Pa)Barazia Gjinore dhe Ndikimet në Familje dhe Shoqëri
Përveç stratifikimit sipas moshës, e vetmja universalje tjetër kulturore sipas të cilës bëhet shpërndarja e roleve sociale është ajo në bazë të seksit. Rolet e femrave, përgjatë kulturave dhe historisë, në përgjithësi janë karakterizuar me diskriminim. Pse ndodhë e gjithë kjo në të gjitha shoqëritë botërore!?
Për të folur për këtë problematik duhet kuptuar së pari dallimin në mes të termit seks dhe atij gjini. Sikurse shumë sociolog, edhe Jan Robertson e sheh ndarjen e qenieve njerëzore në dy kategori fundamentale të bazuar në seks – në dallimin biologjik në mes të femrave dhe meshkujve. Të gjitha shoqëritë, megjithatë, e elaborojnë këtë fakt biologjik si nocion sekondar jobiologjik të “gjinisë mashkullore” dhe “gjinisë femërore”. Këto koncepte nuk i referohen seksit po gjinisë – dallimeve të mësuara kulturore në mes të meshkujve dhe femrave. Ashtu siq e gjejmë edhe tek Anthony Giddens, mashkull dhe femër është ajo çfarë me lindje jemi, por gjini mashkullore dhe gjini femrore është ajo që përmes një socializimi të caktuar ne bëhemi. Me gjini pra i referohemi karakteristikave sociale, si dallimeve në prerjen e flokëve, mënyrën e veshjes, sjelljes, roleve të punës dhe aktivitete të tjera të mësuara përmes kulturës. Mirëpo, kur jemi këtu, duhet cekur se ekzistojnë edhe shumë kritika që konsiderojnë dallimet seks/gjini si dihotomi të rrejshme në mes të biologjikes dhe shoqërores. Filozofi francez Michael Foucalt, me ndikim të madh në sociologji që nga vitet e 70-ta, mohon të ketë çfarëdo dallimi biologjik, pra dallim seksi, e që është në çfarëdo mënyre jashtë shoqërores. Po ashtu sociolog të tjerë dallimin biologjik e konsiderojnë si diçka ekstra-sociale dhe ngriten kundër pikëpamjes që gjinive ua mohon rëndësinë e vërtetë të trupit. Kritika tjetër ka të bëjë me mënyrën sipas të cilës gjinia si koncept fokusohet në dallimet në mes të femrës dhe mashkullit në bazë të pushtetit dhe dominimit, andaj disa sociolog preferojnë që të përdoret termi patriarkalizëm si koncept kryesor organizues. Madje, disa thonë se fjala gjini është futur në fjalorë vetëm për t’i ikur fjalës seks. Atëherë, për të vazhduar më tutje me analizimin e dallimeve të sekseve dhe ndikimit të tyre në ndarjen e roleve sociale mund të thuhet se “nëse pranohet se është e nevojshme të konsiderohen dallimet biologjike dhe struktura e pushtetit në raport të elaborimit të konstrucionit shoqëror të dallimeve, koncepti gjini ka përparësi në studimin e mashkullores dhe femrores, raporteve mes sekseve, pozitës sociale të femrës si dhe të pranimit të llojllojshmërisë kulturore e historike dhe të ndryshimeve në vend të përgjithësimit të analizave” (Gordon Marshall).
