Re: nipat e berishes...
Nipi i Gjinushit kapet me 120 kg drogë
Lënda narkotike u kap nga policia e Gjirokastrës në dy makina, njëra e Kuvendit dhe tjetra e Gjykatës Kushtetuese
Forcat e policisë së Gjirokastrës bllokuan dje 120 kg lëndë narkotike të tipit kanabis sativa dhe arrestuan nipin e Skënder Gjinushit dhe një shtetas tjetër, të cilëve iu gjet droga në makinat e tyre. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bënë të ditur se forcat policore arrestuan dje rreth orës 08:30 të mëngjesit shtetasit Armando Mustafa Gjinushi, 30-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shofer në Kuvendin e Shqipërisë, dhe Gentian Gëzim Alizoti, 29-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shofer në Gjykatën Kushtetuese.
Policia bëri të ditur se arrestimi i tyre është bërë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me targë TR 6874 E, tip "Wolkswagen Bora", me drejtues shtetasin Armando Gjinushi, u gjetën dhe sekuestruan 66 pako me peshë 70 kg, e dyshuar lëndë narkotike. Ndërsa në automjetin me targë TR 4807 J, tip "Hyndai", me drejtues shtetasin Gentian Alizoti, u gjetën dhe sekuestruan 49 pako me peshë 50 kg, e dyshuar lëndë narkotike. Të gjitha pakot ishin të mbështjella me letër natriban, në formë cilindrike dhe u gjetën të fshehura në bagazhet e automjeteve.
Operacioni, i cili u konkludua me arrestimin e shtetasve Armando Gjinushi dhe Gentian Alizoti, si dhe sekuestrimin e 120 kg lëndë e dyshuar narkotike, u zhvillua dje rreth orës 08.30, në vendin e quajtur "Ura e Subashit". Operacioni është zhvilluar bazuar në informacionet e grumbulluara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Ndërkohë, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë kryer veprimet e para proceduriale dhe ndaj shtetasve të sipërpërmendur është marrë masa e arrestit në flagrancë. Gjithashtu, bëhet e ditur se grupi hetimor i kryesuar nga kryeprokurori i rrethit të Gjirokastrës, Alfred Agolli, ka filluar procedurat penale ndaj të ndaluarve.
Policia bëri të ditur se pas kontrollit dhe peshimit të sasisë së lëndës narkotike, rezultoi se në makinën e Armando Gjinushit ndodheshin 63 pako me 1.2 kg hashash, ndërsa në makinën e Gentian Alizotit, 48 pako, edhe këto me nga 1.2 kg hashash secila. Operacioni për zbulimin e sasisë së lëndë narkotike nisi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi policia kishte marrë informacion në rrugë operative. Ndërkohë për këtë ngjarje reagoi edhe ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, i cili e cilësoi si ngjarje të rëndë kapjen e lëndës narkotike në dy makinat shtetërore. Bëhet e ditur se makina me targë TR 6874 E, tip "Wolkswagen Bora", që drejtohej nga Armando Gjinushi është e administratës së Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa makina tjetër me targë TR 4807 J, tip "Hyndai", me drejtues shtetasin Gentian Alizoti, është e sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Pak kohë më parë, policia bllokoi një sasi droge në një makinë shtetërore. Në një makinë tip ambulancë që vinte nga Fieri në drejtim të Tiranës, policia sekuestroi rreth 300 kg kanabis sativa dhe vuri në pranga drejtuesin e autoambulancës dhe një shtetas tjetër. Policia e Shtetit bëri të ditur se po lufton intensivisht trafikun e drogës.
Gjinushi me drogë, nuk është rastësi
Skandali i kapjes me drogë të shoferit të një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, është tepër i rëndë. Jo rastësisht ky krim i radhës ka lidhje me ish-kryetarin e Parlamentit, Skënder Gjinushi. I arrestuari me mbi 100 kilogram drogë nga policia e Gjirokastrës është nipi i ish-kryetarit të Parlamentit dhe është punësuar në administratën e Kuvendit të Shqipërisë në prill të vitit 2001, vetëm tre muaj para se Gjinushi të largohej nga detyra. Gjinushi është akuzuar në mënyrë të vazhdueshme nga ish-bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë si njeri i lidhur me trafiqet e drogës, kontrabandës si edhe me grupet e krimit të organizuar në Shqipëri.
Lidhjet dhe shfaqjet e hapura të Gjinushit me botën e errët të krimit ishin krejt të dukshme gjatë rebelimit komunisto-mafioz të vitit '97. Gjinushi ishte lideri kryesor politik i grupeve të armatosura, që në përbërjen e tyre kishin trafikantë të drogës dhe të qenieve njerëzore, si edhe kriminelë të dënuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo e huaj. Më pas, kur ishte në krye të Parlamentit, Gjinushi është akuzuar se ka lejuar gomonet të niseshin drejt vendit fqinj, me drogë dhe klandestinë. Jo vetëm kaq, por është folur shumë se Gjinushi ka patur lidhje me elementë të grupit terrorist "Hakmarrja për Drejtësi".
Arrestimi i nipit të Gjinushit që u kap me drogë në makinën e shtetit, është një rast tjetër që u shtohet rasteve të shumta që konfirmojnë lidhjet e ngushta të krimit të organizuar me pushtetin e djeshëm. Përpjekjet e vazhdueshme të strukturave të ligjit dhe mbështetja e gjithanshme e qeverisë së kryeministrit Berisha në betejën me krimin e organizuar dhe trafiqet, po japin rezultate për të shkëputur lidhjet e krimit me politikën. Prej një kohe shumë të shkurtër, qeveria ka arritur të shkatërrojë disa nga bandat më të fuqishme që kanë patur lidhje me politikanët e majtë dhe të vërë në pranga dhjetra trafikantë droge, pas të cilëve qëndrojnë ish-pushtetarët e djeshëm.
www.rilindjademokratike.com
Ps: e sheh kontrapedali ku jane rastet e tjera /pf/images/graemlins/wink.gif