Pasazh i një drite luhatëse…
- Kaloi një muaj, - them dhe i lëshoj fjalët mbi pshertimë. Shpresoj se ngadalësia do të më krijojë mundësinë për të parë mirë se çfarë më kishte shpëtuar gjatë kohës së trallisjes, kur e pushtuar nga afshi i dashurisë, më dukej sikur bota qe e dehur, ndërsa unë duhej vetëm t’i mbushja hojet e bronkeve me aromë lulesh, të dëgjoja cicërima zogjsh dhe të gëzoja e lodroja me shpengimin e një perëndeshe, (kështu më çuçuriti në vesh herën e parë dhe gjithmonë kur takoheshim e zhyteshim në shpirtin e njëri tjetrit në një pleksje kurmesh zhuritës, aq sa dukej sikur do të shkriheshim për t’u bërë një) - qëkurse u ndamë për herë të dytë. Përse u rikthye...?!
Nuk qe ankojë.
Për mjaft kohë qe miku im më i mirë dhe një ditë më befasoi me çfarë pasoi kur më shpjegoi me fjalë të errëta, thuajse të kapura prej rastësisë, diku në ndonjë skutë të qenies. Tha se ndihej i vetmuar dhe tepër i dëshpëruar. Qenien e mendoja si një ngatërresë hojesh, prej nga mund të shtrydhej mjaltë por edhe të luzmonte një tufë grenxash, ndaj duhej trazuar me kujdes. Megjithëse kohët e fundit më shfaqeshin qoshe të çrregullta, në gjysmërrësirë, plot errësirë, ku patjetër diçka përgjon, përshembull; një rrjetë merimange. Ai tha se qe duke kaluar një krizë shpirtërore dhe se, nuk dinte çfarë kërkonte prej çastit, imagjino prej jetës, pas kësaj kërkoi të bënim seks. Në çast m’u duk sikur më fliste nga një anë tjetër, diku larg meje, njëlloj jehone e çuditëshme që kërkonte një përsëritje, por unë e gjeta veten në fund të honit e mbi të gjitha na ndante një errësirë e thellë, trembëse. Nuk u skandalizova sepse e gjykova si një qëndrim të nxitur nga gjendja, por sidoqoftë e refuzova qetësisht dhe thuajse duke qeshur, madje mund të tregoja edhe një shakatore, nëse nuk e merrte për të keq. “Jo, tha, nuk e marr për të keq. Edhe një shakatore më ndihmon”.
Por kërkesa e tij u përsërit të nesërmen dhe unë pas pak nuk kisha më asnjë shakatore në arsenalin tim, aq më shumë që në marrdhëniet po shtrihej si një monotoni vrasëse dhe s’më pëlqente ta humbisja. Kërkesa kryhej çdo ditë me rregullin e një riti. Përsëritej si pikat e shiut kur binin nga streha, njëra pas tjetrës dhe të ngjashme ... ashtu si dy pika uji. I qëndrova tundimit për mjaft kohë derisa një mbasdite të errët dimri, kur jashtë binte një shi i qetë dhe pa zhurmë, ose ndoshta kështu më dukej ngaqë zyra ndodhej në katin më të lartë prej ku soditej shpalosja e një pamjeje mjaft surreale, gjithçka ndryshoi.
Qe shpërbërje e natyrës në një thuajse që e kishte kuptuar se çfarë do të ndodhte dhe përpiqej të pengonte sa më shumë një të keqe me papërcaktueshmërinë e vet që unë nuk e dalloja. Një gri e thellë fundosej sëbashku me lagështinë dhe ndalej paksa mbi sipërfaqe, (në katin e dytë, mendova) sidoqoftë e mjaftueshme për të krijuar idenë e reve, ndërkohë që pallatet e larta dukeshin sikur ishin zgjatur befas, aq sa e krahasova me harlisjen e bimëve në pyjet ekuatoriale. Një garë e ethëshme për të dalë sipër njëri tjetrit deri në atë pikë ku shpresa mund të ndërtojë një suazë qiell, një ditë të veçantë dhe një rreze dielli që bie aty këtu mbi faqe muresh. Pastaj u ngjetha sepse imagjinova ngjarjet e kateve përdhese dhe të rrugëve; kalimtarët mbi këmbësoret e lagura, atë tutje-tëhu makinash dhe ndonjë i vetmuar që struket në qoshe për t’i shpëtuar marrëzisë së erës. Nuk di përse por era më futi drithmën dhe po mundohesha të numëroja ditët sikur të ishin gurë kilometrikë për të parë se sa larg njëri tjetrit ndodheshim, dhe kështu u përballa me çastin kur e kuptova se më mungonte, njësoj si plaku që rri në prag të shtëpisë, apo mbi minder dhe kalon tespiet prej qelibari një e nga një, pa i parë, sepse, nga çasti kur e di jetën përmendësh, zbulon domethënien domethënies.
