Re: Krime Enveriste
Dëshmia e bujshme e 62-vjeçarit, Nikoll Pëllumbi, nga fshati Gjuraj i malësisë së Shkodrës, lidhur me historinë tragjike të vitit 1947, kur i vëllai, Mëhilli, sulmoi me granata eprorët e tij
Përmet 1947, vrasja e 15 oficerëve nga ushtari Mëhill
--------------------------------------------------------------------------------
Dashnor Kaloçi
Atë ditë janari të vitit 1945 që Mëhilli u nis nga shtëpia për të shkuar ushtar, nëna jonë, Dila, zuri të qajë me ulurima duke thënë se ai djalë nuk kishte për t'u kthyer më i gjallë në shtëpi, pasi ai ishte i betuar kundër komunistëve dhe ata do ta vrisnin atë. Ajo parandjenjë e nënës m'u kujtua atë fillim gushti të vitit 1947, kur Kryetari i Këshillit të fshatit tonë, erdhi e na dha mandatën e vrasjes së Mëhillit, duke iu thënë prindërve tanë: "Djali juaj është vrarë duke luftuar kundër komunizmit dhe Pushtetit Popullor". Që nga ajo ditë e deri në shëmbjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, familjen tonë e ndoqën vetëm ditë të zeza, me vrasje, burgime dhe internime. Ajo ngjarje u bë shkak që familjes sonë nuk iu nda asnjëherë lopata nga dora dhe për atë na e thoshin se e kishim të tepërt, duke na e përmëndur historinë e vëllait tonë, Mëhillit, "armikut të rrezikshëm që kishte vrarë 15 ushtarakë në garnizonin e Përmetit".
Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për "Gazetën", është 62-vjeçari Nikoll Pëllumb Pjetri me origjinë nga fshati Gjuraj-Plan i Pultit të Dukagjinit, i cili rrëfen për herë të parë gjithë historinë e familjes së tij dhe vëllait, Mëhillit, i cili në verën e vitit 1947, ishte autori i ngjarjes së bujshme që tronditi qeverinë komuniste të Tiranës. Po cili ishte Mëhill Pëllumbi, cila ishte e kaluara e familjes së tij dhe në ç'rrethana ndodhi ajo ngjarje e cila edhe sot e kësaj dite mbahet mënd nga banorët e fshatit Çarshovë të Përmetit?! Cila ishte zanafilla e debatit të nisur ndërmjet Mëhillit dhe komandantit të tij dhe ç'lidhje kishte ai oficer me ngjarjen që kishte ndodhur në vitin 1945 në fshatin e Mëhillit, ku kishte mbetur i vrarë një person tepër i njohur i quajtur Losh Kolaj (Gjuraj)? Përse fshatërt e Çarshovës ngulën këmbë që ai të varrosej në varrezat e fshatit të tyre dhe si u bë e mundur gjetja e eshtrave të tij pas më shumë se një gjysëm shekulli?
Familja Pëllumbi, kundër çdo qeverie
Mëhill Pëllumbi u lind në vitin 1920 në fshatin Gjuraj-Plan të Pultit të Dukagjinit prej nga është dhe origjina e asaj familje, dhe ai ishte fëmija i tretë i Pëllumb Pjetër Pëllumbit, nga tetë fëmijë që kishte ai. Lidhur me të kaluarën e asaj familje, më i vogli i djemëve të saj, 62-vjeçari Nikoll Pëllumbi, dëshmon: "Ne si familje jem kenë gjithëherë kundra çfardolloj qeverie që ka pas ku vënd, që nga koha e Monarkisë së Zogut e deri më tash. Nuk është se ne i kena ra kujt në qafë, përkundrazi të gjitha qeveritë që kan ardh e kan shkue, na kanë trazue vet të parët. Ngatërresat e familjes sonë kanë fillue që në kohën e Shkajut, kur pasi i kem luftue me armë në dorë, na i kanë djeg dy herë kullat. Po kështu ka ndodhë edhe me ardhjen e Zogut në fuqi, kur Vas Kiri me disa malsorë shkoi dhe i ra postës së xhandarmërisë së Urës së Mesit në Shkodër. Pas asaj ngjarje, në shenjë hakmarrje, Zogu na çoi fuqina të mëdha xhandarësh që erdhën dhe na bënë raprezalje, duke u vrarë me kushërinjtë e babës tonë. Nga ajo përplasje mbetën të vrarë dy xhandarë, varret e të cilëve edhe sot e kësaj dite janë aty në vëndin e quajtur Kodër Qershizë. Që nga ajo kohë megjithëse Zogu nuk nga na ngacmoi ma, familja jonë njihej si antizogiste dhe nuk u pajtuem kurrë me të. Edhe me ardhjen e Italisë në vitin 1939, familja jonë nuk u përzie fare me Luftën, por kena shique hallin tonë me punu atë cop tokë dhe me hangër i copë bukë me nder. Po kështu edhe komunistët që filluen me dalë në skenë aty nga koha e Luftës, ne nuk i kena dashtë kurrë dhe partizanët nuk i kena pranue kurrë me bujtë në shtëpinë tonë. Ne si familje jem kenë të lidhë shumë me fenë katolike dhe jem brymos me një edukatë kristiane prej Padër Justin Rrotës, i cili ka shërbye si famullitar në fshatin tonë. Unë jam kenë shumë i vogël atëhere, por mbaj mënd prej prindërve dhe vëllezërve më të mëdhëj, që më kanë tregue se Padër Justni thoshte gjithëhere: "E keqja e këtij veni ka për t'i ardhë vetëm prej Moskovit". Por më shumë prej të gjithëve nga shtëpia jonë, me bindjet antikomuniste është kenë brymos vëllau, Mëhilli, i cili nuk ka pasë asnjë klasë shkollë dhe ka mësue shumë prej Padër Justinit", kujton 62-vjeçari Nikoll Pëllumbi, lidhur me historinë e familjes së tij, e cila njihej si shtëpi rebelësh që nuk i nënshtroheshin asnjë regjimi.
