Poezi nga Eva Sotiri

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Rruga e Zemres



Kalon i shqetësuar pranë syve të mi
A do, a nuk do te jesh ti aty..?
Dhe unë e përgjuar nga sytë e tu
Veproj pa kuptuar dhe vete po ashtu…


Në sy për çudi të ndizet një dritë
Sa herë bëj të iki më thotë vetëm “Prit!”
Sa herë qe afrohem ti shkon në qetësi
Dhe mbesim prapë hije dhe unë, edhe ti.


Po ndodh që zemra noton në qetësi
Atëherë një rrugë për atje e njeh ti.
Dhe dyert e zemrës i hap ti ndër netë
Me çelësin që jo nuk e kam as unë vetë.


Kur zemra e shqetësuar fillon rreh pastaj
Ti rend aty brenda, i zënë në faj.
Vështron hija jote përreth përsëri
Dhe humb në hapësirat që njeh vetëm ti.


Në Diell dhe në yje e shoh atë dritë
Kur nisem te iki më thotë veç “Prit..!”
Sa herë afrohem e joshur pastaj
Më bën të humbas si në një mjegullnajë…
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Tradhëtia


Tradhëtia - prita që errësira i ngriti Jetës,
Paradhoma e vdekjes gjithë myk dhe trishtim,
Armikja më e egër e së Vërtetës.
Edhe në mes të verës i fut shpirtit thëllim.

Fytyra dinake e vetë djallit mbi tokë,
Maskuar shpesh me pervijimin e dashurisë.
Acari që vret ndjenjat per miq e për shokë,
Nepërka që helmon dritën e mirësisë.

Lugina që e ka fundin e saj në ferr
Nuk lejon rreze drite në shpirtrat e dërrmuar.
E destinuar të kalojë përjetësinë në terr.
Qoftë larg nga ne dhe nga gjithë ata që duam.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Mall

Nuk e gjej dot kur nisi befas
Malli per ty.
Kur bashkë jemi a kur shkojmë
Ndjejmë mall të dy.

Kur jeta ëmbël përkëdhel
Plot dashuri,
Apo kur gurë të rëndë na hedh
Prapë mall për ty.

Nuk reshtet malli brenda një jete,
Do perjetësi.
Kudo të jem të kam me vete,
Ashtu dhe ti.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Sekretet…


Do doja ta njihja njeriun që mund të më thotë gjithshka
Për sekretet e veta.
Ta zhdukë përgjithmonë mbulesën e përhershme
Që fsheh ngjarje, shprehje, shikime
Te thella a vrasëse, të bardha a të zeza …


Me duar të dredhura apo të guximshme
Do doja ta shihja se si i hedh në letër
Gjithë pikat e panjohura të zemrës së tij.
Që shfaqen e zhduken si llampa qiellore
Në një përmasë tjetër …


Edhe pse mes metrikave të përmbysura
Do doja ta doja shumë atë njeri
Që mund të më flasë për lotët kur me turp ndjehej,
Për gjithë nënqeshjet e tij të fshehura,
Për të ndaluarat kënaqësi,
Dhe tek premtimet e pambajtura prej tij të kthehej.


Vetëm ashtu do mundem t’i dhuroj shpirtin tim
Frymëmarrjen kaotike,
Sa herë që Dielli pas reve të ankthit zhduket,
Arratinë nga realiteti kur i shëmtuar më duket,
Sytë e mbyllur kur përpiqen të mos shohin përreth,
Kurajon që shpeshherë e dëshpëruar struket.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Mjegull në shpirt


Bashkë me diellin dhe shiun na ra në pjesë
........................................edhe mjegulla,
Një lloj egërsie kallkan e së keqes përreth.
Më sjell trishtim sepse syve dhe mendjes së hapur
Tisin e genjeshtërt të së pavërtetës iu hedh…


