Re: Lajme ekonomike!
Ruli premton më shumë kufizime në gusht, në shtator, akoma më keq
Ministri i Energjetikës shpjegon masat anti-krizë. Do ulet prodhimi dhe orët me drita
Kriza energjetike ashtu si dhe zgjidhja e kësaj krize do të jetë afatgjatë. Kjo ka qenë deklarata e ministri Ruli për të shpjeguar situatën e rëndë energjetike që po kalon vendi. “Qeveria shqiptare nuk po qëndron me sytë nga qielli. Ajo është me sytë në tokë duke qenë tërësisht e angazhuar jo vetëm me marrjen e masave për lehtësimin e krizës energjetike por edhe duke punuar me strategji afatgjata për zgjidhjen e problemeve energjetike në vend”. Sipas ministrit Ruli, situata hidrike në Kaskadën e Drinit ka filluar të përkeqësohet duke filluar që nga shtatori i vitit 2006 si rezultat i një thatësire të tejzgjatur që ka vazhduar të thellohet edhe më shumë në korrikun e këtij viti. Por ministri Ruli nuk ka dhënë asnjë shpresë për zgjidhje të shpejtë të kësaj situate të rënduar në të gjithë vendin. Madje ai është shprehur se në muajt në vijim, kriza energjetike mund të thellohet dhe më tej si shkak i rritjes së konsumit dhe pamundësisë për të importuar dhe prodhuar më shumë se sa niveli aktual.
Kriza thatësirë
Ministri i Energjetikës ka bërë një pasqyrë të situatës së rëndë hidrike që po kalon vendi. Ai u shpreh se "Nëse do të flisnim me gjuhën e shifrave prurjet mbi lumin Drin gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2007 rezultojnë si mesatare mujore 145.3 metër kub në sekondë nga 242.3 metër kub në sekondë, që është mesatarja e 60 viteve dhe 340 metër kub për sekondë që është mesatarja e 6 mujorit të parë të këtij viti". Kështu, sipas tij, kjo ka bërë që KESH për të përballuar furnizimin me energji elektrike dhe për të krijuar rezerva hidrike në kaskadë, ka prodhuar gjatë 6 mujorit të parë të 2007, 1.61 miliardë kWh dhe ka importuar 1.4 miliardë KWh, pra një import në shifra maksimale.
Gjithashtu, për ditët e para të muajit korrik, vihet re një rënie drastike e prurjeve në Fierzë, rreth 20 metër kub në sekondë, që në 15 ditshin e dytë të këtij muaji është thelluar akoma edhe më shumë, duke shkuar në 10 metër kub për sekondë, rreth tetë herë më pak se sa mesatarja shumë vjeçare dhe 10 herë më pak se viti i kaluar në këtë muaj. "Nëse do të krahasoheshin me vitin 2001 dhe 2002, që kanë qenë edhe vitet më problematike për prodhimin e energjisë për shkak të thatësirës, prurjet në këtë 15 ditësh të dytë të korrikut janë 4 herë më të ulëta"-tha Ruli. Në këto kushte, për të ruajtur nivelin e Kaskadës dhe për të mos u gjendur në një dimër edhe më të vështirë, KESH-i ka marrë masa duke reduktuar konsumin e energjisë elektrike deri në 12 milionë kËh. Sipas ministrit, nëse deri në 1 shtator, punohet me regjimin e importit të 6.5 milionë kilovatorëve dhe prodhim të 5.5 milionëve (duke e ulur prodhimin e energjisë në këtë shifër, rreth 1.5 milionë në ditë prodhohet nga prurjet dhe pjesa tjetër nga rezerva hidrike që tashmë është rreth 530 milionë), parashikohet që të arrihet në kuotën 263 metër. Por kjo nuk do të përkthehet në më shumë drita për konsumatorët shqiptarë, pasi me rritjen e konsumit dhe mbajtjen në nivelin aktual të prodhimit dhe importit, kufizimet do të jenë dhe më të mëdha.
Rajoni "fajtor"
Ministri Ruli është shprehur se një nga fatkeqësitë që i ka rënë vendin tonë në këtë krizë energjetike është dhe faktori rajon. "Duke qenë se në muajt e verës importi ka qenë edhe më i vështirë, për shkak të konsumit të madh nga turizmi në vendet fqinje por edhe për shkak të krizës së gjithë rajonit që i ka kthyer këto vende në importuese të mëdha, duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e kapaciteteve të lira importuese, janë marrë një sërë masash të jashtëzakonshme për të kursyer energjinë elektrike". “I kemi marrë këto masa”, ka thënë ministri Ruli, “duke menduar edhe skenarin më të keq, atë të një thatësire të tejzgjatur. Sipas tij zgjidhja e vetme për të mos arritur në një kolaps total, është vetëm që të rritet në maksimum importi i energjisë elektrike.
Masat afatgjatë
Ministri Ruli u shpreh se janë marrë një sërë masash, si reduktimi i orarit zyrtar të administratës shtetërore, bashkëpunimi me bizneset për të ulur në këtë periudhë përdorimin e energjisë elektrike kanë për qëllim uljen e konsumit. Ndërkohë nga kufizimet e energjisë elektrike janë përjashtuar zonat turistike, spitalet apo ujësjellësit. “Kriza e energjisë nuk është vetëm e këtij viti, as e vitit të kaluar: ajo është rezultat i një mungese vullneti njëzetë vjeçar për të kryer investime në këtë sektor. Që nga hidrocentrali i Komanit në vitin ’85, në Shqipëri nuk është ndërtuar asnjë burim i ri energjie dhe asnjë linjë interkonjeksioni. Në 20 muaj nuk mund të zëvendësohet dot puna që nuk është bërë në 20 vjet”, ka thënë ministri Ruli duke e vënë theksin tek puna konkrete që është bërë në këto dy vite për ndërtimin e burimeve të reja energjetike.
"Konkretisht, ka filluar puna për ndërtimin e Kalivaçit me fuqi 92 MË, ndërtimi i të cilit është zvarritur që nga viti ’97 për shkak të kontratës konçesionare mjaft problematike. Gjithashtu ka filluar zbatimi i ndërtimit të TEC-it të Vlorës, projekt i vitit 2002, një javë më parë është nënshkruar kontrata për ndërtimin i linjës 400 kV Tiranë – Podgoricë, rehabilitimi i të gjitha nënstacioneve 220 dhe 400 kV".
E Merkure, 01 Gusht 2007