Debati i Mëhillit me komandantin
Pas mbarimit të Luftës në janarin e vitit 1945, kur u bë mobilizimi i parë ushtarak nga qeveria komuniste e sapoardhur në pushtet, Mëhill Pëllumbi, u thërrit për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Lidhur me këtë dhe me ngjarjen e bujshme që ndodhi dy vjet më vonë në qytetin e Përmetiti vëllai Nikoll Pëllumbi dëshmon: "Në atë kohë që Mëhilli iku nga shtëpia për të shkuar ushtar, unë nuk jam kenë ma shumë se katër vjeç e gjysëm, por i mbaj mënd shumë mirë të qarat e nanës për Mëhillin. Në fillim Mëhilli u mobilizue ushtar në Tiranë e më pas në Korçë e në fund në Përmet. Që nga dita që ai shkoi ushtar dhe deri në atë kohë që na erdhi lajmi në shtëpi për ngjarjen e tijna, ne si familje nuk kena pasë asnjë kontak me të. Ngjarja e Mëhillit ka ndodhë në fshatin Çarshovë të Përmetit ku ai ishte ushtar për së fundi dhe zanafilla e sherit të tij, nisi pasi njeni nga oficerët që ai e kishte si komandant, ishte kenë në operacionet që kishin ba Forcat e Ndjekjes në fshatin tonë në vitin 1945, kur patën vra Losh Kolën (Gjurajn), që ishte i njoftun në të gjithë malësinë. Mëhilli sapo e mori vesh se komandanti i tij kishte marrë pjesë në vasjen e Loshit, filloi debatin me të duke i thënë: "Shoku komandant, ti dhe shokët tu nuk keni ba burrni, sepse nuk vritet njeri për një copë hekur". Mëhilli e kishte fjalën për Loshin që e kishin vrarë atëherë për një pistoletë që i kishin gjetë me vete. Pas kësaj, oficeri i tha Mëhillit: "Ti je verior dhe të gjithë ju veriorët jeni reaksionarë". Pas atyre fjalëve oficeri iu drejtua ushtarëve të tjerë që ishin në rresht, duke u thënë: "Edhe këtij i duhet bërë si, patriotit të tij, Losh Kolës". Mëhilli nuk e duroi dot më dhe iu kthye: "Komandant, dy shqiptarë janë tepër që të vriten për një copë hekur". Pas fjalëve të Mëhillit, komandanti i tha: "Ju nuk jeni shqiptar, ju jeni fashista". Këto fjalë të oficerit të tij, Mëhilli nuk mundi me i durue dot dhe në atë moment duke nxjerrë revolen prej brezi i ka thënë: "Me që unë nuk jam shqiptar, na m'i 'i baj të fala Losh Kolës" dhe ka shti disa herë në drejtim të komandantit duke e lënë të vdekun në vënd", kujton Nikoll Pëllumbi lidhur me vëllanë e tij, Mëhillin, që në gushtin e vitit 1947, vrau komandantin e tij në një repart të Korpusit të Përmetit, pas një sherri që nisi lidhur me një vrasje të bërë dy vjet më parë në fshatin Gjuraj të Pultit të Dukagjinit.