Dallimet mashkull-femër
Për t’iu përgjegjur pyetjes se sa në të vërtetë dallojnë sekset, sociologët kanë shtruar argumente nga tri diciplina: biologjisë, që tregon për dallimet fizike në mes të meshkujve dhe femrave dhe efektet e mundshme në sjelljen e tyre; psikologjisë, që na tregonë për natyrën e origjinës së dallimeve të mundshme të personaliteteve në mes të sekseve; dhe antropologjisë, që tregonë për dallimet në rolet gjinore përgjatë kulturave të botës (Jan Robertson). Pra, meshkujt dhe femrat janë të ndryshëm biologjikisht dhe atë në gjenet e tyre, të cilat japin kopje të trashëguar për zhvillimin fizik. Meshkujt dhe femrat kanë po ashtu dallime në hormonet e tyre, substanca kimike që sekretohen përmes gjëndrave të ndryshme të trupit. Pos kësaj, ekzistojnë dallime të qarta në anatominë e sekseve apo në strukturën fizike dhe në dukje. Të gjitha këto dallime biologjike janë shumë të rëndësishme për shoqërinë meqenëse bëjnë më të lehtë përcaktimin e seksit të individëve dhe, e hidhur por e vërtetë, bëjnë që meshkujt të jenë më të fuqishëm fizikishtë sesa femrat. Nga kjo del se fuqia e tyre u jap meshkujve potencial që t’i dominojnë femrat përmes forcës, fakt ky që shpjegon se pse nuk ka ekzistuar kurrë asnjë shoqëri në të cilën femrat kanë pasur status më superior sesa meshkujt. Por, sikurse anatomia të jetë vendimtare dhe gjinitë të jenë kryesishtë të determinuara nga dallimet në lindje, atëherë statuset dhe rolet e meshkujve dhe të femrave do të duhej të jenë përafërsishtë të njëjta në të gjitha kulturat. Mirëpo, nëse këto karakteristika sociale ndryshojnë në masë të madhe nga një kulturë në tjetrën, atëherë gjinit
ë mund të jenë shumë më fleksibile se sa që është menduar në të kaluarën. Pra, përkundër evidencave biologjike, psikologjike dhe antropologjike, është e qartë se njerëzit mund të socializohen në modele të ndryshme të roleve gjinore, por shumë shoqëri mbeten në ruajtjen e pabarazisë në mes të meshkujve dhe femrave. Pse ndodhë kështu?
Ruajtja e (pa)barazisë
Si shoqëri e sapodalë nga robëria e lufta, e që nga shumë konsiderohet si e çliruar nga çdo detyrim i mundshëm, respektivishtë e lirë edhe nga tradita e kultura kombëtare, jemi duke kopjuar dhe përjetuar pothuajse të njëjtat transformime të roleve sociale (kryesishtë në popullatën urbane), që dekada më parë i kanë kaluar shoqëritë perëndimore. Mirëpo, si duket ne ende nuk po e kuptojmë rëndësinë e këtyre ndryshimeve, rëndësinë e kopjimit të kulturave tjera, se sa janë të dobishme apo se sa janë të dëmshme. Ne, siq ka shkruar Gani Bobi, e keqkuptojmë universalizmin kulturorë, duke u munduar të bëjmë shkëputje totale nga tradita për të “kërcyer” në një kulturë tjetër. Nëse dallimi dhe pabarazia në mes të gjinive në shoqërinë tonë konsiderohet si diçka negative, atëherë duhet kërkuar zgjidhje, por njëkohësishtë duhet paraparë të ardhmen duke qenë të përgatitur për pasojat që ky “shpërthim revolucionar i femrave” mund të sjellë me vete.
Gjatë dekadave të fundit mund të thuhet se me qindra njerëz kanë sfiduar marrëdhëniet tradicionale të sekseve, sidomos në shoqëritë urbane të vendit. Poashtu, numër gjithnjë e më i madhë i grave kanë hyrë në jetën ekonomike dhe duke bërë këtë kanë fituar jo vetëm të ardhura materiale, por edhe pavarësinë. Kjo mbështetet edhe nga pikëpamja e teorisë së konfliktit (Engels), sipas së cilës rolet tradicionale gjinore reflektojnë konfliktin e pushtetit në mes të meshkujve dhe femrave, dhe kjo do të ndryshojë kur femrat do të marrin më shumë pushtet duke luajtur role ekonomike edhe jashtë shtëpisë. Dhe, është e vërtetë se shumë ndryshime kanë ndodhur. Role të reja ekonomike i kanë sjell femrave barazi më të madhe me meshkujt si dhe mjaftë mundësi të reja, në veqanti shancën për të përjetuar se çka është karriera dhe arritjet në botën jashtë shtëpisë. Por, grat që punojnë nuk i kanë këmbyer thjeshtë punët shtëpiake me karrierën – ato kanë marrë përsipër që të dy obligimet, punët në shtëpi dhe punën me pagë. Meshkujtë pranojnë të ndihmojnë në punët shtëpiake, por jo të konsiderohet kjo si obligim, përderisa femrat janë mësuar përmes traditës që punët shtëpiake t’i konsiderojë si respekt ndaj vetes dhe të tjerëve.
