Re: Sajmiri i Leshit kandidat per deputet!
"Kush duronte 'Top Channel'-in, po të fitonte Saimir Kodra"
Ky ishte shqetësimi i një shokut tim, drejtues gazete, ndërsa në rrjedhën e bisedave të përditshme, pjesë e diskutimit u bë edhe procesi zgjedhor në zonën nr. 86 të Pogradecit.
Në logjikën e tij, bashkëbiseduesi kishte plotësisht të drejtë, për deri sa në ditët e para zgjedhjeve të pjesshme të 17 qershorit 2007, ky kanal televiziv u shndërrua në një amplifikator që përdhunshëm, nuk e fshihte dëshirën për t’u bërë pjesë e Parlamentit shqiptar, "Saimirin e Fiksit".
Në historinë e gazetarëve që janë bërë deputetë, asnjëherë nuk ka ndodhur që Namik Dokle, Musa Ulqini, Ben Blushi, Erion Braçe, Astrit Patozi, Sokol Olldashi, Preç Zogaj, Nikoll Lesi, etj., të identifikohen, reciprokisht, me median nga ato kanë ardhur në politikë, sikurse reciprokisht, Saimir Kodra e "Top Channel" u munduan ta bënin mes tyre, në mënyrën më pa finesë, duke shpërfillur deri edhe teleshikuesit.
Në këtë shpërfillje, gjëja më e vogël dhe e parëndësishme, ishte mospërmendja e emrit në asnjë rast të vetëm, të kandidatit rival, Eris Hoxha, ndërsa kronikat e stërzgjatura për Saimir Kodrën, në takime me pleq e fëmijë, apo duke pirë cigare në lokale (në kundërshtim me ligjin e sapo hyrë në fuqi) e jashtë tyre, nuk mungonin.
Ndërsa për sa i përket gjësë më të madhe dhe të rëndësishme, në këtë shpërfillje, dita e diel, 17 qershor 2007, ishte kulmi...
Në këtë kulm, ndërsa dy ditë më parë ishin bllokuar thasë me miell, e një natë më parë ishin bllokuar "dhuratat" e tipit "dixhitalb", makineria e gazetarëve të "Top Channel"-it, e shndërroi në një "shoë" më vete, ditën e zgjedhjeve.
Diku një gazetar-rrogëtar i "Top Channel"-it, në rolin e analistit, pasi kishte zbritur nga disa fshatra, jepte intervistë për "Top Channel" ("risi" kjo po aq e vjetër sa edhe e pa gjetur), në një transmetim të gjatë të 17 qershorit të këtij viti...
Në vijim të minutave e orëve, diku tjetër, një gazetar tjetër, analizonte rezultatet e zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit të këtij viti, dhe me matematikën e logjikën e tij, hiqte paralelizma, si ia donte qejfi vetë atij, dhe nxirrte fitues Saimir Kodrën. Sikur të ishte kështu, s'do ishte nevoja të bëheshin këto zgjedhje të parakohshme në zonën nr. 86. Për këtë, mjaftonte që sikurse, "forcat politike" kanë të drejtë të propozojnë e zgjedhin përfaqësues të tyre në institucione, kryesisht të pavarura, edhe "forca mediatike", "Top Channel", të lihej të vendoste deputetin e saj në Parlamentin shqiptar. Por me sa duket, "profecitë" e gazetarit të "Top Channel"-it, ishin shumë larg realitetit e për më tepër shumë larg këtyre hamendësimeve aq shumë të dëshiruar për atë që artikulonte "profecitë" e fitores...
Kulmi i kulmit, të ditës së diel, padyshim, ishte ai turra-vrap i një tjetër gazetari të "Top Channel", i cili ndërsa u pa të porosite kameramanin me të cilin punonte të largohej disa metra dhe të fokusonte atë vetë, gazetari u kthye disa hapa, u duk sikur shau disa banorë-zgjedhës të zonës nr. 86 dhe pastaj "këmbë shpejt e faqe bardh", ia dha vrapit, nën objektivin e kamerës, i ndjekur nga pas nga, ndoshta nga të fyerit prej tij.
Numërimi i kutive të para të votimit paraditen e së hënës, por edhe për gjatë orëve në vazhdim, për më tepër rezultatet e dala nga ato kuti atë mbrëmje, duket sikur e stepën "makinën propagandistike" "Top Channel", ku vendin në edicionet e lajmeve, informacionet e tipit të qejfbërjeve, "se kutitë e numëruara deri tani i përkasin zonave të PD-së e se rezultati do të ndryshojë kur të filloj numërimi i kutive të zonave të PS-së", ia la vendin në edicionin e fundit të lajmeve të së hënës, të vetmit lajm korrekt të "Top Channel"-it, komunikimit zyrtar të rezultatit zyrtar nga ana e kreut të KQZ-së, Çlirim Gjata.
Përpjekjet e së dielës, e të hënës, deri para përfundimit të numërimit të votave, duket se i shërbenin përgatitjes së situatës "për shkaqet e humbjes" së "Saimirit të Fiksit", nga ana tjetër mes alibive i jepnin "të drejtën legjitime", "ideatorëve" të ndezin në ditët e ardhshme, amplifikatorët e mundshëm "të kontestimit të dhunimit" të zgjedhjeve e zgjedhësve të komunave të Buçimasit, Dardhasit, Velçanit, Proptishti e Trebinjës, pse ata nuk u gënjyen nga disa thasë me miell, apo disa kuti "dixhitalbi".
Për t'ju rikthyer, frazës së bisedës me shokun tim, "Kush duronte 'Top Channel', po të fitonte Saimir Kodra", nuk e di, po do të ishte vërtetë e rëndë që pas një fitore të mundshme të "kandidatit të shoqërisë civile të mbështetur nga opozita", të flitej, jo për "Top Channel", por për një "Top Saimir", të flitej jo për "Saimirin e Fiksit", por për "Senatorin Saimir" (pas një fitore të mundshme, nuk do të ishte çudi që ai edhe të shpallej i pari dhe i vetmi Senator nga "Top Channel"). Dhe më e keqja e më e rënda, do të ishte në rast të një fitoreje të Saimir Kodrës, të flitej jo më për zonën nr. 86 e zgjedhësit e saj, por për TV ku ai punon, a thua se frazën "unë nuk premtoj, por mbaj shënim shqetësimet tuaja", e lëshonte gjatë fushatës elektorale, për "Top Channel" dhe jo për rreth 22.5 mijë zgjedhësit e zonës nr. 86 në Pogradec.
Si rrodhën gjërat, urimi i kandidatit rival Eris Hoxha, fitues në zgjedhjet e pjesshme të zonës nr 86, "Suksese Saimirit si humorist i 'Fiksit...'", i shkon më shumë kësaj situate postzgjedhore dhe jo vetëm kaq... Saimir Kodra, i ka bërë tashmë llogaritë dhe ka mësuar se doli dyfish i humbur në këto zgjedhje, sepse krahas mandatit që s'mundi të sigurojë, nga një vështrim e krahasim shifrash, të zgjedhjeve pararendëse, konstaton se ai ka marrë më pak vota nga ato ç'ka koalicioni që mbështeste atë, ka marrë në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Këtu nuk llogariten, ato që pas rikthimit të "Fiks Fare", teleshikuesit nuk do e shohin tashmë "përfaqësuesin e shoqërisë civile të mbështetur nga PS dhe opozita" si një person "të pavarur"...
Kjo është një tjetër humbje jo vetëm e Saimir Kodrës...