Kuzhe: Entuziast pas rikonfirmimit

Kuzhe: Entuziast pas rikonfirmimit

Trajneri Josip Kuzhe është shprehur mjaft i kënaqur pas konfirmimit të tij në krye të Kombëtares kuqezi nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Vetëm pak ditë më parë, kreu i sportit më popullor në vend shprehu besim te puna e 56-vjeçarit, duke theksuar se kroatit do ti ofrohej rinovimi i kontratës edhe për eliminatoret e Euro 2012. Kuzhe u emërua në stolin e përfaqësueses sonë pas shkarkimit nga detyra të holandezit Ari Han dhe drejtoi skuadrën në tri takimet e fundit të Grupit 1 në Botërorin 2010. Përballë Portugalisë, Danimarkës dhe Suedisë ai siguroi vetëm një pikë, por loja që ka paraqitur Shqipëria dhe lëvizjet taktike të trajnerit (përpara dhe gjatë ndeshjeve) kanë marrë vlerësimet maksimale. “Më vjen mirë që drejtuesit e federatës kanë shprehur vlerësim për punën time në përfaqësuese dhe janë të gatshëm të më besojnë ekipin edhe për edicionin e ardhshëm eliminator”, deklaroi ish-tekniku i Dinamos së Zagrebit. “Jam i entuziazmuar dhe po pres me padurim që të fillojnë eliminatoret e Kampionatit Europian”.</p>


Kuzhe nuk e ka humbur asnjëherë rastin që të shfaqet optimist për rezultate të mira në ndeshjet kualifikuese të aktivitetit që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Madje, ai ka folur edhe për kualifikim, duke synuar që ta mbajë lart moralin e futbollistëve. Gjithsesi, faktet janë që Shqipëria do të përballet sërish me kundërshtarë mjaft të fortë. Humbja 4-1 në Suedi i zbriti kuqezinjtë në vazon 5 të shortit që do të hidhet më 7 shkurt 2010 në Varshavë. Barazimet me Portugalinë (në Braga) dhe Suedinë e Danimarkën (në Tiranë) u zbehën disi nga klasifikimi përfundimtar në grup, ku Kombëtarja u rendit e parafundit (e pesta mes gjashtë skuadrave), duke lënë poshtë saj vetëm Maltën. 7 pikë të grumbulluara në dhjetë ndeshje ishin shumë pak për tiu afruar ambicieve të fillimit të eliminatoreve, por Duka pohoi: “Asnjëherë më parë në histori nuk kishim luajtur në një grup kaq të vështirë. Në anën tjetër mund të them se jemi të kënaqur me punën e bërë nga trajneri Kuzhe për aq kohë sa ai kishte nën drejtim ekipin dhe kemi vendosur tia besojmë Kombëtaren edhe gjatë edicionit të ardhshëm, ku do të luajmë në eliminatoret e Europianit 2012″.</p>


Objektivat e edicionit të ri ende nuk janë përcaktuar, edhe sepse më parë preferohet të njihen emrat e skuadrave me të cilat do të luajë Shqipëria. Për momentin mund të mbështetemi vetëm te statistikat e njeriut që erdhi në krye të stolit pas rekomandimit të Oto Bariç. Me Kuzhe në krye, kuqezinjtë kanë gjetur vazhdimësi në fazën ofensive, duke shënuar në të gjitha ndeshjet. Gjatë kësaj kohe, Kombëtarja ka regjistruar edhe fitoren më të thellë në histori: 6-1 në miqësoren me Qipron, skuadrën që na “rrëmbeu” vendin në vazon 4. Por, nëse sulmi ka rigjetur besimin, mesfusha jep siguri dhe porta pret rikthimin e Arjan Beqajt përkrah Ujkanit dhe Hidit, mbrojtja mbetet reparti problematik, ku ende ekzistojnë shumë enigma për tu zgjidhur.(Shqip)</p>
wBakwh9aa3E

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=25454. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=25454
 
Top