Përfitimet dhe humbjet
Sa i përketë meshkujve, ata në përgjithësi kanë reaguar pozitivishtë në rritjen e barazisë së femrave. Në fakt, vetë rolet e tyre, që konsideroheshin më të “plotësuara” se rolet e femrave, janë poashtu në një llojë fluksi. Meshkujve u lejohet tani një personalitet më i butë dhe shprehës e që do të ishte konsideruar si i papërshtatshëm para disa dekadave. Shembull, stili “John Wayne” i viteve të 50-ta nuk lë më përshtypje as tek meshkujt e as tek femrat (Ian Robertson).
Kjo që u tha tregon se në rrjedhën e ndryshimeve të shumta sociale që kanë kapluar pothuajse të gjitha shoqërit perëndimore, gjithnjë e më shumë individët zgjedhin se çfarë duan ata për veten – apo çfarë duan të jenë! Nëse për një moment kujtoni se çfar sot mund të shihni nëpër rrugët e qyteteve tona, nëpër media, nëpër shkolla, atëherë lirisht mund të thuhet se aty jemi – kemi hyrë në ciklonin e ndryshimeve që nuk dallon më gjinin, mund të dukesh si femër apo si mashkull, është çdo ditë e më shumë qështje personale.
Sociologu Jonathan Gershuny pas hulumtimve që kishte bërë më 1970 dhe dhjetë vite më vonë, më 1980, lidhur me raportet mashkull-femër dhe punët e shtëpisë thotë se po bëhet një ndarje gjithnjë e më e barabartë e punëve të shtëpisë midis burrit e gruas dhe ky fenomen është i pranishëm në të gjithë botën e zhvilluar si pasqyrim i ndryshimeve të mëdha sociale që po ndodhin. Ai thotë se sa më i zhvilluar ekonomikisht të jetë vendi aq më pak punë shtëpie bëjnë gratë dhe aq më shumë burrat. Pjesëmarja e burrave ishte rritur pikërisht në punët rutinë, në pastrimin e shtëpisë dhe në përgatitjen e ushqimit. Mirëpo, është e dukshme se mënyrat e ndërveprimit mashkull-femër (si biseda) ende i përmbahen modeleve të marëdhënieve tradicionale. Agjencionet e socializimit si familja, shkollat dhe mediat i sforcojnë modelet ekzistuese. Edhe pse shumë prej femrave sot punojnë, ato janë të koncentruara në punët e ashtuquajtura “mantel roze”. Hulumtimet tregojnë se shumica e grave që punojnë janë të kënaqura me punën e tyre dhe për arsye ekonomike dhe të tjera nuk do të donin të jenë “vetëm amvise”.
Ndryshimet në familje
E dimë se çdo revolucion ka pasojat e veta, përfitimet dhe humbjet. Revolucioni në rolet e sekseve, ka ndihmuar që të riformohen vendet e punës, familja dhe marrëdhëniet në mes të sekseve. Rezultatet e këtij ndryshimi me të vërtetë paraqesin një ndryshim të rëndësishëm në statusin e grave, por ndryshim që njëkohësisht ka hapur rreziqe dhe mundësi të reja. Sipas pikëpamjes funskionaliste, diferencimet në rolet mashkull-femër, konsiderohen si të dobishme në shoqëritë tradicionale, dhe disa teoriticientë pohojnë se kjo është ende realitet, se rolet e ndryshme të mashkullit dhe femrës brenda familjes janë kushtë themelor i funksionimit të shëndoshë të saj si institucion social.
Ka shoqëri që edhe pse favorizojnë përmirësimin e pozitës së femrës, ndodhë e kundërta. Shembull, Suedia është e para ndër vendet perëndimore sa i përketë legjislacionit për rritjen e barazisë midis sekseve, duke ofruar ndihma për rritjen e fëmijëve, pushim pas lindjes për babain, orar të reduktuar për nënat etj. Por, shumë gra suedeze nuk dëshirojnë t’i lënë fëmijët nëpër qendra ditore e ato të mund të punojnë dhe kështu ato vazhdojnë të jenë përgjegjëset kryesore për shtëpinë dhe fëmijët.
