Re: Prokuroria ne vartesi te qeverise!!!
Dekret
Nr.4426, datë 23.9.1968
MBI GJYKATAT E FSHATRAVE, TË QYTETEVE DHE TË LAGJEVE TË QYTETEVE
Gjykatat e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve janë hallka të sistemit gjyqësor që veprojnë në gjirin e popullit dhe tërheqin masat e gjëra punonjëse në dhënien e drejtësisë.
Në gjithë veprimtarinë e tyre gjykata e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve, të udhëhequra nga politika marksiste-leniniste e partisë dhe të mbështetura në traditat e shkëlqyera të popullit tonë, zbatojnë në rradhë të parë metodën e bindjes dhe të edukimit dhe ushtrojnë, me punën e tyre, ndikim edukativ në masat punonjëse.
Në mbështetje të nenit 58, pika 6, të Kushtetutës; me propozimin e Qeverisë;
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
I REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË.
Vendosi:
ORGANIZIMI I GJYKATAVE
Neni 1
Gjykata e fshatit, e qytetit dhe e lagjes së qytetit përbëhet nga ndihmës gjyqtarët e gjykatës së rrethit që janë zgjedhur në ata fshat, qytet ose lagje qyteti, si dhe nga një numër aktivistësh shoqërorë.
Neni 2
Ndihmës gjyqtarët e zgjedhur në qytete ose lagjet e qyteteve që kanë shumë banorë, gjykojnë në zona të caktuara nga këshilli popullor i qytetit ose lagjes së qytetit përkatës.
Neni 3
Aktivistët shoqërorë zgjidhen për çdo vit në mbledhjen e popullit me vota të hapura.
Kur qyteti ose lagjia e qytetit ka më shumë ndihmës qytetarë që gjykojnë në zona, zgjedhja e aktivistëve shoqërorë bëhet në çdo zonë.
Numuri i aktivistëve shoqërorë nuk mund të jetë më pak se 5 për çdo gjykatë.
Neni 4
Gjykatat e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve gjykojnë trup gjykues të përbërë prej ndihmës gjyqtarit si kryetar, dhe dy aktivistëveshoqërorë si anëtarë.
Në gjykimin e çështjeve që fillojnë me kërkesën e prokurorisë së rrethit ose të prokurorit popullor ose të organeve të policisë mund të marrë pjesë edhe prokurori popullor.
Neni 5
Kur ndihmës gjyqtari nuk ka mundësi të marrë pjesë në gjykimin e një çështjeje, për shkak sëmundjeje, përjashtimi ose për ndonjë shkak tjetër, dhe në atë fshat ose lagje qyteti nuk ka ndihmës gjyqtarë tjetër, ai zëvëndësohet nga një ndihmës gjyqtarë i fshatit, qytetit ose lagjes së qytetit të afërtë, që caktohet nga kryetari i gjykatës së rrethit.
Neni 6
Kur vendi i një ndihmës gjyqtari mbetet i zbrazët në një fshat, qytet ose lagje qyteti dhe në atë vend nuk ka tjetër ndihmës gjyqtar, këshilli popullor i rrethit zgjedh një ndihmës gjyqtar të ri gjersa të bëhen zgjedhje të reja.
Neni 7
Detyra e ndihmës gjyqtarëve dhe e aktivistëve shoqërorë është detyrë vullnetare dhe nderi.
ÇËSHTJET QË SHQYRTOHEN NGA GJYKATAT E FSHATRAVE, QYTETEVE DHE LAGJEVE TË QYTETEVE
Neni 8
Gjykata e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve shqyrtojnë çështjet penale lidhur me këto krime të parashikuara nga Kodi Penal:
1. Përvetimin e pasurisë socialiste dhe të qytetarëve gjer në 200 lekë (nenet 81, 180 paragrafi I, 183 paragrafi I, 185 paragrfi I).
