Re: Lajme ekonomike!
Banka Botërore: Ja pse po e ndërtojmë TEC-in në Vlorë
Në një autointervistë BB synon t'i shpjegojë shqiptarëve të mirat e termocentralit
Shqipëria mund të kishte ndërtuara prej vitesh një termocentral si ai që do të ndërtohet në Vlorë dhe tashmë kriza që po kalojmë do të ishte më e përballueshme. Të paktën 30 % e nevojave që nuk plotësojnë hidrocentralet nuk do të varej nga reshjet dhe rrjedhimisht do të kishim më shumë drita.
Banka Botërore ka sqaruar të gjitha çështjet që do të përmbajë ndërtimi i TEC-it të Vlorës. Ajo ka sqaruar se ndërtimi i TEC-it nuk ka lidhje me parkun energjetik dhe se impakti mjedisor i TEC-it është në standardet e BE-së. Nga ana tjetër ajo ka hedhur poshtë dhe pretendimin se ky TEC po ndërtohet në një vend historik ku janë vendosur kohë më parë hebrenj
Një ekspert i BB-së i përgjigjet pyetjeve më të ndjeshme rreth TEC-it.
Çfarë lloj termocentrali po ndërton qeveria shqiptare në zonën e Vlorës?
Qeveria shqiptare po ndërton një termocentral të ri me naftë te distiluar prej 97 MW, me vlerë 112 milionë dollarësh në një zonë prej 6 hektarësh rreth 6 km në veri të Vlorës. Zona ku do të ndërtohet është përdorur për shumë vite si një terminal nafte. Projekti mbështetet nga një kredi e butë prej 25 milionë dollarësh nga IDA (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim) e Bankës Botërore, 37.5 milionë dollarë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), 37.5 milionë dollarë nga Banka Evropiane e Investimeve dhe 12.6 milionë dollarë nga KESH (Korporata Elektroenergjetike Shqiptare). Projekti i kredisë së Bankës Botërore quhet: Shqipëria: Projekti për prodhimin e energjisë dhe ristrukturimin e sektorit të energjisë.
A ka të bëjë termocentrali i Vlorës me parkun e madh industrial që qeveria kish planifikuar fillimisht të ndërtonte në Vlorë, por që tani ka garantuar se do ta ngrejë diku tjetër?
Jo, këto janë dy projekte që nuk kanë lidhje. Kryeministri shqiptar tha në maj 2007 se projektet shumë të mëdha të parashikuara për t’u ngritur në këtë zonë si park energjetik, (TEC-e me fuqi 1200 megavat) nuk do të ndërtohen në Vlorë, por do vendosen në zona të tjera. TEC-i i propozuar për në Vlorë është prej me pak se 100 megavatësh.
Përse qeveria shqiptare do të ndërtojë një termocentral dhe sa e rëndë është kriza energjetike në Shqipëri? Si ka ndikuar ajo mbi shqiptarët?
Për shkak të krizës energjetike, shqiptarëve ju duhet të përjetojnë ndërprerje të shpeshta të furnizimit me energji. Gjatë dimrit të 2006, energjia ndërpritej nga tetë ore në ditë, duke privuar shqiptarët nga ndriçimi, ngrohja dhe gatimi. Situata e vështirë vazhdon edhe ketë verë dhe lajmet raportojnë për një nivel të rritur të irritimit të popullsisë prej ndërprerjeve të gjata. E gjithë kjo ndikon në cilësinë e jetës së shqiptarëve, shëndetin e tyre dhe dekurajon investitorët në Shqipëri. Shtoji kësaj edhe faktin se nuk ka patur investime të reja në sektorin e energjisë që nga 1984 – me efekte të mëdha negative për cilindo vend – pa le në Shqipëri, ku furnizimi ka shënuar rënie ndërsa kërkesa është rritur në mënyrë eksponenciale.
Përse shqiptarët kanë nevojë për një termocentral të ri në veçanti?
Sasia vjetore e energjisë që Shqipëria mund të prodhojë sot është 4,000 GWh ndërsa kërkesa është 6,800 GWh. Kjo diferencë duhet të përmbushet në një farë mënyre, qoftë duke importuar, qoftë duke prodhuar në vend.
