Re: rishfaqet GAZIDEDJA!!!
Ministria e Mbrojtjes, i jep titullin “Dëshmor i Atdheut” Agron Myftarit, kapitenit të vrarë në Përmet në mars të ’97-ës
Shpallet dëshmor oficeri i vrarë në ’97
A.R
TIRANË - Kur nuk është mbushur viti kur PD ka ardhur në pushtet, ka filluar në mënyrë jo shumë të bujshme, rehabilitimi i disa figurave zyrtare apo edhe të ushtarakëve që janë vrarë gjatë trazirave të 1997-ës. Dy kampet politike ndajnë qëndrime të ndryshme edhe sot e kësaj dite për veprimet e ndërmarra nga zyrtarë dhe ushtarakë të asaj kohe, ku PS vazhdon t’i cilësojë veprimet e tyre si tentative për të shtypur protestat masive të qytetarëve, ndërsa PD deklaron se ata kanë zbatuar detyrën ndaj shtetit. Kështu dje në Durrës u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Dëshmor i Atdheut” kapiten Agron Myftari, i rënë në krye të detyrës në datë 8 mars 1997 në Grykën e Koçiut në Përmet, në mbrojtje të shtetit dhe objekteve strategjike ushtarake. Ky është edhe motivacioni zyrtar i dekoratës së akorduar nga ministria e Mbrojtjes për Agron Myftarin, një prej ushtarakëve që humbi jetën gjatë përplasjeve me armë në zonën e Përmetit, që ashtu si qyteti i Vlorës dhe qytete të tjera, u përfshinë nga trazirat dhe dolën jashtë kontrollit të strukturave shtetërore në vitin 1997. Gjatë ceremonisë morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, zyrtarë të ministrisë, familjarë dhe të afërm të Agronit, përfaqësues nga Prefektura e Durrësit si dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura. “Jemi mbledhur për një ngjarje tejet të rëndësishme, që na nderon të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë familjen e Agron Myftarit, qytetin e Durrësit dhe çdo ushtarak nën uniformën e nderuar të Ushtrisë Shqiptare”, - tha Karabina. Familjarët e ushtarakut të dekoruar, shprehën mirënjohjen ministrisë së Mbrojtjes, dhe qeverisë “Berisha” për titullin e lartë që i akorduan djalit të tyre, Agron Myftari.
Precedenti
Ndërkaq dy vjet më parë Presidenti Alfred Moisiu dekoroi për herë të parë dy oficerë të SHIK të vrarë gjatë trazirave të 1997-ës. Përkatësisht i akordoi toger Lekë Qokaj “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për veprimtarinë dhe kontributin e vyer, në shërbim të shtetit, deri në aktin sublim të dhënies së jetës në krye të detyrës” si dhe nënkolonel Besnik Hidri po me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për veprimtarinë dhe kontributin e vyer, në shërbim të shtetit, deri në aktin sublim të dhënies së jetës në krye të detyrës”.
03/06/2006
KATEGORIA: Politikewww.shekulli.com.al