Re: Re: Kush te vije pas nanos?
M'u duk interesant per kete teme artikulli i E.Z tel
www.shekulli.com.al
----------------------------------
Në qoftë se qeveria bie…
EDUARD ZALOSHNJA
Pas protestës së 7 shkurtit, për të mësuar hollësi, bisedova me një mikun tim që mori pjesë në të. Ai është një nga ish të burgosurit politikë që e kanë emrin në listën e 300 anëtarëve themelues të PD-së, por që nuk bën më pjesë në të. Ai u largua nga PD-ja pas dëbimit brutal të Eduard Selamit nga Berisha, që i kujtoi spastrimet famëkeqe enveriane në Partine e Punës. Dhe që atëhere ai nuk ka votuar më as për Berishën e as për ndonjë satelit të tij. Nisur nga ky pozicion politik i mikut tim, kuptohet që pyetja e parë që i bëra ishte se pse kishte marrë pjesë në protestë. Dhe përgjigjia e tij ishte më se befasuese. "Nuk shtyhet më me Nanon në krye të qeverisë." - tha ai - "Ka ardhur koha që në krye të saj të vijë Edi Rama".
Në themel të përgjigjes së tij ishte kjo rrjedhë hipotetike e ngjarjeve: Nga protestat e Berishës, qeveria Nano do të bjerë dhe do të caktohen zgjedhje të parakohëshme për nga fundi i vjeshtës. Kjo disfatë e Nanos do t'i esëllojë socialistët deri në atë masë sa t'i thërresin mendjes se me Nanon në krye nuk mund t'i fitojnë zgjedhjet e parakohshme. Dhe kur atyre t'u ketë ikur përfundimisht dehja e kongresit të fundit të PS-së, do të kërkojnë të vënë në krye udhëheqësin që ka shanset më të mëdha për të fituar kundra Berishës -- shanse që, sipas mikut tim, i ka vetëm Edi Rama.
Ky zinxhir hamendjesh ngjason me një problem probabiliteti të kushtëzuar të tipit Bayesian, i cili nuk ka kuptim të zgjidhet në qoftë se në njërën nga hallkat, probabiliteti është zero. Prandaj, për të vlerësuar probabilitetin e realizimit të skenarit të mikut tim, së pari, duhet bërë një test logjik i gjasave për secilën hallkë. Dhe një test i tillë tregon se, ndërsa probabiliteti nuk është zero në asnjërën hallkë, edhe i madh nuk është. P.sh., miku im presupozon se eventualisht protestat e Berishës do ta detyrojnë Nanon të shpallë zgjedhje të parakohëshme. Por deri më sot, BE-ja dhe ShBA-ja janë shprehur kundër zgjedhjeve të parakohëshme. Dhe në mungesë të presionit të tyre, Nano nuk duket se ka ndërmend të lëshojë pe. Më tej, edhe sikur të pranohet se do të bëhen zgjedhje të parakohëshme, probabiliteti është i madh që Nano të zhvillojë një betejë të rreptë brenda partisë për të mos e lëshuar kreun e saj. Dhe së fundi, edhe sikur ai të detyrohet të japë dorëheqjen si në vitin '98, Edi Ramës do t'i duhet të përballet me dyshen Meta-Meidani, e cila nuk do të lërë gurë pa lëvizur për të marrë timonin e PS-së.
Ndërkohë që skenari i mikut tim është i mbushur me pikpyetje të tilla, duke e konsideruar atë si të mirqënë, ia vlen të shihet se çfarë do të ndryshonte në legjislaturën e ardhëshme në qoftë se Edi Rama do të vihej përballë Berishës në zgjedhjet e mundëshme të parakohëshme. P.sh., pyetja e parë dhe më e rëndësishme është se si do të përfundonte përballja elektorale Rama-Berisha. Fakti që Rama fitoi 9% më shumë se PS-ja në zgjedhjet e fundit, dhe fakti që ka votues si miku im, të cilët janë lodhur me ndarjet ideologjike të së kaluarës dhe duan nga udhëheqesit vetëm rezultate, të bën të mendosh se një koalicioni të kryesuar nga Rama do t’i bashkangjitej edhe një pjesë e mirë e elektoratit të lëkundur ne qoftë se Berisha nuk e realizon dot në kohë projektin për reformimin rrënjësor të PD-së. Dhe duke patur edhe një mbështetje të hapur ndërkombëtare, e cila gjithmonë ka patur ndikim jo të vogël në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Shqipëri, Rama do të kishte kështu shanse të larta për ta vulosur fitoren.
