Re: Po Berisha ku e ka vendin ne Historinë e Popullit Shqiptar ???
ZGJIDHNI DHE KRYETARIN E RI TË PD-SË, I DASHUR BERISHA
MUSTAFA NANO
I dashur Berisha,
Kjo është letra e parë, me të cilën ju drejtohem publikisht. Me siguri që do të jetë dhe e fundit pasi, meqë u deshën gjithë këto vite për të shkruar të parën, do të duhet shumë më tepër se kaq për të shkruar të dytën. Shkak u bë nga njëra anë një ceremoni e bujshme e promovimit si demokratë rishtarë të nja tridhjetë e kusur vetëve dhe nga ana tjetër përkimi krejt rastësor midis kësaj ngjarjeje dhe një shkrimit tim të tri ditëve më parë, ku ngrija hëm problemin e përdorimit, hëm problemin e injorimit të know how-t shqiptar. Eshtë aq i fortë ky përkim, sa dikujt mund t’i jetë dukur sikur e kemi ujdisur bashkë edhe shkrimin tim, edhe ceremoninë tuaj.
Në pamje të parë ju bëtë atë që mungon në politikën shqiptare e që unë e nxisja me shkrimin tim tek gazeta “Shekulli”; me një fjalë, ju i kthyet sytë nga ajo pjesë e shoqërisë, që unë e quaja know how, e që ju e quani prej kohësh shoqëri civile. Eshtë lëvizje interesante kjo, i dashur Berisha. Personalisht, mua s’ma ka prerë mendja ndonjëherë se ai njeri, që vetëm disa vjet më parë ngrinte kultin e partisë së qëndrestarëve, fliste për rruspa e burgje, i thosh bushtër nënkryetares së Parlamentit, fuste hundët në krevatin martesor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, trajtonte banditët e Lazaratit si luftëtarë të lirisë, shihte qytetarët e Mamurrasit e Bushatit si mish për topin e pushtetit të vet, apo bënte aluzion mbi pakte të ndërkryera me policët e Korçës e Pogradecit për të mos lejuar mbatharakët e pushtetit të merrnin arratinë një ditë pas fitores së vet, s’ma ka prerë mendja pra se një njeri i tillë do t’i jepte udhë këtij projekti të partneritetit politikë-know how e se ky projekt do t’i shkonte fjollë. Nuk ma ka marrë mendja, edhe ngaqë juve ju kam parë të prerë si shef qëndrestarësh (s’e keni idenë se sa kuptim keni patur e keni në krye të qëndrestarëve), edhe ngaqë kam menduar se, bash ngaqë jeni i prerë si kapo qëndrestarësh, nuk do t’ju afrohej askush nga jashtë PD-së. Mirëpo jam i befasuar, edhe nga ju, edhe nga ata që hynin të lumtur ( o Zot, sa të lumtur ishin!) në skenë, pasi ju i prezantonit një e nga një si “njerëzit më të shquar në këtë e në atë lëmë të shkencës, të kulturës e të mendimit shqiptar ( o Zot, si nuk skuqeshin nga këto pallavra!)”. Përfundimisht, e pranoj që e kam patur gabim.
Kjo lëvizje, i dashur Berisha, është – dhe këtu po bie dakord me shumicën e atyre që e thanë një fjalë për këtë ngjarje – inteligjente. Eshtë një lëvizje e njimendtë politike. Eshtë kështu, jo sepse keni afruar pranë vetes “njerëzit me kontributet më të shquara” (lërini këto karakterizime në keni perëndi, pasi edhe delfinët tuaj më të rinj i vutë në pozitë të vështirë atë ditë), por sepse me këtë ceremoni keni dëshmuar forcën tuaj për të ndjellë ende aspirantë për pakëz pushtet e keni dëshmuar forcën tuaj për t’iu futur shkelmin kollaj-kollaj atyre që ju kanë mbajtur në atë post deri më sot, qëndrestarëve pra. Keni dëshmuar gjithashtu se jeni i gatshëm të bëni gjithçka që është e nevojshme në funksion të lakmisë suaj për pushtet. Ju jeni një nevojtar par excellence, i dashur Berisha. Dhe nuk ka gjë që të mos e bëjë një nevojtar, teksa kërkon të përmbushë egzigjencat e veta jetësore (nevoja për pushtet është për ju tamam një egzigjencë jetësore, bash siç është nevoja për të harbuar e Fatos Nanos, bash më në fund siç është nevoja e të ngujuarve prej gjakmarrjes për të nxjerrë pakëz kokën në dritaren e shtëpisë-kullë).