2. Përvetimin e sendeve të gjetura gjer në 500 lekë (nenet 83, 184).
3. Therjen e gjësë së gjallë pa leje (neni 120)
4. Plagosjen e lehtë nga pakujdesia (neni 150 paragrafi II).
5. Rrahjen (neni 151 paragrafi I)
6. Fyerjen (neni 167).
7. Dhunimin e banesës 9neni 168 paragrafi I).
8. Shkeljen e detyrimeve familjare ( nenet 177 dhe 178).
9. Vetëgjyqësinë (neni 246)
Kur personi është dënuar më parë për të njëjtin krim, cështja nuk shqyrtohet nga gjykata e fshatit, të qytetit ose të lagjes por nga gjykata e rrethit.
Neni 9
Gjykata e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve shqyrtojnë këto çështje civile:
1. Kërkesat midis shtetasve për pagimin e detyrimeve gjer në 1500 lekë që lindin nga kontratat ose nga shkaktimi i dëmit.
2. Kërkesat për shpërblimin e dëmit në bujqësi gjer në 1500 lekë.
Neni 10
Gjykata e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve shqyrtojnë kundërvajtjet, përvec atyre që me ligjë i janë lënë për gjykim një organi tjetër.
KUFITË E VEPRIMTARISË SË GJYKATAVE
Neni 11
Kompetente për gjykimin e çështjeve penale ose të kundërvajtjeve është gjykata e fshatit, qytetit ose të lagjes së qytetit ku ka ndodhur ngjarja.
Megjithatë, gjykata e vendit të ngjarjes ka të drejtë, kur çmon se gjykimi do të ushtrojë një ndikim më të madh edukativ, t’ia dërgojë çështjen gjykatës së vendit ku ka banimin personi që do të gjykohet.
Neni 12
Kompetente për gjykimin e çështjeve civile është gjykata e fshatit, qytetit ose lagjes së qytetit ku kanë banimin të dy palët.
Kur palët banojnë në të njëjtin fshat të bashkuar ose në fshatra që formojnë kooperativat bujqësore të bashkuar, cështja gjykohet nga gjykata e fshatit ku banon i padituri.
Kur palët kanë banime të ndryshme, cështja gjykohet nga gjykata e rrethit.
LLOJET E DËNIMEVE
Neni 13
Gjykatat e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve për veprat që gjykojnë dhe që përbëjnë krim ose kundërvajtje japin këto dënime:
1. Qortim shoqëror;
2. Gjobë gjer në 1000 lekë;
MËNYRA E GJYKIMIT
Neni 14
Çështjet dhe kundërvajtjet fillojnë me kërkesën e organizatave shoqërore, të këshillit popullor të fshatit, të qytetit, të lagjes së qytetit ose të komitetit ekzekutiv përkatës, të prokurorit të rrethit ose të prokurorit popullor me autorizim të prokurorit të rrethit dhe të organeve të policisë popullore.
Çështjet penale që ndiqen mbi ankim, fillojnë vetëm me kërkesën e të dëmtuarit, ose kur është rasti edhe m e kërkesën e prokurorit të rrethit.
Çështjet civile fillojnë vetëm me kërkesën e të interesuarit.
Neni 15
Për çështjet civile dhe çështjet penale që ndiqen mbi ankimin e te dëmtuarit, gjykata si rregull, me të marrë kërkesën, bën të gjitha përpjekjet për të pajtuar palët.
Gjykata, para se të fillojë gjykimin duhet të sqarojë të gjitha rrethanat që kanë rëndësi për zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të çështjes.
Kur gjykata nuk mundet të sqarojë vetë të gjitha rrethanat, çështjen ia dërgon organeve të policisë popullore për të kryer veprimet përkatëse.
Kur gjatë sqarimit të çështjes penale ose të kundërvajtjes del se fajtori pranon fajin e tij, tregon pendim të sinqertë dhe të thellë, dhe bën autokritikë, gjykata kur çmon se është plotësuar qëllimi edukativ i gjykimit, ka të drejtë të pushojë çështjen që nuk ndiqet në ankim.