Ndodh që symbyllur qëndrojmë në krahët e saj,
Harrojmë proverbin me ujkun që e deshi aq shumë.
Na pëlqen të harrojme realitetin pastaj,
Vallzimi me të ngjason me të vdekjes gjumë…


Njësoj si harresa – ka raste, na duket shërim.
Në hirin e saj sytë e mbuluar refuzojmë t’i hapim.
Për të mos parë disa çaste rreth vetes shëmtim
Passwordin e zemrës – të rrezikshmes mjegull i japim…
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Kur shkon e Diela


Po shkon e Diela, ne të pangopur
E mbajmë dhe pak, dhe pak…
Sikur të duam të frenojmë javën,
Të hënën ta mbajmë larg.


Se unë e di – të hënën bie
Me punën në dashuri…
Harroj ku jam, pastaj në hije
Ngadalë fshihesh ti.


Nuk është tradhëti, paksa harresë
Shumë zell e pak hutim.
Nuk di ku je, nuk di se ç’kthesë
I jep puna shpirtit tim…


Pastaj në netë rri mendohem:
A ndodh kështu me ty…?
Pak egoizëm më bën të zgjohem
Hyj në të tuat sy….
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Nëse Zoti do ishte poet…


Nëse Zoti do ish një poet
Do ulej dhe për orë të tëra ja, këtu.
Do t'ia ngulte sytë kësaj faqeje,
Ku kam shkruar poezinë time për ju.


Do t’i sodiste natyrën vargut tim
Frazat shenjtërisht duke i prekur.
Nëse Zoti do ish një poet
Do ish në mes nesh – kritik i heshtur.


Sigurisht në sy do më vështronte
Strofat duke ndjekur një nga një
Nëse vargun më të bukur do zbulonte
Do më fliste si e barabartë me të.


Në do ish poet, veç me një rime,
Do te më bente të ndez dritë e zjarr.
Me një tingull të rizgjoja reagime,
Vargu tjetër do mëkonte luftëtarë.

........

Zoti është poet, rrënjë poezie,
Kapur dorë per dore me Ty o Njeri.
Nëpër shekuj dhe në rrjedha historie
Ti – një penë e fortë në dorë të Tij.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Zemërimi…


Bota jone plot lajme të vjetra,
Që i ripërtyp për çdo ditë pa mëshirë...!
Si mund të mos ndjejmë zemërim,
Si mund të ndjehemi mirë!


Jetë e mbushur plot me gënjeshtra,
Me padrejtësi, shfrytëzim
Si mundet të jemi të qetë?
Si mund të mos ndjejmë zemërim?


Një “mik” që dhuratë sjell zhgënjimin,
Një plan që shkon keq s’di për ç’shkak…
Si mund ta dëbojmë zemërimin
Që ulet këmbëkryq në çdo prag?


Por jeta është tepër e shkurtër
Çdo sekondë që nuk hidhet kot
Na bën ta braktisim mërinë,
Të "shijojmë" këtë stresuese botë.


Dhe pak, mes stuhisë të durojmë,
Si barka qe velat lëkund...
A thua gjithshka do të mbarojë
Pa gjetur të drejtën askund...?!
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Naim Frasherit


Këndo të lutem përsëri
se vargu yt është një këngë plot melodi…
Me penë në dorë përsëri
Një varg, një këngë për Shqipërinë,
Për Dashurinë,
Për Perëndinë!


Më thuaj vallë ata sy
Mes atij zjarri si mund të shuhen, nuk e di?
Ndoshta krijojnë një konstelacion të ri…
Dhe bijtë e tu ende asgjë nuk dinë
Nëse ndrin prapë për Shqipërinë,
Për Dashurinë,
Për Perëndinë!


Një varg, një shenjë më dërgo
Që veç një herë të ndjej si digjeshe në to…
Prapë Diell për Vendin Tënd Ti zgjo!
Një Diell të Ri për Shqipërinë,
Për Dashurinë,
Për Perëndinë!
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Mësuesve të mi


Në njërin skaj të trurit, padukshëm diku
Mes gjithë valëve të jetës, aty qëndroni ju.