E dini çfarë, i dashur Berisha? E bëtë që e bëtë këtë gjë, çojeni deri në fund. Zgjidhni ndër rishtarët demokratë edhe një kryetar rishtar të Partisë Demokratike. Dhe kështu, kjo lëvizje është mrekullisht e plotë. Do të ishte mirë që të zgjidhnit fillimisht kryetarin e PD-së, e pastaj Komitetin e Orientimit të Politikave, por edhe me kokëposhtë shkon mirë ky proces. Partisë Demokratike i duhet më shumë se çdo gjë tjetër një kryetar i ri. Dhe ju e dini se pse. Partia Demokratike nuk është katandisur në këtë gjendje, ngaqë e kanë patur fajin Jozefina Topalli, Bamir Topi, Ridvan Bode, Spartak Ngjela, Jemin Gjana, Sokol Olldashi, Vili Minarolli, etj. etj. Partia Demokratike nuk i ka humbur zgjedhjet deri më sot, ngaqë i kanë vjedhur votat (po të ish kjo, ju s’do të kishit nevojë për spektakle të tilla me “njerëzit më të shquar”); as ngaqë nuk ka prezantuar një program, pasi ju vetë keni thënë të gjitha herët që “ky program elektoral është programi më i mirë dhe shpëtimtar për Shqipërinë”, ashtu siç keni thënë po të gjitha herët se “kandidatët për deputetë të PD-së janë ajka e shoqërisë shqiptare”. Sigurisht, nuk ka qenë kështu si keni deklaruar ju, por e vërteta është që Partia Demokratike nuk ka humbur prej kësaj rrene elektorale.
Për të fituar zgjedhjet përballë një pushteti tejet të korruptuar si ky i PS-së (ju jeni dakord që ky pushtet është shumë i korruptuar), nuk ka qenë nevoja e një PD-je të përkryer. Jo! Do të mjaftonte një PD dosido, por jo me ju në krye. Kam frikë se edhe këtë radhë, shqiptarët do të votojnë sipas logjikës së njohur: o për Berishën, o kundër Berishës. Mund të bëni edhe një ceremoni tjetër, ku të nxirrni në skenë edhe 140 vetë me kontribute po “kaq të shquara”, por në fund zgjedhësit do t’i shohin që të gjithë këta “yje” si nevojtarë gjithashtu. Nevojtarë për një çikëz pushtet, por edhe shërbëtorë të atij që, për hir të pushtetit, sot promovon karrierën politike të nja dyzet vetëve mbi kurrizin e qindra të tjerëve, të cilët kanë qenë të gatshëm të jepnin dhe jetën për të rrëzuar socialistët nga pushteti, dhe nesër do të promovojë karrierën politike të nja dyzet të tjerëve mbi kurrizin e yjeve të saposhfaqur në horizontin e politikës shqiptare.
Berisha, bëjeni lëvizjen e fundit. Zgjidhni dhe kryetarin e ri. Nuk është shumë e hijshme të zgjidhni ju kryetarin e një partie, që nuk ka kuptim pa ju në krye, por bëjeni këtë gjë për hir të shporrjes së sigurtë nga skena të këtij pushteti. Me ju në krye të PD-së, shqiptarët do të kenë frikë se këta do të mbeten prapë, ndërsa me ju në pushtet shqiptarët do të kenë frikë po njësoj, nga ju. Duhet ta lini postin ju, Berisha. Kjo është çështja.
