Kosova Mustafa Dhe Thaçi Në New York, Në Samitin Global Të Liderëve Kundër ISIS

1443271732thaci-mustafa.jpg

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi udhëtuan të shtunën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në samitin global të liderëve kundër ISIS-it dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm që do të mbahet në New York. Në këtë samit do të diskutohet për të arriturat e shteteve në luftën kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Dhe për këtë qëllim pjesë e delegacionit kosovar është edhe ministri i brendshëm Skënder Hyseni. Kosova është vlerësuar si njëra ndër vendet me numrin më të madh të shtetasve të saj, për frymë, që i janë bashkuar luftërave në Siri e Irak.

Sidoqoftë, kjo nuk do të jetë fokusi i vetëm i delegacionit qeveritar. Siç njofton qeveria e Kosovës, kryeministri Mustafa do të fokusohet në punën lobuese për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë bërë këtë.

Ai do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë të administratës së shtetit, kryeministra të shumë vendeve të BE-së, si dhe liderë të shteteve të ndryshme anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe të shteteve që ende nuk e kanë marrë vendimin formal për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ndërkohë përvec njohjes së pavarësisë, e rëndësishme mbetet edhe përkrahja e shteteve për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, theksohet anëtarësimi në Unesco për çka Kosova tashmë i ka hyrë garës.

Nga ana e tij zëvendëskryeminstri Thaçi shkruan në Facebook se po udhëton drejt New Yorkut për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara duke paralajmëruar takime me zyrtarë të departamentit të shtetit, OKB-së e BE-së. Siç shkruan Thaçi “shumë mundësi për të lobuar për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.
 
Top