Kriza energjetike në Shqipëri është kryesisht rezultat i faktit që vendi siguron 95 përqind të energjisë nga hidrocentralet, e cila pakësohet në vite me thatësirë, kur rezervuaret pakësohen dhe turbinat s’mund të prodhojnë sasinë e duhur të energjisë. Para vitit 1997, Shqipëria prodhonte mjaftueshëm energji për të plotësuar nevojat e brendshme si dhe të eksportonte në vendet fqinje. Por kërkesa për energji elektrike është rritur katër herë krahasuar me fillimin e viteve ’90, ndërsa mirëmbajtja e keqe e pajisjeve dhe shirat e pakët e kanë përgjysmuar sasinë që prodhohet.
Ndërsa ka shumë përfitime, hidrocentralet janë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të motit dhe cikleve të thatësirës. Shqipëria ka vendosur të diversifikojë burimet e prodhimit të energjisë. Termocentralet do të ndihmonin në furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike që do të përmirësonte kërkesën në rritje për energji në Shqipëri. Megjithatë, edhe sikur termocentrali i Vlorës të fillonte punë nesër, ai do te plotësonte vetëm 30 përqind të nevojave të paplotësuara të kërkesave për elektricitet në Shqipëri. Gjithashtu, projekti është në përputhje me rekomandimet e “Studimit të Sektorit të Energjisë” të kryer me 2003 dhe është pjesë e Strategjisë së sektorit të Energjisë , i cili bazohet në një studim shumë të plotë të sektorit, të aprovuar nga qeveria dhe mbështetur nga Banka dhe donatorë të tjerë.
Sërish, nuk do të ishte më mirë të importohej energji në vend që të ndërtohej një vepër e re energjetike?
Kostoja e importimit të një sasie gjithnjë e më të madhe energjie po e dëmton tashmë buxhetin e qeverisë shqiptare duke e shmangur përdorimin e tij për nevoja të zhvillimit si kujdesi shëndetësor, arsimi, rrugët dhe zhvillimi i turizmit. Gjithashtu, linjat e transmetimit që lidhin Shqipërinë me vendet fqinje janë shumë vjetra dhe kufizojnë shumë sasinë e energjisë që mund të importohet. Pakësimi i energjisë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhet më i madh, importi i energjisë më i shtrenjtë dhe i vështire për t’u siguruar. E ndodhur përballe kufizimeve të tilla, varianti më i mirë për Shqipërinë do të ishte të ndërtonte prodhues alternativë të energjisë që të mund të plotësonte nevojat në rritje të vendit.
Kur do të ndërtohet termocentrali i Vlorës?
Ndërtimi do të fillojë në vjeshtë të 2007 dhe termocentrali pritet të bëhet operacional në qershor 2009.
Masat mbrojtëse dhe Paneli i Inspektimit
A është përpjekur Banka Botërore të zbusë pasojat mjedisore ose sociale që lidhen me projektin?
Banka Botërore ka një seri politikash dhe procedurash mjedisore dhe sociale për projektet e veta, të cilat përdoren për çdo projekt. Si një pjesë e rëndësishme e hartimit dhe zbatimit të këtij projekti, Vlerësimi Mjedisor dhe Politikat Mjedisore dhe Sociale të Zhvendosjes së Pavullnetshme janë zbatuar. Kohët e fundit, një organizatë jofitimprurese lokale ka bërë një kërkesë për Panelin e Inspektimit të Bankës Botërore për të vlerësuar nëse ekipi i Bankës i është përmbajtur politikave dhe procedurave. (Paneli i Inspektimit)
Konsultime
A ka pasur konsultime me komunitetet lokale kur është shqyrtuar vendi i ndërtimit të termocentralit te ri?
Po – disa konsultime janë mbajtur në Vlorë si pjesë e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor në 2002 dhe 2003. Pjesëmarrja në to ka qenë e mirë. Në 31 tetor 2002 është mbajtur një takim në Vlorë, për të prezantuar projektin te publiku dhe për të filluar procesin e konsultimeve me publikun. Takimi i dytë është mbajtur në Vlorë në 2 Prill 2003 për të marrë inputet e publikut me qëllim vlerësimin e tyre.
Në takimin e dytë kanë marrë pjesë mbi 100 persona, përfaqësues nga agjenci të ndryshme qeveritare, universitete, organizata jofitimprurëse si dhe nga publiku i gjerë. Ky takim është pasqyruar edhe nga mediat dhe televizionet shqiptare. Takime të tjera janë mbajtur me Ministrinë e Mjedisit në 15 Gusht 2002 dhe në 31 Mars 2003. Një konsultim tjetër me publikun u zhvillua në 3 Shtator 2003 në Vlorë për të diskutuar draftin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të qeverisë qendrore dhe agjencive qeveritare lokale, përfaqësues të biznesit, agjencive jofitimprurëse dhe nga publiku i gjerë. Detaje nga këto sesione, përfshirë edhe procesverbalet e takimeve gjenden në Agjencinë Kombëtare të Energjisë, e cila kishte edhe rolin kryesor në organizimit e këtyre sesioneve.