Sipas hulumtimeve të kohëve të fundit, për shumë femra karriera kuptohet si një hutim madje edhe dhembje. Femrat që shikojnë përpara për t’i kapur “të gjitha” çdo ditë e më shumë po e kanë të vështirë që në kërkim të karrierës të mbajnë balancin me marrëdhëniet intime dhe rritjen e fëmijëve. Disa, që karrierën e qesin para martesës me qëlllim që të ndjejnë se kanë arritur “të pamundurën” ndjehen të tradhëtuara. Tani në të katërdhjetat ato e konsiderojnë veten si viktima të revolucionit të tyre, sidomos nëse ato nuk janë martuar dhe tani ballafaqohen me rrezikun se kurrë nuk do të martohen e të kenë fëmijë. Po ashtu, gjeneratat postfeministe të grave sot përfitojnë nga të arriturat për liritë e grave, por prapëseprapë mëdyshen për barrën e të qenit bashkëshorte perfekte, nënë dhe karieriste. Për momentin, mund të thuhet se femrat po ndjehen të mbetura në mes të revolucionit që ka filluar të shuhet.
Ndryshimet në rolet e femrave kanë patur ndikim të paevitueshëm në strukturën e familjes. Gjeneratë e tërë e fëmijëve tani janë duke u rritur nga nënat punëtore, të cilat i lënë fëmijët në një formë të kujdesit ditor. Pos kësaj, pavarësia e re e femrave u ka bërë të mundshme që të jetojnë një jetë jo të lumtur martesore apo që t’i rrisin vetë fëmijët e tyre. Pjesërisht, si rezultat i kësaj pavarsie, është rritur numri i shkurorëzimeve, numri i lindjeve jashtëmartesore dhe numri i
familjeve me gruan si zot shtëpie. Pos kësaj, shumë nga këto femra klasifikohen si persona të varfër, që jetojnë në kushte të rënda jetësore. Andaj, një efekt indirekt dhe i paparashikueshëm i kërkesës së grave për pavarësi në shoqëritë perëndimore ishte “feminizimi i varfërisë”: një nga çdo katër gra të shkurorëzuara jeton nga ndihmat sociale dhe një nga çdo tri familje të udhëhequra nga gratë është në varfëri. Në përgjithësi, 57 për qind e të varfërve janë femra (Rodgers, 1986). Arsyeja kryesore, kuptohet, është se femrat kanë paga më të ulëta se meshkujt.
Pse është kështu mundohet të shpjegojë një menaxher kompanie: “Meshkujt priren të sundojnë në nivele të larta thjeshtë sepse gratë shkëputen për të lindur fëmijë dhe gjëra të tjera lidhur me këto…Unë nuk mendoj se kjo është një ngritje selektive në përgjegjësi, por një fakt jetësor që gratë tentojnë të largohen, të martohen dhe të kenë familjet e tyre e për këtë arsye ato kanë një karrierë të copëtuar. Ato kthehen përsëri, por kanë një boshllëk në përvojë ose në kualifikim dhe kur ju ndeshni këtë dhe seleksiononi kandidatët, nuk është seksi i kandidatëve, por ajo çka mund të japin ato për punën e tyre që ndikon në këtë seleksionim (Homans, 1987)”.
Madje në vendet perëndimore gjykatat tani i shpërblejnë gratë e shkurorëzuara me alimentacion apo shtesa për fëmijët më të ulëta se më parë, meqë tani konsiderohet se femrat munden vetë të sigurojnë ekzistencën e tyre.
Por, sikurse rolet e femrave edhe rolet e mashkujve sot janë gjithnjë e më shumë të dykuptimta, më fleksibile dhe janë të diskutueshme nga interpretime të ndryshme individuale. Zgjidhja e këtyre dykuptimësive është pjesë e sfidës së ndryshimeve sociale dhe kulturore. Nën sistemin e vjetër, të gjithë e dinim se cili ishte roli i ynë, dhe shumica e njerëzve pa ndonjë mëdyshje janë sjellur ashtu siq është kërkuar. Sistemi i tillë na ka detyruar, por edhe na ka liruar nga nevoja për të zgjedhur. Sot, ka shumë pak detyrime, por sot individi e ka lirinë, apo barrën, që të zgjedhë rrugën drejtë vetëplotësimit të tij, ashtu si në shoqëritë e reja individualiste.