
Mësohet se drafti me ndryshimet ligjore, propozon miratimin e disa dispozitave që penalizojnë ata shqiptarë të cilët marrin pjesë në konflikte të armatosura, përjashtuar rastet kur janë pjesë e formacioneve ushtarake të palëve ndërluftuese. Burimet, saktësojnë për “A1 Report” se ndërhyrjet ligjore janë të konsultuara me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe me ekspertë të njohur të së drejtës penale.
Kjo iniciativë e ligjvënësve, pritet të përfshijë penalizimin jo vetëm të shqiptarëve që marrin pjesë në konflikte jashtë vendit, por edhe ata persona që rekrutojnë për të marrë pjesë në luftë jashtë atdheut.
Gjatë këtyre ditëve, pritet që këto ndryshime të paraqiten në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve të martën, për t’iu nënshtruar më tej edhe diskutimeve në komisionet parlamentare.
Nisma vjen si një domosdoshmëri, në kushtet kur deri më tani, zyrtarisht mësohet se të paktën 6 shqiptarë kanë humbur jetën në konfliktin e armatosur sirian.
Pak ditë më parë Kosova propozoi një ligj të posaçëm për të dënuar deri në 15 vjet, të gjithë shtetasit kosovarë që marrin pjesë në konflikte jashtë vendit të tyre.
Burimi: Lajm-Shqip.com