Re: Presidenti Kosoves Ibrahim Rugova
Dy miqtë e Rugovës akuzohen për trafik droge
Bashkim Neziri dhe Izet Beqiri kanë përballuar shpenzimet e vizitës së Rugovës në Itali
Ened Janina
Hetues italianë kanë deklaruar për numrin e djeshëm të gazetës “La Republica” të dhëna mbi një një rrjet të trafikut të kokainës, ku sipas kësaj gazete rezultojnë të implikuar njerëz të njohur në Kosovë dhe Itali. Në emrat e përmendur nga gazeta është një nga politikanët kryesorë të Prishtinës dhe emrat e disa aktoreve e modeleve italiane. Sipas kësaj gazete, në krye të trafikut ndodheshin tre shtetas kosovarë, vëllezërit Muhamet dhe Izet Beqiri si dhe një person mjaft i njohur në Kosovë, Bashkim Neziri, i cili është një nga njerëzit më të afërt të një politikani të lartë. Për këto fakte të botuara dje në të përditshmen italiane “La Republica”, gazetari i referohej prokurorisë vendase.
VIP- at
Trafikantë ditën dhe njerëz mondanë natën, kjo ishte jeta që bënin tre krerët kosovarë të mafias. Ata donin të dukeshin si sipërmarrës miljarderë në festat e ajkës Romane të përbërë nga persona VIP dhe yje të ekranit të vogël. Kjo maskë u është hequr atyre nga hetuesi Andrea De Gasperis dhe skuadra e antidrogës. Pas saj doli në dritë aktiviteti i vërtetë i tre kosovarëve, trafiku dhe shpërndarja e kokainës në bashkëpunim me një producent kinematografik italian, Luka Makiaveli. Kështu, mes qindra faqeve të dosjes penale, në ngarkim të tyre ndodhen edhe emrat e shumë njerëzve të spektaklit. Adriana Volpe, ish- mis Italia Nadia Bengala dhe Demetra Hampton, interpretuesja e “Valentina di Crepax”. Ndërkohë, në muajt e kaluar, hetuesit kanë marrë në pyetje aktore të njohura si Sabrina Ferili dhe Alesia Merz, sepse emrat e tyre figuronin në blloqet e producentit kinematografik të arrestuar. Sipas hetuesve, mbeten ende për tu sqaruar roli i këtyre grave VIP në trafikun e drogës që organizonte Makiaveli dhe miqtë e tij kosovarë me njerëzit e modës në kryeqytet.
Hetimet
Hetimet e kryera nga ana e hetuesit Andrea De Gasperis tashmë janë përpara prokurorit Giovanni De Donato. Krimi për të cilin akuzohen kosovarët dhe italiani është trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike. Droga vinte nga Turqia dhe nëpërmjet Gjermanisë përfundonte në Romë. Si mjet transporti për kokainën përdoreshin makinat luksoze që duhet të shiteshin në Itali. Tashmë për të gjitha këto fakte të akuzuarit duhet të përgjigjen përpara Gjykatës së Romës. Dy ditë më parë, ka filluar procesi gjyqësor por në bankën e të akuzuarve nuk janë prezantuar as Izet Beqiri dhe as Bashkim Neziri, të cilët janë persona të shpallur në kërkim. Në veçanti Neziri ka mundur që të humbë gjurmët e tij duke u arratisur nga spitali “Gemelli” ku ndodhej i shtruar. Për shtrimin në spital Neziri kishte paguar 150 milionë lireta (rreth 100 milionë lekë shqiptare) në para të thata. Hetuesit italianë mendojnë se ai ka mundur që të rikthehet në Kosovë “me mbështetjen dhe bashkëpunimin e miqësive me influencë”. I gjithë trafiku i drogës është zbardhur dhe rindërtuar nga hetuesit falë përgjimeve dhe ndjekjes që i është bërë krerëve të tij. Kjo ka nxjerrë në skenë lidhjet e bandës së trafikantëve të drogës me krerë të administratës kosovare. “Neziri e kishte shfaqur disa herë simpatinë e tij për pavarësinë e Kosovës, madje në një letër kishte shprehur edhe gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në formacionet ushtarake gjatë luftës në Kosovë. Ai ishte i bindur se një ditë mund të kthehej në atdhe duke marrë një post qeveritar”, deklarojnë hetuesit italianë.
Rugova
Në letrat e hetimeve përmendet edhe emri i presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai njihet thjesht si mik i ngushtë i Beqirit dhe Nezirit. Gjatë vizitës së tij në Itali, në vitin 1998, Rugova është pritur nga tre kosovarët e sipërpërmendur. Madje ka qënë personalisht Izet Beqiri ai që ka paguar shpenzimet e Rugovës dhe njerëzve të stafit të tij, Adnan Merovci dhe Skender Hyseni. Ata kanë qëndruar në hotelin “Excelsior” në rrugën Veneto të kryeqytetit italian. Gjatë atyre ditëve, agjentët e policisë italiane po mbanin në kontroll tre krerët e mafias kosovare. Në atë kohë ata po hetonin mbi një rrjet trafiku armësh dhe lënde narkotike ndërmjet vëndeve të Lindjes dhe Italisë. Raportet e miqësisë ndërmjet tre krerëve të mafias dhe autoriteteve kosovare janë dokumentuar edhe pas konfliktit në Ballkan. Lidhjet vërtetohen nga shumë dëshmi si ajo e fotografit të personave “VIP”, Roberto Granata, i cili tregon shumë detaje të jetës së kosovarëve në Romën “by night”. “Mbaj mend që Neziri ishte shpesh herë në shoqërinë e një napolitani që bënte pjesë tek “Nocs”. Edhe kur Rugova kreu vizitën e tij zyrtare në Itali, Bashkimi, më çoi për darkë me të. Shoqëroheshim nga dy makina policie dhe ai më tha se bëhej fjalë për një mikun e tij të ngushtë. Në përgjithësi Neziri ka dhënë shumë para për çështjen kosovare”,- thuhet në procesverbalin e marrjes në pyetje të fotografit Granata më datë 12 prill të vitit të kaluar.
Marr nga shekulli