Prokuroria: Katër gjyqtarë të tjerë nën hetim

Prokuroria: Katër gjyqtarë të tjerë nën hetim

Katër gjyqtarë të tjerë, krahas gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, janë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe marrjes së ryshfetit. Burime konfidenciale nga akuza qendrore thanë se në ditët në vijim do ti drejtohen Këshillit të Lartë të Drejtësisë për heqjen e imunitetit dhe do të kërkojnë fillimin e procedimit penal ndaj tyre. “Rasti i Qani Hasës, për të cilin prokuroria kërkoi fillimin e procedimit penal, nuk është i vetmi. Katër gjyqtarë, në katër rrethe të ndryshme, akuzohen për të njëjtat vepra penale. Në ditët pasardhëse do të dërgojmë kërkesat në KLD, me gjithë dokumentacionin përkatës”, thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, në të katër rastet që janë hetuar në katër rrethe të ndryshme, ekzistojnë të gjitha provat se gjyqtarët në fjalë kanë marrë ryshfet nga sekserë dhe individë të ndryshëm. Provat janë filmimet dhe përgjimet e vetë individëve që kanë denoncuar, por nuk kanë munguar as verifikimet e prokurorëve.</p>


Imuniteti i gjyqtarëve
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në një dalje publike të disa ditëve më parë, tha se imuniteti i gjyqtarëve po pengon hetimin ndaj tyre për akuzat ndaj korrupsionit. Duke qenë në një tryezë debati mbi reformën në drejtësi, pohoi se prokuroria vihet përballë vështirësish në hetimin e gjyqtarëve, ndërkohë që prokurorët mund ti hetojë pa pengesa. “Është problematike, sepse ndërkohë që mund ti hetojmë prokurorët, nuk kemi mundësi të hetojmë gjyqtarët, sepse kanë imunitet të dhënë nga Kushtetuta. Nëse zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kërkon autorizim për procedim penal ndaj një gjyqtari për vepra korruptive, hetimi është bërë publik dhe është e pamundur të vazhdohet. Nuk është e mundur të hetosh një gjyqtar për korrupsion, kur ai e di se po hetohet”, tha Kryeprokurorja. Ajo kërkoi mbështetjen e gjykatave në luftën e prokurorisë kundër korrupsionit. Ina Rama solli në fjalën e saj dy raste kur prokuroria ka arrestuar prokurorët e akuzuar për korrupsion, por gjykatat i kanë lënë ata të lirë pak kohë më pas. Duke vënë në dukje vlerësimet e raport-progresit të KE-së për luftën kundër korrupsionit nga zyra Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, Ina Rama tha se këto rezultate janë arritur në bashkëpunim me policinë, SHISH-in, tatimet e doganat.</p>


Korrupsioni në gjykata
Ina Rama tha disa ditë më parë se i njëjti bashkëpunim dhe e njëjta mbështetje në hetimet kundër korrupsionit nevojiten edhe nga gjykatat. Ajo shtoi se organi i akuzës po zbaton një sistem tërësisht të ri të vlerësimit të prokurorëve në karrierë, në bashkëpunim me homologët spanjollë. Ndërkohë, KLD-ja, me një dekret të Presidentit të Republikës, për numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve në vend, ka nisur një reformë në sistemin gjyqësor.
Riorganizimi i sistemit do të fillojë nga “pleqtë” e secilës gjykatë në Shqipëri. Reforma ka filluar dhe po studiohet me hollësi nga organika e çdo gjykate, ku më të predispozuarit për të lëvizur janë individët që kanë mbi shtatë vjet në atë institucion drejtësie. Një gjë e tillë, sipas këshillit, realizohet për të ndërprerë lidhjet e ndryshme që mund të kenë me gjyqtarët e tjerë prokurorët, avokatët, të cilët mund të influencojnë në një vendim gjyqësor. Riorganizimi pritet që të ndryshojë të gjitha vendimmarrjet në rang republike dhe pritet që pas muajit tetor të ketë një shpejtësi në dhënien e vendimeve. Sipas burimeve nga KLD-ja, lëvizjet e para në gjykata do të fillojnë këto ditë dhe pritet që të lëvizin mbi 100 gjyqtarë, çka do të thotë një e treta e të gjithë gjyqtarëve në Shqipëri. Një risi në këtë reformë do të jenë transferimet pa pëlqimin e gjyqtarit, ndërsa pritet që të ketë reagime të forta.(Shqip)</p>
S8yBv9a5Xto

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25448. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25448
 
Top