Si u zgjodh vendi i ndërtimit?
Një firmë e njohur konsultimi ndërkombëtare përgatiti studimin e fizibilitetit dhe të vendit të ndërtimit për termocentralin e propozuar. Ky studim u financua nga Agjencia e Zhvillimit dhe Tregtisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 2002. Gjashtë vende ndërtimi u vlerësuan mbi bazën e dhjetë kritereve, secili me një peshë të caktuar si më poshtë: i) përmirësimi i kushteve mjedisore – 12 përqind; i) problemet e cilësisë së ajrit - 8 përqind; (iii) kosto e niveluar – 12 përqind; (iv) problemet socio ekonomike – 8 përqind; (v) zvogëlimi i humbjeve në sistemin e transmetimit dhe përmirësimi i voltazhit – 12 përqind; (vi) mundësia e transmetimit dhe afërsia – 10 përqind; (vii) disponueshmëria e naftës – 14 përqind; (viii) nevojat për ujë dhe kanalizime – 10 përqind; (ix) transportimi – 8 përqind; dhe (x) pronësia – 6 përqind. Vendet e vlerësuara ishin dy për secilin rajon dhe janë si më poshtë: Shëngjin, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë. Në fund të vlerësimit Vlora dhe Fieri ishin më të mirat përsa i përket perspektivës së transmetimit, por Vlora ofronte edhe disa avantazhe te tjera si: i) Vlora ishte më pranë bregut dhe karburanti nuk ishte e nevojshme të transportohej përmes tubacioneve në brendësi të vendit apo me makina. Kjo ulte në mënyrë të ndjeshme koston e projektit dhe gjithashtu pakësonte rrezikun e derdhjeve të karburantit; ii) uji i detit mund të përdorej për ftohjen e aparaturave. Veç të tjerash ka një kërkesë në rritje në këtë rajon. Në mes të nëntorit 2002 Ministria e Energjisë lajmëroi Bankën Botërore për vendimin e saj për ta ndërtuar termocentralin në zonën B në Vlorë.
Mjedisi
A ka ka kryer Banka Botërore një Vlerësim Mjedisor për projektin?
Po – Vlerësimi Mjedisor është rishikuar nga konsulentë të pavarur të financuar nga Agjencia Kanadeze e Zhvillimit Ndërkombëtar. Vlerësimi Mjedisor është rishikuar gjithashtu edhe nga ekspertë nga Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. Rishikuesit ranë dakord se ndikimi mjedisor do të jetë i kufizuar.
Një shtesë në Vlerësimin Mjedisor u përgatit për të menaxhuar detajet e zbatimit të shoqëruara me Planin e Menaxhimit Mjedisor. Qeveria dhe KESH-i kanë rënë zyrtarisht dakord që të zbatojnë të gjitha masat e përcaktuara në Planin e Menaxhimit Mjedisor. Vendi i ndërtimit dhe Vlerësimi Mjedisor janë miratuar gjithashtu nga nivele te ndryshme të qeverisjes (Bashkia e Vlorës, Ministria e Mjedisit, Këshilli për Rregullimin e Territorit, etj.) Vlerësimi Mjedisor u bë publik në Shqipëri dhe në Infoshop-in e Bankës Botërore në Tetor 2003.
Vlerësimi Mjedisor i Bankës Botërore e ka marrë në konsideratë potencialin për 300 MW për termocentralin dhe ndikimin në mjedis të tij?
Vlerësimi Mjedisor dhe konsultimet publike për termocentralin janë fokusuar në ndikimin dhe prodhimin e 100 MW. Projekti i mbështetur nga Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve është i kufizuar deri në 97 MW. Megjithatë, Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor ka përmendur dhe studiuar dhe potencialin dhe kërkesat për një shtrirje deri në 300 MW.
Nëse qeveria do të vendoste të vazhdonte me njësi të tjera shtesë prodhuese (në Vlore apo në ndonjë vend tjetër), atëhere do të duhej një studim i ri i Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor.
A do të përkeqësonte termocentrali i propozuar ndotjen mjedisore në Shqipëri?
