Parlamenti të mos e ratifikojë, të pritet edhe hyrja e opozitës

Parlamenti të mos e ratifikojë, të pritet edhe hyrja e opozitës

Vladimir Beja, ish-komandanti i forcave ushtarako-detare të Republikës së Shqipërisë

“Presidenti, si garant i Kushtetutës, duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të marrë në analizë marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë dhe të shqyrtojë ligjshmërinë e saj, si dhe të verifikojë nëse është në përputhje me Kushtetutën Shqipërisë”.

Apeli vjen nga Vladimir Beja, ish-komandanti i forcave ushtarako-detare të Republikës së Shqipërisë. Z. Beja, duke folur nga pozitat e politikanit shprehet se kjo marrëveshje nuk duhet të kalojë në heshtje dhe pastaj të gjejë miratim në momentin e fundit në seancë plenare nga deputetët. Sipas tij, pika më e dobët dhe që lë vend për dyshime është ngutja dhe mungesa e transparencës.

“Kjo marrëveshje kaq e rëndësishme për vendin, duhej të shqyrtohej në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, ku të raportohej me hollësi nga Komisioni i Ekspertëve, për metodologjinë e zgjedhur, hartat dhe teknologjinë e përdorur, për matjet e kryera si dhe elemente të tjerë të eksperiencës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare”, thekson Beja, që e cilëson këtë si përpjekje
për të bërë politikë dhe për të nxjerrë përfitime politike të ditës, në dëm të interesave kombëtare.

“Pakti me Greqinë për ujërat territoriale nuk duhet që të miratohet në asnjë mënyrë nga Kuvendi, pasi ai vë në pikëpyetje integritetin territorial të vendit tonë”, shprehet Beja, që shton se pikërisht kjo marrëveshje duhet të diskutohet edhe në praninë e deputetëve të opozitës, që kanë bojkotuar Kuvendin prej fillimit të Legjislaturës së 18-të.

“Parlamenti nuk ka asnjë arsye të ngutet dhe ta ratifikojë këtë marrëveshje ndërqeveritare dhe aq më tepër pa prezencën e opozitës, e cila përbën gati 47 për qind të Kuvendit”.

Z. Beja kujton përvojën personale dhe thotë se nuk janë zbatuar as procedurat minimale në hartimin e marrëveshjes së kufijve detarë mes Shqipërisë e Greqisë, procedura që sipas tij duan shumë kohë dhe duhet të jenë shumë transparente.

Ai kujton bisedimet e 17 viteve më parë për një marrëveshje të tillë me Italinë dhe problematikën që ajo paraqet. “Për të firmosur marrëveshjen me Italinë kanë qenë përpjekje 3 vjeçare ku komisionet tona për një fjalë goje i riktheheshin bisedimeve dhe këto bisedime zgjasnin me muaj të tërë vetëm për të përcaktuar metodologjinë.

Në këtë proces nuk janë zbatuar as procedurat minimale për hartimin e kësaj marrëveshjeje dhe me të drejtë flitet se ka mungesë transparence”-përfundon ish-komandanti i forcave ushtarako-detare të Republikës së Shqipërisë, Vladimir Beja.(Shekulli)

VsoPb0Fq05U

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23708. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23708

Top