Re: (None)
Dashuria asht
Shpëtim Kelmendi
Je përballë meje, por s?di herë mbas here më duhet të vjedh diçka nga profili yt në pasqyrën përskaj, për me gatue pak guxim që mandej me të pa në ata sytë e ty kthjellët në të cilët prania ime asht varkëz prej letre mbi nji liqen të vetmuem. Mes heshtjes ti thua papritun nji fjalë që nis e bleron mbi tryezë, e unë nuk di nëse duhet të kundroj harlisjen e saj, apo të përgjoj gulçet e zemrës sime që ka fillue me m?u endë pak si tepër nëpër gjoks, sa asnjiherë nuk e di me saktësi se ku ndodhet. Mendoja se kisha jetue, por mandej erdhe ti e mbas shpinës sime pashë të më buzëqeshte frikshëm nji shkretëtinë e verdhë me dunat e ranës që përhidheshin si buaj të hasdisun. Në fillim nuk ishe, por unë nisa me të krijue dalëngadalë, dhe kur portreti yt mbaroi vuna re se kisha përdorë ngjyrat e fundme të rinisë sime. Mandej fillova me të kërkue gjithandej mbi këtë botë që ngrysej përherë e ma shumë në gjoksin tim. E dija që je, sepse të kisha krijue vetë dhe thjesht kisha humbë kujtesën e vendndodhjes sate. Koha ishte aty, por veç më duhej të rrija jashtë saj që të mund ta vëzhgoja sa ma mirë, ashtu siç vëzhgohet nji ndërtesë që mund të shembet nga çasti në çast. Ndonjiherë më bahej se shihja gjurmë të kalimit tand mbi ndonji tingull që mund të ishte hare a pikëllim, mbi ndonji aromë të dikurshme parfumi, ose mbi ndonji rreze të vështrimit tand që mund të kishte humbë rrugën a qëllimin.
Je përballë meje, dhe tue të pa çuditem sesi ka mundësi të vazhdosh me qenë e dukshme, e sidomos aq jashtë ndërkohë që e ke vendin mbrenda meje. Të shoh si pjesë të shkëputun prej gjoksit tim; mund të jesh zemër, mushkëri, mëlçi, apo ndonji tjetër organ vital të cilit nuk ia kam mësue emnin prejse nuk kam besue se nji dorë e padukshme që quhet dashni do mund të ma zhvaste prej gjoksit për ta vendosë përballë meje. Në ty adhuroj gjanë time, dhe asht e drejtë nëse ndonjiherë më hovet dëshira me të pushtue, me të kafshue në pjesët tua të zbulueme, apo me të gllabërue krejtësisht si nji krokodil; kjo jo për me të ba dam, kurrsesi, por vetëm që mbas kësaj të mos e mbaj ma mendjen tek ti, e thjesht të ndjej sesi rifunksionon në mua organi i humbun vital, së cilit, meqë bie fjala, duhet t?ia mësoj medoemos emrin. Kjo prirja ime kanibaleske ka edhe plot kuptime të tjera, të cilat nuk jam në gjendje me i shpjegue por thjesht me i ndi, dhe asht pak a shumë e njejta gja që na ndodh kur duam të shqyrtojmë Zotin, hapsinën, lirinë, vetminë, bukurinë, neverinë,lumturinë e sa e sa gjana që lidhen me përvojat e jetëve të shkueme. S?di pse mendoj se njerëzit e shohin përjetimin e fortë të ndjenjave si nji rrezik që duhet shmangë, por me kujdes ama, tue u mundue me ofrue pamjen dhe iluzionin e atij që në të vërtetë po e kërkon. Jo, njerëzit nuk kërkojnë dashninë, sepse ajo zgjon terror; na detyron të nxjerrim në sipërfaqe dobësitë, pasiguritë, ankthet, pikëllimet, arrogancën, vetminë, mungesën e lirisë,e sa e sa gjana të tjera që kutërbojnë në gjirizin e pavetëdijes sonë e që do na padisnin keqas para vetes. Po , sigurisht që do ndjeheshim keq, por ama do të ndjeheshim edhe të vërtetë. Njerëzve u pëlqen të flasin për dashninë si për diçka që pothuajse nuk asht kurrë e pranishme, si për diçka që s?egziston, si për diçka që të hap telashe apo të si për diçka që të shmang nga qëllimi i jetës. Por Zoti krijoi universin, tokën, jetën, gjallesat, njeriun e gjithë ç?na sheh syri e mëndja, vetëm për shkak të dashnisë, e kjo duhet të na bajë me besue se dashnia, dhe kjo e jona tokësore, asht vetë qëllimi i jetës.
Je përballë meje e më vështron me ata sy të lëmekun në të cilët lexoj kuptimin e qënies. Nuk më thua se më do, nuk më thua se je këtu për mua, nuk më thua se jam i pranishëm edhe me mungesën time. Nuk më thua asgja. Je përtej fjalës. Ndoshta fjala ishte litari që të hodhi në këtë anë të humnerës ku jam unë, por tashmë ai litar luhatet i padobishëm prejse vështrimi yt më thotë se nuk ke për ta përdorë kurrë ma. E të besoj. Sepse dashnia asht besim. Nuk ka dyshime, nuk ka egoizëm, nuk ka gënjeshtra, nuk ka urrejtje, nuk ka asgja për të cilën duhet të na vijë turp. Them se ajo asht unike, nji bashkësi e plotë ndjesish të shkrime në nji të vetme, që zotnon kohën e hapsinën e që prapëseprapë ia del të mbyllet në caqet e zemrës sonë njerëzore. Unë them?
Por ti je përballë meje e më vështron. Nuk thua asgja. Nuk ke nevojë të thuash asgja. Nuk të pyes se ç?asht dashnia, sepse e ndjej që përgjigja jote derdhet prorë në mua nëpërmjet vështrimesh që më zgjojnë ritmet e reja të gjakut:
Dashnia asht.
Krishnamurti
Dashuria është diçka e re, e freskët, e gjallë. Nuk ka të djeshme as të nesërme. Është përtej mendimit. Vetëm një mëndje e pafajshme e njeh çfarë është dhe një mëndje e pafajshme njeh vetëm një botë të pafajshme. Të gjesh këtë gjë të mrekullueshme që bota e ka kërkuar përmes sakrificës, adhurimit, marrëdhënies, seksit, përmes çdo forme kënaqësie dhe dhimbjeje, është e mundur vetëm kur mendimi kupton veten e tij dhe shkon në mënyrë natyrale drejt fundit. Atëherë dashuria nuk ka të kundërt, nuk ka konflikt. Mund të pyesni, ? Nëse gjej një dashuri të tillë, çdo të ndodhë me gruan fëmijët dhe familjen time? Kur nuk dini ç'të bëni, atëherë nuk bëni asgjë. Absolutisht asgjë. Atëherë përbrenda jeni komplet i qetë. Kjo do të thotë që nuk po kërkon, nuk po dëshiron, nuk po ndjek; në fund të fundit nuk ka qendër. Pra ka dashuri.