Re: SARANDE, INCIDENT MES ROJEVE DETARE GREKE DHE ANIJES SE PESHKIMIT
Ju rrëfejmë 20 minutat e tmerrit nën breshërinë e armëve të kufitarëve grekë, në ujërat tona territoriale
<span style="font-weight: bold">"Kufitarët grekë donin të na vrisnin"</span>
SARANDË- “Ata qëlluan për të na vrarë". Kështu shprehen në një intervistë për gazetën “Shekulli” tre peshkatarët sarandiotë të peshkarexhës “Tre vëllezërit”, të cilët dy ditë më parë u qëlluan me breshëri arme, në ujërat tona territoriale, nga kufitarët grekë. Vëllezërit Kreshnik e Dritan Çela, pronarë të peshkarexhës dhe peshkatari Kostaq Kacorri, siç tregojnë, ishin duke bërë gjuetinë e radhës në afërsi të Vivarit në Butrint, zonë ku ata gjuajnë zakonisht. Ata thonë se rreth 20 minuta ishin nën breshërinë e zjarrit të tyre, gjë që ka zgjatur deri sa u afruan rreth 500 metra nga bregu ynë. "Zjarri ka ndalur, kur u lidhëm me kapitenerinë, me policinë tonë kufitare dhe kapitenin e saj Asim Canaj",- thotë Dritan Çela. Peshkarexha ka marrë rreth 50 plumba, të cilat e dëmtuan në pjesën fundore. Plumbat e dëmtuan atë poshtë tek vija e ujit, me qëllim që ne të mbyteshim, tek direku, në frigorifer, si dhe tek radari. Për fat, nuk u plagos njeri, dhe ata e quajnë një fat të madh që mbërritën në mol pa marrë plagë në trup. Dritan Çela, një nga pronarët e peshkarexhës, ka dhënë këtë intervistë për gazetën.
Cfarë lloj peshkimi bënte kjo varkë?
Kjo bën peshkim me tratë ose peshkim fundor. Varka është e licensuar me të gjithë dokumentacionin e rregullt. Ne kemi 3 vjet që punojmë me të. Varka është blerë në Greqi dhe e kemi lënë me atë emër që e kemi blerë atje, "Tris adherfia", që do të thotë “Tre vëllezërit”, se dhe ne tre vëllezër jemi. Por në fakt, nga sot, nuk i vlen ai emër. Kemi lënë emrin grek për të parandaluar incidente të tilla, por ata prapë vijnë e na ngacmojnë në punën tonë. Në qoftë se nuk merr ndonjë masë shteti, ne do t'u kundërpërgjigjemi siç na u përgjigjën ata.
Pse mendoni që këta janë nga Korfuzi?
Nuk ka dyshim që ishin nga Korfuzi. Na kanë qëlluar për të na vrarë drejtpërdrejt dhe për të mbytur varkën, sepse kanë qëlluar në vijën e ujit të varkës.
Keni ndonjë dyshim se nga vjen ky inat?
Ky inat vjen nga peshkatarët e grekut, nga xhelozia profesionale e tyre për ne. Ata duan që ta kenë vend të tyre gjuetie këtë dhe nuk na lejojnë ne të gjuajmë. Ne gjuajmë ditën, ata futen natën gjuajnë për hesap të tyre në ujërat tona. Kjo vjen nga që ne nuk kemi mjete për t'i ruajtur ato. Kemi thjesht dy kamardare.
Ju kishit armë me vete?
-Ata pandehën kështu. Grekët vinin për të na qëlluar neve dhe ne ua drejtonim në drejtim të kundërt varkën, Po ata trembeshin se mos kishim edhe ne armë, ndaj dhe nuk na ndoqën. Ligji nuk na lejon të mbajmë armë dhe ne e respektojmë atë. Por nëse shteti nuk bëhet i gjallë, do të detyrohemi të blejmë armë nga më të sofistikuarat.
Ka ndodhur tjetër herë një ngjarje e tillë?
Ky është një incident që ndodh gjithnjë mes nesh dhe atyre. Me aq vite sa kam unë në det, kjo mund të jetë dhe hera e 50 që ndodh kështu. Jo vetëm me ne, por edhe me peshkatarë të tjerë. Vetëm një javë më parë i njëjtti skaf goditi disa herë në ajër me armë duke terrorizuar peshkatarët pak metra më larg nga vendi ku ndodhi incidenti i dy ditëve më parë.
Çfarë kërkoni nga shteti shqiptar?
Kërkojmë marrjen e masave nga qeveria shqiptare, pasi jemi të rrezikuar dhe të pambrojtur në ujërat tona dhe përsëritja e rasteve të tilla po kthehet në një pushtim që po i bën peshkimit policia detare e Korfuzit.
Ata duhet të penalizohen, pasi kanë shkelur në ujërat tona në kuadratin C. Ata meritojnë të penalizohen edhe për dëmtimin e varkës, që llogaritet në të paktën 10 milionë lekë.