Termocentrali do të përdorë naftë të distiluar me nivel të ulët squfuri. Lëshimi i gazeve është brenda standarteve të lejuara nga Direktivat e BE-së dhe Udhëzuesi i Bankës Botërore për Parandalimin dhe Zbutjen e Ndotjes. Për me tepër, termocentrali do të ndërtohet me aftësinë për të kaluar nga përdorimi me naftë në përdorimin me gaz, sapo gazi të jetë i pranishëm në Shqipëri, gjë e cila do ta kufizonte edhe më shumë ndotjen mjedisore.
A do ta dëmtonte termocentrali plazhin apo frekuentimin e tij?
Pas një periudhe të shkurtër të ndërtimit, plazhi do të kthehej në gjendjen e tij aktuale. Termocentrali do te jetë 300 metra nga bregu, tubi i shkarkimit të ujit del jashtë bregut me 600 metra dhe terminali i naftës është 3.5 km nga plazhi.
A do ta dëmtonte termocentrali Lagunën e Nartës?
Ndërsa vendi nuk është shumë larg nga laguna e Nartës, ai është jashtë zonës së propozuar për mbrojtje përreth lagunës dhe është i izoluar si distancë dhe nga një zgjatim i vijës bregdetare. Në kuadër të Projekti të GEF/PNUD për Ruajtjen e Lagunës dhe Ekosistemeve të Bregdetit në Rajonin Mesdhetar, vendi i projektit është diskutuar edhe me PNUD-in, i cili informoi Bankën Botërore se nuk do të kishte asnjë kundërshtim nëse vendi do të ishte jashtë zonës së mbrojtur rreth Lagunës së Nartës.
Trashëgimia Kulturore
A e ka marrë në konsideratë Banka Botërore trashëgiminë kulturore në Vlerësimin Mjedisor?
Gjatë zbatimit të procedurave të saj për këtë projekt, konsulentë ndërkombëtarë kanë hartuar një studim të detajuar të vendit për termocentralin. Gjatë sesioneve të studimit dhe përgatitjes së vlerësimit mjedisor të projektit, çështja e domethënies kulturore të zonës së Triportit pranë vendit të projektit nuk u ngrit. Megjithatë, me ngritjen e shqëtësimit për këtë çështje, Banka Botërore dërgoi për një vizitë në vend një specialist ndërkombëtar me pervojë të trashegimisë kulturore dhe i kërkoi ndihmë qeverisë shqiptare për vlerësimin e trashëgimisë kulturore të zonës. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e ka rishikuar çështjen dhe “nuk ka identifikuar vlera historike apo studime për zonen si një zonë specifike historike”.
Thuhet se zona e Triport/Aulonës është e rëndësishme historikisht sepse një numër Hebrenjsh Sefardikë kanë zbritur atje pasi i kanë shpëtuar persekutimit dhe inkuizicionit spanjoll. A do ta ndikojë termocentrali i propozuar vlerën historike të këtij vendi?
Ka pasur prej një kohe të gjatë një prani të komunietit hebre në zonën e Vlorës, e cila dikur shihej si një nga tre komunitetet me të mëdha hebreje në Mediterran. Qyteti i Triport/Aulonës ka lulëzuar nga shekulli i tretë p.e.s. deri ne shekullin e 3 e.s. Por Instituti i Monumenteve të Kulturës beson thellësisht se meqenëse qyteti i Triport/Aulonës ka ekzistuar deri në shekullin e 3 e.s. jeta e qytetit është shpërngulur për në Vlorë. Për këtë arsye, kur Hebrenjtë Sefardikë kanë mbërritur në zonë, ata ka shumë të ngjarë të jenë vendosur në qytetin e Vlorës, rreth 5.8 kilometra larg vendit të propozuar për ndërtimin e termocentralit. Ish - Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, ka thënë se Triport/Aulona nuk ishte shtrirë deri në vendin e propozuar për ndërtim sepse në atë kohë qytetet nuk ishin kaq të mëdha dhe nuk ndërtoheshin në terrene fushore të pambrojtura. Gjithashtu, në gërmimet e mëparshme për ndërtimin e një limani në vendin e propozuar, nuk janë gjetur qeramika apo ndonjë gjurmë të qyteterimeve të hershme. Për këtë arsye, Profesor Baçe thotë se qyteti i Vlorës ka “sigurisht një vlerë të madhe shpirtërore për komunitetin hebre, veçanërisht për atë Shqiptaro-Hebre… jo vendi ku do të ndërtohet termocentrali.”
E Hene, 06 Gusht 2007