektorit

Rektori i universitetit “Ismail Qemali”, Tanush Shaska u dërgoi dje një letër anëtarëve të senatit të Universitetit, me anë të së cilës i informonte për urdhërimin e shtyrjes së regjistrimeve të studentëve të rinj përtej afatit të përcaktuar nga ministria, me qëllim që të mund të regjistroheshin edhe kandidatët me mesatare më të ulët se nota 6. “I kam bërë një kërkesë MASH për shtyrjen e regjistrimeve për maturantët edhe për ditën e sotme (e diel). Me aprovimin e ministrit të Arsimit, ne sot kemi shtyrë regjistrimin e maturantëve deri në orën 17:00″, thotë Shaska në fillim të letrës, ndërsa më pas sqaron se “Ministri i Arsimit dhe Shkencës, prof. M.Tafaj na ka dhënë garanci të plotë se të gjitha kushtet e vëna nga UV për pranimet do të respektohen me rigorozitet në vitin në vazhdim”. Ai thekson se i qëndron mendimit se në këtë proces Universiteti i Vlorës ka ndjekur me përpikmëri ligjin dhe të gjitha afatet. Duke i sqaruar senatit se ka marrë nga ministri garancinë se do të ketë mbështetje për zgjidhjen e gjithë problemeve të mbartura me ministrinë, e veçanërisht atë të programeve te reja, kërkon nga senati ta mbështesë urdhrin e tij.

Rrëzimi nga senati

Por ka qenë krejt e ashpër përgjigjja e senatit të Universitetit të Vlorës, anëtarët e të cilit nuk lënë asnjë shteg për kompromis. “Ne si kolektiv pedagogjik i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës e konsiderojmë këtë një shkelje të rëndë të autonomisë së universitetit dhe nëpërkëmbje të autoritetit dhe dinjitetit të senatit të UV, i cili është organi më i lartë vendimmarrës i Universitetit të Vlorës”, thuhet në një njoftim për shtyp që senati i universitetit “Ismail Qemali” nxori dje pasdite. Në këtë njoftim theksohet se “nuk mund të bëhet asnjë kompromis me MASH në kundërshtim me vendimin e senatit të UV të majit 2008″. Senati u ka bërë gjithashtu thirrje të gjitha institucioneve akademike, intelektualëve, opinionit publik, përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare, që ta përkrahin kauzën e tij.(Shqip)

f74m_6rHa28

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23505. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23505

Top