Tatuazhet dhe piercing-u, janë përdorur vazhdimisht nga kultura të ndryshme. Në kohët e lashta, për disa popuj tatuazhet shërbenin si hajmali kundër shpirtrave të këqinj dhe rreziqeve. Disa të tjerë i përdornin për kurimin e sëmundjeve.
Në shoqëritë tribale, piercing dhe tatuazhet përdoreshin si shenjë hierarkie, për të përcaktuar rangun në të cilin bënin pjesë anëtarë të ndryshëm të një tribuje.
Shenjat, materiali dhe pozicionimi i tatuazheve janë karakteristika, të cilat identifikojnë secilin klan. Madje dhe martesat midis të rinjve duhet të kryheshin vetëm me anëtarët, të cilët mbanin shenjat e klanit tjetër.
Egjiptianët e kanë filluar këtë traditë që nga vitet 4000-2000 para erës sonë. Detarët europianë, të cilët udhëtonin drejt ishujve të Polinezisë, janë impresionuar nga tatuazhet që mbanin gratë dhe burrat.
Duke filluar nga viti 400 para erës sonë, japonezët i përdornin tatuazhet jo vetëm si ornamente dhe objekte që lidheshin me besimin fetar, por dhe si mjete për identifikimin dhe ndëshkimin e kriminelëve. Në fund të shekullit të XIX, tatuazhi u përhap gjerësisht në familjen mbretërore në Angli dhe në shtete të tjera.
Ashtu si tatuazhi edhe piercing ka një histori më vete. Ai është përdorur shpesh në radhët e familjeve mbretërore, nga ushtarët romakë dhe faraonët egjiptianë, si shenjë guximi dhe burrërie.
Në kulturën orientale, koncepti i tatuazheve pothuajse nuk pranohej, për shkak të kristianizmit. Ndërsa para disa viteve, tatuazhet konsideroheshin si forma më antike dhe origjinale e shprehjes së krijimtarisë njerëzore dhe ishin karakteristikë e një kategorie të caktuar njerëzish si ushtarë, kriminelë, anëtarë bandash etj. Në ditët e sotme, ato po përdoren nga të gjithë njerëzit dhe shihen si një fenomen modern, që po përhapet me ritme të shpejta sidomos në radhët e të rinjve.
Vite më parë, për pikturimin e tatuazheve përdorej kënaja, e cila konsiderohej nga specialistët si mjeti më i sigurtë. Ditët e sotme përveç kënasë kanë hyrë në përdorim dhe materiale të tjera. Përsa i përket kohëzgjatjes së tatuazheve ende ekzistojnë probleme.
Dëshirat momentale i detyrojnë shpesh të rinjtë të bëjnë tatuazhe të përkohshme, por ka patur raste që efekti i këtyre tatuazheve ka zgjatur më tepër se disa muaj, ndryshe nga ç'mund të kenë premtuar tatuatorët. Megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve, numri i të rinjve, të cilët kanë dëshirë të ndërmarrin iniciativa të tilla me trupin e tyre, sa vjen dhe rritet...
Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI