Re: Rezultatet dhe Renditja e kampionateve elite te Europes.
Euro 2004 në prag të fazës vendimtare
Kampionia në fuqi e Evropës, Franca, do të jetë skuadra e parë që kualifikohet në kampionatin evropian të vitit të ardhshëm, nëse do të fitojë ndaj Qipros në Paris dhe nëse ndeshjet e tjera të grupit do të jenë në favor të tyre. Pas një botërori tronditës vitin e kaluar, ku humbi Kupën e Botës që në fazën e parë, Franca është rikthyer me 5 fitore në 5 takime në grupin 1. Francezët janë pothuaj të sigurt për të kaluar në finalet e vitit të ardhshëm, që do të luhen në Portugali. Por skuadra e Zhak Santinisë do të përpiqet të tregojë vlerat e saj duke fituar ndaj Qipros në "Stade de France" dhe do të kualifikohet nëse Sllovenia, që renditet në vendin e 2-të, nuk do të jetë në gjendje të fitojë ndaj Izraelit në fushën e saj. Faza eliminatore e Euro 2004 pritet të hyjë në pjesën më vendimtare të saj ku do të luhen 40 ndeshje përgjatë kontinentit të vjetër, të shtunën dhe të mërkurën. Në një kohë kur asnjë skuadër tjetër nuk mund ta sigurojë kualifikimin për në Euro 2004, një pjesë e tyre është shumë pranë finaleve. Italia, nënkampione e vitit 2000, është një nga skuadrat e fuqishme që janë të detyruara t'i nisin ndeshjet e së shtunës nga vendi i 2-të në grupet e tyre, por 2 fitore do të bënin që këto skuadra të ngjiteshin sërish në vendin e parë. Gjermania, Anglia dhe Spanja renditen në vendet e dyta në grupet e tyre dhe që të gjitha duhet të fitojnë në ndeshjet e ardhshme për të siguruar një vend në finale. Italia, që fitoi 1-0 ndaj Gjermanisë në miqësoren e muajit të kaluar, do të përballet me Uellsin në Milano dhe do të kërkojë të marrë hak për humbjen e tetorit të kaluar të Kardifit me rezultatin 2-1. Uellsi, që e nisi fushatën me 4 fitore të njëpasnjëshme, humbi 1-0 muajin e kaluar ndaj Serbisë, por mbeti ende në një pozicion të favorshëm. Italia do të jetë favorite ndaj Uellsit, por trajneri Mark Hjuxhs dhe djemtë e tij nuk mund të nënvlerësohen si në kohët e shkuara dhe Italia është e detyruar të luftojë deri në fund për të marrë pikët që i duhen. Edhe Gjermania është gjithashtu në një pozicion të papërshtatshëm, pasi renditet në vendin e 2-të në grupin 5, që kryesohet nga një vend më i vogël në botën e futbollit. Islanda hyri në histori duke kryesuar grupin për herë të parë, pasi fitoi ndaj Ishujve Faroe muajin e kaluar dhe ka një pikë më tepër se Gjermania. Por skuadra e Rudi Fëlerit pritet të rikthehet në vendin e parë, kur të vizitojë Rejkjavikun të shtunën, dhe mund të shkëputet në krye të grupit nëse do të jetë në gjendje të fitojë të mërkurën ndaj ish-trajnerit Berti Vogs, i cili drejton Skocinë. Edhe Anglia renditet në vendin e dytë të grupit 7-të, me 2 pikë më pak se Turqia, edhe pse "luanët" kanë luajtur një ndeshje më pak. Por ndërsa Turqia do të luajë me modestët e Lihtenshtejnit të shtunën, Anglia do të përballet në Shkup me Maqedoninë, që barazoi 2 2 në Sauthempton. Megjithatë, pritet që si Turqia ashtu edhe Anglia të jenë në gjendje t'i fitojnë ndeshjet e tyre. Anglia është më se e sigurt se do të fitojë ndaj Lihtenshtejnit të mërkurën në "Old Trafford", duke bërë që ndeshja vendimtare e grupit të jetë ajo e 11 tetorit, ndaj Turqisë në Stamboll. Edhe Spanja nuk ndihet komode në vendin e 2-të të grupit 6, që kryesohet nga Greqia. Spanja nuk do të luajë të shtunën, ajo do të përballet me Ukrainën të mërkurën dhe Greqia mund të përfitojë, duke u shkëputur në krye nëse do të fitojë ndaj Armenisë të shtunën. Një fitore ndaj Irlandës së Veriut muajin e ardhshëm do t'u sigurojë grekëve kualifikimin. Edhe në grupin 3 po zhvillohet një garë tepër e fortë dhe njëkohësisht interesante. Holanda dhe Çekia renditen në krye, me nga 13 pikë, dhe do të përballen me njëra-tjetrën të mërkurën.
Fabian PASHOLLI
Fëleri detyrohet të ndryshojë planet
Gjermania, dëmtohet Frajeri
Trajneri i Gjermanisë, Rudi Fëler, ka qenë i detyruar t'i rishikojë planet e tij për 2 ndeshjet e ardhshme eliminatore, pasi lojtari i krahut Pol Frajer ka pësuar një dëmtimi të rëndë. Lojtari 24-vjeçar i Bohumit theu këmbën e djathtë në stërvitje dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë deri në dhjetor. "Ky është një lajm shumë i keq për ne,- tha Fëleri.- Duke pasur parasysh paraqitjen e tij të mirë ndaj Italisë, kisha vendosur që Frajeri të luante të shtunën. Ai mbeti shumë keq kur mësoi se kishte pësuar një dëmtim të rëndë." Dëmtimi i Frajerit do t'i japë mundësi Sebastian Daizlerit që të luajë që në minutat e para të takimit të së shtunës ndaj Islandës.