Vrasja e oficerëve
Po ç'ndodhi më vonë me ushtarin Mëhill Pëllumbi, pasi ai qëlloi dhe e la të vdekur në vënd komandantin e tij, pas debateve të ashpëra që bënë me njëri-tjetrin? Lidhur me këtë, Nikolla dëshmon: "Pasi Mëhilli qëlloi duke vrarë komandantin e tij, të gjithë shokët e tij ushtarë që ishin të rreshtuar shtangën dhe askush prej tyre nuk bëri asnjë lëvizje në drejtim të tij, ndonëse ishin të gjithë të armatosur me pushkët në krah. Në ato momente që u dëgjuan krismat, një grup i madh oficerësh që ishin duke zhvilluar stërvitje teorike në një çadër aty pranë, dolën menjëherë përjashta dhe me armët në dorë i bënë thirrje Mëhillit që të dorzohej. Por Mëhilli, jo vetëm që nuk u dorzua, por në çast ai nxorri nga brezi dy-tre granata dore dhe ua hodhi menjëherë në drejtim të tyre. Aty u bë kasaphanë e vërtetë, pasi mbetën të vrarë pjesa më e madhe e oficerëve, reth 12 vetë, e disa të tjerë u plagosën. Pas kësaj Mëhilli ia dha vrapit duke dalë nga reparti e mori rrugën për në drejtim të fshatit Çarshovë. Kur ka mbërritur në atë fshat, ai nuk kishte më fuqi për me ec dhe u fut në një shtëpi ku banonte e vetëme një plakë e vjetër pa njeri. Pas pak aty në atë shtëpi ai u rrethua nga forcat e shumta të ushtrisë që kishin filluar ndjekjen e tij që nga Përmeti. Ato kishin urdhër që ta kapnin të gjallë Mëhillin, por pozicioni i shtëpisë ishte i tillë që ata e kishin të vështirë që ta bënin atë gjë dhe prej faktit se ai ishte i armatosur e qëllonte në të rrallë në drejtim të tyre. Ashtu me shkëmbime zjarri nga të dy palët, kanë vazhduar deri sa po zbardhte drita dhe nga të shtimet e Mëhillit, mbetën të vrarë dhe dy oficerë të tjerë që tentuan për të hyrë brenda nga dritaret. Pas vrasjes së tyre, forcat e ushtrisë morën urdhër që ta minonin shtëpinë, pasi po zbardhte drita dhe ajo ngjarje do të bënte bujë të madhe nga fshatarët që do e shihnin me sytë e tyre atë gjë. Pas atij urdhëri ata i vunë dinamitin shtëpisë dhe Mëhilli mbeti i vdekur nën rënojat e saj. Kur janë futur ushtarët për të marrë kufomën e tij, thuhet se e kanë gjetur me një plagë plumbi në kokë, pasi ai kishte vrarë veten. Pas vrasjes së tij, oficerët u dhanë urdhër disa fshatarëve që kufomën e tij ta groposnin diku në një vënd aty afër. Por fshatarët iu përgjigjën atyre se aty ishte zakon që nuk mund të varrosej njeri jashtë varrezave të fshatit, prandaj po të donin le ta merrnin vetë kufomën e tij dhe ta çonin ku të donin. Pas kësaj një nga oficerët iu tha: "Groposeni ku të doni atë kërmë? Pas kësaj ata e morën trupin e Mëhillit dhe e varrosën diku në një cep të varrezave të fshatit të tyre, duke i vënë edhe një shenjë", kujton Nikoll Pëllumbi lidhur me ngjarjen e bujshme të vëllait të tij, Mëhillit, që mbeti i vrarë në fshatin Çarshovë të Përmetit, pasi kishte vrarë më parë plot 15 oficerë në repartin e tij.