Si një dosje e mbyllur në një sirtar kujtimesh
Në rrjedhat e momenteve, ju jeni pikëtakime.

Mësimet nuk qenë thjesht siç thotë teoria…
Falë jush tinguj pervoje – mendimeve të mia.

Ju falem se gjithë orët më sollët vetëm dhjeta,
Por më shumë për përvojën si duhet nisur jeta.

Vërtet kish dhembshuri, leksione të arrira,
Por kishte edhe cmirë, inate dhe mërira.

Pa kish edhe urrejtje, si e ardhmja e prerë në mes…
Kish nga ata që falnin një notë për interes.

Ju falem për të gjitha, mësuesit e mi
Natyra njerëzore – përvojë e gjallë tani.

Pa ju dhe ato probleme do merrja jetën lehtë,
Nuk do kuptoja dot se lufta është e shenjtë.

Se kurrë nuk është asgjë siç thotë një teori
Më shfaqët jetën – xhungël, mësuesit e mi…!
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Skënderbeu i Krujës



Dy sytë e derdhur në bronz
Vështrojnë andej larg, tej nga malet…
Një qiell i trazuar në sfond
Si det i mbuluar me valë.


Atje ku qëndron përjetësisht,
Nga malet vështrimin drejtuar,
Një fllad që fryn butësisht
Fëshfërin për të t’shplodhur, shpenguar.


Mbi shpatën tënde zogjtë
Cicërojnë lehtësisht pa pushim.
Pranë teje prapë njerëzit e tu
I sheh në çdo mbrëmje dhe zgjim.


Nuk kanë të mbaruar stuhitë
Që nga malet vijnë plot gjëmim
Por në malet e larta drejtohet
Përjetë i yti vështrim…!


Nuk mbarojnë asnjëherë pabesitë
Që Shqipërisë i trokasin sërish
Por ti dhe i derdhur në bronz
E tërheq si magnet – lartësish …!


Nuk ka minuta për prehje
Në sytë e bronztë – horizontit.
Qetësi sjell në zemrat e njerëzve
Je shpatë e Dorës së Zotit.


Në kohë te këqia e të rënda
Në kaos apo çmenduri …
Ti je atje dhe në zemra
Gjithmonë na risjell krenari.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

--------------------------------------------------------------------------------

Për ty, Nëntor


Nëntor, ti gjurmën fuqishëm
Në jetët tona e le.
Na sjell lavdinë madhërishëm
Si dritë nga shekujt magjishëm
I pandryshuar ti je.


Ka lënë tek ty zemrën Gjergji
Dhe shpirtin dhe shpatën me të,
Së bashku me thirrjen e tij:
Lirinë nuk jua solla unë – një njeri
Mes jush e kërkoni atë…!


T’u përkul Ismail Qemal fisniku
Me flokë të bardha e me zemrën flakë
Në ditët e tua shpresat kurrë nuk i fiku
Tek ty la shpirtin dhe iku
Pasi na solli flamurin e larë me gjak.


Tek ty u përkulën heronjtë partizanë
Bijtë e bukur që kjo tokë mban në gji
I skuqën javët e tua dhe gjakun e tyre dhanë,
Lotët që derdhe për ta kurrë nuk u thanë
Se jetën e dhanë për liri.


Tek ty ëndërroi Kosova
E dërrmuar, plagosur por me kokën lart.
Ti i solle asaj krahë shqiponje,
I ktheve qëndrimin e vërtetë prej Zonje
Që kurrë s’e humbi, që përjetësisht mbart.


Të lutem une ty sot, Muaj i Bekuar
Të ndrish për ne në keto ditë përsëri.
Të bësh të kuptojmë se liri e kërkuar
Është në mes nesh gjithmonë e praruar.
Ajo do Bashkim, Dashuri, Mirësi.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Qëndro


Ti vëlla i imi
Ndize zemrën zjarr!
Verbo pengesë-shpikësit
Dhe qëndro shqiptar.