"Nuk është e thënë që lojtari i krahut të majtë të luajë me të majtën,"- tha Fëleri në lidhje me Daizlerin. Gjermania renditet e dyta në grupin 5, me një pikë më pak se Islanda, që ka luajtur një ndeshje më tepër dhe me të cilën do të përballet të shtunën. "Në dallim me disa skuadra të tjera, ne e kemi fatin ende në duart tona,- tha Fëleri.- Tri takimet e ardhshme do të jenë tepër të rëndësishme." Gjermania ka 11 pikë, 3 më tepër se Skocia, me të cilën do të përballet të mërkurën. Fëleri është i shqetësuar edhe në lidhje me gjendjen fizike të sulmuesit Fredi Bobiç dhe mesfushorit Bernd Shnajder, por pritet që këta lojtarë të jenë në gjendje të luajnë të shtunën. Ndeshja e fundit e Gjermanisë do të jetë ajo e 11 tetorit, ndaj Islandës.
Mesfushori i Realit është ende i dëmtuar
Franca, Zidane në dyshim
Lojtari organizator i Francës, Zinedin Zidane, i cili është i dëmtuar, mund të mos luajë në ndeshjen eliminatore të së shtunës ndaj Qipros. Zidane ishte i detyruar të largohej nga fusha e lojës në minutën e 26-të të takimit Real Madrid-Vilareal, që përfundoi me rezultatin 1-1 në ndeshjen e së martës në kampionatin spanjoll, për shkak të një dëmtimi. Ai dje udhëtoi për në Paris dhe u bashkua me lojtarët e tjerë të përfaqësueses franceze, të cilët po përgatiten për 2 ndeshjet e ardhshme eliminatore, ndaj Qipros dhe Sllovenisë. "Zinedin Zidane ka bërë disa analiza mjekësore në Paris dhe rezultoi se është i dëmtuar për shkak se ka pësuar tërheqje në një nga muskujt e kofshës. Pjesëmarrja e tij në ndeshjen e së shtunës ndaj Qipros është vënë shumë në dyshim,"- thuhej në një deklaratë të përfaqësueses franceze. Franca udhëheq grupin 1 eliminator me 15 pikë të mundshme, pas 5 ndeshjeve të para, dhe mund të kualifikohet e para për në finalet e Euro 2004, nëse fiton ndaj Qipros dhe Izraeli barazon ose fiton ndaj Sllovenisë. Zidane, i cili mungoi në triumfin e Francës në Kupën e Konfederatave në qershor, u rikthye muajin e kaluar dhe e ndihmoi skuadrën e Zhak Santinisë të fitonte 2-0 ndaj Zvicrës në një takim miqësor në Gjenevë. Nëse Zidane nuk do të luajë, trajneri Santini do të jetë i detyruar t'i rishikojë skemat e tij taktike për ndeshjen e së shtunës. Roli i lojtarit organizator mund t'i jepet mesfushorit të Monakos Ludovik Zhuli, ose Robert Piresit të Arsenalit.
Gjeorgjia publikon listën anti-Shqipëri
Gjeorgjia ka bërë të ditur emrat e lojtarëve që janë grumbulluar në prag të ndeshjeve eliminatore të Euro 2004 ndaj Shqipërisë. Dy skuadrat modeste të futbollit të kontinentit të vjetër, që bëjnë pjesë në grupin 10, do të përballen 2 herë me njëra-tjetrën brenda 4 ditëve. Gjeorgjianët, që renditen në fund të grupit, me 4 pikë, do të përballen me kuqezinjtë e Brigelit, që kanë 5 pikë, të shtunën në Tbilisi dhe të mërkurën në Tiranë. Zvicra kryeson grupin 10 me 12 pikë, e ndjekur nga Irlanda me 10 pikë dhe Rusia me 7.
Gjeorgjia:
Portierë: G.Lomaia, D.Gvaramaxe, M.Merlani
Mbrojtës: A.Amisulashvili, G.Shashiashvili, R.Kemoklixe,
Z.Khizanishvili, G.Didava
Mesfushorë: V.Daraselia, V.Burduli, D.Kvirkvelia, L.Kobiashvili, G.Jamarauli, M.Asatiani, A.Rekhviashvili, G.Kinklaxe, L.Korgalidze, G.Gakokixe, G.Nemsaxe, L.Magraxe
Sulmues: M.Ashvetia, A.Iashvili, G.Demetraxe, Sh.Arvelaxe.
Anglia, mungon edhe Ferdinandi
Rio Ferdinandi, mbrojtësi i qendrës, nuk do të luajë në ndeshjen eliminatore të Anglisë ndaj Maqedonisë të shtunën për shkak të një problemi në veshka. Ferdinandi është një tjetër lojtar i rëndësishëm, që do t'i mungojë trajnerit Sven Goran Erikson pas dëmtimeve të Pol Skolsit, Stivën Xherrardit dhe Trevor Sinklerit.
'Sporti Shqiptar'