Re: Proteste e madhe e MJAFT
JA DHE DEKLARATA E MJAFT-it
Fushë Arrëz, 18 – 10 - 2004
Jemi sot këtu për dy arsye. Jemi këtu për të kujtuar dhe për
të akuzuar. Së pari, është një homazh që lëvizja MJAFT në emër
të të gjithë rinisë shqiptare, studentëve, gjimnazistëve dhe
mijëra e mijëra qytetarëve të tjerë nga Tirana dhe gjithë
Shqipëria, dëshiron t’u bëjë atyre 16 maturantëve të Malishevës
së Kosovës të cilët humbën jetën duke kaluar pikërisht nga kjo
rrugë, tek ky vend. Mendimet tona sot janë për ta dhe familjet
e miqtë e tyre, me sigurimin se dhimbja është e përbashkët dhe
e kemi ndjerë atë sikur t’i kishte ndodhur secilit prej nesh.
Arsyeja e dytë, është një akuzë publike, demonstrative dhe
qytetare që ne duam të ngremë sot ndaj autoriteteve shtetërore.
Me neglizhencën, mosveprimin dhe moskokëcarjen që ato kanë
treguar për të përmbushur përgjegjësitë që kanë marrë, janë
fajtorët moralë të kësaj tragjedie. Janë përgjegjës gjithashtu
për faktin se sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të
vdekjeve në aksidentet rrugore në mbarë Europën.
Ata që po sakrifikohen sot rrugëve për arsye nga më banalet,
janë shumica të rinj, djem dhe vajza si 16 vëllezërit dhe motrat
e Malishevës, familjarë, emigrantë, turistë dhe punëtorë. Eshtë
e pafalshme për një Ministri si ajo e Transporteve dhe
Telekomunikacionit, që edhe pse është prej kohësh në dijeni të
faktit të hidhur se rrugët tona janë më të rrezikshmet për t’u
përshkuar me makinë, nuk jep as shembullin më minimal të
vullnetit se është e gatshme ta ndryshojë këtë gjendje.
Nuk ekziston as sinjali më i vetëm nga kjo ministri që të jetë
dërguar tek qytetarët të cilët paguajnë taksa për të udhëtuar
të sigurt. Nuk ekziston as minimumi etik sic do të ishte kërkimi
i ndonjë ndjese me fjalë kur tragjeditë në rrugë nuk kanë të
ndalur.
Mungon në mënyrë tragjike një vullnet qoftë edhe sipërfaqësor
për të ndryshuar realitetin. Shumica e rrugës së Kukësit,
përshkon një reliev të vështirë dhe ka disa pika përgjatë kësaj
rruge ku aksidentet janë të shpeshta, të përsëritura dhe të
mundshme për të rindodhur. Asgjë tjetër përvec neglizhencës dhe
shpërfilljes fyese ndaj interesave të qytetarëve nuk e ka shtyrë
Ministrinë e Transportit që të ndërmarrë prej kohësh një aksion
urgjent për të vendosur barriera dhe bordura mbrojtëse në këto
pika të rrezikshme.
Lëvizja MJAFT po vendos ajo sot e para, vullnetarisht, një
barrierë të tillë në vendin ku ndodhi aksidenti i rëndë i 14
tetorit, për t’i thënë MJAFT këtyre aksidenteve, por mbi të
gjitha, për t’i provuar Ministrisë së Transportit dhe
Telekomunikacioneve se kjo nuk është një detyrë për të cilën
ata duhet të presin të vdesin njerëz për ta bërë.
Ne e bëjmë këtë për t’i thënë zotit Spartak Poci, ministër i
Transportit, se nuk është e nevojshme të stërhollohen fraza
pompoze dhe projekte të sofistikuara për të ndaluar që
bashkëmoshatarët dhe bashkëqytetarët tanë të lënë jetën nëpër
kthesat më të rrezikshme të rrugëve. Mjafton të duash ta bësh
këtë, sic po e bëjmë ne sot.
Ne duam t’i tregojmë zotit ministër se nëse neglizhenca e një
politikani mund të falet pasi shkakton vetëm turbullim,
neglizhenca e tij është e pafalshme; ajo sjell vdekje. Ai dhe
administrata e rrugëve që ka ndërtuar dhe drejton, ka treguar
mungesë dëshire për të kryer detyrën e tyre edhe pse e kanë
pasur të qartë se kjo mungesë dëshire paguhet me gjakun që po
lan sot gjithë rrugët automobilistike të Shqipërisë.
Kjo neglizhencë është e pafalshme pasi ndodh ndërkohë që sipas
statistikave zyrtare, në vendin tonë vdes një person cdo ditë
si pasojë e aksidenteve rrugore. Nuk mund të thuash se ministri
I transportit dhe struktura e tij ka bërë gjithcka kishte në
dorë dhe nuk I ka lënë gjë mangut sigurisë dhe se fajtorët e
këtyre vdekjeje janë vetë viktimat. Vetëm gjatë gjashtëmujorit
të parë të këtij viti, në Shqipëri kanë vdekur mbi 150 persona
në aksidente rrugore.
Moskokëcarja për këtë aspekt të rëndësishëm por me pasoja
direkte në jetën e qytetarëve është vetëm njëri nga shembujt e
papërgjegjshmërisë së ministrit të transportit z.Poci si dhe
arsyeja kryesore pse Lëvizja MJAFT e quan të nevojshme të
kërkojë dorëheqjen e tij, sot, nga ky vend që do të mbetet në
memorien kolektive të shqiptarëve si kthesa e vdekjes. Por të
cilin ne duam ta shndërrojmë në pikën e kthesës së madhe të
betejës së qytetarëve me autoritetet që tregojnë shpërfillje
ndaj jetës së tyre.
Lëvizja MJAFT I fton të gjithë qytetarët, të gjithë ata që
ndjehen të shpërfillur e të nëpërkëmbur nga një ministri
transportesh që nuk bën as minimumin më të vogël për t’u
thënë se I do dhe mundohet t’ua ruajë jetën, që të protestojnë
deri në largimin e titullarit të saj dhe vendosjen e tij para
përgjegjësisë.
Lëvizja MJAFT, e fton kryeministrin e qeverisë sonë, z.Fatos
Nano, që ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta kuptojë
ndjeshmërinë e tyre absolutisht jopolitike, për këtë cështje me
ndikim kaq të drejtpërdrejtë në krijimin e një ndjenje besimi
dhe mirëqenieje tek të gjithë shtetasit shqiptarë.
MJAFT e fton qeverinë që të analizojë gjithashtu edhe të gjitha
premtimet dhe angazhimet e marra nga Ministria e Transporteve
për vitin 2004 përmes ministrit Poci dhe që gjithashtu, tek të
gjitha rrugët që u premtuan por nuk u shtruan kurrë, nuk panë
asnjëherë asfalt, sinjalistikë, e masa mbrojtëse, të gjejë
arsyen e dhënies fund sa më parë të kësaj gjendjeje të
patolerueshme.