Në dritën e ditës
Sheh rrugën ku shkel,
Porse natën shtegu
S’dihet se ku del…

Dhe në labirinte
Bashkë me shokë e miq
Mund të hyjë padashur
Gjarpëri lakuriq.

Ka hequr lëkurën
Këmbët s’i fsheh më…
Forco mik retinën,
Zbuloje atë !

Se me errësirën
Helmin sjell tek ty
Edhe çdo vëmendje
Humbin ata sy.

Më pas s’di ç’të ndodhi,
Më pas s’di kush je,
Derisa i humbur
Endesh në këtë dhe.

Neper netët – dritë
Ndize zemrën zjarr
Kapërce pengesat
Dhe qëndro shqiptar.

Mbaji sytë hapur
Ti vëlla, ti mik
Erës ktheju ballas
Mos u tremb, mos ik.

Lirisë hapi zemren,
Me diellin jeto.
Erresirës dorën
Kurrë moj ja afro.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Fjalët që era m’i përcjell…


Fjalë që bëhen jetë,
Që bëhen s’di se si…
Bëhen pluhur yjesh,
Që bëhen shi,
bëhen kujtime
që bëhen poezi…!

Dhe ndodh që arrin hijeshia e heshtjes
midis nesh papritur…
Hijeshi e mjegullt dhe e thellë,
Si dielli në det, perëndimit duke zbritur.

Ne heshtim
Si të përkundur
nga fjalët tona të munguara
Pjesëmarrës
Në të njëjtën heshtje,
Nën retë e bardha anonime
Që shëtisin si të cunguara
Dhe na mjegullojnë trurin
Pa zë, pa fund, pa anë…
Pasi pasqyrojnë heshtjen
dhe pritjen
në sytë tanë…

Nëse na ndodh
Që do duhet të largohemi
nga njëri – tjetri për pak,
Me siguri do ta bëjmë në një ditë shiu
Që askush të mos arrijë të dallojë lotin
që fytyrën lag…
Ose në një ditë të mjegullt dimri
Që askush të mos arrijë dot
të dallojë zbehtësinë
që vjen ashtu si kot...

Jo, s’e dija se ekzistonte dikush në botë
Për të cilin do kisha kaq shumë dëshirë
T’i ndjeja frymëmarrjen
Murmuritjen e ëmbël dhe të heshtur
Nuk e dija se dikush do më emociononte
Aq shumë
Sa të dëgjoj erën
duke kujtuar fjalët që më thotë.

Era shkon e vjen si fjalët e tij
Pak të pasigurta
dhe plot dashuri.
Era sjell e përcjell fjalët tona të brishta,
Fjalët tona të munguara
Dhe i vesh me buzëqeshjet që lindin
Në momentet që jemi bashkë
Si tinguj këngësh të pakëndura.

Era ndodh që të jetë më inteligjente se ne
Se me shpoti bën lojra të mrekullueshme
Me mendimet e mia të trazuara…
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Forca e jetës


Femra – forca më e madhe e botës
dhe pse s'ka si mashkulli krahë muskulozë.
Ajo është që jetës i jep jetë nga zemra
edhe pse depërton në të dhimbjes prognozë.


Ajo është qëndresa e veshur aq bukur
me më të hijshmen bukuri,
Që krah të bëhet si më i miri shok
në ditë të mira dhe në fatkeqësi.


Ajo është buzëqeshja skaj më skaj qiellit,
Pa të cilën bota nuk do kish kuptim.
Siç del mes reve rrezja e Diellit
Ashtu dhe ajo i fal jetës gëzim.


