Re: Parashqevi Simaku
Simaku dhe Gaçe i kthehen skenës
Alma Mile
01-12-2006
LAJMET E FUNDIT
Liban- Forcohen masat e sigurise per protesten e opozites
Indonezi, nje termet 6.6 balle trondit ishullin Sumatra
Bashkia e Fierit debitore ndaj KESH, ndëshkohet me ndërprerjen e dritave
Topalli: Zgjedhjet lokale, elementet thelbësor i demokracisë
Vlore, 2 te vrare dhe nje i plagosur gjate nje atentati me arme
Për Radio Televizionin Publik Shqiptar duket se muaji dhjetor do t’i kushtohet i gjithi festivalit të fundvitit. Ka kohë që kanë nisur përgatitjet dhe tani pritet që këngët të ngjiten në skenë. Siparin e ngrenë më të rinjtë. Në datat 4-5 dhjetor në pub “Venue” zhvillohen dy netë spektakël që do transmetohen më vonë në ekranin e TVSH-së. Këngëtarët për herë të parë janë ndarë në kategorinë e të rinjve dhe atyre “big”. Nga të parët do të zgjidhen dy më të mirët për të hyrë në konkurrimin e Festivalit të Këngës në RTSH. Nën regjinë e Petri Bozos, në netët që do të ndiqen nga një publik i kufizuar, prezantohen 20 krijime që interpretohen nga këngëtarë të rinj. Por mësohet se, pavarësisht dy netëve tek “Venue”, këngët e të rinjve do të dëgjohen të gjitha të kënduara live nga komisioni i festivalit për të zgjedhur paraprakisht dy fituesit. Gjatë këtij seleksionimi mësohet të ketë patur edhe disa “incidente” të vogla. Disa prej të selektuarve me pretendimin se nuk janë “të rinj” u tërhoqën nga gara. Ndërkohë që në listën e “big”-ëve shquhen emra këngëtarësh shumë të rinj, mundësisht “etheistë”, të cilët mësohet të jenë futur në këtë rang për shkak të vlerave të tyre dhe jo për shkak të moshës. Nata e të rinjve, pasohet nga ajo “Gala”, e cila do të zhvillohet në 13 dhjetor, me rastin e 45- vjetorit të Festivalit të Këngës në RTSH. Kjo mbrëmje, regjia e së cilës i është lënë në dorë Osman Mulës, ndërsa udhëheqja artistike, kompozitorit Gjergj Leka, mbledh rreth vetes këngëtarë, kompozitorë të një brezi tashmë të tërhequr nga skena, ose të larguar jashtë vendit. Por festa e vërtetë mendohet të jetë vetë festivali që zhvillohet në 21-23 dhjetor.
Në garë janë 32 këngë, krijime kompozitorësh të njohur, që vijnë përmes emrash si Frederik Ndoci, Enkelejda Kodra, Jonida Maliqi, Alban Skënderaj, etj. Tashmë është bërë publik fakti që regjia e festivalit iu besua regjisorit Pali Kuke, prezantimi Adi Krastës, i cili thuhet se do të shoqërohet gjatë netëve të këngës nga dy bukuroshe, emrat e të cilave ende nuk bëhen të njohura. Festivalit nuk do t’i mungojnë të ftuarit. Krahas grupit boshnjak “Hari Mata Hari” dhe disa këngëtarëve të rinj shqiptarë që interpretojnë në skena të huaja, po bëhen përpjekje për të sjellë në Tiranë, një nga yjet e muzikës italiane, Laura Pauzinin. Megjithë kontaktet, ende nuk ka një konfirmim për ardhjen e saj.
Një rast për Parashqevinë
Parashqevi Simaku është një nga të ftuarat e mbrëmjes “Gala”. Nga zyra e shtypit e festivalit, mësohet se këngëtarja është një nga emrat surprizë të festës së 45-vjetorit. Simaku është një nga këngëtaret më të suksesshme shqiptare të para viteve ‘90. Ajo u largua drejt Amerikës në vitin ’92 dhe ndryshe shumë këngëtarë, apo artistët e tjerë të larguar ka mbajtur një qëndrim të ftohtë me skenën shqiptare. E martuar me amerikanin Robert Nolfe, Simaku shumë shpejt u ndje pjesë e vendit të madh. Këtë e tregoi edhe theksi i saj amerikan në të folur, në shfaqjen në një nga festivalet e RTSH-së, disa vite më parë, ku ishte e ftuar. Edhe albumi i saj i parë ishte në gjuhën angleze “Fly in my temple”. Një fatkeqësi familjare e detyroi të vinte për herë të fundit në Shqipëri, ku kishte lënë përgjysmë një turne koncertesh në vitin 1999. Me “Këngët e popullit tim” Simaku dha disa koncerte në disa qytete të Shqipërisë mes tyre edhe në Tiranë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Disa muaj më parë, ajo hodhi në treg një album me këngë popullore shqiptare “Jehonë nga Iliria”, duke iu kthyer kështu origjinës.
Kthimi i rebeles
Është një nga të larguarat e fundit. E suksesshme, ekstravagante, e fuqishme, pse jo edhe e vlerësuar. Aurela Gaçe është një tjetër këngëtare që pritet të vijë për “Galanë” e Festivalit të 45-të në RTSH. Këngëtarja vlonjate u shfaq fillimisht në skenën e Koncerteve të Pranverës dhe krijoi profilin e saj në festivalet e fundvitit, ku ka marrë jo pak trofe. Janë të paharrueshme këngët e interpretuara nga ajo: “E kemi fatin shpresë e marrëzi”, “S’jam tribu”, “E pafajshme jam”, “Nata” e shumë të tjera. Gaçe shquhej jo vetëm për interpretimin e fuqishëm dhe realizimin e këngëve të vështira, por edhe për një paraqitje skenike të veçantë. Aurela Gaçe është një tjetër këngëtare shqiptare e larguar drejt Amerikës. Momentalisht është një nga më të kërkuarat për të ndezur me zërin e saj ambientet e frekuentura nga komuniteti shqiptar në Amerikë.
“Hari Mata Hari”, s’është alarm i rremë
Është folur edhe herë të tjera se do të vijë në Shqipëri. Këtë herë nuk kemi të bëjmë me alarm të rremë. Një nga të ftuarit e “Fest RTSH 2006” është grupi nga Bosnje-Hercegovina “Hari Mata Hari”. Një vit më parë, në një kohë kur kënga shqiptare nuk arriti të futej as në natën finale, kënga “Lejla” e kënduar nga ky grup, një kompozim i një tjetër artisti të njohur Zhelko Joksimoviç, zuri vendin e tretë në Festivalin Evropian të Këngës. Këngët e “Hari Mata Harit” janë ndër baladat e dashurisë më të njohura në ish- Republikën jugosllave. Pas një karriere individuale të katër anëtarëve, grupi u themelua në vitin 1985 në Sarajevë. Ka dhënë rreth njëmijë koncerte dhe ka shitur rreth 5 milionë disqe
marre nga shekulli