Ai, ishte mbrapa meje, e ndjeva frymën e tij që ra mbi zverk, pasi mënjanoi flokët lehtë me dorë. Trupi u ngjeth dhe në pak sekonda mornicat nuk ishin gjë tjetër veç një ide e shpërfytyruar e shkëndijave që ngriheshin lart si xixëllonja. Zjarri përvëlues ishte këndellur. E lëshova sërish veten në krahët e tij dhe ai duke më ngritur peshë më çoi drej tavolinës së shkrimit, ndërsa unë zgjata krahun duke i rrëzuar të gjitha fletët e hapura mbi të si gjethe vjeshte që i rrëmben rrjedha e ujit...
Ishte marrëzi e përsëritur si një mallkim?
Të nesërmen bëri sikur nuk më pa, filloi të shmangej...E kapluar prej dëshpërimit, nuk dija ku të mbështetesha dhe thuajse e nxitur nga një tjetër paradoks, mendoja se ato çaste ishte më e lehtë për mua të qëndroja pezull, në ajrin e lagësht e të ftohtë, përtej dritares, se sa mbi pllakat e lëmuara dhe ajrin e ngrohtë të zyrës E mbi të gjitha tashmë i përvidhesha edhe tavolinës që më dukej si shtrati i Prokustit. Ndërsa hodha sytë tej xhamllëkut, me tmerr, vura re tjetër gjë, ose kishte qenë gjithçka ashtu por unë duke qenë e zhytur në një vorbull marramendëse, e shikoja ndryshe edhe një ditë dimri. Mungonte bimësia përherë e gjelbër tropikale. Ngjyra gri qe tepër e zymtë për të qenë veti resh puplore, grimca të padukëshme uji që i largohen njëra tjetrës sepse vetëm kështu mund të vozitin në qiell. Grimcat bashkoheshin, shndëroheshin në pikla shiu dhe rëndoheshin, kështuqë fati i tyre shënohej njëherë e përgjithmonë si një rënie në pavetëdije. Dilemë. Pasoi një shkulm batice, shpalosje përmbytëse që vërshoi dhe përfshiu pallatet, majat e tyre, tarracat dhe çatitë e kuqërremta. Diçka tjetër u përvijua në horizont; shkëmbinj koralorë që nxjerrin kokën paksa, përgjojnë anijen e rradhës që do të përplaset për t’u përpirë nga valët, duke lënë sipër relike velash të bardha si krahë ëngjësh të rënë nga qielli.
Brrrrr ftohtë.
Dhe e kuptova se largësia është si një erë e fortë, mund ta shuajë zjarrin e dashurisë nëse ai është i mekur, por kur është i fortë e ndez më shumë. Pastaj i them vetes po përpiqesh të gjesh një ngushëllim. Më erdhi të pështirë. Vetëtimthi, kishte hyrë pa rradhë, si një dhunim, dita që shënoi ndarjen e parë, kur nuk ndihesha mirë, e ndërsa po i gëzoheshim njëri tjetrit pikërisht në çastin e orgazmës më mbyti të vjellët. Pas kësaj filloi të më quajë “e vjella ime” derisa e mërzitur iu luta të mos më drejtohej më ashtu sepse më kujtonte diçka për të cilën ndihesha keq. Tashmë që largësia u hap sërish midis dhe era frynte si e marrë nga njëra qenie te tjetra, vendosa ta përballoja.
E pyeta dhe u përgjigj me pak fjalë kaq të ngjashme si tejdukshmëria e xhamit të madh që nuk i mban piklat e shiut por i rrëshqet duke i flakur pa mëshirë në honin që hapet posht, gati gati si një cipëz ajkulli nën këmbë që vizaton përpirjen me vija plasaritjesh si një pikturë abstraksioniste.
- I dhe jetë fantazisë tënde seksuale... - tha sikur të flitej për një moskokëçarje. - Ishe në qiellin e shtatë, - bëri aluzion për katin ku ndodhej zyra, por tashmë nuk desha të dëgjoja më.
Cinizëm që ma akullsoi trupin. Ika si e përhumbur duke u çapitur në hapësirë përhitjesh.
Është e ligjëshme të biesh viktimë e tundimeve? Çfarë të bëj nëse rikthehet?
Atë çast e kuptova se isha lëshuar si e marrë në errësirën ndarëse dhe e vetmja gjë që munda t’i them vetes ishte diçka e përafërt me një këshillë:
Para se të bësh një hap në errësirë, ndiz një dritë në mendjen tënde...
Jashtë nuk frynte erë, por zjarri ishte shuajtur gjithsesi...
Te drejtat jane te autorit. R. Koçiu.