Raporti i UNDP2006 Shqiperia e 73-ta ne bote

Raporti i UNDP2006 Shqiperia e 73-ta ne bote

UNDP: gjashtë vende të SEE kanë nivele të larta të zhvillimit njerëzor
13/11/2006
(Cyprus Mail - 11/11/06; MRT - 10/11/06; UNDP, Sofia News Agency - 09/11/06)


Raporti 440 faqesh rendit 177 vende sipas niveleve të tyre të zhvillmit njerëzor. [UNDP]

Gjashtë vende të Evropës Juglindore (SEE) janë midis 63 vendeve të botës me nivele të larta të zhvillimit njerëzor, sipas Raportit vjetor të Zhvillimit Njerëzor të UNDP të lëshuar të enjten (9 nëntor).

Raporti 440-faqesh rendit 177 vende sipas niveleve të tyre të zhvillimit njerëzor, duke i futur ato në tre grupe: zhvillimi i lartë, i mesëm dhe i ulët njerëzor. Me përjashtim të Malit të Zi dhe Serbisë, duke përfshirë Kosovën, të gjitha vendet në rajon janë rreshtuar në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor të raportit (HDI) i cili ofron një tablo të përparimit në çështje kyçe të zhvillimit.

HDI është një indeks i përbërë, që vlerëson arritjet mesatare të vendeve në tre dimensione bazë të zhvillimit njerëzor: jetëgjatësinë në lindje, shkollimin e të rriturve dhe regjistrimet në shkolla dhe të ardhurat, të matura me PKB për frymë në fuqinë blerëse (PPP) në dollarë të SHBA. Shumica e të dhënave përdorur në vlerësim janë për vitin 2004.

Si në HDI 2005, grupi i vendeve me zhvillim të lartë njerëzor kryesohet nga Norvegjia, me një indeks prej 0.965. Ajo pasohet përsëri nga Islanda dhe Australia, me koeficientë 0.960 dhe 0.957 respektivisht.

Gjashtë vendet e SEE të vendosur në këtë grup prej 53 vendesh, sipas rendit zbritës, janë: Greqia, Qiproja, Kroacia, Bullgaria, Rumania dhe Bosnje dhe Herzegovina (BiH). Maqedonia, Shqipëria dhe Turqia mbeten midis vendeve me zhvillim të mesëm njerëzor.

Greqia ka renditjen më të lartë midis vendeve të SEE, ajo është e 24-ta në botë me koeficient 0.921 që është 0.009 pikë më lart se vlera e saj e HDI në sondazhin e vitit 2005. Jetëgjatësia në vend është 78.3 vjet dhe PKB për frymë është 22,205 $, nga 19,954 $ që ishte në sondazhin e fundit.

Lidhur me arsimin, një indeks i përgjithshëm prej 0.97 e bën gjithashtu Greqinë vendin kryesues në rajon ndonëse norma e shkollimit të të rriturve është më e ulët se ajo e shumicës së vendeve të SEE, duke përfshirë Shqipërinë ku 98.7% e popullsisë mbi 15 vjeç dinë shkrim e këndim.

Megjithë indekset e larta për jetëgjatësi dhe PKB, Qiproja renditet pesë vende pas Greqisë. Si në HDI e vitit 2005, ajo është përsëri e 29-ta, me një pikavarazh prej 0.903, pra 0.012 pikë më lart se ajo që ju dha vitin e kaluar. PKB e saj për frymë u rrit me më tepër se 4,000 $ gjatë një viti për të arritur në 22,805 që është 600 $ më e lartë se e Greqisë.

Nga ish republikat jugosllave, Kroacia renditet më lart me një indeks 0.841. Një përmirësim i lehtë në indeksin e vendit e ka bërë atë të ngjitet me një vend. Ajo është tani e 44-ta midis 177 vendeve të vëzhguara. Lidhur me arsimin e të rriturve, i cili është 98.1%, Kroacia renditet e dyta në rajon pas Shqipërisë.

Krahasuar me vëzhgimin e vitit të kaluar të UNDP, PKB e vendit për frymë është rritur me pak më shumë se 1,000 $ duke arritur gati në 12,000 $. Me përjashtim të Greqisë dhe Qipros, Kroacia ishte i vetmi vend i SEE i renditur midis vendeve me zhvillim të lartë njerëzor në HDI të vitit 2004.

Bullgaria, e cila u përfshi së pari në këtë grup vitin e kaluar, ka lëvizur lart me një vend, në të 54. Një rritje me 0.008 në indeksin e saj e bëri atë të këtij viti 0.816, në HDI e vitit 2006, që pasqyron një rritje 3% në regjistrimet e kombinuara të shkollave primare, sekondare e terciare si edhe të një rritjeje 300 $ në PKB për frymë të vendit, që tani është 8,078 $.

Përmirësimet si në Rumani dhe në BiH i kanë lejuar të dy vendet të bashkohen për herë të parë me grupin e vendeve me zhvillim të lartë njerëzor. Rumania, e cila ishte e 64-ta në HDI të vitit 2005, tani zë vendin e 60-të me një indeks 0.805. PKB-ja e saj për frymë është rritur me 1,200 $ për një vit, duke arritur 8,480 $. Megjithëse rritja është katër herë më e lartë se sa ajo e fqinjit të saj jugor, indekset e saj të ulta për jetëgjatësinë dhe arsimimin, e vënë atë gjashtë vende më poshtë se Bullgaria.

BiH është rritur me 0.014 pikë në indeksin e vet që tani është 0.800 dhe e ka lejuar atë të ngjitet me 6 vende, duke mbërritur në të 62-in, duke pasqyruar arsimin e lartë dhe PKB-në në vëzhgimin e këtij viti.

Ndonëse PKB e Turqisë është më e lartë se ajo e BiH, vendi renditet nga më të ultit e vendeve të SEE. Një indeks 0.757 e vë atë në vendin e 92-të në botë, dy vende më lart se vitin e shkuar. Një indeks 0.796 e rendit Maqedoninë të 66-tën , shtatë vende më lart se në HDI të vitit 2005, me një PKB më pak se 5,000 $, më e ulta në rajon, Shqipëria renditet e 73-ta në botë me një indeks 0.784.

Marre nga www.setimes.com
http://setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2006/11/13/feature-02
 
Top