Ligji i ri ngrin pensionet e policisë

Ligji i ri ngrin pensionet e policisë

Reagon Gjykata Kushtetuese: Kolegji vendos marrjen në shqyrtim të ankimimit të Sindikatës së Policisë</p>


Duhet të dalin disa akte me vendim qeverie, që të lejohet dhënia e parave</p>


Ligji për pensionet nuk ka prerë vetëm pagat e policëve në reformë, por “ka ngrirë” edhe pensionet e gjithë ish-punonjësve të policisë. Ky fakt bëhet i ditur nga ish-policët që tashmë trajtohen me pension, të cilët tregojnë se që në muajin qershor atyre u janë ngrirë paratë dhe nuk marrin asnjë kacidhe. Shkak për këtë problem janë bërë vendimet e qeverisë, pa të cilat ligji i ri i pensioneve suplementare nuk mund të aplikohet, duke “i ngrirë” ato. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka reaguar për këtë ligj, ku palët e interesuara kanë kërkuar anulimin e tij. Nga të dhënat mësohet se Gjykata Kushtetuese ka vendosur marrjen në shqyrtim të ankimimit të bërë nga Sindikata e Punonjësve të Policisë dhe Avokati i Popullit për ndryshimin e këtij ligji.
“Ngrirja” e pensioneve
Ish-punonjës policie, të cilët tashmë janë në pension të parakohshëm, tregojnë se që me hyrjen në fuqi të ligjit për sigurimin shoqëror suplementar, ata nuk kanë marrë më paratë që u takojnë. Sipas tyre, që në muajin qershor atyre nuk u është derdhur pensioni në llogarinë e tyre. Kur ata janë interesuar në lidhje me këtë problem, u është deklaruar se pensioni nuk u është ndërprerë, por u është “ngrirë”. Në lidhje me këtë problem, atyre u është shpjeguar se janë disa akte që duhet të miratohen me vendim qeverie, që këto pensione të vazhdojnë të jepen normalisht. Sipas të dhënave, pensionet e prapambetura do të jepen, por pasi të dalin këto akte. Megjithatë, problemi i policëve në pension nuk qëndron nëse këto do jepen apo jo, por momentalisht ata kanë mbetur pa të ardhura. Nga të dhënat mësohet se familjet e tyre nuk kanë burime të tjera financiare, kështu që kërkojnë të pezullohet ky ligj. Siç dihet, ligji nuk ka sjellë vetëm problemin e pensioneve për policinë, por edhe atë të pagesave kalimtare. Me ligjin e ri, shpërblimi, bashkë me pagesën kalimtare (ku pagesa kalimtare fillon në muajin e tretë pas daljes në lirim), nuk mund të kalojnë 13 paga të plota. Ndërsa me ligjin e mëparshëm, për të cilin policia këmbënguli që mos të ndryshonte, punonjësi i policisë përfitonte dy paga shpërblim dhe për 36 muaj përfitonte gjysmën e pagës referuese të muajit të fundit të punës. Pra, me pagën që ai kishte dalë në reformë, i llogariteshin 36 gjysma page, ose 18 paga të plota. Kështu, këto 18 paga të plota bashkë me dy pagat shpërblim, punonjësit të policisë i bëheshin 20 paga, ose e cilësuar ndryshe shtatë paga më shumë se me ligjin e ri. Gjithashtu, ligji aktual niset në nivelin 50% për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi. E njëjta vlen edhe për ligjin e mëparshëm, por ai ndalej në këtë nivel, pasi vlerësonte punën, pagën, kontributet, hierarkinë dhe mundësinë ekonomike të vendit. Specialistët e policisë thonë se ky ligj i ri, veç precedentit të abuzimit me “reformën”, apo përjashtimet politike, kërkon që diskriminimi social-ekonomik i kësaj shtrese shoqërore duhet të ketë limit trajtimi kufirin e varfërisë.
Reagimi i Kushtetueses
Vetëm pak ditë më parë, gazeta “Shqip” nxori relacionin e përgatitur nga Sindikata e Punonjësve të Policisë, që do të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese. Menjëherë ka ardhur edhe reagimi i kësaj gjykate, e cila ka deklaruar se do të marrë në shqyrtim çështjen e ligjit për sigurimin shoqëror suplementar. Ajo ka dërguar njoftimin zyrtar te të gjitha grupet e interesit, të cilat e kanë ankimuar këtë ligj, duke u deklaruar se çështja do merret në shqyrtim dhe kush të ketë materiale shtesë le ti paraqesë brenda datës 8 tetor. “Njoftojmë se në shqyrtimin paraprak të kërkesës suaj me objekt Pezullimi i menjëhershëm i ligjit 10/ 142, datë 15.05.09, deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e neneve 3/3, /4/2, 12/1, 2, 3, 14/1, 22, 27, 29/2 të këtij ligji, si të papajtueshëm me Kushtetutën, me ligjin nr. 8661, 18.09.2000, Për Sigurimin Shoqëror të Policisë së Shtetit dhe ligjin 9749, datë 4.6.2007 Për Policinë e Shtetit dhe që cenojnë të drejtat ekonomike-financiare të punonjësve të policisë, të përfituara me aktet normative të mëparshme, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare”, deklarohet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. Më tej, sekretari i Përgjithshëm i Kushtetueses, Kujtim Osmani, nënshkruan se për zhvillimin korrekt të gjykimit kushtetues është e nevojshme që të vini në dispozicion brenda datës 8.10.2009, një koment me shkrim nëse keni argumente shtesë lidhur me kërkesën e paraqitur. “Të njëjtën korrespondencë kemi ndjekur edhe me subjektet e tjera për gjykim. Me qëllim që materialet respektive, pasi depozitohen deri në datën e mësipërme në Gjykatën Kushtetuese, të jenë të disponueshme për studim, data e seancës gjyqësore do të caktohet pas depozitimit të materialeve të lartpërmendura”, përfundon njoftimi.(Shqip)</p>
6FjR4xznNCw

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=23081. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=23081
 
Top