Re: E verteta e kondrabandes me Serbine
Pëllumb Kulla: Ku shkuan miliardat e kontrabandës
Adrian Thano
11-12-2006
Pellumb Kulla duke derguar letrat kredenciale
NGA INTERVISTA E DJESHME
Kulla, për raportimet në OKB mbi embargon:
“Në Këshillin e Sigurimit, strukturat monitoruese raportonin mbi shkeljet e sanksioneve që i ishin vendosur Federatës Jugosllave... Përpara se kamionët dhe traktorët, karburanti mbushte serbatorët e tankeve, autoblindave dhe avionëve të Millosheviçit, që mbillnin vdekje në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Depërtimet nga kufiri i Shqipërisë, ishin shpesh temë e ditës...”.
Kulla, për një seancë të posaçme në OKB:
“...në qershor 1995, nga Brukseli erdhi vetë Koordinatori i BE/OSBE-së, Ambasadori Antonio Napolitano. Në një seancë të posaçme u paraqitën dëshmi me foto në përmasa të mëdha, që nuk të linin asnjë shteg dyshimi, nëse qenë apo jo të shkrepura në kufirin shqiptaro-malazez. Aty shfaqeshin radhë autobotësh. Fotot ishin marrë nga ajri dhe nga toka. E vërteta ish’ se rreth autobotëve nuk shihje asnjë polic apo njeri, që të të kujtonte shtetin...”.
Kulla, për versionin shfajësues të Tiranës zyrtare:
“Versioni ynë shfajësues ishte ai, që ne kishim përsëritur edhe herë të tjera... që “shteti ynë e pranon pafuqinë e tij, për ta luftuar siç duhet kontrabandën që gjen hapësirë, pasi spekulantët e pasuruar, për ta zhvilluar më tej pasurimin e tyre të pandershëm, motorizoheshin më mirë se shteti i brishtë paskomunist”...
Kulla, për komunikimet me ish-presidentin Berisha:
“...Atë ditë dërgova raportin me shkrim dhe pas ca javësh në Tiranë, ia tregova më në hollësi efektin e dëshmive mbi shkeljet e sanksioneve, pra: Thyerjes së embargos, siç përdoret këtu më thjeshtë. Më hollësisht, i rrëfeva dhe për bisedën me Koordinatorin Napolitano...
...“Ai, në një gjendje emocionale të përngritur, më porositi që zotërinjve rreth e qark Këshillit të Sigurimit, t’u thosha se ne i kishim dhënë fund asaj epoke, kur qëllohej me armë kundër fshatarëve që kapërcenin matanë kufirit...”.
Intervistoi Adrian Thano
(Vijon nga numri i djeshëm)
A u përcoll në OKB, ky qëndrim i Presidentit shqiptar?
Sigurisht që po! Jo formalisht në Këshillin e Sigurimit, por në takime të dyanshme dhe në ndonjë konferencë shtypi, kur më atakonin, po! Bile, hera-herës dhe tekstualisht, por teksti tani qe bërë imi.
Një pyetje hipotetike… Tani që ju dëgjuat pohimet e shefit tuaj të atëhershëm, çfarë mund t’i thoshit Koordinatorit të atëhershëm, Antonio Napolitano, sikur ta hasnit?
Pak rëndësi ka, se ç’do t’i thosha unë Napolitanos… E rëndësishme është, se ç’do t’i thosha shefit tonë të atëhershëm! Do t’i thosha që na ka mashtruar, na ka shpërdoruar pabesisht, ditë për ditë, siç po vazhdon të sillet pabesisht edhe sot, në dëm të shoqërisë shqiptare, në dëm të çështjes kombëtare dhe asaj kosovare, në plan të parë. Justifikimi i tij, se thyerjen e embargos ai e kish llogaritur në favor të shqiptarëve përtej kufirit, është gjethe fiku. Është një justifikim diletant, që atij i ka efekt ngaqë turma e qorrave do të vazhdojë të brohorasë për të, edhe sikur ai t’i verë shkrepësen fitilit për multi-milionat e tonëve të eksplozivit, nën truallin shqiptar. Do të hidhemi të tërë në hava, me dy gishtat përpjetë, të sigurt që po fluturojmë në katërqind copëra, për të mirën e çështjes kombëtare!
Jeni i revoltuar… Kam parasysh tonin tuaj…
Nuk jam i revoltuar. Unë kam pushuar së revoltuari me të. Ai tani nuk ka më asnjë faj. Jam betuar njëherë pas zgjedhjeve të fundit, që nuk do shpenzoj asnjë frazë kundër tij dhe do ta mbaj fjalën. Unë tani zbavitem me të. Nuk pres asnjë të mirë prej tij, në asnjë cilësi: as si shqiptar, as si bashkëpunëtor i devotshëm i tij, as si pensionist, as si ish-pronar... E shoh qesharakërinë e tij, si një gjë që më fyen mua dhe vetëm mua. Nuk di sa shqiptarë të tjerë mund ta kenë këtë ndjenjë. Kam parë në jetë gjëra groteske, por një grotesk të madhërishëm, të tillë, nuk mund të bëjë vaki të shfaqet kurrë në historinë e një kombi. Dy pyetje janë thelbësore në pohimin e tij të vonuar…
Cilat?
