Re: Qente e rrugve!
Ajo qe jam duke menduar une eshte se kujt i vajti mendja per emrin e semundjes se me poshtme. Gishtez artikulli eshte enkas per ty, qe te te beje njecik me teper paranojake :goofy:
Leshmanioza, rreziku që vjen nga qentë e rrugës
Sëmundja sjell ulje të rruazave të kuqe e të bardha dhe rritje të shpretkës. Ultësira Perëndimore, më problematike
Bruna Prifti
Afrimi i verës sjell me vete kërcënimin nga sëmundja e leshmaniozës. Sëmundje e cilësuar rëndom si e qenve, por edhe e bagëtive, që përçohet me anë të mushkonjave tek njerëzit dhe që nëse nuk kapet apo trajtohet në kohë, të shkakton vdekjen e sigurt. Në spitalin e sëmundjeve infektive janë shtuar rastet e të sëmurëve nga leshmanioza, ndërsa në poliklinikat e lagjeve, ka vazhdimisht njerëz me të tilla probleme. Sipas mjekëve, periudha nga nisja e pranverës deri në vjeshtë është tipike për përhapjen e sëmundjes. Pavarësisht se mjekët nuk japin një shifër të saktë të të infektuarve, të thonë pa hezitim se së fundi janë shtuar raste të tilla. Sipas mjekut infektivist, Arjan Harxhi në pavijonin e sëmundjeve infektive ka pasur vazhdimisht pacientë që vuajnë nga leshmanioza e natyrisht edhe tani ka të tillë. Këtë fakt e mbështesin edhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilëve kjo është periudha tipike kur nga kjo sëmundje mund të kërcënohen shumë njerëz. Arsyeja është e thjeshtë. Qentë rrugaçë nëpër rrugë e shtojnë së tepërmi rrezikun e përhapjes së saj. Pozitivisht ndikon edhe prania e mushkonjave që më së shumti shfaqen në këtë kohë dhe e bëjnë fare të lehtë përhapjen, duke pickuar e njëherësh duke infektuar njerëzit.
Leshmanioza, si ta dallojmë
Denisi, do edhe katër muaj që të mbushë dy vjeç. Ka ardhur në spitalin infektiv, me shenjat tipike të sëmundjes së leshmaniozës. Temperaturë e lartë, që nuk ulet për qamet, mungesë oreksi, këputje e përgjithshme dhe një fytyrë me ngjyrë jo të mirë. Në shtëpinë e tij, në një fshat të Lezhës ka shumë bagëti, (dele) dhe natyrisht edhe qen, prej të cilëve përmes pickimit të mushkonjave dyshohet të ketë marrë edhe sëmundjen. “Sëmundja shfaqet me shenjat tipike të anemisë”,- thotë Harxhi, duke shtuar se pikërisht për këtë arsye në jo pak raste ka vështirësi në përcaktimin e saktë. Fëmija apo pacienti që është infektuar nga leshmanioza merr në fytyrë një ngjyrë dheu, prej së cilës sipas Harxhit vjen edhe emri i çuditshëm i sëmundjes. “Sëmundja sjell ulje të menjëhershme të rruazave të kuqe e të bardha të gjakut. Demonstrohet me trombocite dhe rritje të konsiderueshme të shpretkës”,- thotë ai. Ndërkaq i infektuari ka vazhdimisht temperaturë të lartë, e cila zakonisht mezi stabilizohet edhe me qetësues të ndryshëm.
Vatrat e sëmundjes
Sipas Harxhit, leshmanioza është vërtet një problem shqetësues. Sipas tij, Ultësira Perëndimore është zonë tipike e pranisë së sëmundjes, pasi aty kushtet klimaterike e bëjnë të lehtë përhapjen e saj, duke qenë se gjallojnë së tepërmi mushkonjat. Por, Ultësira Perëndimore duket se nuk është e vetmja zonë problematike. Sipas sondazheve të kryera, por edhe nga gjeografia e pacientëve të paraqitur në spitalin infektiv, është e thjeshtë të bësh një dallim deri diku të saktë të zonave të përhapjes. “Problem mbeten edhe banorët që jetojnë në luginat e lumenjve”,- thotë Harxhi, i cili shton se në kundërshtim me dy zonat e para, është e vështirë ta gjesh këtë lloj sëmundjeje në male.
Moshat e riskuara
Sëmundja e leshmaniozës, mund të jetë vdekjeprurëse, por kjo ndodh kryesisht në moshat ekstreme, në pleqtë ose në fëmijët e vegjël dhe në mënyrë të veçantë në ata njerëz që kanë diagnoza të tjera. Së paku ky është shpjegimi që mund të marrësh nga specialistë që e njohin dhe prej kohësh kanë trajtuar pacientë me leshmaniozë. Virusi në fjalë, sipas infektivistit Arjan Harxhi është shumë i rrezikshëm për të dobësuar imunitetin, madje në jo pak studime krahasohet me virusin HIV.
Grupmoshat më të prekura janë ato nga 0-4 vjeç, ndërsa meshkujt sipas një studimi të pak kohëve më parë, përbëjnë më shumë se 60 për qind të të prekurve, krahasuar me femrat.
Rreziku nga qentë e rrugës
Sipas specialistëve, qentë e rrugës mbeten vatra e vetme e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Mjekë të Institutit të Kërkimeve Veterinare, sqarojnë se një qen me leshmaniozë është shumë e lehtë ta dallosh. Janë me sy të skuqur e në shumicën e rasteve të lotuar, me zona të tëra të trupit me qime të rëna, skuqje në pjesët e boshatisura nga qimet deri në mavijosje dhe acarim të plotë të tyre. Statistikat tregojnë se gjatë 5 viteve të fundit numri i të prekurve nga kjo sëmundje është rreth 500 vetë, gjysma e të cilëve me leshmaniozë visherale. Një masë parandaluese që sëmundja të kalojë tek njerëzit është eliminimi i qenve rrugaçë, ndërsa tjetra dezinfektimi me ilaçe kundër mushkonjave në zonat kryesisht perëndimore dhe përreth luginave të lumenjve. Përveç leshmaniozës, me anë të qenve rrugaçë përhapen edhe sëmundje të ngjashme si: ekinokoza, leptospiroza dhe tërbimi, që përhapet brenda një kohe shumë të shkurtër nga kafshët tek njeriu. Në një studim të bërë nga specialistët e sektorit të parazitologjisë në ISHP, është vënë re rritje e rrezikut ndaj kësaj sëmundjeje, kjo për faktin se janë lënë pasdore dizinfektimet periodike të vatrave të njohura më parë, si dhe zonave ku ka shumë mushkonja. Ndonëse nuk mund të bëhet një ndarje e prerë për pacientët e fshatit dhe ata të qytetit, thuhet lehtësisht se më shumë se gjysma e të prekurve janë banorë të fshatrave.