Kuptohet që pas një fitore të tij, Berisha nuk do t'ia falte kurrë "Edvinit" heqjen e shansit për t'u ulur në karrigen e shumëdëshiruar, dhe sulmet karakteristike të tij do të shumëfishoheshin. Ndërkohë, edhe sulmet e kundërshtarëve të tjerë publikë të Ramës do ta rrisnin ndjeshëm frekuencën për faktin e thjeshtë se atij do t'i rritej territori i qeverisjes. Por pavarësisht nga kjo, një ekstrapolim i rezultateve të punës së tij dhe stafit që ka përzgjedhur në bashkinë e Tiranës, të sugjeron se me të në krye të qeverisë, rrugët kombëtare do të ndërtoheshin e asfaltoheshin më shpejt, plazhet dhe parqet turistike do të sistemoheshin e pastroheshin më mirë, furnizimi me energji elektrike e ujë të pijshëm do të përmirsohej ndjeshëm, dhe kompjuterizimi e modernizimi i administratës do të bëhej masiv.
Ndërkohë që një fitore e Ramës ka potencialin t'i sjellë rezultatet e mësipërme nëpërmjet përkushtimit të tij të madh dhe ndryshimit të ekipit qeverisës e të stafit politik të institucioneve kryesore në vartësi të qeverisë, nuk mund të pritet që gjithçka të ndryshojë për mirë brënda ditës. Kështu gjykatat, prokuroria, dhe administrata civile, pakorruptueshmëria e të cilave është aq e rëndësishme për funksionimin normal të shtetit demokratik dhe ekonomisë së tregut, do të mbeteshin pacientë të pashëruar mirë edhe për disa vite. Kjo sepse rrënjët e sëmundjes së korrupsionit shtrihen shumë thellë në kohërat e largëta kur Shqiperia ishte pjesë e Perandorisë Osmane.
Dhe rrënjë të tilla nuk priten kollaj për katër vjet, cilido qoftë kryeministri i Shqiperise. Ato mund të shkurtohen brenda katër vjeteve në qoftë se ekziston vullneti politik i atij që është ne krye të qeverisë, por do të duhen ndoshta 40 vjet që, pas një pune të palodhur të shoqerisë civile dhe ndihmës euro-atlantike, ato të shkulen. Për një ilustrim të vështirësisë që shoqëron procesin e shkuljes së rrënjëve të korrupsionit, do të mjaftonte një vështrim i shpejtë në 40 vjetët e fundit të Mezzogiorno-s italiane.
Ndërsa në fushën ekonomike, monopolizimi në tregjet kryesore do të vazhdonte të ishte një problem edhe nën qeverisjen e Ramës. Kjo sepse kompanitë që sot kanë arritur të dominojnë tregjet e tyre përkatëse janë bërë aq të fuqishme sa është vështirë t’i futësh kollaj në vathën e një konkurence të lirë e të ndershme brënda katër vjetesh. Fatkeqsisht, adoptimi i standarteve perëndimore të konkurencës do të jetë një proces gradual që do të dojë kohë dhe presion të vazhdueshem nga BE-ja dhe shoqëria civile që të realizohet.
Duke u kthyer atje ku e filluam këtë udhëtim imagjinar -- tek profecia e bashkwbiseduesit tim -- kuptohet që këto hamendje rreth një qeverisje të mundëshme të Ramës do të kishin kuptim vetëm në qoftë se ajo profeci do të përmbushej. Sa janë gjasat që kjo të ndodhë? Ngelet të presim deri sa ngjarjet të plotësojnë kursin e tyre të plotë.
17/02/2004
KATEGORIA: Analiza
-------------------------------------