Si e ndiqte ai fuçinë e karburantit që rrokullisej p.sh., drejt Prishtinës, dhe e kuptonte që ajo arriti tamam atje? Dhe ku shkuan miliardat e dollarëve të kontrabandës kur Shqipëria është e rënuar dhe Shkodra me rrethina është rajoni më i rënuar i këtij vendi të rënuar?
Berisha do të bënte mirë, që në konferencën e shtypit të thoshte se Bullatoviçi ka përrallisur kot. Pra, të thosh’ një gënjeshtër tjetër, që do sillte më pak dëm, do të fyente e do të revoltonte më pak njerëz. Mund të fyente vetëm Bullatoviçin, por nuk ma ha mendja që Bullatoviçi do prekej aq shumë, sa të rendte të na provonte se ish-Presidenti shqiptar gënjen.
Në fakt, z.Berisha nuk u ndal gjatë tek qëllimet e lejimit të shkeljeve, ndoshta edhe për faj të retorikës së tij politike, shpesh të ngarkuar e të paqartë. Dua të them, nuk u sqaruan si duhet qëllimet. Çfarë do të thoshit ju, sikur ato qëllime vërtetë të ishin të mira?
Pabesia, është një tipar dominant që na vjen në trashëgiminë enveriane. Problemi është se embargoja e thyer ish’ e pabesë ndaj familjes ndërkombëtare dhe po aq e pabesë edhe ndaj familjes kombëtare. Po le ta zëmë se kjo pabesi do të drejtohej vetëm kundër të huajve. Të shumtë kanë qenë burrat e shtetit, që e kanë përdorur dhelpërinë në dobi të kombit të tyre. Mua, zoti Berisha, pasi të ma dëgjonte mirë e mirë raportin, mund të më vinte dorën në sup, të ulte zërin dhe të më thosh’: “Mik i dashur, ti atje je shqiptar, je i yni dhe je njeriu im! Ti e di që unë jam shprehur kundër embargos!”. Unë nuk di që ai të jetë shprehur në ndonjë vend kundër embargos, por tërë gazetarët e rruzullit ta pyesin, ai nuk ka për t’ua thënë se ku gjendet i dëshmuar ky qëndrimi i tij! Por unë, i hutuar nga prezenca e tij, do të turbullohesha dhe nga droja se kjo deklaratë e tij madhore kundër embargos, do të më kish shpëtuar, do t’i thosha: “Po, z.President, e di!”. Ai do të më thosh’ që “ne duhet të bërtasim fort, që gjoja po punojmë për t’i a zënë shtigjet kontrabandës, por në fakt duhet me dinakëri t’i vëmë në gjumë ndërkombëtarët! Kupton? Kalimi i karburanteve në Jugosllavi, neve na intereson. Është në interes të çështjes së shenjtë kombëtare. Matanë kufirit, shërbimet tona sekrete na sigurojnë, se i tërë kontigjenti që futim ne në Jugosllavi, shkon në Kosovë”. Unë nuk dua të shtirem aq syçelët, e ju siguroj se mund ta haja këtë karamele dhe andej e tutje do të kthehesha në Nju Jork me vetëdije krejt tjetër, edhe pse të gabuar.
Mbase nuk kish’ besim tek ju?
E pse duhej besimi, kur ai vetë thotë se qe deklaruar kundër embargos!!! I mungonte besimi tek i caktuari, tek përfaqësuesi i tij?! E kish më të plotë koenfidencën me varkaxhinjtë e fshatrave të Bunës?! Ju doni të më fyeni mua, apo Presidentin?
Ju mendoni se ky zbulim i vonë i këtyre ngjarjeve, ka pasoja?
Ja, kjo është pyetje shumë interesante! Nuk kam dëgjuar që përfaqësitë e huaja të jenë prononcuar mbi këtë zbulim. E kjo tregon, se tashmë ata janë mësuar me këtë lloj partneri në politikën shqiptare. Kam droje, se ata në të ardhmen nuk do të reagojnë më edhe për gjëra më skandaloze. Por, edhe opozita socialiste nuk ka bërë aq zhurmë, sa ç’bën zakonisht për gjëra më të vogla.
Si shpjegohet ky qëndrim, sipas jush?
Kjo mund të ketë dy shpjegime: Socialistët respektojnë amnistinë e ’97, që na i falka të tëra fajet që bëhen mbi këtë rruzull!Ose thyerja e embargos është vendosur qëkurse nga OKB-ja ajo nuk i ish imponuar Jugosllavisë ende, qwkurse ish në këmbë Komiteti Qendror, a është vendosur që me Titon bashkë! Dhe ka qenë ndoshta një nga ato vendimet e shënjta, që komunistët e athershëm u zotuan njëzëri ta zbatonin në çdo shartim pluralist që të përfundonin ata dhe partia e tyre!