Loti i derdhur syve të saj
Është plagë në zemër të Perëndisë
Femra e lumtur rrit bij të mençur
Kurorë e të ardhmes së shoqërisë.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Harresa dhe subkoshienca


Do mrekulloheshe apo do heshtje përlotur,
Do habiteshe vërtet edhe ti…?
Situatë e çuditshme ku dhe ti si unë
Do mbeteshe shtangur e di….

Të them se habitem me veten tani
Kur shoh se si kujtmi yt
I zverdhur, si një foto pa cilësi,
Ngre kryet si i nemitur

Nga përgjumja e përjetshme
Ku, nuk e di se ç’forca të panjohura,
Të padukshme, të ethshme
Mes harresës sime e kanë zhytur.

Nuk kam dëshirë të të kujtoj aspak.
Nuk dua as të dëgjoj ëndrrave fjalët e tua
Në netët pa hënë, pa gjurmë, pa cak…
Vërtet nuk dua, jo, nuk dua…

Por ja, ajo dinakja e madhe, e heshtur
Delikatja , herkuliania trime
Si mikeshë besnike të ka mbetur:
E pagjuma subkoshienca ime!

Ajo bën që të rrëzohet qoftë edhe për një çast
Pushteti magjik i harrimit
Dhe minutat e rënda që vijnë pastaj
Të të blatohen, si të denuar në gijotina flijimi...
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Pritja


Sa shumë padurim,
moskuptim
në kaos idesh shoqëruar!
Sa pikëpyetje pafund
tek dikush që shpreson
në një pritje – zgjim…

Edhe kur s’i ngjan
Penelopës së adhuruar,
si ajo durimin lëkund,
labirinteve të kohës
harruar…

Kur njeriu shndërrohet
në ëndërr, në ajër, në zë,
pas një pritjeje të tillë,
i natyrshëm
s’mund të jetë më.

Sepse një ëndrre s’mundesh
t’i dhurosh dashuri.
Faji i askujt s’mund të jetë
kurrsesi…

Ashtu si dikur
nuk kthehet dot më.
Se më të afërt bëhen
plot yje në qiell,
pika shiu
kur netëve zë,
këngë trumcakësh
në ditët pa diell.

Kjo e gjata pritje
labirint absurd,
kotësinë përkund.
Nis nga Penelopa,
stërzgjatet përhumbshëm
dhe është e pafund…
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Frutat e urrejtjes


Rriten fushave të minuara,
Zemërim dhe hakmarrje mbuluar.
Mbillen në varre masive
si ushqim makabër
Për dheun e zi blatuar.

Varur nëpër degë të pemëve
a me një plumb në kokë, si në një çmenduri,
përçudnuar karrigeve elektrike
a me një litar rreth qafës,
pa u kënduar as edhe një elegji.

Nuk janë të ëmbla dhe të lëngshme ato fruta,
Por të përgjakura deri në babëzi.
Nuk i përkasin botës së bimëve
Por asaj të kafshëve
deri në shtazëri.

Farat e tyre janë të forta
Si injoranca që i prodhon.
Kush ushqehet me to nuk sheh njerëz përreth
Por vetëm armiq
Tej e mbanë percepton.

Kush i kultivon nuk pranon më arsye
Por vetëm dhunë gjithkund.
Piqen në një stinë të quajtur luftë,
Stinë e urryer,
që vdekjen përkund.

Përfundojnë ato fruta deri në shtëpitë tona
Në një servis të një propagande vulgare
Dhe kujtohemi se i kemi para syve
Kur ndodhemi befas
nën grackën e tyre tinzare…
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

NE DITELINDJE


Në ditëlindjen e nënës

Gjthë lulet per ty,
gjithë fjalët e zemrës,
Gjithë malli në vargjet e mia,
Pak jane e di …
Në ditëlindjen tënde o Nënë!
Ti vetë je e gjithë poezia.


Buzëqeshje e ëmbël,
Shqetësim i përjetshëm,
Larg teje gjatë s’mund të rri
Se më mungon ajri,
Nuk e kuptoj veten
Sa herë pranë meje s’je ti.