Neni 16
Gjykimi zhvillohet pasi gjykata të ketë njoftuar personat e interesuar dhe të ketë siguruar provat e nevojshme.
Kur personat që gjykohen nuk paraqiten, gjykimi mund të zhvillohet në mungesë dhe kur gjykata e çmon të nevojëshme në çështje penale dhe kundërvajtjeje e shtyn gjykimin për një ditë tjetër me qëllimqë të sigurohet ardhja e tyre.
Neni 17
Gjatë zhvillimit të gjykimit dëgjohen shpjegimet e personave që gjykohen, merren provat e nevojëshme për sqarimin e çështjes dhe kanë të drejtë të bëjnë pyetje dhe të cfaqin mendim palët, përfaqësuesit e organizatave të masave si dhe gjithë të pranishmit.
Neni 18
Gjykata, kur çmon se për shkak të rrezikëshmërisë së personit ose të veprës cështja penale duhet të gjykohet nga gjykata e rrethit, si dhe kur vëren se cështja del jashtë kompetencave të saj, ia dërgon për gjykim gjykatës së rrethit.
Neni 19
Gjykata e rrethit ka të drejtë të tërheqë dhe të gjykojë çdo çështje që është në kompetencë të gjykatës së fshatit, qytetit ose lagjes së qytetit.
Neni 20
Për zhvillimin e gjykimit mbahet proces-verbal nga një person i caktuar nga gjykata.
Neni 21
Në përfundim të gjykimit jep vendim me shkrim dhe të arsyetuar.
Vendimi i gjykatës është i formës së prerë. Megjithkëtë kundër vendimit që përmbandënimin me gjobë mbi 300 lekë ose detyrimin civil mbi padinë me objekt mbi 300 lekë, mund të bëhet ankim ose protest nga personat e gjykuar nga prokurori i rrethit ose nga prokurori popullor ku ka maarë pjesë në gjykimin e çështjes, në gjykatën e rrethit, brënda 5 ditëve nga dhënia e vendimit ose nga komunikimi i tij kur është dhënë në mungesë.
Neni 22
Kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatës së fshatit, të objektit dhe të lagjes së qytetit, që nuk janë shqyrtuar në shkallë të dytë, mund të bëhet nga prokurori ose kryetari i gjykatës së rrethit, brënda 3 muajëve, kërkesë për rishqyrtim të gjykimit pranë gjykatës së rrethit.
Neni 23
Gjykata e rrethit nuk shqyrton ankimet, protestat ose kërkesat për rishqyrtim të gjykimit, njofton të interesuarit për ditën e gjykimit dhe, kur e çmon të nevojëshme, mund të marrë prova drejtpërdrejtë.
Në përfundim të gjykimit në shkallë të dytë gjykata vendos sipas rastit, lënien në fuqi të vendimit, ndryshimin e tij ose pushimin e çështjes. Ky vendi është i formës së prerë.
Kur gjykata e rrethit ndryshon vendimin mund të caktojë vetëm dënime që sipas këtij dekreti japi gjykatat e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve.
Neni 24
Për veprimet që kryhen nga gjykata e fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve nuk paguhet taksë.
ZBATIMI I VENDIMEVE
Neni 25
Vendimet e formës së prerë të gjykatave të fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qyteteve zbatohen me anë të organevetë këshillit popullor të fshatit, të qytetit dhe të lagjes së qytetit.
Neni 26
Dispozitat nr.4379, datë 13.4.1968 “Mbi kundërvajtjet” dhe çdo dispozitë tjetër që bien në kundërshtim me këtë dekret mbeten pa fuqi.
Neni 27
Ky dekret hyn në fuqi me 1.10.1968.
PËR PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË.
SEKRETARI KRYETARI
BILBIL KLOSI HAXHI LLESHI