Masakra mbi familjen Pëllumbi
Dy-tre ditë pas asaj ngjarje të bujshme që pati jehonë të madhe deri në Tiranë, ku krerët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes u thirrën në Qeveri, forcat e Sigurimit të Shtetit të nisura nga Dega e Brendshme e Shkodrës, mbërritën në fshatin Gjuraj, ku ishte shtëpia e Mëhill Pëllumbit. Lidhur me këtë, i vëllai i tij, Nikolla, dëshmon: "Lajmi-n e vrasjes së Mëhillit ne e mësuam nga Kryetari i Këshillit të fshatit tonë, i cili erdhi e na dha mandatën, e pas tyre erdhën edhe forcat e Sigurimit nga Shkodra të cilat pasi i vunë hekurat babës, e morën me vete. Pasi e mbajtën gjashtë muaj në hetuesi, babën e nxorrën në gjyq dhe i dhanë pafajësinë duke e liruar nga salla e gjyqit. Kjo ndodhi pasi ai u shpreh: "Unë nuk mbaj përgjegjësi për atë çka ka bërë djali im, pasi që nga dita që ua kam dorzue ju, unë nuk kam pasë mundësinë me e taku asnjëherë". Ndërkohë që u lirue baba, vëllai tjetër, Marku, (që në atë kohë nuk ishte më shumë se 17-18 vjeç) kishte hikë nga shtëpia e rrinte maleve dhe qeveria e shpalli person në kërkim. Në atë kohë Marku u bashkua me Lazër Palin e njerzit e tjerë të malit që ishin arratisë për arsye politike dhe ra disa herë në përpjekje me forcat e Sigurimit, të cilat mundën që ta arrestonin dy herë, dhe dy herë ai mundi që t'ju ikte atyre. Pasi kishte hyrë e dalë disa herë brenda kufirit, më 26 dhjetor 1952, Marku u rrethua nga Sigurimi dhe mbeti i vrarë prej tyre në fshatin Gruemirë, ndërsa dy shokët e tij, Lazër Pali e Kol Leka, mundën që ta çanin rrethimin. Atë ditë që u vra Marku, forcat e Sigurimit mundën që të kapnin edhe vëllanë tjetër, Prenashin, (17-vjeçar) i cili ishte bashkë me Markun në arrati, kurse një kushëri i yni, Kol Gjoka, mundi të arratisej dhe iku në Australi. Pas kapjes së Prenashit, forcat e Sigurimit erdhën në shtëpinë tonë dhe arrestuan edhe motrën, Pashkën, pasi ajo për një kohë të gjatë ishte ndjekur prej tyre kur furnizonte me ushqime Markun e shokët e tij të malit. Atë ditë sapo morëm vesh vrasjen e Markut, unë dhe nëna shkuam menjëherë aty, sepse vëndi i ngjarjes nuk ishte shumë larg prej vëndit ku banonim ne në atë kohë. Në varrimin e tij prej njerzëve të Sigurimit, jemi kenë prezent edhe unë me nanën, pasi na lejoi Kryetari i Këshillit, Dervish Meti (Hasanaj). Pak ditë më vonë u bë edhe gjyqi i Pashkës e i Prenashit, të cilët i dënuan me akuzën "bashkëpunim dhe strehim krimilelësh". Pashka u dënua dhjetë vjet, nga të cilat ajo bëri vetëm shtatë, kurse Prenashi u dënua pesë vjet dhe bëri vetëm tre", kujton 62-vjeçari Nikoll Pëllumbi, lidhur me vrasjen e vëllait tjetër, Markut dhe burgosjen e Prenashit dhe Pashkës.
Zhvarrimi i Markut në 1959 dhe Mëhillit në 1993
Vrasja e vëllait tjetër, Markut, si dhe burgosja e Pashkës dhe Prenashit, ia shtuan edhe më shumë vuajtjet familjes së Pëllumb Pjetër Pëllumbit, të cilin komunistët e kishin shpallur reaksionar dhe e internonin vazhdimisht me gjithë fëmijët e tjerë që i kishin mbetur në shtëpi. Lidhur me këtë, Nikoll Pëllumbi dëshmon: "Që nga ngjarja e Mëhillit në 1947, për familjen tonë pati vetëm ditë të zeza dhe na thoshin se edhe lopatën e kishim tepër. Por edhe pse në ato kushte, unë nuk i harroja kurrë dy vëllezërit që më ishin vrarë nga komunistët. Markut ia dija vëndin se kisha qenë vetë prezent kur ishte varrosur, ndërsa për Mëhillin nuk kisha asnjë të dhënë se ku preheshin eshtrat e tij. Aty nga viti 1959, me ndihmën e një mikut tonë (Islam Idrizit) që ishte përgjegjës i traktoristëve, unë munda që t'i çvarrosja fshehurazi eshtrat e Markut dhe pasi i futa në një thes, udhëtova për gjithë natën dhe shkova e i varrosa po fshehurzai në varret e të parëve tanë në fshatin Gjuraj. Ndërsa eshtrat e vëllait tjetër, Mëhillit, mundëm që t'i gjenim vetëm në vitin 1993, falë dashamirësisë së banorëve të fshatit Çarshovë të Përmetit. Pavarsisht se në ç'rrethana kishte ndodhur vrasja e vëllait tonë, fshtarët e Çarshovës jo vetëm që i kishin ruajtur ato, por na respektuan shumë duke na i bërë të gjitha nderet dhe e quanin Mëhillin trim të madh", e përfundon rrëfimin e tij, Nikoll Pëllumbi, mbi historinë tragjike të familjes së tij, e cila u masakrua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pas ngjarjes së bujshme të vitit 1947, kur i vëllai, Mëhilli, vrau 15 oficerë të garnizonit të Përmetit.
Kliko per te printuar artikullin