Re: Raporti i Levizjes MJAFT ne Kongresin Amerikan
Nano shko në punë!
Nga Levizja MJAFT!
Një javë më parë, Lëvizja MJAFT ofroi dëshminë e saj në seancën e parë dëgjimore që Kongresi Amerikan zhvillonte për Shqipërinë. Një dëshmi në të cilën interesit të kongresmenëve amerikanë rreth asaj çka e pengon vendin tonë të zhvillohet normalisht – gjë që ata e kanë kuptuar në një shkallë të tillë saqë edhe organizuan zhvillimin e kësaj seance – ne iu përgjigjëm në mënyrën më realiste të mundshme dhe duke vënë në dispozicion të gjithë përvojën tonë të grumbulluar gjatë një viti ekzistencë si Lëvizje Qytetare në Shqipëri. Këtij mendimi të kërkuar prej tyre, iu përgjigjëm me po atë qartësi, ndershmëri dhe vendosmëri me të cilën ne kemi denoncuar gjithçka që na shqetëson si qytetarë të Shqipërisë dhe shpesh artikulues të zërit të qytetarëve të cilët kanë “investuar” besimin e tyre tek ne. Ajo që ndodhi më pas, pritej. Shefi I qeverisë dhe menjëherë më pas edhe një numër hosanabërësish të tijët, vërshuan të kryqëzojnë “djemtë plangprishës” që nga Amerika hodhën topa balte mbi trupin e drobitur të Shqipërisë sonë të gjorë, e cila me kaq mundim po çan përpara rrugën e historisë nën udhëheqjen e tyre.
Unë nuk ndihem aspak i kërcënuar nga këto sulme a performanca skenike me të cilat jemi mësuar prej kryeministrit tonë, të tipit: s’ke c’i ben gomarit, bjeri samarit. Thjesht ndjej keqardhje për mënyrën sesi po përftohen prej tij komentet e MJAFT në Kongresin Amerikan. Aty u fol për raste konkrete të abuzimit me pushtetin, shpërblime të padrejta, përfshirje të strukturave shtetërore në trafik, ministra të cilësuar të korruptuar nga kryeministri, të cilët tashmë janë bashkëpunëtorë të tijët brenda në qeveri, abuzime me procesin e zgjedhjeve. Nuk e kuptoj pse Tirana zyrtare sillet sikur këto çudira ranë papritur nga qielli ndërkohë që ne të gjithë jetonim në një Shqipëri të lumtur e të pasur si ajo që përshkruhet përditë në faqet e fantastikoshkencores “Zëri i Popullit”. Kemi një vit e pak në jetën e Lëvizjes MJAFT që denoncojmë ‘kapjen e shtetit’ dhe denigrimin e qytetarëve. Para nisjes për në SHBA deklaruam se do të mbetemi mbrojtës të qytetarëve në po të njëjtat çështje dhe bëmë pikërisht atë që kemi bërë edhe brenda në Tiranë dhe në Shqipëri e asgjë më tepër: denoncim. Aherë çne tërë ky hakërrim nga qeveria rreth këtyre të vërtetave? A nuk janë këto të vërtetat që çdo ditë u përplasen qeveritarëve në fytyrë që nga taksapaguesi më i rëndomtë e gjer tek diplomati më i lartë në Tiranë? Nëse ata do ta shihnin me pak më shumë vëmendje raportin e MJAFT, do të dallonin së paku se në të nuk kishim të bënim me ndonjë denigrim të shqiptarit të thjeshtë, ulje apo cënim të karakterit të tij, për ndonjë fyerje ndaj ndjenjave të qytetarëve shqiptarë a diçka tjetër të ngjashme. Në filozofinë e MJAFT kjo do të ishte një tradhëti ndaj njerëzve tanë, vëllezërve, prindërve dhe atyre me të cilët ndajmë atdheun. Kritikat tona i adresoheshin keqqeverisjes si dhe mungesës së alternativave opozitare. Kreu i qeverisë nuk ka pse në këto kritika të drejtuara direkt mbi të dhe ekipin e tij, të mundohet të përfshijë edhe “Atdheun” apo gjithë popullin, në një përpjekje për ta rreshtuar veten në të njëjtën llogore me ata që i zhgënjen përditë. Zoti kryeministër dhe cdokush tjetër që është munduar gjatë këtyre ditëve të bëjë këtë, është absolutisht i pabesueshëm në sytë e shqiptarëve dhe ai vetë është i ndërgjegjshëm për këtë. Mua më duket mjeran perdorimi i kartes se ‘atdhedashurise’ ne reagimin e qeveritar. S’e paskesha ditur se atdhe sot na qenka varferia, papunesia, korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe te denoncosh këto mynxyra u quakërka përbaltje e atdheut. Të më ndjejnë ata qytetarë që i quajnë këto “territore” atdheun e tyre. Sa për mua, unë kam atdhe Shqipërinë, atë Shqipërinë e mirë, që nuk i zë gusha dhjamë dhe s’I kanë bërë dhuratë ndonjë benz jashtë serie. Atë Shqipërinë e ndershme që mezi shtyn muajin, por që nuk korruptohet. Atë Shqipërinë e bukur që për zemrat e shqiptarëve është zonja e tyre e parë, pa pasur nevojë të manipulojë ligjin për t’u quajtur e tillë.
Trumpeta ‘patriotike nacionaliste’ është ndryshkur tashmë në Ballkan që nga koha e Millosheviçit dhe taktika të tilla nuk pijnë më ujë. Pas sulmeve të 11 Shtatorit, presidenti amerikan Bush, ish-presidenti Klinton dhe udhëheqës të tjerë amerikanë, vërshuan në valët televizive dhe radiofonike me një mesazh për popullin e tyre: “Në këto kohë të vështira, patriotizmi më i madh që mund të tregoni është që të gjithë së bashku të mos na zerë paniku, por t’i kthehemi punës për ta bërë Amerikën më të fortë. Shkoni në vendin tuaj të punës dhe punoni fort”. Dhe unë nuk kam ç’të them për ‘patriotizmin’ e qeverisë sonë, thjesht nje: Shko në punë!