Post scriptum më i gjatë se vetë scriptum-i: E shoh këtë letër një rast të mirë për të shpjeguar “makthin” tim anti Berisha. Vetëm ju e dini që këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë makth, ashtu siç vetëm ju e dini që në qëndrimet e mia kundër jush nuk ka asgjë personale, ashtu si nuk ka asgjë ideologjike (besoj se e keni verifikuar që nuk më lidh asgjë me pushtetin e socialistëve). Mua nuk më keni futur shkelmin si shumë të tjerëve në PD, pasi unë nuk kam qenë ndonjëherë personazh i rëndësishëm brenda partisë suaj e me siguri nuk më keni konsideruar si kundërshtar problematik brenda ish-partisë sime. Mua nuk më keni hequr si ministër apo si funksionar i pushtetit tuaj, pasi asnjëherë nuk kam qenë i tillë. Mua nuk më keni akuzuar si spiun, siç keni akuzuar Preç Zogajn faqe të gjithëve, pasi nuk kam qenë spiun; mua nuk më keni akuzuar andart grek, siç keni akuzuar Arben Imamin, pasi në vitin ‘97 nuk kam qenë në Shqipëri; mua nuk keni dashur të më fusni në burg e nuk më keni rrahur, siç keni rrahur (jo ju personalisht, por njerëzit tuaj) boll njerëz, deri dhe ministrat e ish-ministrat tuaj; mua s’më keni djegur ndonjë redaksi, siç ja keni djegur Nikollë Lesit; shkurt hesapi, mua s’më keni bërë asgjë të keqe. Përkundrazi, më keni bërë – sipas këndvështrimit të shumicës së shqiptarëve – ndonjë të mirë a nder. Dua t’ju them, i dashur Berisha, se refuzimi sistematik që i kam bërë leadership-it tuaj bën vaki që mund të ngrihet mbi ndonjë frymëzim të gabuar (këtë po e lë të diskutueshme), por nuk ngrihet mbi asnjë frymëzim të lig. Të njëjtin arsyetim mund të bëja edhe me mik-armikun tuaj, Fatos Nanon, të cilin e kam refuzuar dhe e refuzoj nën të njëjtin frymëzim e me të njëjtën qartësi. Po e dini se çfarë ka ndodhur, i dashur Berisha? Gjatë gjithë kohës që unë kam bërë gazetarin, më ka gjetur belaja veç me berishianët. Nuk është se më ka gjetur ndonjë gjë kushedi se çfarë, por veç këta dërgojnë letra tek redaksia e “Shekullit”, ku nuk lënë gjë të zezë pa thënë në adresën time; këta mbushin faqet e internetit me sharje të lloj-lloj-shme; këta më kanë shqetësuar me telefonata të ndyra; këta nuk më kanë lënë të flas dy fjalë në një tubim të “Mjaft”-it (nuk më harrohet një prej tyre, një mesogrua, e cila m’u afrua një ditë prej ditësh e më tha me një tërbim, të cilin unë ia lexoja tek sytë që i shkrepëtinin nga urrejtja: “ti që sulmon doktorin, je njeriu më i zi i kombit”. O Zot, edhe sikur të kisha një mendim të mirë për ju, i dashur Berisha, do të më mjaftonte kjo frazë e kësaj gruaje të pafajshme e kjo kategori njerëzish që ju mbështesin, për të mos qenë asnjëherë pro jush. Nuk mund t’ia lejoj asnjëherë vetes të mbështes njerëz, të cilët, ndërsa flasin për mbrojtjen e lirisë, nuk nënkuptojnë edhe mbrojtjen e lirisë për të mos rënë dakord me ta. Më duket se ka qenë Mahatma Gandi ai që ka thënë: “do të jepja dhe jetën, që kundërshtari im të kishte lirinë për t’u shprehur”. Futeni vath në vesh këtë kredo kaq të thjeshtë, besimi apo mosbesimi në të cilën ndan liberal-demokratët nga bolshevikët. Po ta mësoni më në fund kaq gjë, hallall t’i keni këto ceremonira mes “njerëzve me kontributet më të shquara”. Por kam frikë se pikërisht këtë gjë ju nuk mund ta mësoni kurrë. Ju jeni bolshevik i pandreqshëm, i dashuri im.