#########################


Në ditëlindjen e vëllait


Dua të të dhuroj më të mirat
E botës sonë të trazuar:
Së pari miqësi,
Pastaj të gjitha ato
që shpesh kanë munguar
qetësi, mirësi, siguri…

Dua të të dhuroj sinqeritetin
Ashtu si çdo ditë
e gjej tek ti.
Mendimin real dhe mbështetës,
Kurajon dhe forcën e jetës
Për t’u përballur me rrebesh e stuhi.

Dua të të dhuroj gjithshka,
Gjithë mbarësinë
që jeta njeriut i sjell.
Të them të mbetesh i tillë
Si deri tani
Me mençurinë që gjithmonë përcjell.

#########################


Në ditëlindjen e të dashurit

Nuk di më nëse ke ti ditëlindjen sot,
Apo është dita kur unë kam lindur…
Jemi një dhe nuk di më ku është dallimi
për secilin nga ne të dy…
Konfuze po pres urimin tënd, shpirti im,
Në vend që të të uroj unë ty…!

##########################


Në ditëlindjen e një heroi

Unë e festoj çdo vit ditëlindjen tënde,
Që e vogël e mbaj mend.
Tani nga pasqyra s’më sheh më ajo vajza e vogël
Që buzëqeshte me imazhin tend.

Tani më sheh një 28 vjeçare,
Kurse ti je përsëri tridhjetë e nëntë.
Gjakun tënd të derdhur e nderon gjithë bota,
Bëhet poezi, legjenda, këngë…

#########################


Në ditëlindjen e një keqbërësi

Në një ditë dhjetori mes resh zymtuar,
Mes erës kuçedër që fryn e shfryn
Edhe pse më dukesh humbëtirave shkuar,
Ditëlindja jote mendimeve hyn..

Sikur të mundja të ribëja kalendarin
Viti do kishte një ditë më pak…
Ka ditë që sjellin vërtet acarin,
Që gëzimin shuajnë, pa njohur cak…

Një ditë dhjetori ka shkuar kot
Se lindja jote bën pjesë në të.
Dhe pse ti, prej kohësh, i fshirë nga bota
Dhjetori si më parë, nuk kthehet më.

#########################


Ne ditëlindjen e një gënjeshtari

Kur duhet të të uroj?
E mban mend ditëlindjen e vërtetë
Apo dhe atë e ke humbur…?
Duke gënjyer përditë e më shumë,
Ndoshta ke filluar të besosh
Gënjeshtrat e tua pa fund,
Që po të marrin edhe ty si një lumë.
 

lim

Primus registratum
Re: Poezi nga Eva Sotiri

Duke menduar për Ismail Kadarenë…


Është mirë dhe keq të jesh binjakët
Në shenjat e zoodiakut.
E ndarë përgjysëm rri mendoj
Qëllimet, rend mbas shkakut….

E ndarë përgjysëm sot për ty
Të ngre në piedestal,
Të vë kurorë si Jul Çezar,
I lartë je si një mal….

Si një binjake e pashërueshme
Nuk rri dot pa menduar:
Pse labirinteve të jetës
Kaq shumë ke devijuar…!

Nga njëra anë të adhuroj
Për madhështinë brilant,
Nga ana tjetër s’të kuptoj
Pse veten kudo mbart….?

Mos ti vërtet mendon dhe ndjen
për veten tënde shumë..?
Mos më lejo të ndjej zhgënjim
Në kohën mbushur zhurmë.

Ka shumë që veten e harruan
Dhimbjeve të Shqipërisë,
Vërtet për ta nuk ndjej dyzuar
I shoh mes madhështisë…

Unë jam binjake e pandreqshme
S’rri dot pa të menduar.
Diçka kërkoj që pas kësaj
Për ty mos ndjej dyzuar….
 
Top